Kina, një superfuqi me superprobleme identiteti



Në fundin e viteve '60, vite në të cilat Presidenti Barack Obama jetonte në Indonezi, Kina shikohej nga ky vend si një forcë malinje e Veriut, ku komunistët konspironin për ta eksportuar revolucionin e tyre në pjesën tjetër të Azisë. Kurse Xhakarta që Obama do të vizitojë në ditët e ardhshme shikon sot nga Republika Popullore me sy krejt të ndryshëm. Sa për të dhënë një shembull: sipërmarrjet lokale bëjnë biznes me juanë kinezë më shumë sesa me dollarë amerikanë.
Nëqoftëse Xhakarta do të pësonte një rënie financiare, siç ndodhi në vitin 1997, sot do të kishte mundësinë që të mbështetej mbi një fond rajonal rezervë prej 120 miliardë dollarësh: bëhet fjalë për një fond antikrizë aziatik të krijuar sipas modelit të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe që do të lançohet këtë javë, pothuajse tërësisht i furnizuar nga rezervat monetare masive të jashtme të Kinës Popullore. Është mirë që të mbahet parasysh se tashmë çështjet kyçe politiko-ekonomike të Azisë nuk janë më objekt në traktativat e gjata dhe sfilitëse të kryera nga presidentët amerikanë në udhëtimet e tyre, krejtësisht të ngjashme me atë që pritet të bëjë Obama (me traktativa bilaterale midis Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të veçanta aziatike), por çështjet diskutohen në samite ku të vetmit që takohen janë Kina, Japonia, Koreja e Jugut dhe vendet e tjera të Juglindjes aziatike.
"Kinës merita që ka kontribuar në kryerjen e një ndryshimi të paradigmës Azi - Paqësor, e referueshme kryesisht marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë, asaj East - Azia, ku Kina në të vërtetë mban një rol qendror", kujton Martin Jacques, autor i When China Rules the World.
E gjitha kjo duket në fund jashtëzakonisht logjike: askush nuk do të dëgjohej sot t'i mohonte Kinës peshën lidhur me çështjet që i përkasin më nga afër rajonit të saj. Por ajo që pjesa më e madhe e njerëzve akoma nuk e kanë kuptuar është se Pekini do edhe të rishkruajë - ose të paktën të kontribuojë që të rishkruhen - rregullat e reja të botës. "Kina ka vendosur që të ulet në krye të tavolinës", kujton Cheng Li, përgjegjës i kërkimeve pranë John L. Thornton China Center të Brookings Institution. "Liderët e saj mendojnë se kanë gjithë të drejtën që të jenë midis arkitektëve kryesorë të institucioneve globale të së ardhmes".
Në fakt, shpesh harrohet se organizatat ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar apo Banka Botërore u krijuan nga një grup i vogël vendesh, në të cilin roli drejtues u takonte Shteteve të Bashkuara. Këto organizata ekonomike disponojnë aftësi operative globale, por të cilat shprehin politika për më tepër të ankoruara ndaj vlerave amerikane dhe, në një farë kuptimi, funksionale ndaj dominimit global të superfuqisë amerikane. Në epokën në të cilën Kina ishte vetëm një aktor i nivelit të dytë, liderët e saj demonstronin se nuk e dëshironin gjithmonë "konfigurimin" e sistemit, por pranonin gjithsesi që të jetonte brenda, si kur vendosën, megjithëse subjekt kundërshtimesh të forta, që ta fusnin Kinën në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Tani gjërat kanë ndryshuar: Kina ka një influencë ndërkombëtare shumë më të gjerë dhe opinioni publik i saj është plot e përplot me tone luftarake (në mos tamam nacionaliste në mënyrë eksplicite). Me një sy ndaj interesave kombëtare kineze dhe me tjetrin e përqendruar mbi ata të cilët akuzojnë regjimin se është tepër "indulgjent" me Perëndimin, Pekini ka lëshuar një fushatë të heshtur për t'i bërë sistemet ndërkombëtare më të pajtueshme me interesat kineze (edhe në shpresën që të mund të rrisin kështu mundësinë e mbijetesës së vetë regjimit). Dhe tani, për ironi të fatit, politikanët amerikanë ankohen shpesh për faktin që Kina nuk është mjaftueshmërisht e përfshirë në çështjet botërore, siç e dëshmon për shembull thjeshtësia e tepruar e liderëve kinezë për t'u lënë të përfshihen në përpjekjet e stabilizimit në Afganistan. Megjithatë, është e vërtetë që në shumë prej këtyre rasteve i është kërkuar Kinës dhe liderëve të saj që të marrin pjesë në jetën e një sistemi në përkufizimin e të cilit nuk kanë mundur të marrin pjesë, të bindur - ndoshta me të drejtë - që sistemi aktual është menduar në mënyrë kushtetuese për të favorizuar interesat e Perëndimit.
