Dhjetë vjet pas fillimit të "Netwar"/Al Qaeda dhe terrorizmi kanë ndryshuar rregullat e luftës

Edhe këtë vit, i nënti i konfliktit të madh midis shteteve dhe rrjeteve, Forcat e Armatosura amerikane kanë dështuar në përshtatjen me kushtet e ndryshuara, duke zbuluar në fushën e betejës se armiqtë e tyre shpesh ishin një hap përpara

Çdo ditë, Forcat e Armatosura amerikane shpenzojnë 1.75 miliardë dollarë, pjesa më e madhe e të cilave shkojnë për anijet e mëdha, topat e mëdhenj, batalionet masive që jo vetëm shërbejnë për të fituar luftat e së tashmes, por janë edhe, sigurisht, një pikënisje e gabuar për të përballuar luftat e së ardhmes.
Edhe këtë vit, i nënti i konfliktit të madh midis shteteve dhe rrjeteve, Forcat e Armatosura amerikane kanë dështuar - siç u ndodh shpesh ushtarakëve - në përshtatjen me kushtet e ndryshuara, duke zbuluar në fushën e betejës se armiqtë e tyre shpesh ishin një hap përpara. Ushtria amerikane është vërdallosur për vite të tëra në Irak, duke u demonstruar e paaftë që të kuptojë, sa aty, aq edhe në Afganistan, se grumbullimet e trupave të dashura për shkollën e vjetër nuk janë një mjet për të arritur në një fitore jetëgjatë në një luftë si kjo aktualja, në të cilën nga ana tjetër, nuk ekziston një armik më shumë sesa një rrjet armiqsh.
Asgjë e re. Duke pasur parasysh rrisqet dhe rreziqet që, për punë, duhet të përballojnë, ushtarakët janë pashmangshmërisht ngurrues për ta pranuar një ndryshim. Gjatë Luftës së Parë Botërore, armatat në Frontin Perëndimor luftonin praktikisht siç luftohej në Waterloo një shekull më parë, në vitin 1815, duke sulmuar në formacione të mëdha e kompakte, pavarësisht ardhjes në fushën e betejës të mitralozëve dhe artilerisë së rëndë. Qe një masakër e frikshme dhe çdo ofensivë e përgjakshme nuk siguronte asgjë më shumë se pushtimin e disa metrave katrore të martirizuara. Nuk të habit fakti që historiani Alan Clark e ka titulluar "Gomarët" studimin e tij lidhur me komandat e larta ushtarake të epokës.
Edhe implikimet revolucionare të lidhura me futjen e tankeve, të avionëve dhe të aparateve radio që i mbanin në kontakt u kuptuan vetëm minimalisht nga brezi i mëpasëm i ushtarakëve. Ashtu si paraardhësit e tyre nuk kuptuan sesa ishte vdekjeprurëse rritja e fuqisë së zjarrit, në të njëjtën mënyrë midis dy luftave nuk u kuptua sesa mekanizimi e kishte revolucionarizuar artin e luftës; natyrisht, me përjashtim të gjermanëve, të cilën kuptuan zbatueshmërinë e "blitzkrieg" (luftës rrufe, shënimi im) dhe falë tij siguruan fitore marramendëse. Në fund do të kishin fituar edhe luftën, po të mos kishte qenë për disa gabime trashanike në nivel strategjik si pushtimi i Rusisë dhe deklarimi luftë Shteteve të Bashkuara. Si konkluzion, nazistët nuk u mundën në artin e luftës sesa u tejkaluan në numër nga armiqtë e tyre.
Revolucioni i mëpasëm që nuk u kuptua, qe ai i bombës atomike. Midis atyre që më shumë u gabuan figurojnë pikërisht komandat e larta ushtarake amerikane, të cilët mendonin se bëhej fjalë për një armë si të tjerat; domethënë se ishte e aftë për përdorim luftarak. Por u zbulua se rëndësia e saj qëndronte në një funksion frikësimi të pastër. Çuditërisht, qe pikërisht një luftëtar i Luftës së Ftohtë si Ronald Reagan ai që demonstroi kuptimin më të saktë të këtyre armëve, kur tha: "Një luftë atomike nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të bëhet kurrë".
