Gabimet fatale që shënuan katastrofën franceze. Agonia e Republikës së Tretë




"Me zemrën e vrarë unë ju them se, sot duhet të pushojë luftimi", këto fjalët me të cilat Pétain ju drejtua francezëve me 17 qershor 1940, pasi ka marrë detyrën e formimit të qeverisë. Mareshalli individualizoi tek reforma kushtetuese aktin e parë të nevojshëm për ta prishur me të kaluarën, duke i thënë ndal "degjenerimit parlamentarist" të Republikës së Tretë.
Mbrëmjen vonë të 16 qershorit, Pétain mori nga Presidenti Lebrun detyrën e formimit të një qeverie të re. Pa iluzione, Mareshalli nxorri nga xhepi listën e ministrave të qeverisë së tij. Një shpejtësi e tillë ushqeu tezën goliste të konspiracionit të pallatit, tezë e mohuar energjikisht nga studiuesi amerikan Robert O. Paxton. Deri Prokurorit të Përgjithshëm që në vitin 1945 u ngarkua që të bëjë procesin kundër Pétain ju desh që ta vendosë mënjanë aktakuzën e formuluar fillimisht, domethënë komplot i përgatitur prej shumë kohësh kundër Republikës.
Qeveria Pètain u krijua në një moment tensioni shumë të fortë, por në respektim të plotë të formave kushtetuese. Nga kabineti i ri ministror u përjashtuan vetëm kundërshtarët më të fortë të armëpushimit, si Mandel, megjithatë pa hequr dorë nga imperativi i unitetit kombëtar dhe, për pasojë, në mbështetje të një harku politik shumë të gjerë, nga konservatorët tek socialistët. Pierre Laval, politikani i destinuar që të mishërojë të gjitha ambiguitetet e regjimit të Vichy, megjithëse mund të gëzonte marrëdhënie të shkëlqyera me ambientet diplomatike italiane e gjermane, fillimisht u përjashtua nga qeveria për të mos ia kompromentuar ekuilibrin. Pétain do të ishte edhe i gatshëm që të përfitonte nga bashkëpunimi i tij, në fakt i ofroi fillimisht Ministrinë e Drejtësisë dhe më pas atë të Punëve të Jashtme, por kundërshtimi i prerë e Weygand, që e konsideronte si shumë bezdisëse imazhin anglofob të Laval, përfundoi për të mbizotëruar.
Lehtësimi dhe mirënjohja, gjerësisht të dokumentuara nga dëshmitë, me të cilat pjesa shumë e madhe e popullsisë dhe e luftëtarëve e mirëpriti komunikatën e lexuar në radio nga Mareshalli në mesditën e 17 qershorit përbëjnë provën më evidente që alternimi midis Reynaud dhe Pétain nuk qe rezultat i komplotit të një grupi disfatistësh, por i korrespondoi ndjenjës më të thellë të Francës në atë moment.
Në apelin e tij të parë francezëve, heroi i Verdun preferoi që të posedojë imazhin e shpëtimtarit të atdheut të poshtëruar dhe të plagosur sesa t'i braktisej polemikës kundër përgjegjësve politikë të katastrofës ushtarake. U bëri apel vlerave të unitetit dhe të fesë në fatin e Francës për të evokuar, megjithëse në rrethana dramatike, një perspektivë të mjegullt ringjalljeje.
"Francezë, në vijim të apelit të Presidentit të Republikës, duke filluar nga sot unë marr drejtimin e qeverisë së Francës. I sigurtë në dashurinë e ushtrisë tonë të admirueshme që lufton me heroizëm të denjë për traditat e saj ushtarake të vjetra kundër një armiku superior në numër dhe në armë, i sigurtë që ajo nëpërmjet rezistencës së mrekullueshme të saj u është përmbajtur detyrimeve ndaj aleatëve tanë, unë i dhuroj Francës personin tim për ta zbutur vuajtjen e saj. Në këto orë të dhimbshme unë mendoj për refugjatët e pafat që në mizerjen më ekstreme mbushin rrugët tona. U shpreh atyre dhembshurinë dhe kujdesin tim. Me zemër në dorë unë ju them se, sot duhet të pushojë luftimi. I jam drejtuar këtë natë kundërshtarit për ta pyetur, nëse është apo jo i gatshëm që të kërkojë me ne, midis ushtarësh, pas luftës dhe nderit, mjetet për t'u dhënë fund luftimeve. Që të gjithë francezët të shtrëngohen rreth qeverisë që kryesoj gjatë këtyre provave të vështira dhe ta mposhtin ankthin e tyre për të mos dëgjuar gjë tjetër veçse besimin e tyre në fatin e atdheut".
