Fundi i turmës së çmendur


Shtatë miliardë qenie njerëzore, që jetojnë në çdo cep të planetit, dhe numri i tyre nuk do të rritet më, sepse epoka e mbijetesës ka përfunduar. Kjo falë femrave. Këto janë fjalët e një studiuesi të demografisë


Demografia është fat, por jo gjithmonë në mënyrën që e imagjinojmë. Ajo përcakton pjesën më të madhe të botës sonë, duke lënë mënjanë pllakat tektonike mbi të cilat zhvillohet qytetërimi ynë, dhe kjo gjë nuk ka qenë kaq e vërtetë sa sot. Ngado që hedhim sytë, çështjet demografike zënë faqet e para të gazetave dhe pjesën më të madhe të edicioneve informative, me tituj vërtet të dhunshëm: nga Gaza në Gronzi, nga Ruanda në Afganistan, bumi i lindjeve mendohet se është në origjinë të luftërave dhe gjenocideve; terroristë adoleshentë që sillen përreth kampeve të refugjatëve, emigrantë që janë arratisur nga vendet e varfra dhe ashtu si një turmë e madhe shkojnë drejt Europës dhe Amerikës së Veriut. Mbipopullimi është një motor i heshtur që nxit shkatërrimin ambiental. Shumë shpejt, miliona refugjatë ambientalë do të braktisin shkretëtirat të cilat vazhdojnë të zgjerohen, ndërkohë që popullsia kineze mbi një miliard banorë, po e bën gjithnjë e më të vështirë çdo tentativë për të ndaluar ndryshimin klimaterik.
Edhe statistikat të ngjallin frikë. Banorët e Tokës po i afrohen shifrës shtatë miliardë, katër herë më shumë se ato të një shekulli më parë. Numri i nënave nuk ka qenë ndonjëherë kaq i lartë sa tani. Në vende të ndryshme, gjysma e popullsisë është nën moshën 16-vjeçare, që do të thotë miliarda persona të tjerë në moshën e pubertetit dhe shumë të tjerë që do të lindin. Ndërkohë, masat e planetit vazhdojnë të spostohen: çdo mëngjes pothuajse 200 milionë individë zgjohen në një vend tjetër nga ai që lindin.
Mos u çudisni nga kjo gjuhë e tmerrshme, dikensiane, malthusiane. Jemi shumë pranë ditës së gjykimit. Të gjithëve na terrorizon një botë e mbipopulluar me maskarenj dhe alienë, fanatikë dhe fashistë, emigrantë klandestinë dhe trafikantë të qenieve njerëzore. Nuk ka dyshim që po shkojmë drejt katastrofës demografike, por ta vëmë këmbën mbi frena, duket po aq e rrezikshme. Megjithatë, vazhdon të triumfojë “populli i rrudhave”, duke qenë se jetojnë më gjatë dhe bëjnë një jetë të shëndetshme. Që prej viteve ‘50, jetëgjatësia është dyfishuar. “Ndonjëherë sjell ndërmend vitin tim të lindjes, ku në 10 mijë të sapolindur, 150 foshnja vdisnin para se të mbushnin 1 vjeç. Edhe unë mund të isha njëri prej tyre. Sot vdesin vetëm 50 foshnja”, thotë studiuesi. Por ky është një fakt për të cilin duhet të gëzohemi, apo të shqetësohemi? Fati i foshnjave koincidon me fatkeqësinë e planetit?