Revolucioni i fundit është ky aktuali. Jemi në erën e informatikës. Revolucionet teknologjike të dy viteve të fundit - të krahasueshme me Revolucionin Industrial të dy shekujve më parë për mënyrën si kanë ndryshuar botën - kanë ardhur në një moment paqendrueshmërie botërore Paslufte të Ftohtë. Megjithatë, pjesa më e madhe e ushtarakëve po hyn në këtë erë të re me kriterin e vjetër, sipas të cilit, revolucionet teknologjike nuk janë gjë tjetër veçse instrumente të reja, me të cilat eventualisht të bëhen më mirë gjërat që janë bërë gjithmonë.
Në rastin e Shteteve të Bashkuara, oficerët e lartë qëndrojnë të bindur se strategjia e tyre e njohur si "shock and awe" (godit dhe bind) dhe doktrina Powell mbi "forcën më të madhe në numër" vetëm janë përmirësuar nga shtimi i një numri të madh armësh inteligjente, avionësh pa pilot dhe komunikimesh globale pothuajse të njëkohëshme. Ndoshta cheerleader më i bindur i doktrinës "shock and awe" ka qenë Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, James Jones, një gjeneral nga rrethi i bashkëpunëtorëve të të cilit kanë dalë në vitet '90 mbështetësit e parë të këtij koncepti. Ideja bazë e tyre: "Sa më e fortë goditja, aq më i mirë rezultati".
Asgjë nuk mund të ishte më larg nga e vërteta, siç e kanë demonstruar dhimbshëm rezultatet e siguruara në Irak e në Afganistan. Praktikisht, 10 vjet e gjysëm pasi unë dhe kolegu im David Ronfeldt kemi krijuar termin "netwar" (luftë rrjetesh, shënimi im) për të përshkruar llojin e ri të konfliktit të degëzuar ("networked") që po manifestohej, Shtetet e Bashkuara qenë me vonesë. Dëshmia e këtyre 10 viteve të fundit ka treguar qartë se zbatimi masiv i forcës ka përë pak më shumë se vrasja e të pafajshmëve dhe egërsimi i të mbijetuarve. Organizata të degëzuara si al Qaeda kanë provuar sesa e lehtë është t'u shmangesh goditjeve, për sa të rënda qofshin ato, dhe më pas të kundërsulmosh me efikasitet.
Ndërkohë, Forcat e Armatosura amerikane, që përdornin instrumentet e reja luftarake në mënyrë për më tepër tradicionale, kanë filluar që të ndiejnë kostot materiale dhe njerëzore të luftës. Për shembull, kostoja e vërtetë financiare e luftës në Irak ka qenë prej rreth 3000 miliardë dollarë; është shifra që nxjerr analiza e bërë nga nobelisti Joseph Stiglitz dhe nga Linda Bilmes. Por edhe shifrat zyrtare nuk janë aspak më të ulëta: në rreth 1000 miliardë dollarë. Përsa u përket kostove njerëzore, trupat amerikane janë sfilitur për periudha operative të gjata kundër armiqsh, të cilët, sikur të inkuadroheshin në formacione të rregullta, vështirë se do të mbushnin radhët e një divizioni marinsash. Shtetet e Bashkuara janë realisht një hap larg nga braktisja e gjësë.
Kur ushtarakët nuk janë në një hap me kohët, kombi vuan. Në Luftën e Parë Botërore, kuptimi i munguar i asaj që nënkuptonte prodhimi industrial në shkallë të gjerë çoi jo vetëm në masakra pa kuptim, por edhe në fundin e perandorive të mëdha dhe rënien e shteteve të tëra. Paaftësia, në vigjilje të Luftës së Dytë Botërore, për të kuptuar implikacionet e mekanizimit, u dorëzoi territore të mëdha fuqive të Boshtit dhe pothuajse u përcaktoi fitoren. Kuptimi i munguar i domethënies së vërtetë të armëve atomike çoi në një garë armatimesh vetëvrasëse dhe pothuajse një hap nga katastrofa në rastin e krizës së Kubës.
Sot shenjat e keqkuptimit gëlojnë. Për shembull, në një erë që shikon në shërbim raketa antianije supersonike, US Navy ka shpenzuar miliarda dollarë të pafundme në "anije lufte sipërfaqeje", strukturat e sipërme prej alumini të së cilave do të digjeshin deri në vijën e lundrimit vetëm nëqoftëse do të goditeshin nga një prej këtyre bombave. Megjithatë, doktrina e Marinës pretendon se këto anije luftojnë armiq të armatosur me raketa vetëm në largësi syri dhe në ujëra territoriale.