Miliona francezë të ngurosur në shtëpitë e tyre ose në arrati nga trupat gjermane i interpretuan fjalët e Mareshallit si fundin e një makthi dhe fillimin e një ndryshimi të dhimbshëm, por të nevojshëm.
Me 18 qershor nga mikrofonat e Radio "Londrës", Gjenerali De Gaulle, një Nënsekretar gjysëm i panjohur i një qeverie, Kryeministri i së cilës sapo kish dhënë dorëheqjen, ftoi francezët që të mos i dorëzoheshin humbjes dhe të vazhdonin luftën. Por, fjalët e tij nuk patën as të njëjtën përhapje, as të njëjtin impakt ndaj opinionit publik me ato të Pétain; mbetën reagimi kurajoz dhe jorealist i një oficeri tepër krenar sa për ta pranuar realitetin e fakteve dhe nuk mundën ta modifikojnë, të paktën në periudhë afatshkurtër, rrjedhën e politikës franceze. Në ato orë, për pjesën më të madhe të francezëve dy fakte qenë të pakundërshtueshëm: lufta kish përfunduar dhe Gjermania, fatkeqësisht, e kish fituar atë. Nota, e dërguar nga ministri i Jashtëm, Baudouin në orët e para të 17 qershorit në Berlin, nëpërmjet ambasadorit spanjoll Lequerica, dhe në Romë, nëpërmjet Nuncit Apostolik, Imzotit Valeri, që përmbante kërkesën e kushteve të armëpushimit nuk e ndali konfliktin. Bile e bindi Hitlerin dhe Mussolinin rreth nevojës për ta rritur presionin ushtarak ndaj Francës.
Vetëm me 17 Wermacht avancoi me 125 kilometra; me 18 qershor pararojat e para gjermane arritën në portin e Bordeaux që dy ditë më vonë pësoi bombardimin e parë. Deri me 17 qershor ushtria italiane, pavarësisht superioritetit të pastër numerik të saj, nuk i kishte krijuar shumë preokupime Gjeneralit Olry, komandant i Armatës së Alpeve. Nga deklarimet e luftës, gjatë disa fërkimeve, italianët kishin pësuar disa dhjetëra humbje dhe kishin bërë pothuajse 50 të burgosur, 4 prej të cilëve për shkak të një gabimi të komandës së tyre që i kishte lënë në një pozicion veçanërisht të ekspozuar; kishin lëshuar ndonjë bombë mbi Marsejë, Tulon e Kanë, dhe mbi aeroportet e Korsikës, duke dhënë provë se rrezikshmëria e aviacionit fashist ishte një prej legjendave të shumta të krijuara nga propaganda; kishin goditur plotësisht një nëndetëse, por nuk kishin qenë në gjendje as ta pengonin flotën franceze që të bombardonin Genova e Savona, as të mbronin Torinon nga inkursionet ajrore. Një avion francez kish mundur deri të lëshonte fletushka i pashqetësuar mbi Romë. Pas 17 qershorit, fluksi i trupave gjermane edhe në drejtim të Rodano e kërcënoi dislokimin francez në Alpe, që erdhi e u kap si në një darë. Me 19 qershor, pasi Berlini kish bërë të ditur se ishte i gatshëm të bënte të ditur kushtet e tij për nënshkrimin e armëpushimit, Pétain urdhëroi Gjeneralin Olry, që ta braktiste Lionin dhe vijën mbrojtëse të ngritur me ngut mbi Rodano dhe të ridislokohej me trupat e tij drejt Isère. Midis 20 dhe 21 qershorit, edhe divizionet italiane kaluan më së fundi në ofensivë kundër avamposteve franceze mbi Alpe. Mussolini priste rezultate të mëdha me çmim të mirë, ishte i bindur se mund të nxirrte avantazhin maksimal territorial nga shpërbërja evidente e ushtrisë franceze. Nuk imagjinonte se qeveria Pétain ishte në fakt e vendosur për ta kufizuar lakminë italianë për të ruajtur të paktën në jug një copëz sovraniteti, kështu që e organizoi me shpejtësi dhe lehtësi sulmin e saj ndaj frontit alpin.