Ndonjëherë kemi dëgjuar të thuhet se në Tokë jetojnë gjysma e të gjithë njerëzve që kanë jetuar deri më sot. Ky është një budallallëk: në fakt, duke marrë parasysh një shifër prej 100 miliardë banorësh, sot kanë mbetur vetëm 7 miliardë njerëz. Ajo që mund të jetë e vërtetë, është se sot jetojnë më shumë se gjysma e 60-vjeçarëve. Megjithatë, duket se diçka na ka shpëtuar pa e vënë re, diçka që mund të na shpëtojë të gjithëve. “Bomba” demografike është në fazë aktivizimi. Gjysma e femrave të planetit nuk lindin tashmë më shumë se dy fëmijë dhe kjo gjë nuk ndodh vetëm në vendet e pasura, por edhe në Iran, Mianmar (Birmani), Brazil, Vietnam dhe Afrikën e Jugut. Kjo gjë ndodh për zgjedhje, jo për detyrim. Gratë e kanë dashur gjithmonë lirinë, jo skllavërinë e punëve të shtëpisë, apo shtatzënitë e padëshirueshme e të vazhdueshme. Sot po ia arrijnë qëllimit të tyre.
Nëse jeni mbi të 50-at, është e qartë se keni jetuar në një epokë ku popullsia e planetit është dyfishuar. Asnjë brez i së kaluarës nuk ka përjetuar një periudhë të ngjashme, dhe ka gjasa që të mos e bëjë asnjë brez në të ardhmen. Por nëse jeni nën moshën 40 vjeç, nuk ka dyshim që do të merrni pjesë në rënien e numrit të popullsisë së botës – për herë të parë nga epoka e vdekjes së zezë, pothuajse 700 vjet më parë – dhe kjo gjë mund të ndodhë shpejt. Demografët parashikojnë se recensioni global që ka filluar në vitin 2009, do t’i nxisë njerëzit të mos lindin më fëmijë deri sa të vazhdojë kriza, siç ndodhi me Depresionin e Madh të viteve ‘30. E ardhmja do të jetë ndryshe edhe në aspektet e tjera. Sot mosha mesatare e një qytetari të planetit është më pak se 30 vjeç; para vdekjes së tij, kjo vlerë do ta kalojë moshën 50-vjeçare. Kështu, të dashur lexues, përpiquni të prenotoni vendin tuaj në shtëpinë e prehjes globale.
Nga ato ç’kemi dëgjuar, mësuar e parë, e dimë që tërmeti nuk ka vetëm numra. Përbëhet nga mosha, seksi, të drejtat e femrës, luftërat, emigrimi, krijimi dhe shembja e kombeve; përbëhet gjithashtu, edhe pse të ngjall frikë, nga fundi i një familjeje; nga kufijtë ambientalë dhe ndryshimet klimaterike.
Akhi punon në një fabrikë rrobash. Ajo është punonjëse gjithashtu në një nga kombinatet më të mëdha tekstile të Dakas, kryeqyteti i Bangladeshit. Një mbrëmje u takuam në shtëpinë e saj, që ishte një barakë e vogël teneqesh dhe kishte vetëm një dhomë. Përkrah saj, mbi një krevat të sajuar me dërrasa dhe një dyshek të vjetër, ishin ulur koleget e saj, Aisha dhe Miriam. Të treja ndanin punën me dy kolege të tjera ende shumë të reja në zanat. Dhoma kishte vetëm dy krevate për pesë persona. Gratë më tregojnë për familjet e tyre. Akhi ka lënë shtatë vëllezër e motra në fshatin e lindjes, Kumila, që ndodhet pranë Dakas. Toka e familjes nuk ishte në gjende t’i mbante të gjithë.
Kështu, Akhi u detyrua të transferohej në Daka, ku punon në kombinatin më të madh të veshmbathjeve për të gjithë botën, për një grusht para. Qep jakat e këmishëve për pesë pens në orë. Akhi punon dhjetë orë në ditë. Aisha ka katër motra, ndërsa Miriam gjashtë. Të gjitha dërgojnë një pjesë të rrogës së tyre qesharake në shtëpi, me të cilën familjet kalojnë disa ditë. Por a do lindin ndonjëherë fëmijë këto femra? Dy prej tyre kanë pasardhës. Akhi ka një djalë, por i pëlqen të sjellë në jetë edhe një fëmijë tjetër. Aisha ka dy djem dhe një vajzë. “Tani ka ardhur koha t’i jap fund. Nuk dua më fëmijë”. Miriam, që nuk ka ende fëmijë, do të dëshironte një dhe me kaq ta mbyllte. Në këtë dhomë e kuptoj se kam të bëj me një transformim demografik. Tri vajza të reja, të cilat vijnë nga familje ku numri total i saj është minimumi 20, dëshirojnë që në ardhme të kenë një ose dy fëmijë. E vërteta është se rënia e numrit të lindjeve nuk është një fenomen që ka prekur vetëm vendet e pasura dhe të zhvilluara, por po përhapet me shpejtësi edhe në vendet më të prapambetura.
