Fuqia e frikës



Eshtë një ndjenjë në dukje irracionale. E megjithatë, ajo vë në lëvizje historinë. Atë të djeshmen, kur njeriut i pllakosnin furtuna dhe sëmundje, ashtu si atë të sotmen, një epokë që sipas shumëkujt është e obsesionuar nga nevoja për siguri dhe e dominuar nga "kultura e frikës". E njëjta frikë që ka influencuar zgjedhjet individuale të njerëzve të zakonshëm dhe vendimet thelbësorë të sovranëve dhe qeverive. Po si ka ndryshuar nëpër mijëvjeçarë dhe si ka ndikuar në çështjet njerëzore? Një shpjegim e jep Lars Svendsen, filozof norvegjez që në librin e tij Filozofia e frikës prek pikërisht këto tema.
Cila është lidhja mes frikës dhe historisë?
Frika është në themel të shumë prej asaj që ne e përcaktojmë si njerëzore: shtëpi dhe qytete të lindur për qëllime mbrojtës, ushtri të tëra, ligje dhe besime fetarë. Sipas Giambattista Vico (1668-1744) të gjithë qytetërimet kanë lindur prej frikës. Për të, në origjinë të gjithçkaje ishte frika prej rrufesë. Një terror atavik që bashkonte të gjithë popujt primitivë dhe qytetërimet arkaikë dhe që sipas Vico ishte në bazë të lindjes së ndjenjës së kolektivitetit. Për anglezin Thomas Hobbes (1588-1679) ka qenë në fakt mosbesimi mes individëve që bëri të domosdoshme hierarkitë sociale dhe rregullat e bashkëjetesës, thënë ndryshe, një shtet.
E megjithatë frika ka një rrënjë biologjike dhe potencialisht pozitive...
Origjina e frikës është sigurisht biologjike. E kanë demonstruar shkencëtarët. Në natyrë frika mbron nga rreziqet (kafshë të egra, fenomene atmosferikë) dhe në rastin e qenies njerëzore mund të reduktojë risqet, për të cilët fillesë jemi ne vetë me një sjellje të nxituar. Fuqitë simbolike tipike të species njerëzore, megjithatë i kanë amplifikuar efektet e frikës, duke shumëfishuar vetë frikërat me kalimin e shekujve. Dhe së fundi ka një lidhje të vërtetuar mes frikës dhe agresivitetit, që në çështjet njerëzore shpesh herë është transformuar në luftë.
Në bazë të të gjithë frikërave është ajo nga vdekja?
Në realitet, jo gjithmonë frika nga vdekja ka qenë dominuese. Pas vitit 1789, me Revolucionin Francez njerëzit nuk frikësoheshin aq shumë për humbjen e jetës, se sa heqjes dorë nga vlerat tradicionale dhe mirëqenies që këto sillnin për disa shtresa shoqërore: kishin frikë, ashtu si shumë prej nesh sot, nga moderniteti dhe nga e ardhmja.
Për këtë arsye ka nga ata që thonë, se frika është në themel të lindjes së besimeve fetarë?
Nuk mund të jetë rastësi që është ndjenja e parë që përmendet në Bibël: kur Adami zbulon se është lakuriq, pasi ka ngrënë nga pema e dijes, frika vjen përpara turpit. Historiani francez Jean Delumeau ka shpjeguar, se si në kulturën mesjetare europiane dhe deri në vitet gjashtëqind frika nga një ndëshkim hyjnor ka patur edhe një lloj funksioni për kontrollin social. Dhe për të lashtët respektimi i pakteve me perënditë, të sanksioniar dhe rinovuar me anë të flijimeve dhe riteve shërbente pikërisht për të siguruar mbrojtjen përballë fenomeneve natyrorë të pashpjegueshëm si eklipset, tërmetet apo zitë e bukës.
Pra, a ekzistojnë frikërat periodike?
Çdo epokë ka patur frikërat e saj, por ka elementë që përsëriten. Aristoteli thoshte: "Frika është pritshmëria për të keqen. Të gjithë kemi frikë nga të këqiat si uria, varfëria, sëmundja, mungesa e miqve, vdekja". Sigurisht, sot nuk janë prapë të shumtë ata që ndihen të kërcënuar nga mallkimi i përjetshëm, por janë të shumtë dhe në rritje ata që kanë frikë nga sëmundje si kanceri apo SIDA, ekuivalentë modernë të murtajës apo sifilizit. Të përsëritura janë edhe frikërat apokaliptike. Nëse në mesjetë kishte lëvizje në masë që paralajmëronin fundin e botës, statistikat e viteve tetëdhjetë demonstrojnë se lufta bërthamore perceptohej si një mundësi reale.
Të gjithë këto frikëra janë manipuluar shpesh prej pushtetit...