Me 20 qershor, trupat italiane dështuan në tentativën për të marrë fortesën e urës San Luigi, përgjatë vijës së kufirit në afërsi të Ventimiglia. Ky shah i parë nuk mjaftoi për të dekurajuar Mussolinin nga impenjimi i marrë me Hitlerin në Mynih, domethënë t'i bashkonin ushtritë e tyre respektive në Chambery, i sugjeroi që ta reduktojë frontin e sulmit në sektorin nga Monte Bianco në Granero. I ashtuquajturi "Operacion B" reduktohej në një tentativë rriskuese për të çarë me tanket dhe trupat e motorizuara një kalim në kuotë 2153 metra, i dominuar nga maja rreth të 3000 metrave dhe mbrojtje nga një sistem robust fortesash të pajisur me artileri. Avancimi i Piccolo san Bernardo do të duhej të ndodhte me përdorimin minimal të artilerisë, bombardimet ajrore do të duhej të zëvendësonin vëllimin e domosdoshëm të zjarrit të topave. Kushtet metereologjike qenë të këqija me 21 qershor dhe bombardimet ajrore italiane rezultuan krejtësisht joefikase, duke u mundësuar kështu francezëve që të rezistojnë shumë më fort nga sa kish parashikuar Mussolini. Në fund të ditës së parë të luftimeve, bilanci i "Operacionit B" qe i keq për italianët: një avancim prej disa qindra metrash në një terren të thellë, të bllokuar nga forca të pakta kundërshtare, por luftarake dhe sidomos të mirëpozicionuara dhe të mbrojtura nga bunkerë dhe vepra mbrojtëse prej betonarmeje. Seritë e tjera sulmuese në sektorët Moncenisio - Bardonecchia, Monginevro dhe Germanasca - Val Pellice nuk patën fat më të mirë. I poshtëruar dhe i acaruar prej shpirtit të pakët luftarak të demonstruar nga populli italian, Mussolini urdhëroi me 22 qershor një rifillim të sulmit në të gjithë frontin, në tentativën e dëshpëruar për të siguruar një fitore në terren dhe për të mos u shpallur kështu fitues vetëm prej qejfit të Hitlerit, që me bujari ia kish nënshtruar hyrjen në fuqi të armëpushimit franko - gjerman me firmën e armëpushimit franko - italian. Pas një dite luftimesh intensive, Mussolini nuk arriti të sigurojë gjë tjetër, veçse disa qindra humbje midis trupave të tij. Takimi i Chambery mbeti një mirazh.
Ndërsa në Romë mbretëronin zhgënjimi dhe hidhërimi, në Bordeaux qeveria franceze përgatitej që të pranonte kërkesat e Hitlerit. Në momentin e nisjes për Paris, kreu i delegacionit francez, Gjenerali Huntziger, u thirr nga Mareshalli Pétain që i komunikoi se çfarë kushtesh i konsideronte absolutisht të papranueshme: dorëzimin total ose të pjesshëm të flotës (në këmbim të sigurimeve për një qëllim të tillë Pétain sapo kishte siguruar njohjen de facto të qeverisë së tij nga Londra); pushtimin e të gjithë territorit metropolitan; pushtimin e një pjesë çfarëdo të perandorisë koloniale. Hitleri me zgjuarsi nuk avancoi asnjë prej pretendimeve të sipërpërmendura, por jo për këtë hoqi dorë nga frytet e fitores. Teksti i paraqitur nga Gjenerali Keitel delegacionit francez ishte relativisht i shkurtër. Dy nenet e para kishin të bënin me pushimin e luftimeve dhe krijimin e një zone jo të pushtuar në jug nga Bayonne, Mont-de-Marsan, Angoulême, Poitiers, Tours, Vierzon, Moulins, Chalons-sur-Saône në kufirin me Gjenevën. Të gjitha brigjet, me përjashtim të atij mesdhetar dhe rajonet industriale më të pasura viheshin kështu nën kontrollin e drejtpërdrejtë gjerman, duke i imponuar administratës franceze që të vihej në shërbim të pushtuesit. Edhe Bordeaux futet në zonën e pushtuar, kështu që ministra, deputetë dhe senatorë u desh që të transferoheshin me ngut të plotë në qytetin e bukur termal të Vichy. Një sistemin i tillë i përkohshëm u bë përfundimtar. Në fakt qeverisë franceze, që formalisht ruante sovranitetin mbi të gjithë territorin, ju njoh e drejta për ta vendosur selinë e saj në Paris, por në fakt nuk mundi kurrë që ta bënte. Mareshalli nuk ju kundërvu pushtimit të Bordeaux, pasi u kompensua bujarisht nga tërheqja e trupave gjermane nga Lyon, Saint-Etienne, Clermont-Ferrand e Monluçon. Nenet pasues kishin të bënin me armët dhe flotën. Ushtria duhej të çmobilizohej, me përjashtim të trupave të destinuara për të ruajtur rendin e brendshëm, domethënë 100000 njerëz, i njëjti kontingjent që gjermanët kishin pasur të drejtë të ruanin pas armëpushimit të vitit 1918.
