Duke pritur apokalipsin e parë

VITI 1000 


Pyetja numër 1: A do të blinit shtëpi po të dinit se një meteor do t’ju bëjë copë? Pyetja 2: Do të bënit fëmijë nëse do të ishit i sigurt se janë të destinuar të vdesin në luftë? Pyetja 3: Do të investonit në bursë nëse aksionet tuaj janë të dënuara të bëhen të pashitshme, si pasojë e fundit të botës? Njëmbëdhjetë shekuj më parë, pak përpara vitit 1000 të epokës së krishterë, njerëzimi bënte po këto pyetje (përveç të tretës, pasi bursa e aksionet ende nuk ekzistonin); pastaj, duke besuar në afrimin e Ditës së Gjykimit, u paralizua. 

Lamtumirë projekte, bij, investime: bota u pushtua nga psikoza e fundit të karrierës. “Një mijë dhe s’ka më”, kishte parathënë Jezu Krishti. Madje edhe një antiklerik si Karduçi, 900 vite më vonë, kishte shprehur mirëkuptim për ata që kishin besuar tek profecia.



Viti i Ri mes frikës



Më pas erdhi nata e Shën Silvestrit e vitit 999: një natë e gjatë dhe e trishtë, pa festime, madje edhe pa atë alegrinë e detyruar që kanë të gjithë këngët e fundit të mjelmave. Por ditën tjetër, kur këndezët nisën të këndojnë, njerëzimi pa se nuk kishte ndodhur asgjë. Ishte pothuajse një mrekulli, një premtim për një jetë të re. “Dielli, burimi i përjetshëm i jetës doli triumfues... Dielli! Dielli! Fundi i botës ishte shtyrë...

Ajo ditë u pasua nga një periudhë euforie të madhe: një lloj shkarkimi adrenaline si ajo që organizmi prodhon pas një goditjeje. Toka të papunuara nisën të shfrytëzohen, të bonifikohen e riciklohen në fusha. Të krishterët nisën sërish të bëjnë fëmijë dhe nëse më pas i dërgonin në luftë, kjo nuk ndodhte prej intrigave të Satanait, por për të çliruar Jerusalemin nga të pafetë myslimanë (objektiv që u arrit një shekull pas fundit të munguar të botës). Në ndërkohë, Evropa ishte “mbuluar nga një mantel kishash”, siç shkruante një frat i asaj kohe.

Një mijë dhe s’ka më! Shumë sugjestionuese. Mëkat që ndoshta të gjithë këto janë false: vargjet e mëhershëm janë për t’u hedhur tej, apo të paktën për t’u trajtuar si një përrallë të vëllezërve Grim. “Që njerëzit prisnin fundin e botës në përfundim të mijëvjeçarit të parë, kjo është një legjendë e krijuar më pas, në periudhën mes viteve 500 dhe epokës romantike”, shpjegon Glauko Kantarela, docent i historisë mesjetare në Universitetin e Bolonjës. “Madje edhe fraza e famshme Një mijë dhe nuk ka më është false: nuk bëhet fjalë për një profeci të Jezusit, por për një shpikje të Karduçit”.

Profesor Kantarela nuk është një solist që këndon jashtë korit: sot, pothuajse të gjithë historianët e Mesjetës mendojnë pothuajse kështu. Ata që kontestuan të parët rrëfimin tradicional për Vitin Një Mijë ishin disa studiues francezë të viteve 900: Mark Kloh, Henri Fokijo, Edmond Ponjo dhe mbi të gjitha Zhorzh Dubi, docent i prestigjiozit College de France dhe anëtar i akademisë franceze. Sot, në pozicionin e karduçit mbeten vetëm disa tradicionalistë të pakthyeshëm, mes të cilëve Jyrgen Mitke, docent në Haidelberg.



Frikëra të fshehura



Përse ka zënë vend tendenca revizioniste? “Në të vërtetë, duhet që të pyesim përse lindi miti”, thotë Kantarela. “Në fakt, mes autorëve antikë që kanë shkruar për periudhën në fjalë, asnjëri nuk flet për terror të mijëvjeçarit: vetëm njëri, Rudolf Glabri shkruan diku shkurt për një lidhje të mundshme mes disa ngjarjeve që ndodhnin dhe një profecie biblike. Me aq sa dimë, ata që shpallën se dita e gjykimit ishte afër ishin vetëm dy predikues, njëri në Toskanë dhe tjetri në Paris, por bëhej fjalë për raste të izoluar, jo për një tendencë masive”.