Bangladeshi është një nga vendet më të varfra mbi sipërfaqen e planetit. Vajzat, më të pashkolluarat në planet, në këto vende martohen sapo arrijnë moshën e adoleshencës.
Historikisht demografët kanë insistuar që shoqëritë e tyre, për t’u vënë fre lindjeve, si fillim duhet të modernizohen dhe të pasurohen; por një vend si Bangladeshi tregon se kjo tezë është vetëm imagjinare. E njëjta gjë vlen edhe për konceptin që të rejat duhet të arsimohen dhe të frenohen nga martesat në moshë të vogël, sigurisht nëse nuk kanë për qëllim të formojnë familje me shumë fëmijë. Gjithashtu, vazhdojnë të përgënjeshtrohen thëniet maltusiane që të varfrit, sapo u krijohet një mundësi e vogël, “riprodhohen” në mënyrë të shfrenuar. Gjithsesi, Bangladeshi ka treguar se lindjet nuk janë esenciale. Gratë e Bangladeshit po formojnë familje me zgjedhjen e tyre, më pak fëmijë në krahasim me nënat e tyre. Diçka është e sigurt: që kur kjo tendencë të marrë jetë, do të jetë shumë e vështirë për t’u ndalur, edhe pse në prani të një numri të vogël nënash të fuqishme, shoqëria mund ta humbasë zakonin e të sjellit në jetë shumë fëmijë. Fëmijët do të jenë qenie gjithnjë e më të rralla, ekzotike dhe shumë kureshtare. Fenomeni sapo ka nisur. Vetëm disa vite më parë, nëse do të hyje në një bar italian, do të takoje fëmijë shumë të zhurmshëm; ndërsa sot mund të takosh vetëm të rinj që pinë kafe, mes tyre shumë meshkuj dhe vajza të reja.
Një nga efektet më kundërshtuese të katastrofës demografike është rritja e fluksit të emigrantëve. Nga njëra anë kjo gjë u detyrohet incidenteve të ndryshme që ndodhin nëpër botë, por edhe diferencave rekord të vlerës së pjellorisë. Kur ka vende me 6 fëmijë për një grua dhe të tjera me më pak se një, import-eksporti i qenieve njerëzore përfaqëson një valvul logjike sigurie si për njërin, ashtu edhe për tjetrin. Europa dhe Lindja e Largët kanë nevojë për ndihma të huaja që të mbajnë në funksion shoqërinë dhe ekonominë e tyre. Nuk duhet të shtiren më që kjo gjë nuk është e vërtetë.
Ky spostim i popullsisë më duket një vlerë pozitive. Emigrantët përfaqësojnë një drejtim rishpërndarjeje të pasurive nëpër botë. Fillimisht shumica e emigrantëve përshtatet duke bërë punë të cilat paguhen pak, si për shembull të përgatisin hamburgera, të ndërrojnë çarçafët nëpër hotele, të kujdesen për të moshuarit, fëmijët dhe të sëmurët, të mbledhin fruta dhe zarzavate, të pastrojnë banjat dhe trenat. Megjithatë, ka gjasa që t’u afrohemi gjithnjë e më shumë profesioneve “speciale”, duke u bërë doktorë, inxhinierë, avokatë dhe funksionarë publikë. Shpesh emigracioni konsiderohet si një shenjë shkatërrimi dhe padrejtësie në botë dhe në pjesën më të madhe të rasteve kështu është vërtet. Megjithatë, ashtu sikurse emigrantët e larguar nga Europa gjatë shekujve të kaluar për në tokën e premtuar, flukset e emigrantëve në shekullin XXI mund të jenë vendimtare për një shpërndarje të popullsisë në gjithë planetin: nëse amerikanët e kanë arritur suksesin e kombit të tyre mbi emigracionin, pse kjo gjë nuk mund të ndodhë kudo?
