Frikacakë të mëdhenj



Ritëm kardiak i ngadalësuar, të përziera dhe ndjesi mbytjeje. Ishin këto simptomat që e mundonin shumë Adolf Hitlerin kur i duhej që të rikthehej në Çerdhen e Shqiponjës, shtëpia alpine që partia naziste i kishte dhuruar në alpet bavareze. Fyhreri vuante në fakt nga klaustrofobia (frika nga hapësirat e vogla) dhe e vetmja mënyrë për të shkuar tek Foleja ishte një ashensor që ngjitej nëpër 124 metrat e fundit që ishin shkëmb. Një makth i vërtetë për diktatorin, i cili u detyrua të bëjë diçka, duke vendosur disa pasqyra në kabinë për të krijuar iluzionin e një hapësire më të madhe. Por Hitleri, i prekur me sa duket edhe nga kenofobia (terrori nga boshllëku) nuk ishte i vetmi njeri i pushtetshëm që duhej të bënte llogaritë me fobitë e tij (nga greqishtja fobos - frikë).
Aleksandri i Madh (356-323 para Krishtit) për shembull vuante nga ailurofobia (frika nga macet, në greqisht ailuros): mbreti maqedonas, që në lashtësi ishte njëkohësisht edhe simboli i luftëtarit të pamposhtur, dridhej vetëm para idesë se mund të gjendej ndonjëherë i vetëm përballë ndonjë maceje. Por lista e "frikacakëve të mëdhenj" është e gjatë.
Vrasës kudo
Tirani shumë i frikshëm i Sirakuzës, Dionisi I (430-367 para Krishtit) ishte viktimë i tanatofobisë (frika obsesionuese nga vdekja) dhe kudo që kthente sytë ai shihte vrasës. Ankthi e detyroi që të mësonte bijtë e tij që t'i prisnin atij flokët dhe mjekrën (një berber mund ta priste e ta vriste) dhe për të fjetur i sigurtë ndërtoi një krevat shumë të lartë dhe të rrethuar me gardh.
Tanatofobia ka prekur shumë njerëz të pushtetshëm në të kaluarën. Një rast i mirëdokumentuar është ai i diktatorit sovjetik, Stalin (1878-1953) të cilin frika e tij se mos humbiste jetën pas ndonjë grushti shteti, mendohet të ketë amplifikuar efektet e politikës së tij të terrorit.
Mes tanatofobikëve më absolutë ka qenë perandori i parë kinez, Qin Shi Huang (260-210 para Krishtit), i cili jo më kot u varros pas vdekjes me 8 mijë luftëtarë terrakotash që në jetën e përtejme mendohej se do të ruanun mauzoleumin e tij. Për t'u shpëtuar vrasësve potencialë ai e kalonte ditën, duke u zhvendosur nga njëra dhomë në tjetrën, në pritje që shkencëtarët e oborrit të tij të përgatisnin një eliksir që do t'i garantonte pavdekshmërinë.
Supersticiozë
Pakëz mosbesim i shëndetshëm do ti kishte mundësuar Jul Cezarit (100-44 para Krishtit) që të shmangte vrasjen e tij. Por frikërat e "atit të vendit" në Romë ishin të tjera; ai dridhej para insekteve dhe akrepëve (entomofobia dhe araknofobia) si dhe, ashtu sikurse Aleksandri i Madh, trembej shumë nga macet. Ajo nga macet duket se është fobia më e përhapur mes njerëzve të pushtetshëm, në lashtësi, por jo vetëm. Duket se bëhet fjalë për një trashëgimi të bestytnive që lidhen me këtë kafshë të konsideruar "magjike", pamja e ëmbël e së cilës shkakton një instikt të egër. Mendohet se, përveç Aleksandrit të Madh dhe Jul Çezarit, një tjetër njeri i pushtetshëm që ka vuajtur nga ailurofobia ka qenë edhe Genghis Khan (1162-1227), por ka qenë edhe Napoleon Bonaparti (1769-1821) si dhe gjenerali dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dwight Eisenhower (1890-1969).
Si fëmijët
Mes frikërave të tjera "metafizike" që biografët e lashtë u kanë atribuar romakëve ka qenë edhe skotofobia (skotos - errësirë, terr) frika obsesive nga errësira që kishte prekur përshembull Augustin (63 para Krishtit - 14 pas Krishtit). Hipotezë kjo që përforcohet nga fakti që ai donte një shërbëtor në krah të tij çdo natë, i gatshëm që të ndizte një pishtar në rast se ai zgjohej nga gjumi.
Perandori i parë romak kishte veç të tjerash edhe atakë ankthi gjatë stuhive (keraunofobia - nga greqishtja keraunos - vetëtimë), gjë nga e cila vuante edhe kaligula (12-41 pas Krishtit). Po kështu, Augusti ishte i terrorizuar nga udhëtimet në det (talasofobia). Ndërsa gjatë udhëtimeve në tokë, ai urrente tezgën, lëkundjet e të cilës i shkaktonin të përziera. Dy tregues që të bëjnë të mendosh se në të vërtetë, ai ka vuajtur nga emetofobia, ose obsesioni që nuk arrinte të kontrollonte të vjellat.
