Israel Beer, si u infiltrua spiuni sovjetik në Izrael



Spiunazhi është ndoshta profesioni i dytë më i vjetër në botë. Qysh nga kohët e lashta, deri në ditët e sotme shoqëria, shtete, ndërmarrje private, individë etj., e kanë përdorur spiunazhin si mjet për të manipuluar, vjedhur, sabotuar informacione dhe interesa. Spiunët janë ndoshta njerëzit më të çuditshëm në botë. Pa ta nuk bëjmë dot, por të gjithë i urrejnë. Në sajë të spiunazhit dhe spiunëve janë fituar lufta, perandori të mëdha janë gjunjëzuar, janë shkatërruar jetë njerëzish, por dhe janë shpëtuar në të njëjtën kohë. Si duket është në natyrën njerëzore, e fshehur brenda në shpirtin tonë të dimë diçka që të tjerët duan ta kenë sekret.
Historia e shkruar e spiunazhit, të paktën ajo që njihet ka filluar qysh në Greqinë e lashtë kur Istieu i Militit spiunonte persët që donin të pushtonin Greqinë për llogari të qytetit të Azisë së Vogël të Militit. I maskuar nën petkun e "tradhtarit", Istieu, fitoi besimin e komandantëve ushtarakë persë, madje të vetë Darit të Madh, mësoi planet e tyre për sulm ndaj Greqisë. Pasi mësoi atë që donte i rruajti kokën dhe duke e bërë tatuazh informatën në kokën e skllavit të vet, e dërgoi atë pasi iu rritën flokët në Milito, që këta të fundit të përgatisnin mbrojtjen e qytetit. Në epokat e mëvonshme spiunazhi u përdor nga të gjithë njerëzit që kërkonin pushtet ose dhe nga ata që donin ta ruanin atë.
Shërbimi sekret më i frikshëm i botës, KGB-ja sovjetike ka qenë e njohur në të kaluarën e saj me shumë emra si Izrael Beer. Në vitin 1938, një refugjat i luftës së Spanjës, arriti në Palestinë për t'i ofruar shërbimet e tij Haganas, ushtrisë guerrile çifute, e cila luftonte për të stabilizuar një shtet të lirë çifut. Ai tha se emri i tij ishte Izrael Beer dhe se kishte qenë komandant batalioni për demokratët në Spanjë në luftën civile midis tyre dhe legjioneve fashiste të Francisko Frankos. Beer luftoi në radhët e Haganas dhe më pas u fut në ushtrinë izraelite dhe shërbeu aty në luftën e vitit 1948 kundër kombeve arabe. Ai u lirua nga detyra në ushtri në 1950 nga shefi i shtabit të ushtrisë izraelitë Jigael Jadini, i cili më vonë deklaroi se Beer "mund të bënte një punë të shkëlqyer përsa i përket planifikimeve ushtarake, por duhet gjithnjë të dyshosh për motivet e tij".
Lidhjet politike të Berit nuk ishin aspak sekrete. Ai ishte marksist i deklaruar dhe lider i partisë Mapam të dominuar nga marksistë. Në 1954 ai u tërhoq nga kjo parti dhe u fut në partinë Mapai, të udhëhequr nga Kryeministri izraelit David Ben-Gurion, heroi më i madh i Izraelit. Beer u bë i mbrojturi i Ben Gurionit dhe nëpërmjet tij u ngjit lart në shkallët e hierarkisë politike izraelitë. Atij iu ngarkua detyra e shkrimit të historisë së luftës së 1948 dhe iu dha akses në arkivat e Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit. Gjithashtu, Ben-Gurioni e lejoi Beerin t'i hidhte një sy dhe ditareve të tij personale. I gjatë, me dhëmbë të florinjtë dhe me kokën pothuajse të rruar gjithmonë, Beer nuk ishte dhe aq i pëlqyer nga të gjithë liderit izraelitë. Ai ishte i hedhur dhe i gatshëm për të ndihmuar të tjerët, por dhe arrogant. Mënyra se si teshtinte ofendonte çdo njeri që takohej me të. Por ai kishte besimin absolut të Ben-Gurionit dhe si i tillë, i ofroheshin poste të rëndësishme gjatë gjithë kohës. Ai ishte emëruar dekan i fakultetit të historisë ushtarake të universitetit të Tel Avivit. Jepte leksione mbi çështjet ushtarake, takohej me njerëz shumë të rëndësishëm dhe u shpjegonte me kompetencë dhe vetësiguri eksperti sistemet mbrojtëse ushtarake izraelite.
Miqësitë
Si anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Komentatorëve Ushtarakë, Beer kishte lidhje miqësore me zv/ministrin e Mbrojtjes së Izraelit në atë kohë, Shimon Perezit. Ai gjithashtu, kishte kultivuar me kujdes dhe mbante miqësi me gjigantë të historisë ushtarake si Ser Bazill Henri Lidell Hart (i njohur botërisht me veprat e tij "Mbrojtja e Perëndimit" dhe "Ana tjetër e kodrës"), i cili e vizitonte rregullisht në Tel Aviv. Statuti i tij ishte i tillë, sa që ai bëri një turne për të vizituar mënyrën mbrojtëse në shumë shtete të NATO-s në 1958. Arriti të jepte leksione dhe në Gjermaninë Perëndimore, pasi kishte bërë një vizitë të shkurtër në Moskë.