Më vonë, me kalimin e shekujve, kur sistemi të jetë ndrequr, dhe pllakat demografike të jenë sistemuar, bota do të jetë një vend krejt tjetër. Ndoshta mund kemi një planet të shkretuar, nëse nuk do të kemi marrë masa për “të mirëmbajtur” klimën dhe rezervat natyrore. E keqja më e madhe do të jetë nëse e kalojmë pikën e kritike të ndryshimit klimatik (nëse do të ndodhte kjo gjë, nuk do të kishte më kthim pas).
Por zëri optimist që ekziston brenda meje dhe që më mbështet, më thotë se me kalimin e viteve do ta vëmë re rrezikun që na kanoset dhe do të përpiqemi ta ndalojmë katastrofën duke ulur konsumin, gjë që më pas do të shmangë katastrofën më të madhe ambientale.
Momentalisht po dalim nga ekspansioni më i madh demografik i historisë njerëzore. Katastrofa demografike na ka transformuar rrënjësisht. Revolucioni pjellor ka ndikuar në ekonominë vendase, mobilizimin social dhe emancipimin, sidomos të femrës. Shumë kohë para mbarimit të këtij shekulli, njeriu homo sapiens i shekullit XX do të plakej më shpejt dhe do të bëhej më konservator, më pak krijues dhe më i mërzitshëm. Megjithatë kjo nuk është diçka e keqe. Bota jonë do të jetë më e populluar, më pak frenetike dhe shpresohet më humane; një botë më “xhentile” dhe e gjelbër. Gjithsesi do të jetë e vështirë që të koincidojë me utopitë e William Godwin, kundërshtarit antik të Maltusit, i cili imagjinonte “një popull të rriturish dhe jo fëmijësh. Nuk do të kishte më as luftëra, as krime dhe as qeveri. Çdo njeri do të kërkonte të mirën e tjetrit”.
Gjatë gjithë historisë, njeriu ka marrë pjesë në tri “shpërthime” demografike. Çdo njëra prej tyre është shoqëruar nga një risi teknologjike dhe i ka lejuar planetit tonë të ketë një numër më të madh njerëzish. Në fillim ishte ndërtimi, pastaj bujqësia dhe së fundmi industrializimi. Këto zbulime e kanë rritur numrin e popullsisë së botës nga 10 milionë banorë që ishin para 10 mijë vjetësh, në pothuajse 7 miliardë aktualisht. Sot duket sikur po i rikthehemi stabilitetit. Ne kemi ndryshuar në mënyrë të vazhdueshme. Nuk ka ndryshuar vetëm teknologjia jonë, por edhe demografia.
Në të kaluarën, të gjitha këto faza të paqëndrueshme sillnin një vlerë të madhe vdekshmërie dhe lindshmërie, ndërkohë që vazhdonte të dominonte mashkulli. Sot kemi mundësi për një të ardhme me një numër të ulët lindjesh dhe vdekjesh. Pretendohet që të rikthen sërish “të moshuarit e fisit”, të cilët do të krijojnë grupin më të qëndrueshëm të shoqërisë. Është e lehtë të parashikosh një grup në të cilin dominojnë femrat. Do të jetë një botë shumë ndryshe nga kjo e sotmja: si në kuptimin demografik, ashtu edhe në të tjerat.
Dalëngadalë me plakjen kuptoj që kjo botë do të bëhet më e mirë, por ende nuk jam i bindur në shëndet apo në sëmundje. Këtë do ta tregojë vetëm koha. Mbrapa nuk mund të kthehemi më.

Google+ Followers