Qeveria franceze duhej t'u dorëzonte pastaj autoriteteve ushtarake gjermane të gjitha armët e kërkuara, edhe ato që gjendeshin në zonën jo të pushtuar, përveç të gjitha indikacioneve lidhur me fushat e minuara dhe me fortifikimet. Shpenzimet për mbajtjen e trupave gjermane të pushtimit qenë në ngarkim të Francës. Në muajt pas armëpushimit, kjo klauzolë do të rezultonte shumë e rëndë, duke e fiksuar në 20 milionë marka në ditë sasinë për ta nisur në Berlin, baraz me 400 milionë franga, me kursin e shkëmbimit marramendës 20 me 1. Të gjitha anijet e flotës, përveç atyre të nevojshme për patrullimin e brigjeve dhe të dragazhit të minave, duhet të çarmatoseshin dhe të ankoroheshin në portet e tyre. Nga ana e saj, Gjermania impenjohej që të mos i përdorte këto njësi detare dhe që të mos i rivendikonte në momentin e nënshkrimit të traktatit të paqes. Fillimisht, gjermanët kërkuan dorëzimin edhe të forcave ajrore, por argumentimet e Huntziger që theksonte se aviatorët francezë do t'i shkatërronin mjetet ajrore të tyre në vend që t'i dorëzonin, i bindën që të hiqnin dorë. Një komision armëpushimi, i përbërë edhe nga një delegacion francez, u ngrit për të zgjidhur kundërshtitë eventuale midis palëve dhe verifikuar zbatimin e klauzolave të armëpushimit. Vetëm Neni 23, që ia nënshtronte hyrjen në fuqi të armëpushimit franko - gjerman nënshkrimit të armëpushimit franko - italian, ngjalli protestat e Weygand dhe të Pétain, por vendosmëria e Hitler i bindi se nuk ekzistonin hapësira për traktativa. Kurse mbi dorëzimin e refugjatëve gjermanë në Francë Gjermanisë, Pétain nuk pati asgjë për të kundërshtuar.
Në orën 18 e 30 të 22 qershorit nënshkrimi i armëpushimit midis Francës dhe Gjermanisë në Rethondes, në pyllin e Compiègne, e shtrëngoi Mussolinin që t'i dorëzohej rolit poshtërues të fitimtarit të mundur në fushën e betejës, duke hequr dorë nga pretendimet territoriale të avancuara në vigjilje të luftës. Duke ditur se mund të siguronte vetëm atë që kish arritur të pushtonte, Mussolini tentoi që t'i shfrytëzojë orët e pakta në dispozicion të tij për të avancuar trupat. Rezultatet e arritura nga ofensiva italiane e fundit e 23 qershorit qenë edhe një herë akoma shumë modeste, por me çmimin e humbjeve të konsiderueshme. Në dy javë luftë, Franca pati 37 të vdekur dhe 62 të plagosur, kurse Italia 631 të vdekur dhe 2631 të plagosur. Veç kësaj, papërshtatshmëria e habitshme e pajimeve të këmbësorisë italiane provokoi 2151 raste ngrirjeje. Në pasditen e 23 qershorit delegacioni francez, i përbërë nga Ambasadori Noël dhe nga Gjenerali Huntziger, arriti në Romë ku u prit nga ministri i Jashtëm Ciano dhe nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Badoglio. Dokumenti i paraqitur francezëve nuk përmbante rivendikime territoriale që mund ta shtynin qeverinë e Bordeaux të këmbëngulte për të ruajtur nderin francez, përveç çmilitarizimit të bazave detare të Tulonit, Biserta dhe Mers el-Kébir, kufizohej që t'i caktonte ushtrisë italiane pushtimin e territoreve të pushtuara gjatë gjithë zgjatjes së armëpushimit. Një klauzolë e tillë, e diktuar nga maturia, nga cipa dhe sidomos nga vetëdija për të mos vënë në vështirësi aleatin gjerman, i mundësoi Mussolinit që të shpëtonte nga belatë, por sigurisht nuk i zbuti poshtërimin e pësuar nga regjimi fashist. Me 24 qershor edhe armëpushimi italo - francez u nënshkrua dhe hyri në fuqi mëngjesin e së nesërmes.
