I vetmi ministër i bixhozit në histori



Nga Redin HAFIZI

E kanë konsideruar si mbretin e djajve, si mendja, koleksionuesi i sekreteve, si inspiruesi dhe kontrolluesi i krimit të organizuar amerikan. Ishte ai që pasi i ofroi një bakshish prej 250 000 dollarësh amerikanë Presidentit kubanez Carlos Prio Socarras në vitin 1952 bëri të mundur që në pushtet të vinte sërish gjenerali Fulgencio Batista, i cili si shpërblim e emëroi atë ministër jo zyrtar të bixhozit në Havana dhe emri i tij është Meyer Lansky, një gjeni në botën e krimit të organizuar amerikan dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i Charles "Lucky" Lucianos. Shpesh herë në shkrimet e ndryshme Lansky nuk haset si një gangster i mirëfilltë, por shumë e konsiderojnë si llogaritarin e gangsterëve, apo si mendja financiare e krimit të organizuar. Në pjesën e dytë të filmit "Godfather" personazhi i Hyman Roth mbështetet në fakte të jetës nga Meyer Lansky. Lansky ndërtoi një perandori të bixhozit që shtrihej nga Saratoga në shtetin e New York në Miami, Florida, nga Council Bluffs, Iowa në Las Vegas dhe gjithashtu ai pati koncesione shumë të suksesshme në Kubë. Edhe pse ishte një anëtar i mafies Hibru, ai pati një ndikim shumë të fortë në mafien italiane dhe luajti një rol shumë të madh në konsolidimin e botës së krimit. Gjithashtu, Meyer Lansky ishte vëllai i Jacob "Jake" Lansky që në vitin 1959 ishte menaxher i të famshmit "Nacional Hotel" në Havana, Kubë.
Ai lindi në 4 korrik 1902, në Grodno të Bjellorusisë dhe emri i vërtetë ishte Meyer Suchowljanski. Ai ishte pjesë e mafies hibru-amerikane dhe bashkë me bashkëpunëtorin e tij Charles, "Lucky" Luciano u bë shumë aktiv në themelimin dhe drejtimin e asaj që në SHBA konsiderohej si "Sindikata Kombëtare e Krimit". Në moshën e adoleshencës Lansky u njoh me Bugsy Siegel me të cilin u lidh shumë ngushtë dhe së bashku me mikun tjetër Lucky Luciano krijuan një bashkëpunim të ngushtë. Lansky ishte shumë aktiv në sjelljen në krye të mafies italiane të Lucky Lucianos, duke luajtur një rol determinant në organizimin e vrasjes së bosit të fuqishëm të mafies italiane në vitin 1931, Salvatore Maranzano. Gjatë kësaj kohe të rinisë Siegel i shpëtoi jetën mikut të tij Lansky shumë herë dhe shpesh Lansky e ka shprehur këtë. Që të dy Bug dhe Meyer krijuan një prej bandave më violente të kohës së depresionit të madh.
Në moshën 34-vjeçare, Lansky kishte ndërtuar bizneset e tij të bixhozit në Florida New Orleans dhe Kubë. Në të njëjtin vit, 1936, miku i tij Lucky Luciano u arrestua dhe u burgos. Gjithashtu, pas arrestimit 5 vjetë më parë të Al Kapones për mospagim taksash, Lansky nisi të mendojë se po i vinte radha ndaj ai vendosi që t'i depozitonte fitimet e tij të jashtëligjshme nga kazinotë e tij në një nga bankat zvicerane të cilat me ligj mbronin anonimitetin e depozituesit sipas një ligji të vitit 1934 që quhej Akti Bankar. Madje, Lansky dërgoi në Zvicër një degë të një banke me të cilën ai kishte marrëdhënie dhe e përdori atë për të pastruar paratë që fitonte në mënyrë ilegale.