Ndërkohë, US Army ka shpenzuar dhjetëra miliardë dollarë për "Future Combat Systems" të saj, një grumbullim armësh, mjetesh dhe sistemesh komunikimi të tipit të ri që tani shikohet nga vetë propozuesit e saj si krejtësisht e papërdorshme për llojin e përdorimit që forcat tokësore duhet të përballojnë në vitet e ardhshme. Ndërkaq, US Air Force, përtej përkushtimit të përjetshëm të saj ndaj bombardimit strategjik, mbetet e dashuruar pas avionëve gjuajtës jashtëzakonisht të avancuar dhe njëlloj të kushtueshëm, pavarësisht se në 40 vitet e fundit ka humbur vetëm një gjuajtës në duel ajror. Megjithëse shumë i kushtueshmi F-22 po demonstrohet mediokër dhe programi i tij është ndërprerë pas investimesh të mëdha, Air Force nuk është dorëzuar. Në fakt, akoma më i avancuari F-35 do të prodhohet, me një kosto të rendit të qindra miliardë dollarëve. Kjo ndodh në një epokë, në të cilën ajo që tashmë disponojnë Shtetet e Bashkuara është shumë më superiore ndaj çdo gjëje që ekziston në botë dhe do të mbesë e tillë për dekada me radhë.
Faktet e ekspozuara sugjerojnë se Shtetet e Bashkuara po shpenzojnë sasira të mëdha parash në një botë që po e bën Amerikën më pak të sigurtë, jo vetëm respektivisht terrorizmit, por edhe respektivisht vendeve të vogla që zhvillojnë një formë të ndryshme aparati ushtarake. Problemi shkon përtej armatimeve apo instrumenteve të tjera hi-tech. Ajo që i mungon në mënyrën më akute arsenalit amerikan është një kuptim i plotë i asaj se çfarë do të thotë "networking", domethënë interkoneksioni fluktues jetik ekzistues midis njerëzve që krijojnë dhe përdorin një lloj të ri inteligjence kolektive dhe një tip të ri fuqie, si dhe që ndajnë të njëjtin qëllim, qoftë ai i mirë apo i keq.
"Neworking" është adoptuar nga shumë lëvizje civile në të gjithë botën dhe ka qenë një metodë që ka bërë të avancohet demokracia e liria shumë më tepër se të gjithë përpjekjet e mundimshme të bëra nga ushtria amerikane për ta eksportuar demokracinë me forcën e armëve, në Irak e në Afganistan. Në të njëjtën mënyrë, "lëvizjet jocivile", domethënë terroristët dhe kriminelët ndërkombëtarë, i janë drejtuar interkonektivitetit për të koordinuar operacione me shtrirje botërore në mënyra që më parë nuk qenë të mundura. Përpara internetit dhe të World Wide Web, një rrjet terrorist që operonte me një shkallë të lartë koordinimi në 60 vende të ndryshme, nuk mund të ekzistonte. Sot na pret një botë plot me Umar Farouk Abdulmutallab (i riu nigerian që ka tentuar të hedhë në erë një avion civil amerikan Krishtlindjet e kaluara) dhe jo të gjithë do të kapen.
Por mundësitë e ofruara nga rrjeti nuk duhet domosdoshmërisht të ndihmojnë vetëm të këqinjtë. Nëqoftëse mirëpriten pa rezerva, mund të çojnë në një doktrinë të re ushtarake dhe në një tip të ri lufte. Konfliktet e së ardhmes duhet dhe mund të jenë më pak të kushtueshëm dhe destruktivë, në mënyrë që Forcat e Armatosura të mund të jenë më shumë në gjendje të mbrojnë të pafajshmit dhe të parandalojnë apo zmbrapsin një agresion.
Ka mundësi që nuk do të shikojmë më armata të mëdha të korracuara të ndeshen në fushë të hapur, por ndryshimet e artit të luftës moderne të këtyre kohëve shkojnë shumë përtej një konsiderimi të tillë: janë të shpejta, të pakapshme, të vështira për t'u mbërthyer. Ama ka një mënyrë për ta reduktuar këtë kompleksitet në tri rregulla të thjeshta, të cilat mund të kursejnë sasi të pallogaritshme gjaku e parash nëqoftëse do të gjendesheë në mes të një "lufte rrjetesh".