Për sa të dhimbshme, armëpushimet shënuan për francezët fundin e një ankthi që dukej i destinuar të finalizohej në asgjësimin e Francës. Popullariteti i Pétain doli i forcuar. Edhe pse me çmim të lartë, Mareshalli ishte demonstruar i aftë që ta ndalte avancimin gjerman dhe ta priste grushtin prapa krahëve italian, duke shpëtuar një copëz sovranitet, ndërsa klasa politike italiane, linja Maginot, ushtria dhe aviacioni kishin dështuar me turp. Me të pushuar armët, Pétain ia drejtoi vëmendjen e tij konsolidimit të pozicionit politik të tij, duke krijuar premisat institucionale e domosdoshme për të nisur rigjenerimin moral të Francës. Në orët tragjike të humbjes dhe të poshtërimit, referimi i tij konstant historik u bë Prusia, e cila kish ditur ta shfrytëzonte katastrofën ushtarake të Jenës për t'u rilindur në më pak se një dekadë më e fortë dhe më kompakte se më parë, duke fituar një rol vendimtar në rënien e perandorisë napoleoniane. Në vitin 1806, Prusia kish pësuar gjymtimin e territorit të saj, kish duruar poshtërimin e pushtimit, por fatkeqësi të tilla kishin rezultuar një shok i shëndetshëm, pasi kishin qenë burimi i një reforme morale, intelektuale dhe politike, të cilës i qenë drejtuar të gjitha elitat: filozofë si Fichte, mendimtarë si Humboldt, poetë si Kleist, ushtarakë si Scharnhorst. Leksioni prusian ofronte një shpresë për të ardhmen, por kërkohej sa më shpejt të iniciohej një proces rigjenerimi, duke filluar nga institucionet politike, nga momenti që në to, sipas Pétain, ishte për t'u kërkuar shkaku parësor i humbjes. Në këtë horizont politik nuk mund të gjente hapësirë asnjë hipotezë që të përfshinte braktisjen e territorit francez. Ishte absurde të mendohej që të ringrihej atdheu i plagosur dhe i gjymtuar, duke qëndruar nga ana tjetër e Mesdheut. Në ditët menjëherë përpara armëpushimit, qeveria kish marrë në konsideratë transferimin e disa ministrive në Afrikën Veriore, me 21 qershor bile kish lejuar hipjen e 27 midis deputetëve dhe senatorëve në piroskafin Massilia të drejtuar për Algjer, por më pas Pétain kishte imponuar vizionin e tij politik, i mbështetur mbi riorganizimin e administratës, mbi reformën e institucioneve dhe mbi përpunimin e një strategjie me qëllim që Franca të mund të mbijetonte në një Europë të dominuar nga Gjermania.
I frymëzuar nga Raphaël Alibert, mik dhe i besuari i tij qysh nga vitet Tridhjetë, dhe nga André Tardieu, maître à penser i së djathtës dhe autor në vitin 1934 i veprës Réforme de l'État, Mareshalli e individualizoi tek reforma kushtetuese aktin e parë të nevojshëm për t'u shkëputur me të kaluarën, duke i dhënë fund degjenerimit parlamentarit të Republikës së Tretë, që kish kundërvënë numrin kompetencës, të vërtetën mazhorancës, të mirën e përbashkët konsensusit elektoral. Eliminimi nga skena politike i personazheve të bezdisshëm si Reynaud dhe të gjithë mbështetësit e luftës jusqu'au bout, edhe duke marrë për Pétain konturet e një makthi, nuk ishte në fakt e vetme e mjaftueshme për të rigjeneruar Francën. Parasëgjithash kërkohej që të hiqej korniza kushtetuese, në të cilin ata politikanë kishin lulëzuar, duke përgatitur katastrofën e kombit. Pétain nuk qe asnjëherë gjeneral prej grushti shteti. Gjatë viteve Tridhjetë, megjithëse duke qenë kritik ndaj neglizhencës së politikës franceze, megjithëse duke stigmatizuar rreziqet e një avancaimi të së Majtës, nuk ishte përzier kurrë me puçistët brenda dhe jashtë ushtrisë, me cilësinë e Babait të Kombit kish demonstruar gjithmonë respekt dhe adhurim ndaj përfaqësuesve të pushtetit kushtetueshmërisht të përcaktuar. Akoma në vitin 1940 kish refuzuar që të impenjohej në çdo sfidë të drejtuar kundër pushtetit të formuar, në fakt i ishte përgjigjur me kujdes ofertës së Reynaud për t'i sjellë prestigjin dhe përvojën e tij një qeverie të lëkundur, të impenjuar në një luftë, në të cilën mundësitë e fitores për Francën dukeshim të pakta. Për pasojë, në respekt të plotë të formave kushtetuese, sapo mori postin e Kryeministrit refuzoi çdo aksion brutal kundër Parlamentit, që megjithatë e përçmonte. Preferoi në fakt që ta arrinte objektivin e dëshiruar të pushteteve të plotë i mbështetur nga një konsensus i gjerë i organeve përfaqësuese.