Kohë Lufte
Në vitin 1930 Lansky dhe bashkëpunëtorët e tij kanë deklaruar se përveç veprimtarive të zakonshme kriminale ata kishin nisur të ndërhynin edhe në shkatërrimin e veprimtarive të mbajtura nga simpatizantë të nazizmit në SHBA. Vetë Lansky ka dëshmuar rreth një ngjarjeje të tillë në Yorkville, një lagje gjermanësh në Manhattan. "Skena ishte e mbushur me swastika, - thotë ai, - dhe një foto të Adolf Hitlerit. Folësit nisën të flasin. Ishim vetëm 15 prej nesh, por vendosëm që të vepronim. Disa prej tyre i hodhëm nga dritaret. Shumica e nazistëve në atë takim u kapën nga paniku dhe nisën të vraponin për të shpëtuar kokën, por ne i ndoqëm dhe i rrahëm paq ata. Ne donim t'u tregonim atyre se hebrenjtë nuk do të rrijnë gjithnjë e të pranojnë dhunimin dhe sharjet".
Gjithashtu, gjatë Luftës së Dytë Botërore Lansky dhe bashkëpunëtorët e tij u rekrutuan në Operacionin e Zyrës Inteligjente të Marinës së SHBA ku shumë anëtarë të krimit të organizuar dërgonin informacione rreth sabotatorëve të mundshëm gjermanë kundër nëndetëseve amerikane. Madje, sipas një biografie të autorizuar të Lucky Lucionos, ishte Meyer Lansky që arriti një marrëveshje përmes një zyrtari të lartë të Marinës amerikane për lirimin e Lucky Lucianos dhe si shkëmbim mafia italiane do të garantonte sigurinë në zonën e New York Harbor ku qeveria amerikane po ndërtonte nëndetëset e luftës. Ishte koha kur nëndetëset gjermane po arrinin me sukses të mbysnin anijet e kundërshtarëve të tyre çdo ditë, ndaj në SHBA dhe veçanërisht në New York ende ekzistonte frika e sabotimeve nga simpatizantë nazistë në këtë qytet.
Kuba
Pas Luftës së dytë Botërore, Lucky Luciano u lirua nga burgu me kusht që të largohej nga SHBA dhe të vendosej në Siçili. Megjithatë, Luciano në mënyrë të fshehtë u vendos në Kubë me qëllim që të merrte kontrollin e veprimtarisë së mafies amerikane në Kubë. Luciano ishte pronar i një numri të madh kazinosh në Kubë dhe këtë e arriti përmes lejes që Presidenti kuban Fulgencio Batista i dha atij, ndërkohë qeveria amerikane nisi t'i bënte shumë presion Batistës që të ekstradonte Lucianon dhe si rrjedhim, u arrit rrëzimi i Batistës, por jo ekstradimi i Lucianos, i cili u largua në Siçili.
Miku më i ngushtë i Batistës në mafian amerikane ishte Meyer Lansky, kështu që në një takim që patën të dy në Waldorf-Astoria në New York në vitin 1940, Batista i premtoi mikut të tij se nëse kthehet sërish në pushtet në Kubë, Batista do t'i ofrojë mafies kontrollin e kazinove dhe biznesin ilegal në Havana. Batista premtoi se do ta hapte Havanën për lojërat e fatit dhe bixhozin, si dhe qeveria do të lëshonte pa problem licencë bixhozi për çdo hotel ku ishte investuar të paktën 1 milion dollarë amerikanë. Lansky patjetër që do ta vinte veten në qendër të këtij aksioni dhe menjëherë thërriti bashkëpunëtorët e vet në SHBA për të organizuar një takim në Havana.
