Kazablanka/"Bjeri përsëri, Sam"



"Ilsa, gjërat prej heroi nuk më pëlqejnë, por ti e di mirë se problemet e tre personave të vegjël si ne nuk kanë rëndësi në këtë tragjedi të madhe...".
Eshtë dhjetori 1941. Rick Blaine (Humphrey Bogart) në aeroportin plot dëborë të Kazablankës, në Marok është duke i dhënë lamtumirën Ilsas (Ingrid Bergman), gruaja që e kishte dashuruar shumë kohë më parë dhe që e kishte ritakuar krejt papritur në klubin e tij të natës në Kazablanka. Ajo e dëgjon duke qarë. Iluzioni që janë ritakuar për të ndenjur përgjithmonë bashkë zbehet përballë avancimit të historisë. "Lum ai vend që nuk ka nevojë për heronj", shkruante në ato vite dramaturgu gjerman Bertolt Brecht. Protagonistët e filmit "Kazablanka" (1942) në mënyrën e tyre janë heronj, ose bëhen të tillë: të paktën kështu donin studiot amerikane, që duke ripërshtatur për ekranin e madh dramën "Të gjithë e duan Rikun" të Murray Burnett dhe Joan Alison, i besuan regjisorit Michael Curtiz: një hungarez i emigruar në SHBA në vitin 1926, si një prej protagonistëve Victor Laszlo.
Protektorat
Skenari për ngjarjet e filmit zhvillohet në rrugët e Kazablankës. Maroku, në vitin 1912 një protektorat francez, pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore ishte shndërruar në një pikë tranziti për shumë kundërshtarë të fashizmit dhe nazizmit që donin të braktisnin Europën: prej këtu hidheshin për në Portugalinë neutrale për t'u hipur anijeve drejt Amerikës (jashtë konfliktit deri në dhjetor 1942). Është kjo edhe historia e Ilsas, e cila vjen në Kazablanka bashkë me bashkëshortin Laszlo (Paul Henreid) në dhjetor të 1941, kur qyteti ishte një strehë e madhe kontrabandistësh, spiunësh nazistë, anglezë e francezë, aventurierësh dhe spekulantësh. Ndonëse Maroku nuk ishte formalisht një koloni, Parisi kontrollonte në fakt marrëdhëniet me jashtë, mbrojtjen, por edhe politikën e brendshme. E qartë pra, që me pushtimin nazist të kryeqytetit francez dhe lindjen e qeverisë kolaboracioniste të Vichy-së, statusi i vendit afrikano-verior u bë edhe më i paqartë. Në një prej skenave të para të filmit vihet re një manifest me fytyrën e marshallit Petain. Tashmë, hero i Luftës së madhe, Philippe Petain udhëhoqi qeverinë kukull në të ashtuquajturën "zonë e lirë", në pjesën jugore të Francës. E ndërsa nga njëra anë qëndroi larg luftimeve, duke u kufizuar në ofrimin e furnizimeve për forcat e Boshtit gjatë operacionit Barbarossa në Rusi, nga ana tjetër e zëvendësoi moton republikane "Vëllazëri, liri dhe barazi" me atë më fashiste "Familje, atdhe dhe punë". Ai shkriu parti e sindikata.
Dashuri në Paris
Edhe Laszlo, bashkëshorti i Ilsas, i përket grupit të antifashistëve europianë. Përpara se ta ritakojë në Paris dhe duke e menduar të vdekur në kampet e burgimit, gruaja kishte patur një histori dashurie me Rick, një amerikan. Ndërkohë, avancimi i gjermanëve kishte sjellë pushtimin e Vendeve të Ulëta dhe Belgjikën dhe pasi kishte sprapsur frontin e aleatëve në Sedan, kishte mbërritur deri në Kanalin anglez. Parisi ishte shpallur "qytet i hapur" (dhe ishte lëshuar pa luftime) në 11 qershor 1940. "Ndërkohë që bota shembet, zgjedhim pikërisht këtë moment për t'u dashuruar", i kishin thënë njëri-tjetrit Ilsa dhe Rick gjatë aventurës së tyre të shkurtër. "Janë goditje topash apo është zemra ime që rreh?", kishte pyetur ajo. "Eshtë topi i ri gjerman. Janë më pak se 35 milje larg dhe vazhdojnë të afrohen", ishte përgjigjur ai. Kishin vendosur kështu të braktisnin Francën, por ditën e nisjes Ilsa ishte zhdukur, pasi kishte mësuar se Laszlo ishte gjallë.
Në 14 qershor 1940 ishte shpallur dorëzimi i Francës. Në atë kohë, "Corriere della Sera" hapej me titullin: "Flamuri i Rajhut valëvitet në Elize dhe në Kullën Eiffel" 4 ditë më vonë, gjenerali Charles de Gaulle lëshonte që nga Londra një apel drejtuar të gjithë francezëve që të bashkoheshin në rezistencë kundër pushtimit.
Ndërthurje
Pikërisht në këtë klimë të zymtë, Rick, Ilsa dhe Laszlo takohen sërish në Kazablankë, një vit pas atyre ngjarjeve. Rick ka hapur një klub nate, i cili është shndërruar në një vendtakim për të huaj dhe spiunë në pritje të nisjes drejt lirisë. Kur Ilsa, që hyn në lokal, sheh Samin (pianisti mik i Rickut që e kishte njohur në Paris), i thotë: "Play it, Sam" (Bjeri, Sam). Dëshiron të ridëgjojë këngën e tyre të dashurisë, "As time goes by". Kjo batutë u bë kaq e famshme (ndonëse në versionin "Play it again, Sam") saqë frymëzoi vite më vonë titullin e një filmi të Woody Allen.
Zhvillime
Ilsa nuk ndodhet rastësisht në atë klub. Vetëm amerikani, në dukje një cinik pa ideale, është në gjendje që të sigurojë dy viza që do t'i garantonin Ilsës dhe bashkëshortit kalimin drejt Portugalisë. Laszlo, si antifashistët e vërtetë të kohës, kërkohet nga autoritetet, por për të shpëtuar të shoqen është i gatshëm ta lërë të ikë me rivalin e tij. Rick, i prekur nga ky veprim, ia shpërblen duke vrarë një oficer gjerman (vrasje për të cilën do të mbulohet nga kapiteni Renault, simbol i rezistencës së de Gaulle) dhe duke e detyruar gruan që të ikë me të shoqin, i cili kështu mund të vazhdojë të luftojë për lirinë: "Një ditë do të kuptosh. Pa fat, vogëlushe..."
Rick nuk mund të imagjinonte që, dy vite më vonë, historia do të kalonte vërtetë nga Kazablanka. Nga 14 deri në 24 janar 1943, Roosevelti, Churchilli dhe de Gaulle planifikuan këtu zbarkimin në Itali, i cili do të shënonte fillimin e fundit për fashistët.

Google+ Followers