Pasiguritë
Në kulmin e Mesjetës, Karli i Madh (742-814), zotëria i Perandorisë së Shenjtë romake ishte pre si e eremofobisë (frika nga vetmia), si dhe nga variacioni "shtëpiak" i saj: ekofobia (nga greqishtja oikos - shtëpi) apo më saktë terrori i të qëndruarit vetëm në shtëpi. Me drojën janë të lidhura në fakt dy fobi të tjera, të cilat kanë patur nga ana e tyre viktima të famshëm: kaliginefobia (nga kallos - e bukur dhe ghine - grua), apo më saktë ankthi që shkaktohet nga gratë e bukura si dhe antropofobia (frika nga raportet socialë, një version patologjik i mizantropisë). Frikëra këto që dëmtuan jo pak marrëdhëniet e Presidentit amerikan Abraham Linkoln (1809-1865).
Higjenistë
Mes fobistëve të mëdhenj italianë çmimin e parë të frikacakut e merr ndoshta Aleksandro Manconi (1785-1873). Ai vuante nga Agorafobia (frika nga hapësirat e hapura, që acarohet edhe më shumë në prani të turmave). Shkrimtari dhe senatori italian u godit madje nga një atak paniku në rrugët e hapura të Parisit, ku u tremb se kishte humbur të shoqen. Autori i "Promessi sposi", veç të tjerash nuk arrinte që të fliste në publik dhe ishte bacilofobik: pra, kishte një frikëpatologjike se mos infektohej nga baktere apo mirobe. Frika nga mikroorganizmat (bijë e zbulimeve shkencore që ndodhën në shekujt XVIII dhe XIX) "preku" edhe Musolinin. Madje është hedhur edhe hipoteza, se Duçja kish ngritur lart përshëndetjen romake për të shmangur shtrëngimet antihigjenikë të duarve.
Armiqtë e padukshëm trembnin më shumë se ata me armë në duar edhe në rastin e Uinston Churchillit (1874-1965), i cili ishte rupofobik (i obsesionuar nga papastërtia) i deklaruar: Kryeministri anglez kalonte shumë orë të ditës në vaskën e banjës së tij. Mes bacilofobikëve kronikë ka qenë edhe Sadam Huseini (1937-2006) paranojat e të cilit janë rregjistruar nga amerikanët gjatë periudhës që ishte i burgosur (ishte i trembur se mos ishte sëmurë me AIDS).
Përtej politikës
Mes "të mëdhenjve" jashtë pallateve të politikës, frikërat kanë qenë të tjera. Pablo Pikaso (1881-1973) ishte eniafobik: terrorizohej nga fakti se mos një ditë bëhej i varfër (një frikë kjo e pajustifikuar, duke patur parasysh kuotimin e veprave të tij, që kur ishte gjallë). Marylin Monroe (1926-1962) ishte agorafobike dhe fizikani Nikola Tesla (1856-1943) - një tjetër higjienist patologjik - mbërthehej nga ankkthi përpara objekteve të rrumbullakosur. Ashtu si mjeshtri i horrorit, Alfred Hitchcock (1899-1980), i cili mbushej me djersë të ftohta po të shihte qoftë edhe një vezë.
Difekte të mëdhenj e mani të vogla
Ekzistenca e shumë njerëzve të fuqishëm në të kaluarën është karakterizuar nga mani të vogla dhe vese të mëdhenj që, pa u shndërruar në patologji apo fobi, i kanë kushtëzuar. Hyn në kategorinë e parë turpi i Jul Çezarit për faktin, që ishte qeros, gjë që përpiqej ta kamuflonte me gjëra të dyshimta nga pikëpamja e shijes apo me kurora degësh pemësh të rralla. Perandori August, turpërohej ndërkohë nga statura e tij e shkurtër dhe kështu përdorte gjithmonë veshje që sillnin një farë "zgjatje" të tij.
Augusti kishte një pasion të jashtëzakonshëm për lojërat e fatit, ashtu sikurse dhe Perandori Kaligula. Perandori bizantin, Justiniani ishte skllav i garave. Nuk humbiste asnjë prej tyre (ndonjëherë, duke injoruar edhe angazhimet politike) dhe lëshohej çdo herë në një tifozllëk të shfrenuar. Kur përfundonin garat shkonte në kërkim të femrave në lokalet me drita të kuqe të Kostandinopojës. Në fakt, sa i përket seksit, më "hard" kanë qenë Napoleoni dhe Hitleri: i pari, ishte shumë i joshur nga gratë që kutërbonin erë të keqe, ndërsa i dyti, sipas disa biografëve ishte një fans i sadomazokizmit.
Edhe perandori Karli i Madh ishte i njohur për "hiperaktivitetin e tij gjatë natës". Aspak seks, në rastin e tij: sovrani thjeshtë preferonte që të flinte gjatë ditës dhe t'u përkushtohej çështjeve politike gjatë natës.

Google+ Followers