E ardhmja i takon E-Learning


Epoka dixhitale ka kohë që ka përshirë edhe arsimin. Shumica e ekspertëve mendojnë se transmetimi dhe këmbimi i dijeve në të ardhmen do të zhvillohet gjithnjë e më shumë nëpërmjet kompjuterit.
 A do të thotë kjo se arsimi do të "demokratizohet"? Kjo çështje nuk është dhe aq e thjeshtë. Raporton eksperti britanik i E-Learning, Graham Attwell: "Ekziston problemi i mbetjes përjashta nga bota digjitale. Dhe ekziston problemi i anafalbetizmit digjital, i cili po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Sepse aty ekziston rreziku i mospërfshirjes, një rrezik që ka ekzistuar gjithnjë. Ne duhet të gjejmë rrugët për përfshirjen e të gjithëve në botën digjitale."
Rrugët për ta zgjeruar sa më shumë aksesin në internet, për shembull me aparate të lira mobile, thotë  Attwell. Universitetet dhe kolegjet duhet të kenë rrjete falas WLAN-i (hyrje në një rrjet lokal nëpërmjet valëve), qytetet duhet të mendojnë për WLAN-e falas në fushat e tyre, në mënyrë që të nxisin mësimin përgjatë gjithë jetës. Shkencëtari, aktualisht docent i ftuar në universitetin e Bremenit këshillon krijimin e praktikave për të shtuar dhe jo zvogëluar numrin e akseseve. Në fund të fundit kompjuteri dhe interneti sjellin ndryshim të botës së mësimit. Format klasike të marrjes së dijeve nuk zëvendësohen, vetëm plotësohen.
Profesorja britanike Gilly Salmon, specialiste e Learning Technologies mendon njësoj si kolegu i saj. Sipas mendimit të Gilly Salmon-it, e ardhmja i takon kryesisht E-Learning, sepse rinia e sotme rritet me kompjuter. Ajo vetë ka pasur eksperienca të mira. Në shkollën e saj të lartë, në Universitetin e Leicester-it, ofrohen prej kohësh degë për kryerjen e studimeve krah ushtrimit të profesionit. Në këtë mënyrë ofrohen mundësi që studimi klasik nuk i ofron. "Në Universitetin e Leicester-it ne kemi 7 000 studentë në distancë, që studiojnë kryesisht në degët e studimeve master duke shoqëruar ushtrimin e profesionit. Këta studentë jetojnë kryesisht jashtë vendit, për shembull në Lindjen e Afërme dhe të Mesme, në Karaibe dhe në SHBA. Nëpërmjet ushtrimeve virtuele ata punojnë së bashku në grupe. Studentët tanë të arkeologjisë për shembull takohen në Second Life, aty ku ne kemi krijuar më parë shoqërinë tonë."
Ky është një trend i rëndësishëm. Njerëzit mund të mësojnë së bashku megjithëse ndodhen në vende të ndryshme. Megjithatë mësimi me kompjuter dhe internet ka një disavantazh të madh. Kushtet teknike duhet të ekzistojnë dhe furnizimi me energji elektrike duhet të jetë i sigurt. Kjo nuk është e mundur në të gjitha vendet. Prandaj kritikët flasin për hendekun që ekziston midis atyre që i kanë dhe atyre që nuk i kanë këto kushte.
Michael Tighe, Docent në Shkollën e lartë të Këlnit, e shikon të ardhmen e E-Learning po ashtu pozitivisht. Ai sheh përditë se si studentët e tij përballojnë vështirësitë teknike."Studentët janë shumë mendjendritur. Shumica e tyre e gjejnë një zgjidhje të problemit që kanë. Ata janë të gjithë brezi i Facebook-ut dhe janë shumë të përgatitur, nëse kompjuteri prishet atëherë gjejnë menjëherë një që ta zëvendësojnë."
Edhe kur Kina mbylli një herë një grup virtuel pune në një platformë interneti, studentët gjetën rrugën për të informuar me të rejat e fundit anëtarët kinezë të grupit, thotë Tighe. Studentët e tij punojnë duke i kapërcyer kufijtë, nëpërmjet kontakteve që i vendosin vetë nëpërmjet kompjuterit, intëernetit dhe platformave të ndryshme të mësimit dhe vendosjes së kontakteve. Nëpërmjet këtyre krijohen grupe virtuale.
"Studentët e mi do të punojnë në të ardhmen më shpesh në grupe virtuale. Me rritjen e globalizimit, njeriu është i detyruar të punojë virtualisht dhe unë dua, që studentët e mi të jenë të përgatitur me karakteristikat e virtualitetit, dhe të kenë një ide se si punohet në mënyrë efektive virtualisht," thotë Tighe. Në epokën dixhitale ndryshojnë format e kontakteve ndërnjerëzore. Variante të reja të mësimdhënies dhe mësimarrjes plotësojnë mësimin frontal. Kjo ofron shance të reja. Arsimimi bëhet fleksibël dhe demokratik, kur shancet shfrytëzohen si duhet.

Google+ Followers