Megjithatë, tradicionalisti Mitke nuk heq dorë. Autorët antikë nuk kanë shkruar për psikozën e Mijëvjeçarit? Sipas studiuesit gjerman, kjo ndodh vetëm sepse, duke jetuar në një epokë “mashkullore”, historiografët mesjetarë kishin turp që të rrëfenin për frikërat e tyre. Veç të tjerash, Rudolf Glabri nuk duhet nënvlerësuar: nëse rrëfimi i tij për Ditën e Gjykimit është i shkurtër, kjo ndodh sepse teksti që ka mbërritur tek ne është i mangët. Atëherë, kush ka të drejtë? E rishohim nga e para problemin.



Djalli në katërsh



Në parim nuk ishte fraza false e Jezusit, por libri i fundit i Biblës, apokalipsi, ku thuhet: “Më pas pa një engjëll që zbriste nga qielli me çelësin e humnerës dhe një zinxhir të madh në dorë. E mbërtheu dragoin, gjarprin antik domethënë djallin, Satanain, dhe e lidhi me zinxhirë për një mijë vjet”. Por më pas, me kalimin e një mijëvjeçari Satanai do të çlirohet nga burgu dhe do të arrijë të joshë shtetet”. Atëherë të fuqishmit e botës, të frymëzuar prej tij, do të nisin një luftë të madhe, por “një zjarr zbriti nga qielli e i përlau dhe djalli përfundoi në kazanin e zjarrit dhe squfurit”. Le ta themi: teksti nuk është një kryevepër qartësie, në disa vargje i ngjan profecive të famshme të Nostradamusit, ku mund të lexosh gjithçka dhe të kundërtën e gjithçkaje. Këtu, me pak fantazi, mund të deduktohet kjo: engjëlli i përmendur është ai që lajmëron marinë për lindjen e Jezusit; ardhja e Mesias e fut në vështirësi Satanain (zinxhirët); por një mijë vite pas Krishtit, djalli kthehet në “liri të përkohshme” dhe pak përpara se të përballet me Gjykimin e Fundit, prej ku do të dalë i humbur, shpërthen një kasaphanë që përfshin gjithë botën.



Në gjithë frontet



Tani të vihemi në pozitën e një besimtari të shekullit X që njeh rrëfimin e apokalipsit dhe të hedhim sytë përreth. Evropa nuk po ecën mirë: ka zi buke, murtajë, kanosje nga Lindja (hungarët), nga veriu (vikingët) dhe nga jugu (arabët). Dhe në fundin e mijëvjeçarit shumëfishohen ngjarjet që duket se vënë në jetë të famshmen profeci biblike: një tërmet (Benevento 990) mund të jetë shenja që Satanai ka hedhur tej zinxhirët e tij; një zbarkim i fuqishëm i vikingëve (Angli 991) është ndoshta fillimi i “luftës së madhe finale”; dhe në fund, një shpërthim (Vezuvi 993) sjell në vëmendje “zjarrin nga qielli”. Rudolf Glabri u tmerrua mbi të gjitha nga shpërthimi. Në historitë e tij, murgu Transalpin na jep një përshkrim të ngjarjes: “Mali Vezuv, rriti numrin e gojëve të tij dhe nisi të vjellë, bashkë me zjarrin dhe squfurin, edhe një sasi masash shumë të mëdha, që shkonin deri në tre milje distancë; dhe me gjithë këto e bëri të pabanueshëm territorin pranë”.



Zjarr dhe flakë



Në ato vite nuk shkonin në zjarr vetëm rrethinat e Vezuvit: më parë u dogj Kisha e Mont Saint-Michel, në Normandi më pas çatia e Bazilikës së par të Shën Pjetrit, në Romë. Rudolfi rrëfen: “Atëherë një masë besimtarësh, duke mos gjetur mënyrë për të penguar tragjedinë, rendi masivisht me britma dëshpërimi drejt vendit ku ishte varrosur princi i të gjithë apostujve , të trembur se, nëse nuk do të mbronin menjëherë Kishën, shumë në të gjithë botën do të braktisnin fenë”.

Ka edhe më: fundi i mijëvjeçarit të parë qe mbushur edhe me ngjarje që apokalipsi nuk i kish parashikuar. Vetë Rudolfi ka bërë një listë në librin e tij: në nëntor 996 u pa në Detin e Veriut një balenë e madhe sa një ishull; në maj 997, në Orleans nga një imazh i Krishtit kishin dalë lot dhe kambana e një kishe nisi të bjerë sepse një ujk ishte kapur në zinxhirin e saj; në fund, një të shtunë në mbrëmje, në vigjilje të Krishtlindjeve u shfaq në qiejt francezë një dragua shumë i madh fluoreshent që fluturonte nga veriu në jug.

Tani është e qartë se një mendje me fantazi, e prirur të besojë në ujq që u bien kambanave apo dragonj fluturues, do të kish besuar edhe në fundin e botës. E megjithatë, frati ynë nuk e bëri: u kufizua që të përmendte vetëm profecinë biblike të çlirimit të Satanait, me njëherazi që po përhapej në Sardenjë dhe në Spanjë. Pastaj është logjike: Rudolfi shkruante kur viti Një Mijë kishte kaluar tashmë, ndonëse prej pak kohësh; pra nëse përmendte gabimet e shekullit X e bënte për të zmadhuar më shumë sukseset e shekullit Xi, jo për të zymtësuar të ardhmen.