E ashtuquajtura Konferenca e Havanës u mbajt në 22 dhjetor 1946 në të famshmin Hotel Nacional. Kjo ishte mbledhja më e madhe e bosëve amerikanë të mafies pas takimit të Chicagos në 1932. Aty morën pjesë figura të njohura në botën e krimit të organizuar si Joe Adonis dhe Albert "The Mad Hatter" Anastasia nga New York, Frank Costello, Joseph "Joe Bananas" Bonanno, Vito Genovese, Moe Dalitz, Thomas Luchese, Santo Trafficante Jr., nga Tampa, Carlos "The Little Man" Marcello nga New Orleans dhe Stefano Magaddino, kushëriri i Joe Bonannos nga Buffalo. Nga Chicago kishin ardhur Anthony Accardo dhe vëllezërit Fischetti, "Trigger Happy" Charlie dhe vëllai i tij Rocco, ndërkohë që të përfaqësonin mafien hebre ose siç zakonisht quhej "Kosher Nostra" në Havana, përveç organizatorit Lansky, kishte mbërritur edhe "Dandy" Phill Kastel nga Florida. I pari që mbërriti në qytetin e kësaj konference ishte Salvatore Charles, ose siç shpesh njihet si Lucky Luciano, i cili ishte përzënë nga Amerika në Itali, por që udhëtoi për në Havana me një pasaportë të falsifikuar vetëm për këtë mbledhje. Lansky i shpjegoi të pranishmëve projektin e tij që do t'i sillte shumë përfitime kujtdo që do të investonte shuma të mëdha në "Projektin Havana". Havana ishte qyteti më i përshtatshëm për investime të tilla pasi atje droga, prostitucioni, kërcënimi dhe korrupsioni ishin të zakonshëm, ndaj mafia mund ta shndërronte Havanën në Las Vegasin latin. Sipas dëshmive të Lucianos dhe ky është i vetmi që ka lëshuar detaje nga mbledhja e zhvilluar, ai pra Luciano u zgjodh si kreu i operacionit në Havana, deri sa të gjendej një marrëveshje apo rrugë ligjore për kthimin e tij të lirë në SHBA. Në takim gjithashtu kishte edhe argëtim e muzikë dhe mes shumë artistëve spikaste i madhi Frank Sinatra, i cili shkoi në Havana me miqtë e tij, vëllezërit Fischetti.
Pra, për të nisur projektin e tij në Havana, Lansky i ofroi Presidentit aktual të Kubës, Carlos Prio Socarras në vitin 1952 një bakshish prej 250 000 dollarësh amerikanë, që ai të dorëhiqej dhe Batista mund të vinte sërish në pushtet. Sapo Fulgencio Batista erdhi në pushtet e vuri bixhozin dhe lojërat e fatit si prioritet. Madje, diktatori i ofroi mikut të vet Lansky një rrogë shtetërore prej 25 000 dollarësh amerikanë në vit në pozicionin jo zyrtar të ministrit të bixhozit. Pra, Meyer Lansky është i vetmi ministër i bixhozit në historinë e qeverive në botë, ndërkohë që rroga e ofruar prej mikut të tij në krye të shtetit kubanez ishte e papërfillshme në krahasim me fitimet që Lansky merrte nga projektet në Havana. Nga ana e tij, Batista e ndryshoi sërish ligjin për licencat e bixhozit, duke i dhënë një licencë të tillë kujtdo që investonte 1 milion dollarë në një hotel, apo 200 000 dollarë në një klub nate dhe qeveria nuk kërkonte se si ishin fituar paratë e investuara. Kjo e fundit ishte e reja që Fulgencio Batista solli dhe që i hapi dyert mafies amerikane për ta blerë Kubën. Gjithashtu, Batista i përjashtoi investitorët e kesaj fushe nga taksat e importit për çdo lloj materiali që ata dëshironin të sillnin për 10 vjet, por qeveria kërkonte 25 000 dollarë amerikanë për çdo licencë që lëshonte si dhe një përqindje të fitimit nëpër kazinotë. Mbikëqyrësi i 10 000 makinave të lojërave të fatit në Kubë ishte kunati i Fulgencio Batistas, Roberto Fernandez y Miranda. Ky i fundit ishte një gjeneral në ushtri dhe më pas në qeveri ishte marrë me sportin, por që përveç makinave të lojërave të fatit kishte marrë edhe makinat e matësit të parkimit në Kubë. Ishte koha kur në Kubë korrupsioni ishte i zakonshëm dhe madje kishte zëra që thonin se përveç licencës prej 250 000 dollarësh amerikanë, duhej të paguhej nën tavolinë diçka shtesë që të nisje punë në Havana. Pagesa periodike duhej të bëheshin gjithashtu tek politikanë të korruptuar.