Ato kolektive, të paktën që kur ekziston politika, janë përdorur gjithmonë. Shpesh herë për të çimentuar identitete kombëtarë dhe kanalizuar energjitë drejt një armiku të përbashkët. Por edhe për të vendosur autoritetin nëpërmjet terrorit. Për makiavelin, një princ duhej që të duhej, por ishte më e rëndësishme që tia kishin frikën. Dhe për Hobbes, shteti duhej të themelohej mbi frikën e vdekjes dhe ndëshkimit. Terrori mund të përdoret për të ruajtur rendin shoqëror, si ka ndodhur në regjimet totalitarë.
Dhe frika ka shërbyer për të motivuar sulmin si një akt mbrojtjeje: është ky shpjegimi që historiografi grek Tucididi jepte për agresionin e Spartës në vitin 431 kundër athinasve që tashmë ishin duke u bërë shumë të fuqishëm: ishte një sulm që ndezi luftën 30-vjeçare të Peloponezit.
Të gjithë njerëzit kanë frikë. Frika ka lindur e para - ndoshta. Ky nuk është problem, pasi me kalimin e rrezikut, kalon edhe frika. Po kur rreziku kalon dhe ty vazhdon të të shoqërojë frika? Po kur frika jote nuk justifikohet realisht nga rreziku që e ka shkaktuar atë? Atëherë ky është një problem. Nëse një problem i tillë bëhet i vazhdueshëm, duke u përsëritur sa herë takohesh me një situatë të veçantë, atëherë kemi të bëjmë me fobinë.
Fobitë janë frikëra të qëndrueshme dhe të paarsyeshme ndaj një objekti, aktiviteti apo situate të veçantë. Ato nuk kanë justifikim real, apo e tejkalojnë justifikimin real rreth këtyre frikërave. Njerëzit fobikë përshkruajnë të kenë frikë nga insektet, kafshët, errësira, lartësia, fluturimi, të folurit në publik, etj. Ata janë të bindur se do t'u ndodhë diçka shumë e keqe, nëse detyrohen të përballen me atë që kanë frikë, pa patur mundësi për t'u shmangur, apo larguar. Viktima e këtyre frikërave, ndërton lloj-lloj filozofish e strategjish të forta shmangëse, për të përballuar frikën. Një pjesë e madhe e njerëzve, sidomos të rinjtë, për të ulur nivelin e frikërave të tilla, përdorin lëndë të ndryshme, të dëmshme, si alkoolin, duhanin dhe lloje të ndryshme narkotikësh.
Personat që vuajnë nga fobi të ndryshme janë të vetëdijshëm për paarsyeshmërinë e frikës. P.sh. Njerëzit që kanë frikë nga ashensori e dinë që shumë njerëz ngjiten e zbresin çdo ditë me ashensor, pa u dëmtuar, megjithatë ata kanë frikë ta përdorin.
Fobitë ndikojnë ndjeshëm në aktivitetin e individit p.sh. nëse objekti, apo situata e frikshme shmanget me lehtësi, personi pranon të heqë dorë nga qëllimi që kishte, mjafton që të mos provojë frikën, apo sikletin në të cilin e hedh ajo situatë (p.sh. nuk merr pjesë në festën për ku ishte nisur, duke gjetur një justifikim). Nëse objekti, apo situatat e frikshme nuk mund të shmangen, personi përjeton frikë e panik të pakontrollueshëm, duke e bërë të pa mundur vazhdimin normal të aktivitetit të tij.
Personat me fobi, zakonisht provojnë shqetësime të konsiderueshme, si, pagjumësi, reagime kompulsive, dridhje, djersitje, rrahje të forta të zemrës, takikardi, humbje ndjenjash, mpirje, tharje të gojës, shtrëngim në kraharor, dhimbje koke, djegësim stomaku, urinim i shpeshtë ose e kundërta ekstreme, diarre, dobësim i përkohshëm i shikimit, etj. Tek personat fobikë bie ndjeshëm dëshira për të kryer aktivitete, me të cilat ato mendojnë se mund të ndeshen me objektin apo situatën, nga e cila kanë frikë.
Çrregullimet fobike janë tre llojesh:
1- Agorafobia
2- Fobia Sociale
3- Fobia Specifike
Personat me agorafobi trëmben nga të qenit në situata, nga të cilat largimi në rast "rreziku" është i pamundur, apo i vështirë, prandaj ato i shmangin këto situata ose kërkojnë të jenë gjithmonë të shoqëruar nga njerëzit e tyre të besuar, i cili do t'i ndihmojë, pa i vënë në siklet, që të largohen, nëse shfaqen simptomat e panikut.
Njerëzit që vuajnë nga fobia sociale kanë frikë të gjenden në qendër të vëmendjes së të tjerëve dhe të kryejnë veprime të ndryshmë në këto kushte (p.sh. të mbajnë fjalime), kurse fobitë specifike lidhen me frikëra nga situata specifike, nga të cilat personi ka frikë.
Nga fobia janë të prekur rreth 10% e popullsisë botërore, ku pjesa më e madhe vuajnë nga fobia sociale (rreth 7%).

Google+ Followers