Në fakt, kinezët demonstrojnë se janë shumë më të prirur për të marrë pjesë në grupe që vetë ata kanë kontribuar të organizojnë, si për shembull "Organizata për Bashkëpunimin e Shanghait", një lloj NATO-je qendro-aziatike në të cilën Kina (siç del pastërtisht nga emri i organizatës) luan një rol drejtuesi. Për sa si e tillë aleanca ka lindur si një lloj loje në vitin 1996, ajo është rritur deri sa të bëhet një shtyllë e sigurisë kolektive rajonale. Në të njëjtën kohë, përpjekja e Pekinit për ta rivlerësuar juanin me dollarin amerikan me ngadalë po bën rrugë. Në muajt e fundit, Kina ka nënshkruar marrëveshje këmbimi midis valutave të huaja (currency swap) për një vlerë prej 100 miliardë dollarë me qeveritë e Argjentinës, Indonezisë dhe Koresë së Jugut. Juani është bërë një valutë shkëmbimi në transaksionet tregtare midis vendeve të Juglindjes aziatike dhe dy provincave periferike kineze.
"Juani në të ardhmen do të përdoret si valutë tregtare në shkëmbimet me Indinë, Pakistani, Rusia, Japonia dhe Koreja", profetizon Gu Xiaosong, Drejtor i Institute of Southeast Asian Studies në Nanning. Pa llogaritur që këto vende veç të tjerash do të jenë në gjendje të përdorin valutën kineze në shkëmbimet reciproke tregtare. Por ka dhe më: në synimin për të lëvizur drejt një konvertueshmërie të plotë në tregjet valutore ndërkombëtare, nga fundi i vitit të kaluar Pekini ka emetuar huanë e tij të parë obligacionare ndërkombëtare në bursën e Hong Kongut.
Por nuk është e gjitha: paralelisht dhe me maturi, Pekini po kontribuon edhe në një ripërcaktim të standardit të uebit. Njoftime të fundit kanë nxjerrë në dritë përplasjen e fortë midis Kinës dhe Google, i cili ka deklaruar veç të tjerash se nuk do ta shikonte ruajtjen e rregullave të censurës lokale pasi që rrjetet e saj të kompanisë kanë qenë objekt sulmesh nga ana e kompjuterëve kinezë.
Por nuk duhet lënë të ngatërrohet: me përpjekje të mëdha, kinezët kanë punuar (dhe punojnë) paralelisht për zhvillimin e standardeve të reja për IPv6, protokollin e ri të internetit version 6. Versioni aktual, IPv4, do ta ezaurojë brenda vitit të ardhshëm sasinë e adresave IP të disponueshme. Dhe nuk habit mosdurimi me të cilin Pekini pret që ajo ditë të vijë: sipas të dhënave të disponueshme në gusht të vitit 2007, me versionin aktual IPv4 rreth 1.4 miliardë adresa, domethënë shumica dërrmuese, kanë përfunduar "në duart" e kompanive dhe të individëve amerikanë, ndërsa Kinës i kanë takuar 125 milionë adresat IP të mjera. Bëhet fjalë për më pak se një adresë IP çdo 100 persona, kundrejt 1 për 5 persona të Shteteve të Bashkuara. Kurse IPv6 e re do të furnizojë miliarda adresa për çdo lloj përdorimi: shkohet nga uebsajtet, duke kaluar nëpër instrumente intelligent home deri në aplikime për qëllime ushtarake. Është jashtë çdo dyshimi që kësaj radhe Pekini synon që të kapë pjesën e tij të tortës.