Revolucioni kubanez dhe Lansky
Në vitin 1959, Revolucioni kubanez dhe kryengritja e Fidel Kastros e ndryshuan shumë klimën e mirë të investimeve në Kubë. Në vitin e ri 1958 kur Batista po përgatitej të largohej për në Republikën Domenikane dhe më pas në Spanjë ku vdiq në vitin 1973, Lansky po festonte fitimin e 3 milionë dollarëve të fituara në vitin e parë të operacionit të tij. Ai po festonte në dhomën 440 në një 18 milionë dollar hotel që ai kishte ndërtuar dhe që mbante emrin "Habana Riviera". Megjithatë, atë natë të ndryshimit të viteve shumë kazino u shkatërruan nga revolucionarët dhe shumë prej tyre ishin në pronësi të Meyer Lansky.
Në 8 janar Kastro marshoi në Havanë dhe mori ligjërisht pushtetin, ndërkohë që Lansky ishte larguar një ditë më parë për në Bahamas dhe më pas për në të tjera destinacione të ishijve të Karaibeve. Presidenti i ri i Kubës, Manuel Urrutia Lleo mbylli dhe shtetëzoi të gjitha kazinotë me ligj. Ndërkohë që në tetor 1960 Kastro urdhëroi shtetëzimin e hoteleve dhe e deklaroi bixhozin dhe lojërat e fatit si të jashtëligjshme. Një ligj i tillë bëri që Lansky të humbte komplet pronat e tij në Kubë dhe si rrjedhim, mendohet që ai humbi një të ardhur vjetore prej 7 milionë dollarësh amerikanë. Tashmë, Lansky duhej të përqendrohej vetëm në të ardhurat që vinin nga Las Vegas.
Vitet e fundit
Vitet e fundit të jetës Lansky u mundua të bënte një jetë të zakonshme dhe kjo e bënte shumë të vështirë punën e FBI-së që vazhdonte ta përgjonte dhe ta ndiqte. Miqtë e tij mund ta takonin atë vetëm në vende të zhurmshme si qendrat tregtare, ndërkohë që shoferi i tij çdo ditë blinte për të një telefon të ri. Lansky ishte shumë i kujdesshëm dhe FBI më në fund, në mes të vitit 1970 ndaloi ndjekjen dhe përgjimin e tij duke menduar që ashtu si Al Kaponen ta burgosnin edhe Meyer Lansky për mospagim taksash, por ishte ky viti kur Lansky largohet nga SHBA për në Herzliva Pituah, Izrael thjesht për t'i shpëtuar akuzave në SHBA. Megjithatë, dy vjet më pas Izraeli e dorëzoi atë në drejtësinë amerikane. Në gjyqin e tij qeveria amerikane nuk kishte prova të mjaftueshme dhe e vetmja provë e fortë që u paraqit në gjyq ishte dëshmia e një fajdexhiu të quajtur Vincent "Fat Vinnie" Teresa. Kjo ishte një dëshmi shumë jo bindëse për jurinë në gjyq kështu që Meyer Lansky u çlirua nga akuzat në vitin 1974.
Vitet e fundit Lansky i kaloi në shtëpinë e tij në Miami Beach, Florida. Ai vdiq nga kanceri në mushkëri në 15 janar 1980 në moshën 80-vjeçare duke lënë gruan dhe tre fëmijë dhe njëkohësisht sipas deklaratave dhe informacioneve zyrtare ai nuk kishte asnjë lek. Ndërkohë FBI deklaronte se Meyer Lansky ka një pasuri prej 300 milionë dollarësh amerikanë në një llogari bankare që qeveria amerikane ende nuk e ka gjetur, ndërkohë që mbesa e tij i tha shkrimtarit T.J.English se Meyer Lansky, la pas vdekjes së tij vetëm 37 000 dollarë amerikanë kesh. Ndërkohë që prestigjozia "Forbes" në vitin 1982 e rendiste Meyer Lansky si një ndër 400 njerëzit më të pasur në SHBA me një pasuri prej 100 milionë dollarësh amerikanë.

Google+ Followers