Energjia bojë kafe


Jashtëqitja? Mund të përdoret për të prodhuar elektricitet, materiale plastike, plehërues, bizhuteri, madje edhe ushqim

Në kohë të vështira, asgjë nuk hidhet poshtë: gjithçka riciklohet. Një numër i madh shkencëtarësh po kalojnë gjithmonë e më shumë kohë duke studiuar jashtëqitjet, për të prodhuar prej tyre materiale plastike, energji të pastër, bizhuteri, madje edhe ushqime për të ngrënë. Me pak fjalë, ajo që nuk e mendonim fare më parë, po bëhet një burim i pashtershëm surprizash, që mund të shndërrohet në “arin” e mijëvjeçarit të tretë. Gjatë gjithë jetës, secili prej nesh prodhon rreth 6 tonë jashtëqitje. Sa herë që hamë, duhet nga 2 deri në 8 orë që vakti përmes 7 metrave zorrë, ku pëson një sërë transformimesh të jashtëzakonshme kimike, të asimilohet nga organizmi. Një proces shumë kompleks, aq sa frymëzoi artistin belg, Wim Delvoye, ta shndërronte në një “vepër arti”. “Kloaka” e tij është një makinë e ekspozuar për herë të parë në muzeun e arteve bashkëkohore të Anversas, në vitin 2000, që përmes një sërë tubash dhe aparatit distilues prodhon gjithë fazat e procesit të tretjes. I ushqyer me një vakt komplet, prodhon feçe identike me ato natyralet. Duke parë suksesin e kësaj vepre, Delvoye ka prodhuar shumë versione të ndryshme. Por ajo që bëri më shumë bujë në këtë fushë ishte shpikja e japonezit Mitsuyuki Ikeda, ekspert i edukimit ushqimor, që arriti të marrë proteina nga feçet e kanaleve të ujërave të zeza dhe duke i përzier me proteina të tjera të sojës, arriti të prodhonte “shit burgerin” (kakaburgerin), duke i shtuar salcë barbekjuje. Studimi i bërë nga Qendra e Kontrollit të Ambientit në qytetin e Okayamas, nuk dëshironte të hapte një faqe të re në gastronominë japoneze, por të tregonte se edhe nga jashtëqitjet mund të nxjerrësh përfitime. Ndërkohë, në Francë (Instituti Kombëtar i Kërkimeve Agronomike), Universiteti Montpellier ka bashkëpunuar me Universitetin e Valparaisos në Kili, për të vlerësuar efikasitetin e krimbave në pastrimin e ujërave të zeza: mjaftojnë tre krimba për të pastruar mbeturinat fekale në një gotë ujë për çerek ore.

Lënda e parë

Fekalet e njerëzve përbëhen 75 për qind nga lëngjet dhe 25 për qind nga material solid, për më tepër fibra celuloze dhe keratinë. 30 për qind e peshës së saj përbëhet nga bakteret që vijnë nga flora intestinale, ndërsa 15 për qind nga substanca inorganike, mbi të gjitha kalcium dhe fosfate, që pasi ripastrohen dhe ndahen, mund të jenë të rëndësishme për të ardhmen e njerëzimit. Kështu tregon një studim i publikuar në vitin 2008 nga projekti “Quality input low food” i Bashkimit Europian, që synon të përmirësojë cilësinë e ushqimeve nga substancat kimike. Sipas Carlo Leifert, docent i Universitetit britanik të Njukasëllit, që punon me projektin, “rrezikojmë që brenda 60 vjetëve të ezaurojmë burimet natyrale të fosforit, sidomos mineralet e nxjerra në Afrikën e Veriut, që janë thelbësore për të pasuruar terrenet bujqësore”. Për të larguar rrezikun e moskultivimit më të grurit dhe produkteve të tjera të rëndësishme, mund të përdoren si plehërues jashtëqitjet njerëzore. “Në Europë është e ndaluar, por politikanët duhet ta autorizojnë përdorimin e tyre tani, pa arritur në gjendjen e emergjencës”, paralajmëron Leifert.