Veç kësaj, ka të ngjarë që Kina, me kalimin në IPv6, të dojë të zgjerojë aftësitë e saj në fushën e spiunazhit kibernetik: në ndryshim nga arkitektura e mëparshme, IPv6 mundëson që adresat IP të jenë të lidhura me kompjuterë specifikë apo device mobil, gjë që do t'i rriste më tej mundësitë e regjimit për të përndjekur të ashtuquajturit Netizens.
Po të shikosh mirë, përpjekjet e Kinës duken të mbajtura së bashku nga një përzierje e çuditshme besimi, krenarie dhe pasigurie. Nga njëra anë, Kina është tashmë e vetëdijshme për rritjen e ndjeshme të aftësive teknologjike të saj, duke i shtyrë disa që të imagjinojnë, të paktën në sektorë të caktuar, mundësinë e një tejkalimi në dëm të Perëndimit. "Gjithmonë është përkëdhelur bindja, sa në Kinë, aq edhe në vende të tjera në rrugën e zhvillimit, se Perëndimi ishte e ardhmja: papritmas tani kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë", pohon Ruchir Sharma, Shef i Divizionit Emerging Markets të Morgan Stanley Investment Management. Shkencëtarët dhe kërkuesit kinezë kthehen masivishtë në laboratorë të lindur për të kryer kërkime origjinale në mjedise të mirësubvencionuara. Nga ana tjetër, kinezët janë të vetëdijshëm se nëqoftëse do të përjashtoheshin nga ripërcaktimi i standardeve të reja të internetit, ata do të ekspozoheshin ndaj manipulimesh të gjitha në favor të armiqve të tyre. Për ta parandaluar këtë mundësi, regjimi ka tentuar për shembull që të pengojë futjen në administratën publike e sistemave operative Microsoft, në bindjen - të paktën pjesërisht - se ato softuerë mund të fshihnin një "back door" që do t'i mundësonte qeverisë amerikane që të kryente sulme kibernetike kundër Kinës.
Kështu, nëqoftëse Kina nuk duket në dukje e prirur ndaj pushtimit të botës, veprimet e saj duket se i vënë interesat kineze jo më pak se vendi i parë. Le t'u hedhim një sy programeve hapësinore kineze: për sa janë subjekte standardesh sekreti shumë të forta, është e mirënjohur se janë rritur ndjeshëm në terma pajimi në vitet e fundit. Për shembull, e demonstron testi i lëshimit, i kurorëzuar me sukses, i armatimeve antisatelit i ndodhur në vitin 2007, pasuar këtë vit nga lëshimi i një rakete tokë - ajër ezoatmosferike (që disa ekspertë perëndimorë armatimesh kanë frikë se është një instrument i ri shkatërrimi antisatelit). Në fillim të këtij muaji, qeveria kineze ka konfirmuar planet e saj për lëshimin e një sonde hënore në tetor dhe lëshimin, e parashikuar në vitin 2011, të një moduli hapësinor për operacionin e parë kapës, parakusht për zbarkimin e parë në Hënë të parashikuar për vitin 2013. Përballë një zvogëlimi i buxhetit të NASA-s amerikane, Kina në këtë pikë mbetet vendi i vetëm që kryen investime të fuqishme në kërkimin hapësinor.
Atëhere do të pyetej se pse Kina demonstron kaq shumë mosdurim në arritjen e Hënës? Të themi që Pekini pret nga aventurat qiellore të tij fitime minerare shumë më të larta nga ato të siguruara deri më tani nga Shtetet e Bashkuara. Disa shkencëtarë kinezë janë të bindur se hapësira është kufiri i vërtetë ku të shkohen e kërkohen burime potenciale energjie, si Heliumi - 3, domethënë sasira mineralesh të reja tashmë të gllabëruar nga prodhimi industrial tokësor; Ye Zili, anëtar i China's Space Science Society (Shoqatës së Shkencave Hapësinore Kineze, shënimi im), është cituar pse ka pohuar publikisht se kur kinezët do të arrijnë në Hënë, "nuk do të kufizohen që të sjellin prapa një copë nga trualli hënor", duke mos fshehur një shigjetë të qartë ndaj përvojave të kaluara amerikane. Në fakt, është e njohur se një rregullim i procedurave të shfrytëzimit të resurseve jashtëtokësore nuk është shkruar akoma. Kur do të jetë, Kina do të jetë e vendosur mirë për ta thënë fjalën e saj. Në të njëjtën mënyrë shpjegohet atëhere shtytja komplesive që Kina po kryen për t'u vënë në njëfarë kuptimi në krye të botës: kinezët duan të jenë të sigurtë që të kenë një peshë të qartë lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me rregullat dhe standardet që do të kenë shumë impakt në të ardhmen e tyre.