Përgënjeshtrime



E kotë të gjesh prova të psikozës së fundit të mijëvjeçarit në të tjerë tekste të periudhës 950-1050: madje ndonjëherë gjen tregues për të kundërtën. Për shembull, rreth vitit 998 një farë Aboni, abat në luginën e Loiras, në një Liber Apologeticus shkruante: “Kam dëgjuar t’i predikohet popullit në një kishë në Paris që Antikrishti do të vinte në fundin e vitit Një Mijë dhe që menjëherë do të pasohej nga gjykimi universal. Kam kundërshtuar me forcë këtë opinion”. Pra, predikuesit e rrallë të fatkeqësisë përgënjeshtroheshin dhe margjinalizoheshin prej hierarkive.

Por në fund, përtej asaj që thonë tekstet mesjetarë, për të pasur të paktën dyshime mbi psikozën e vitit Një Mijë mjafton të arsyetosh me mendje të ftohtë: “Në shekullin X, bota e krishterë nuk kishte një kalendar unik”, thotë Kantarela. “Në Romë, viti i ri ishte në janar, por në Piza, në Angli dhe në Irlandë e festonin më 25 mars, ndërkohë që Perandoria bizantine përveç pjesës së Italisë e shtynin për në shtator. Në këtë kuadër, cila mund të ketë qenë “nata e Karduçit”? duhet të mendojmë që njerëzimi priste një fund bote me etapa: një hipotezë absurde”.

“Veç kësaj”, vazhdon eksperti, “ka edhe një arsye teologjike për t’iu kundërvënë idesë që bota priste një gjykim universal prapa qoshes. Në mendimin katolik askush, edhe ata që kanë studiuar Shkrimet e Shenjtë, nuk mund të thotë që di projektet e Zotit: ky do të ishte një mëkat i madh. Vetëm Kisha mund të bëjë një interpretim autentik të Biblës. Pra, është e pamendueshme që në Mesjetë të kishte një lëvizje milenaristike pa miratimin e Romës: do të trajtohej si një herezi”.

Ka një tjetër arsye për të dyshuar që i vë vulën: në shekullin X, shumica e popullsisë evropiane ishte analfabete; atëherë kush mund të kishte studiuar një libër si apokalipsi, përveç ndonjë eruditi, njeri të Kishës? Nëntë të krishterë në dhjetë nuk mund të kishin frikë nga profecia biblike për arsyen e thjeshtë se as nuk e dinin çfarë ishte.



Lindja e një legjende



Por nëse psikoza e Vitit një Mijë nuk ekzistoi asnjëherë, atëherë mbetet të kuptohet kur dhe përse u krijua ai mit. Ka pasur përgjegjës të ndryshëm, njëri i pavullnetshëm dhe shumë të vullnetshëm, të gjithë të bashkuar të paktën në fillim nga tunikat e përbashkëta të murgut.

I pari qe prifti belg, Sigebert di Gemblu, “fajtor” se u kish lënë pasardhësve një Kronografi ku sinjalizonte se në vitin Një Mijë ishte dukur një kometë: shumë ftohtë, pa komente apo lidhje me profeci biblike.

Katër shekuj më vonë, lajmi i yllit me bisht u mor nga një tjetër murg, abati gjerman Johan Tritemius, një humanist i apasionuar. Autor i një libri të njohur si Analet e Hirsaut, Johanes ishte më pak esencial se sa Sigeberti; kështu në faqet e tij, kometa e shfaqur disa shekuj më herët u pasurua me mbiemrin “e tmerrshme” dhe një fjali” “Shumë, kur e panë menduan se erdhi dita e fundit të botës”.



Propaganda



Dhe zuri vend. Edhe sepse, në 500 vite që kaluan nga Tritemiusi, opinion leader-at e interesuar për t’ia akredituar legjendën Vitit Një Mijë ishin të shumtë: humanistët e rilindjes për të demonstruar se sa e errët ishte mesjeta e hershme; protestantët për ti vënë një famë shumë kishës katolike; iluministët e shtatëqindës për të nxjerrë në pah epërsinë e arsyes ndaj supersticioneve të “shekujve të errët”; në fund romantikët e tetëqindës, të mrekulluar nga të gjithë misteret e të kaluarës sonë të largët.

Pra, siç shkruante 40 vjet më parë Zhorzh Dubi, me kalimin e kohës, legjenda e Vitit Një Mijë “u shndërrua në një mirazh historik, në gjendje të imponohej me lehtësi në një univers mental që ishte i prirur ta pranonte”.

Google+ Followers