Etiketa

Këtu po prekim një tjetër temë ndaj së cilës japonezët janë shumë të ndjeshëm. Në Japoni kanë sukses të madh pilulat që në zorrë arrijnë të eliminojnë molekulat përgjegjëse për erën e keqe. Nga pilulat me emrin “Etiquette Up”, në treg që prej vitit 1994 janë shitur 1 milion falkonë, ndërsa konkurrentet “Etiquette” të prodhuara në vitin 1997, në 6 muaj kanë shitur më shumë se 600 mijë kuti. Mbi kuti është shkruar: “Njerëzit janë të përgjegjshëm për erën e tyre”. “Oafree”, që shiten në SHBA, premtojnë rezultate pas tri javësh përdorimi. I vetmi efekt anësor është se jashtëqitja bëhet ngjyrë jeshile. Megjithatë, të luftosh erërat e fekaleve është një biznes që kushton 1 milion e gjysmë euro për çdo 100 mijë banorë, thotë një tjetër kërkues francez, Emmanuel Adler.

Energji dhe plastikë

Pionierët e kësaj fushe janë kinezët. Objektivi i qeverisë është që t’i çojë në 50 milionë, nga 20 milionë që ishin në vitin 2005, banesat e pajisura me një sistem që prodhon gaz biologjik nga shkarkimet e WC-ve. Në Ministrinë e Bujqësisë në Pekin, me gazin biologjik të nxjerrë nga feçet ushqehen kaldajat që lëvizin turbinat, duke prodhuar 700000 kwh elektricitet në vit. Edhe në SHBA veprohet në të njëjtën mënyrë. Shulin Chen, nga “Washington State University”, ka vërtetuar të njëjtin eksperiment. Studiues të tjerë amerikanë kanë arritur të nxjerrin nga jashtëqitja e derrave dhe viçave substanca kimike që gjenden edhe te nafta. Fibrat e nxjerra nga feçet e tyre të përziera me material plastik përdoren për të prodhuar dysheme për ambiente të jashtme.

Banjat

Çmimin për zgjuarsinë e mban Kina: në qendrën tregtare "Great World City" gjendet një tualet që ka kushtuar gjithsej 558 mijë dollarë dhe disa njerëz e kanë pagëzuar si "mrekullinë e tetë të botës". Megjithatë, kush udhëton e di se si funksionojnë gjërat dhe sa më në thellësi të gërmosh, aq më shumë surpriza do të zbulosh, shpjegon Stephen Arnott, në librin gazmor, "Në fund, djathtas". Në shumë vende të botës, WC-ja është e krijuar në atë mënyrë që nevojat personale të bien mbi ujë dhe më pas me anë të një shkarkuesi gjithçka të zhduket. Në vende të tjera, si Gjermania, WC-ja është krijuar në atë mënyrë që nevojat personale të bien mbi një terren të thatë, me qëllim që çdo person të zbulojë gjendjen e tij shëndetësore. Në vendet aziatike, më të përhapura janë nevojtoret (pasi mbahen më pastër dhe nuk kanë kontakt me sipërfaqet e prekura nga bakteret) të futura në dysheme. Në Europë, këto të fundit quhen "banja alla turka", ndërsa në pjesën tjetër të botës, "tualet aziatik". Edhe nëse çështja në fjalë është cilësuar si tabu, gjërat e pozicionet kanë ndryshuar: në Perëndim njerëzit i bëjnë ulur nevojat personale, ndërsa në Lindje të mbledhur kruspull.
Zakonisht meshkujt urinojnë në këmbë, ndërsa femrat ulur. Në disa vende myslimane, si për shembull egjiptianët e vjetër, femrat urinojnë në këmbë. Gjithashtu, edhe rregullat e mirësjelljes mund të variojnë: për shembull, në Shtetet e Bashkuara është një veprim i paedukatë nëse troket në një derë banje publike për të pyetur a është e zënë. Në Japoni, femrat e turpshme e tërheqin tri herë shkarkuesin e ujit, me qëllim që të mos dëgjohen nga të huajt.

Google+ Followers