Kinezët duken mjaft të vetëdijshëm që mund ta ngjisin klasifikimin ekonomik botëror me lehtësi të madhe në sektorët e rinj teknologjikë sesa në sektorët industrialë të pjekur dhe ndoshta kjo shpjegon se pse Kina, fillimisht si ndotësi i parë botëror, është bërë edhe mbështetësja më e fortë e green technology. Falë edhe subvencioneve publike masive, Kina është sot lider botëror në pajisjet për dielloren dhe eoliken, dhe nuk është larg nga ajo që mund të stabilizojë standardet në brezin e ardhshëm të automjeteve me energji të pastër. Bateritë e prodhuara nga industria kineze BYD përdoren tashmë në të paktën një të katërtën e celularëve në qarkullim në botë; kjo kompani është veç të tjerash në krye në garën globale për përshtatjen e këtyre baterive tek automobilat, pengesa e vërtetë e fundit për krijimin e tregut të mbështetshëm për makinat elektrike dhe hibride. Falë asistencës shtetërore, Kina zotëron veç të tjerash flotën më të madhe të automjeteve me energji të pastër të botës. Në përmirësimin e teknologjisë, është për të vënë bast se Kina do ta pushtojë tregun e konsumeve me automobilat e "pastra" të saj (lidhur me këtë, vitin e kaluar Kina i ka kaluar Shtetet e Bashkuara për sasinë absolute të automjeteve të shitura). Dhe duke qenë se nuk ka asgjë që na pengon të konsiderojmë se Kina nuk mund ta zhvillojë praktikisht prototipin teknologjik në fushën e industrisë automobilistike, është e ligjshme që kinezët të presin për të mundur të kontrollojnë, një të nesërme, tregun global të automobilave.
Nëqoftëse dhe kur do të vijë kjo ditë, atëherë do të jetë interesante të matet gatishmëria kineze - dhe me ta e botës - në mbështetjen e rregullave aktuale të tregtisë së lirë dhe konkurrencës së hapur globale që aq shumë kanë kontribuar në themelimin e nivelit të tyre aktual të paqes sociale dhe të begatisë. Në të vërtetë, qysh sot, mund të konstatohen ndryshime preokupuese në mënyrën me të cilën Kina lidhet me sipërmarjet e huaja. Vetëm 10 vjet më parë, Kina bënte gjithçka (edhe më shumë) për të kapur investimet e huaja. Sot gjithçka është ndryshe. Paketa fiskale antikrizë prej 800 miliardësh e miratuar nga qeveria kineze ka favorizuar sipërmarrjet shtetërore në kurriz të atyre të sektorit privat. Një disiplinë e re mbi shkrirjet i bën gjërat më të vështira për ato sipërmarrje të huaja që duan të blejnë sipërmarrje kineze. Dhjetorin e kaluar, Dhoma e Tregtisë Amerikane dhe 33 organizata të tjera të sipërmarrësve nga çdo anë e globit, i kanë dërguar një letër qeverisë kineze për të protestuar kundër një legjislacioni që, sipas mendimit të tyre, do t'i pengonte faktikisht sipërmarrjet e huaja nga marrja pjesë në tregjet fitimprurëse të furnizimit të shtetit. Qeveria kineze po tenton deri që të marrë kontrollin e tregut të venture capital (kapitaleve me rrezik, shënimi im). Një prej shoqërive më të rëndësishme të botës në sektorin e private equity, grupi Carlyle, kohët e fundit është detyruar që të bashkëpunojë me qeverinë urbane të Pekinit, si kusht për investime të mëtejshme të grupit në Kinë.