Imazhi i Beer-it ndryshoi në 1959, kur ai u nda nga e shoqja, Rebeka Beer, biologe. Ai ra në dashuri me Ora Zahavin, një femër me shije shumë të shtrenjtë. Për të Beer harxhoi të gjitha paratë që kishte, madje arriti të futej dhe në borxhe tek miqtë e tij për të mbajtur Orën të lumtur. Për hatër të saj ai nuk ngurroi dhe të bënte një sherr të përgjakshëm me grushte me ish-bashkëshortin e Orës, një shofer taksie i cili i theu Beer-it dy dhëmbët e parë. Aty nga 1961, sjellja ekscentrike e Beer-it tërhoqi vëmendjen e policisë sekrete të Izraelit, e cila filloi ta survejonte. Në një rast ai u pa të takohej me një agjent të njohur të KGB-së. Ky takim e shtyu policinë të kontrollonte shtëpinë e tij. Hetuesit gjetën mbi 30 kg dokumente sekrete dhe korrespondence. U bë e ditur se Beer-i kishte njohuri të avancuara për sa i përket sulmit franko-britanik në kanalin e Suezit, informacion që ai e kishte mësuar nga kontaktet e tij në shërbimet sekrete izraelite. Ekspertët e spiunazhit izraelit, vlerësuan se Beer-i këtë informacion ia kishte pasuar Moskës. Por në vend që të lajmëronin Egjiptin që e kishin aleat, rusët nuk thanë asgjë. Përkundrazi, ata koordinuan sulmin franko-britanik mbi kanalin e Suezit me sulmet e tyre për të shtypur kundër-revolucionin në Hungari në 1956, për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik ndërkombëtar nga masakra sovjetike për dominimin e Hungarisë.
Pas zbulimit të dokumenteve sekrete në shtëpinë e Beer-it ai u arrestua dhe u urdhërua një hetim i plotë i të kaluarës së tij. Nga ky hetim u mësua se Beer-i kishte falsifikuar komplet të kaluarën e tij. Ai kishte deklaruar se kishte lindur në Vjenë dhe se kishte qenë një nga të paktët çifutë që kishin mbaruar akademinë ushtarake me prestigj të Virner Nojshtadit. Ai kishte deklaruar dhe se kishte luftuar së bashku me çifutë të tjerë në radhët e socialistëve të Shuxbundit në përleshjet e tyre kundër fashistëve të Engelber Dollfusit, për të mbrojtur shtëpitë dhe pasuritë e çifutëve në Karl Marks Hof në shkurt 1934. Beer-i gjithashtu kishte insistuar se kishte qenë drejtor skene në Teatrin Berg të Vjenës dhe se kishte marrë një doktoratë për filozofi në Universitetin e Vjenës.
Arrestimi
Të gjitha këto dolën si pasojë e hetimeve të pavërteta. Një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes së Austrisë raportoi se emri Beer nuk dukej gjëkundi në regjistrat e emrave të ish-studentëve të Akademisë së Virner Nojshtadit. Burime të tjera në Austri dhe jashtë saj mohuan se Beer kishte marrë pjesë në trupat e Shuxbundit apo kishte punuar ndonjëherë në teatrin Berg. Gjithashtu, u mësua se Beer nuk kishte marrë ndonjëherë ndonjë diplomë nga universiteti i Vjenës dhe se ai nuk kishte qenë kurrë në Luftën e Spanjës ashtu si deklaronte. Kush ishte ky njeri? Askush nuk dukej të dinte diçka konkrete për të kaluarën e tij. Një gjë ishte e sigurtë Ai ishte spiun sovjetik dhe u kishte pasuar atyre dhe KGB-së sekrete të panumërta izraelite. Kur mësoi të rejat mbi Beer-in, Ben Gurioni ishte i shokuar dhe deklaroi: "Jam i rrethuar nga tradhtarë!". Aq i shqetësuar dhe i nervozuar ishte ben-Gurioni me tradhtinë e Beer-it saqë kur mbaroi informimin e kabinetit të tij ministror për aktivitetin e spiunazhit të Beer, ra pa ndjenja.
Aktiviteti
Sipas një raporti, aktivitetet e spiunazhit të Beer-it në favor të KGB-së kishin filluar përpara një dekadë dhe ai kishte qenë një spiun me pagesë për të arritur të pagojë jetën ekstravagante të dashnores së vet. Ky ishte motivi, ndoshta, sipas gjyqit që iu bë Beer-it në 1961. Në gjyq Beer deklaroi se ai kishte bërë detyrën e tij duke shpëtuar Izraelin nga komplotet e Fuqive Perëndimore dhe shtoi se do të ishte në dobi të Izraelit që ai të bëhej aleat me sovjetikët. Skandali që plasi hodhi re të zeza mbi qeverinë izraelite për shumë kohë edhe pasi Beer u dënua me 10 vjet burg për spiunazh. Dënimi u kthye më pas në 15 vjet burg, pasi u vërtetua se ishte fajtor dhe për akuza të tjera. Gjatë kohës që ishte në burg, Beer u mor me shkrimin e një libri ku justifikonte veprimet e tij tradhëtare. Vdiq në burg në 1968 nga një infrakt në zemër. Që ateherë, zbulimi izraelit ka mësuar diçka pozitive për këtë njeri kaq misterioz, i cili nuk ishte Izrael Beer. Çifuto-austriaku i lindur me këtë emër u zhduk pa lënë gjurmë në 1938, disa javë para se personi që e identifikoi veten e vet si Beer të arrinte në Palestinë. Spiuni, identiteti i vërtetë i të cilit akoma dhe sot e kësaj dite është i panjohur, kishte përdorur metodën tradicionale sovjetike të të marrit të indentitetit të një personi të zhdukur ose të vdekur.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers