EL CID/Ripushtuesi



Një, asnjë, njëqind mijë: El Cid, campeador, siç e përshkruan Vitangelo Moscarda protagonist në romanin e Pirandellos, i shpëton çdo lloj klasifikimi. Për legjendën, ai ishte heroi i Ripushtimit, dëbimi i "mureve" nga tokat spanjolle. Për propagandën e diktatorit Francisco Franko, në vitet nëntëqind, ishte një model i nacionalizmit, besnikërisë ndaj atdheut dhe devotshmërisë ndaj familjes. Kinemaja e ka përjetësuar me një film kolosal shumë të njohur, interpretuar në vitet '60 nga Charlton Heston dhe Sophia Loren.
Që në Mesjetë, emri i tij qarkullonte në sheshet, në gojë të rrëfimtarëve dhe poetëve. Veprat e Rodrigo Diaz de Vivar, i thirrur El Cid campeador ("Zotëria kampion i artit të luftës") hynë në legjendë përpara vdekjes së tij, pikërisht në fundin e shekullit (1099). Por a ishte vërtetë një hero i panjollosur i krishtërimit, siç e thotë tradita? Apo ishte më shumë një mercenar në shërbim të atij që ofronte më shumë, siç thonë studiues të ndryshëm?
Pa atdhe
Për amerikanin Richard Fletcher, një prej historianëve më të mirë të Spanjës dhe biograf i El Cid, nuk ka dyshime: "Në kohën kur jetoi Rodrigo nuk mund të flitej për ndjenjë kombëtare, për kryqëzatë apo për ripushtim të Spanjës nga mbretërit e krishterë. Vetë Rodrigo ishte i gatshëm të luftonte në krah të myslimanëve kundër të krishterëve dhe e anasjellta. Nuk i përkiste askujt dhe luftonte vetëm për llogarinë e tij. Domethënë, një mercenar". Atëherë, si mund të shpjegohet popullariteti i tij?
I pari, që transformoi në legjendë veprat e tij ishte një poet anonim, që pak kohë pas vdekjes së Rodrigos i dedikoi atij një poemë epike: "Il Cantar de mio Cid". 3730 vargje që e përshkruanin si një kalorës fisnik dhe bujar, i gatshëm të luftonte për parimet e tij me kurajë dhe shpirt drejtësie. Për më tepër, një baba familje, i ndarë mes mbrojtjes së parimeve të krishterë dhe dashurisë për gruan dhe fëmijët, me sfond një Gadishull Iberik të ndarë mes principatave të vogla në luftë mes tyre në veri dhe kalifatit të fuqishëm të Al Andalus në jug.
Oficer
Për të, historianët dinë se lindi diku rreth vitit 1046 në Vivar, një fshat pranë Burgos në Spanjën jugore dhe që u afrua në oborrin e Mbretit të Kastijës Ferdinandi I, për t'u arsimuar dhe marrë mësime kalorësie ashtu si bijtë e fisnikëve. Emri i tij nisi të qarkullojë atëherë, kur pasi u emërua oficer mbretëror i oborrit kastilian, mori pjesë në luftën që shpërtheu pas vdekjes së mbretit në 1065. Ata që luftonin për territoret e Kastijës ishin katër bijtë e sovranit të vdekur: Alfonso VI, Garcia, Urraca dhe Sancho II. Që në fillim krahu i djathtë i Sancho II, pas vdekjes së këtij Rodrigo, hyri në rrugën e përplasjes me Alfonson VI, mbretin e ri që sapo kishte ardhur nga mërgimi. Në fakt, Alfonso kishte një obsesion: ai kishte frikë se El Cid synonte që t'i merrte kurorën e Kastijës. Kështu nisi përpjekjet për afrim: fillimisht e lidhi me shtëpinë mbretërore, duke i dhënë si bashkëshorte mbesën e tij, Jimena. Më pas, ia hoqi detyrën e oficerit mbretëror, duke ia dhënë atë një rivalit të tij. I pakënaqur, i mbështetur edhe nga oborri që e kishte zili Rodrigon për arritjet e tij, e dëboi në mërgim me një akuzë pak të qartë: grabitje të parave të shtetit apo, sipas disa burimeve, për faktin që kishte kryer një fushatë ushtarake të paautorizuar. Ishte viti 1081. Për campeadorin filluan pesë vite të gjatë në mërgim.
Në mërgim
Megjithatë, nuk u shndërrua në një kalorës të vetmuar alla Don Kishot. Ai zhvendosej, siç ndodhte atë kohë, me një sërë shërbëtorësh dhe vasalësh. "Për një luftëtar aristokrat të shekullit XI, një periudhë në mërgim ishte diçka që duhej të pritej", shpjegon Fletcher në biografinë e tij për "El Cid". "Ashtu si për një disident sovjetik të shekullit XX, pritej që të kalonte disa kohë në gulag". Nëse mundësitë për të shkuar në mërgim ishin të mëdha, ato të kalimit në shërbim të një zotërie mysliman ishin shumë të ulëta. Në këmbim të strehimit dhe një page të rregullt, Rodrigo kaloi nën urdhërat e një princi arab në Saragozë, Ahmad al-Muqtadir, aleat i mbretërisë së Kastijës.
Përveç pagës, campeadori siguroi edhe disa klauzola shtesë jo të vogla: të drejtën për të shitur apo siguruar në një vend në qytet të ardhurat nga sulmet e tij ushtarake; të mira për njerëz dhe kafshë të ushtrisë së tij personale; pronësinë e disa rrethinave për vete dhe vasalët e tij, ku të qëndronin në kohën kur nuk ndodheshin në luftime. Pasi mori këto garanci, në qeverisjen pasardhëse të djalit të al Muqtadir, El Cid e rriti pushtetin e tij deri kur u emërua komandant suprem i ushtrisë. Dallimet e fesë në atë kohë nuk ishin një pengesë për karrierën, qoftë kjo edhe ushtarake.
Strategji fituese
Në themel të famës së El Cid, përveçse ambicies së madhe dhe aftësive të jashtëzakonshme diplomatike, ishte edhe një dije e rafinuar e zanatit të armëve. Legjenda thotë që, përpara çdo beteje, Rodrigo i mblidhte vasalët e tij për të bërë një "brain storming", një lloj shkëmbimi idesh që i jepte mundësinë çdo gjenerali të shprehte mendimin e tij. Madje, thuhet se në këto raste lexoheshin edhe klasikët e artit ushtarak grek dhe romak. Dhe në fund, strategjia ishte shpesh ajo e "luftës psikologjike": një ngacmim nervash i armikut, që lihej sa më shumë të ishte e mundur me idenë e pritjes së një sulmi, deri në një ofensivë të papritur të paraprirë nga manovra diversive.
Fronti
Ndërkohë që vlerësimet e Cid rriteshin, Gadishulli Iberik u përfshi nga pushtimi i Almoravidëve, një dinasti berbere nga Maroku që u thirr në vitin 1086 nga princërit e Reinos de Taifas, për t'iu kundërvënë përparimit të të krishterëve.
Sipas versionit nacionalist të historisë, në këtë pikë Rodrigo u vu hapur në mbrojtje të fesë kristiane. I thirrur prej mërgimit nga Alfonso VI, ai shkoi në Kastijë. Por, ajo që e bindi mbretin për të thirrur menjëherë campeadorin ishte humbja në betejën e Al Zalaqa, në Estremadurë.
Në fakt, falë aftësisë luftuese të Rodrigos në dy vitet e mëvonshëm territoret myslimane të Albarracin dhe Alpuente u shndërruan në taksapagues të kurorës së Kastijës, duke mos lejuar që qyteti strategjik i Valencias të binte në duar të armikut. Dhe në Valencia, El Cid do të kurorëzonte ëndrrën e një jete: të kishte një mbretëri të tijën. Por i duhej ta pushtonte me forcë.
Tempist
Pasi mori vesh që guvernatori i Valencias kishte vdekur, Rodrigo u nis drejt qytetit në krye të një ushtrie të përzier arabo-kristiane. Sulmi nisi në 1092. Valencia, me pamje në det nuk ishte e lehtë të merrej. Por me një strategji fituese - tërheqja në fushë të hapur e armikut falë një prej manovrave diversive - dy vite më vonë campeadori ia doli mbanë. Ai jo vetëm i demonstroi botës së krishterë se Almoravidët nuk ishin të pamposhtur, por edhe në imagjinatën e gjysmës së Europës u shndërrua në një simbol të krishtërimit.
Në Valencia, Rodrigo qeverisi në emër të Alfonso VI, por në fakt, kishte autonomi të plotë: krijoi aleanca edhe me arabët dhe përforcoi lidhjet me martesa diplomatike. Në vitin 1099 martoi dy bijat: njërën me Raimondin III, kont që sundonte në Barcelonë dhe tjetrën me Ramiron, një prej fisnikëve më në zë në mbretërinë e Aragonës. Në të njëjtën kohë, vazhdoi të blejë në fshatrat e mbretërisë, për të siguruar ushqime, grurë, mish e vaj për ushtrinë e tij. Armiqtë e tij politikë torturoheshin dhe disa edhe çoheshin në turrë. Gjykimi i historianëve të kohës për mbretërinë e tij është kontradiktor: burimet myslimane e masakrojnë, ata të krishterë e lëvdojnë si një udhëheqës kundër kryqëzatave të gjysmëhënës.
Finale e dyfishtë
Në kulmin e suksesit, në korrik 1099, El Cid ndërroi jetë. Sipas legjendës, dalja e tij nga skena ishte epike: i goditur në zemër në betejë, ndërkohë që Almoravidët kishin ardhur në kufijtë e mbretërisë dhe kur njerëzit e Alfonso VI ishin duke mbërritur. Kufoma e tij, e lidhur pas shalës së Babiekës, kalit të bardhë që ia kishte falur një murg, më pas ishte vënë në krye të trupave. Kështu kishte galvanizuar njerëzit e tij dhe terrorizuar armiqtë.
Në të vërtetë, gjërat kishin shkuar ndryshe: campeador ndërroi jetë në shtratin e tij. Po që atëherë, Ibn-Bassam, historian andaluzian dhe bashkëkohës i tij shkruante: "Ky njeri, kamzhik i kohës së tij, për famën dhe lavdinë, për shkathtësinë e mendjes dhe për kurajën heroike ishte një mrekulli e Perëndisë".

Google+ Followers