Domethënë supozimi se Kina, me rritjen e begatisë së saj, bëhet shumë e ngjashme me Shtetet e Bashkuara ose të paktën një çikë më shumë në sintoni me axhendën e Shteteve të Bashkuara, po zbulohet një parashikim i gabuar. Historikisht, Kina nuk është transformuar kurrë nga jashtë dhe nuk ka të ngjarë që të fillojë tashti. Midis kinezëve të thjeshtë, krenaria për perspektivat e vendit të tyre përzihet me perceptimin këmbëngulës se gjithçka është tepër e re dhe e pasigurtë. Ritmi marramendës i ndryshimit po prodhon një efekt dramatik sidomos ndaj kinezëve më të rinj, duke i shtyrë në një mbyllje të caktuar në vetvete që përzihet me një ndjenjë nacionaliste në rritje (një tendencë që John Lee, anëtar i Hudson Institute, beson se është faktor vendimtar në ripërcaktimin e politikave shumë më agresive në lëmin e sigurisë, tregtisë dhe politikës së jashtme). E kotë të krijosh iluzione: ky agresivitet nuk ka sesi të mos rritet me afrimin e ndryshimit të niveleve drejtuese të Partisë Komuniste, parashikuar për vitin 2012. Në këtë hapësirë kohore, të gjithë drejtuesit që në një mënyrë apo në një tjetër luajnë lojën e tyre për pozicione më të mira në parti "do të humbisnin pikë nëqoftëse do të perceptoheshin si tepër të butë në çdo lloj negocimi me Shtetet e Bashkuara", kujton Cheng Li i Brookings Institution. Është evidente se nga e gjithë kjo, Kina është duke përpunuar një identitet: bëhet fjalë për vend të pasur apo vend të varfër, një fuqi të dorës së parë që dëshiron të thotë fjalën e saj lidhur me çështje globale apo një vend në rrugën e zhvillimit që duhet të kufizohet të mendojë për vetveten?
Një konfuzion identitar ky që mund të na çojë në rënie të tjera, si ajo e konsumuar dhjetorin e kaluar në samitin lidhur me ndryshimin klimaterik të Kopenhagenit, kur Pekini ka hedhur në erë marrëveshjen, duke refuzuar që t'u përshtatet shkurtimeve detyruese ndaj emisioneve. Nuk është rastësi që Kryeministri Wen Jiabao, duke shpërfillur Presidentin Obama, ka dërguar një përfaqësues të nivelit të dytë në një takim vendimtar midis krerëve të shteteve. Është për t'u pyetur: nëqoftëse Kina do një vend në tryezën e lojës që ka peshë, pse ta zësh atë me një marionetë? Në rastin konkret, sipas një funksionari të Punëve të Jashtme kineze, jo i autorizuar që të ekspozohet publikisht, por shumë brenda procedurave të rastit, duket se Wen Jiabao nuk është siguruar se mund të marrë vendime detyruese në samitin e Kopenhagenit. Në vend që ta shikonte veten në pozitë të keqe për shkak të mungesës së mandatit të tij, Kryeministri do të preferonte që të qëndronte jashtë (përfaqësuesi kinez që mori pjesë në samit në vendin e tij në më shumë se një rast e ka justifikuar paaftësinë e vet për të marrë vendime detyruese prej pamundësisë së ndodhur për të komunikuar me celular, shkaku bateritë e rëna). Në Kopenhagen, Kina ka pasur frikën se mos përfundon ose maksimumi mos e gjen veten të mbërthyer në një kurth të ngritur nga një Perëndim që i shkelte syrin dhe që ishte i gjithi i prirur që të drejtonte vallëzimet e delegacioneve. Në përfundim, është kështu mjaft e qartë se kujt do t'i ngjajë bota kur Kina do të ketë bërë pjesën e saj për ta rikonceptuar. Por është po aq e qartë se rruga drejt kësaj bote, tashmë e sigurtë, do të jetë goxha e vështirë.
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Google+ Followers