Për të zgjeruar dhe konsoliduar mazhorancën e tij, Mareshalli përdori aftësinë dhe marrëdhëniet e Pierre Laval, që mishëronte politikën e kundërt me atë që kish çuar në katastrofë. Deri në janar të vitit 1936, Laval ishte dalluar për hapjen e tij ndaj Gjermanisë dhe kish lidhur marrëdhënie të shkëlqyera me Italinë fashiste. As ndërmarrja etiopiane e Mussolini nuk e kish bindur që të pushonte së konsideruari si parësorë aleancën franko - italiane, por Parlamenti nuk e kish nënshtruar, duke vënë premisat për atë përcaktim të rreshtimeve të destinuar që të gjeneronte luftën në Europë. Në vigjilje të konfliktit i kishte bërë apel Daladier që të mos gënjehej nga lajkat angleze, duke e dënuar kështu Francën në katastrofë. Një koherencë e tillë e transformoi Laval pas armëpushimit në politikanin largpamës që do të dinte t'u kursente francezëve shumë vuajtje të kota dhe që tani për tani meritonte kredit maksimal, sëbashku me pacifistë të tjerë të vjetër si Gaston Bergery, Marcel Déat e Jacques Doriot, që vinin respektivisht nga Partia Radikale, Socialiste dhe komuniste. Pasi kishin qenë ndër promotorët e parë të Frontit Popullor, sapo u marxhinalizuan nga partitë e tyre, ata i qenë bërë kundërshtarët më të zjarrtë, duke konsideruar se luftarakllëku antinazist i të Majtës do të ishte burim katastrofash. Gjatë viteve, pacifizmi i tyre ishte bërë gjithnjë e më agresiv deri në pikën sa të distancohej nga çdo ndjenjë demokratike. Tani që Gjemrania kish triumfuar, ata mendonin se kishte ardhur momenti që t'i bashkëngjiteshin fituesit, duke këputur kështu çdo lidhje me traditën demokratike parlamentare. I pajisur me mbështetjen e 95 deputetëve dhe 2 senatorëve, Bergery qe ndër të parët që teorizoi vendosjen nën exhidën e Mareshallit të një regjimi autoritar që, edhe pa qenë kopje servile e nacionalsocializmit, ia pranoi thelbin, duke përbërë një alternativë sa ndaj stalinizmit, aq edhe ndaj plutokracisë, Laval shërbeu si trait d'union midis antiparlamentarizmit të Bergery, Déat e Doriot, i ushqyer nga një ndjenjë e spikatur progjermane, dhe pozicioneve ultrakonservatore të Pétain e të Weygand.
Me 28 qershor 1940 Gjenerali Weygand i dërgoi një notë Mareshallit, në të cilën skiconte profilin ideologjik të regjimit të ri, pasi kish theksuar se përgjegjësia e humbjes i atribuohej institucioneve republikane të dominuara nga influencat e shpifura të masonerisë dhe të kapitalit të madh, luftës së klasave që kish masakruar kombin, rënies së lindshmërisë, që kish dobësuar shpirtin dhe shtyrë në natyralizime masive, Weygand tregonte në formulën Zot, Atdhe, Familje dhe Punë, vlerat mbi të cilat të ngrihej Franca e re. Pétain nuk pati asnjë vështirësi për t'u njohur në fjalët e Gjeneralit, në të cilat gjenin jehonë refleksionet politike të Charles Maurras dhe të Action Française, por jo për këtë pranoi që ta ndajë pushtetin me Weygand. Bile pëforcoi bindjen e tij se duhet të shfrytëzonte hapësirën e manovrës së Laval, jo vetëm për të hequr qafe Presidentin e Republikës, Lebrun, por edhe për të përmbajtur të bezdisshmin Weygand. Në fakt, Laval ishte në gjendje që t'i garantonte Mareshallit caktimin, me shumicë të zgjeruar, nga ana e Parlamentit e pushteteve të plota për të reformuar Kushtetutën, duke e vënë kështu sipër çdo autoriteti tjetër dhe, për pasojë, të siguruar nga çdo sulm ndaj pushtetit personal të tij. Nga ana e tij Laval, i shtyrë nga dëshira për t'u demonstruar i domosdoshëm, i shpenzoi të gjitha energjitë për ta nënshtruar vullnetin e Parlamentit, veç të tjerash i tronditur nga evenimentet që kishin pasuar nga deklarimi i luftës e këtej. Midis deputetëve dhe senatorëve mbretëronte frika që i bënte të paaftë t'i kundërviheshin kërkesave të fuqishme të ardhura nga qeveria për t'u zhveshur nga roli institucional i tyre. Nga njëra anë, ata ndjeheshin kolektivisht përgjegjës të katastrofës që kish njohur kombi, nga ana tjetër, kishin frikë se, sikur të refuzonin atë që Laval, i emëruar me ngut me 27 qershor si Zëvendëskryeministër, kërkonte në emër të mareshalit, gjermanët do të mund ta shkelnin armëpushimin dhe të procedonin në pushtimin e plotë të territorit francez. Veç kësaj, shumë parlamentarë kishin frikë edhe për vetë sigurinë e tyre në rastin e një kundërshtimi ndaj vullnetit të Pétain, aq ishte rritur në muajt e fundit antiparlamentarizmi midis popullsisë të lodhur nga lufta.
De Gaulle që nga Londra bënte thirrje për rezistencë kundër Gjermanisë dhe e konsideronte jolegjitim qeverinë Pétain nuk ishte në gjendje të grumbullonte rreth vetes konsensuse të mëdha, as në Parlament, as pranë opinionit publik. Sulmi i urdhëruar nga Churchill ndaj skuadrës detare franceze të ankoruar në Portin algjerian Mers el-Kébir me 3 korrik 1940 i kishte dhënë energji të re anglofobisë dhe kish ndotur imazhin e De Gaulle, i cili tani dukej si tradhtar në shërbim të imperializmit britanik. Më shumë se 1200 marinarët francezë të sakrifikuar nga realizmi politik i Londrës përbënin një provë të mëtejshme të faktit sesa aleanca franko - angleze, në kohën e saj gjerësisht e mbështetur nga Parlamenti, kishte rezultuar fatale për Francën. Marzhet e autonomisë dhe të pavarësisë së Parlamentit në fillim të korrikut qenë reduktuar shumë. Figura e vetme që mund të mbështetej efektivisht mbi një konsensus të madh popullor ishte Mareshalli Pétain që vazhdonte të mishëronte, për të përdorur të njëjtat fjalë të tij, France éternelle. Për të mos kompromentuar aureolën e tij si Baba i Kombit, Mareshalli menjanë debatit parlamentar, preferoi që t'i besonte artit oratorik të konsumuar të Laval që diti t'i drejtohej frikërave dhe vetëdijes së keqe të përfaqësuesve të kombit. Në diskutimin e tij, të mbajtur me 9 korrik përpara Dhomës së Deputetëve, debutoi duke i paraqitur Parlamentit gabimet e kryera: "Kemi lëshuar një sfidë me pamaturi, një pamaturi kriminale, ishte lufta e demokracisë kundër diktaturave, duhej mundur nazizmi dhe fashizmi. Kemi bërë gjithçka për të arritur tek lufta dhe nuk kemi lënë asgjë pas dore për ta humbur. Krimi më i madh që është kryer në vendin tonë prej shumë kohësh e këtej ka qenë sigurisht që i ka deklaruar luftës pa e përgatitur atë, as në planin ushtarak, as në atë diplomatik, Anglia na ka tërhequr pas vetes dhe nuk ka bërë asgjë për ta mundësuar që të arrijmë fitoren". Nga përgjegjësia e Dhomës zbriti pastaj tek nevoja për të abroguar Kushtetutën e vitit 1875. Një katastrofë si ajo e përjetuar nga Franca nuk mund të lejonte që të mbijetonin institucionet që e kishin gjeneruar. Laval u shty edhe më tej, duke ravijëzuar edhe rolin marxhinal në të cilin asambletë përfaqësuese duhet të katandiseshin: "Është dënimi jo vetëm i regjimit parlamentar, por edhe i të gjithë botës që ka qenë dhe që nuk mund të jetë më. Është një impenjim që e marr në emër të Mareshallit Pétain: një akt do të fiksojë pozicionin e ri të Parlamentit. Dhomat do të zgjasin deri kur të jenë krijuar asambletë e parashikuara nga Kushtetuta e re. Dhomat do të kenë një aktivitet patjetër të reduktuar. (.) Është nën shenjën e trefishtë të Punës, të Familjes dhe të Atdheut që ne duhet të drejtohemi drejt një rendi të ri". Lidhur pastaj më raportet ndërkombëtare, Laval nuk e fshehu se e ardhmja do të duhej të karakterizohej nga bashkëpunimi i ndershëm me Gjermaninë dhe me Italinë: "Kjo politikë duhet të praktikohet në nderim dhe me dinjitet. Unë nuk provoj kurrfarë vështirësie në përdorimin e këtij fjalori, pasi këtë bashkëpunim e kam dashur gjatë paqes. Ndjej keqardhje që mu desh ta bëj të nesërmen e humbjes...".
Projekti i rishikimit kushtetues i propozuar nga qeveria u miratua nga Dhoma me 395 vota në favor dhe 3 kundër dhe nga Senati me 229 vota në favor dhe vetëm 1 kundër. As presidentët e Dhomës e të Senatit, Herriot dhe Jeanneney, që duhej të ruanin dinjitetin dhe autonominë e Parlamentit, abstenuan nga bërja homazh Mareshallit Pétain. Të dy mocionet e tjera, ai i paraqitur nga senatorët ish-luftëtarë të lidhur rreth Taurines që propozonte të pezullohej pa debat Kushtetuta e vitit 1875 dhe t'i caktoheshin Pétain pushtetet e plota për të hedhur bazat e një karte të re kushtetuese me bashkëpunimin e Dhomës dhe Senatit dhe ajo e deputetit radikal - socialist Badie, në të cilin njiheshin republikanët e paepur nuk siguruan veçse nja 50 vota. E groposur Kushtetuta e 1875, mbetej për t'u përcaktuar si dhe kur do të redaktohej teksti i ri kushtetues. Projektligji i paraqitur nga qeveria me 10 korrik i zgjidhi të gjitha nyjet e pazgjidhura: "Asambleja Kombëtare i cakton çdo pushtet qeverisë të Republikës, nën autoritetin dhe firmën e Mareshallit Pétain, me qëllim që të shpallë nëpërmjet një apo më shumë akteve një Kushtetutë të re të shtetit francez. Një kushtetutë e tillë duhet të garantojë të drejtat e punës, të familjes dhe të atdheut. Ajo do të ratifikohet nga kombi dhe do të zbatohet nga asambletë që do të krijojë".
Edhe njëherë akoma Parlamenti, i mbledhur në seancë të përbashkët në sallën e kazinosë së Vichy, ju nënshtrua vullnetit të Mareshallit. Projektligji u miratua me 569 vota në favor, 80 kundër dhe 17 abstenime. Teksti nuk specifikonte kalendar, megjithatë i përgjigjej dëshirës universale për një ndryshim të menjëhershëm. Mareshalli Pétain, i cili në verën e 1940 nuk ishte aspak si lojtar, por bile i kthjellët, dinamik dhe i vendosur, nuk i zhgënjeu shpresat. Midis 11 dhe 12 korrikut shpalli tri aktet e para kushtetuese. U shpall Kryetar Shteti, duke pranuan kontrollin e plotë mbi forcat e armatosura dhe të drejtën e faljes e të aministisë; bëri ministrat dhe sekretarët e shtetit përgjegjës ekskluzivisht përpara vetes; pezulloi Dhomën dhe Senatin sine die; caktoi Pierre Laval si pasuesin e vet në rast pengimi përpara ratifikimit të Kushtetutës së re nga ana e kombit. Pas një agonie të gjatë, Republika e Tretë kishte ndërruar jetë.
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Google+ Followers