Rregulli 1: "të vegjël, por shumë" mundin "të mëdhenj, por pak". Problemi kryesor që prek aktualisht Forcat e Armatosura tradicionale është fakti se janë struktura të menduara për të bërë një luftë të madhe dhe gjejnë vështirësi për t'u riprogramuar për të përballuar një të vogël. Për shembull, merren Shtetet e Bashkuara: trupa e marinsave ka 3 divizione të gatshme për luftim dhe ushtria 10, ndërsa janë operative 11 grupe detare dhe rreth 3 dyzina skuadrash ajrore. Pothuajse 1 milion e gjysëm kryejnë shërbim aktiv në këto organizma dhe në pak të tjera që i mbështesin.
Atëherë nuk mrekullon fakti që Forcat e Armatosura amerikane janë sfilitur në ciklet operative të përsëritura të ndjekura, që kanë pasuar sulmet e 11 shtatorit. Vuajnë nga një "problem shkalle" kronik, që i bën të paafta të përballojnë një detyrë të kufizuar me forca të kufizuara. I shtohet këtij problemi me natyrë strukturore forma mentis karakteristike e ushtarakëve, sipas të cilëve, "sa më shumë të kesh, aq më mirë është" (aksiomë e pashmangshme: me më pak mund të bëhet vetëm më keq) dhe do të kuptohet pseja e një impenjimi masiv në luftat e vogla.
Ka qenë ky, veç të tjerash, rasti edhe i luftës në Vietnam, kur komandat e larta të atëhershme - qenë vitet '60, por ato aktuale janë pak të ndryshme - nxitën njerëz të cilëve u takonin vendimet finale që të ndërmerrnin një luftë të kryer nga njësi të mëdha kundër një numri shumë të madh repartesh shumë të vogla guerrilasish. Rezultati: të dislokuar më shumë se gjysëm milioni njerëz, miliarda të pafundme të derdhura kot, luftë e humbur. Imazhi emblematik i kësaj lufte është dhënë nga një automatik AK-47, ai i përdorur nga guerrilasit, qindramijëra prej të cilëve qenë në aksion çdo çast, i kundërvënë një avioni B-52 të USAF-it, bombarduesi i madh amerikan që në formacione prej disa qindra avionësh u dërgua në mënyrë të përsëritur mbi Hanoi për të tentuar, pa kurrfarë suksesi, që të nënshtrojë rezistencën e Vietnamit të Veriut me forcën e bombave.
I njëjti problem manifestohet sot dhe imazhi i azhurnuar i tij është ai i mijëra bombave të improvizuara nga ana e rebelëve, të kundërvënë një grushti avionësh pa njeri amerikane. Është një ironi e historisë që lufta ndaj terrorizmit ka filluar në malet afganase me të njëjtin tip bombarduesi, B-52, që fluturonte mbi Vietnam dhe me të njëjtat rezultate zhgënjyese si atëhere.
Komandat amerikane janë të vetëdijshme për këto probleme. Ushtria e ka rritur në mënyrë progresive numri, e brigatave, repartet luftarake të të cilave numërojnë midis 3000 dhe 4000 njerëzve, duke kaluar nga më pak se 36 në vitin 2001 në 50 të sotmet. Nga ana tyre, marinsat tani i ndajnë forcat e tyre në "njësi eksplorimi" me disa qindra ushtarë, por këto ndryshime shumë vështirë se do të mjaftojnë për të thënë se ka filluar transformimi i Forcave të Armatosura nga "të mëdha, por pak" në "të vogla, por shumë".
Kjo varet nga fakti që komandat e larta ushtarake nuk e kanë kuptuar plotësisht faktin që edhe njësi të vogla, si një skuadër prej 50 ushtarësh, mund të zhvillojë një fuqi të madhe nëqoftëse e lidhur me njësi të tjera, në mënyrë të veçantë me forca vendëse mike dhe një grusht avionësh sulmues që operojnë në koordinim të ngushtë.
Megjithatë, prova është aty për të folur. Nga fundi i 2006 komanda amerikane filloi të transferojë pak më shumë se 5 përqindëshi i 130000 ushtarëve të dislokuar në Irak nga bazat e tyre kryesore - një dyzinë, të gjitha të lokalizuara në një qytet të madh - në nja 100 bastione të shpërndara nëpër vend, secili prej tyre mbrohej nga nja 50 njerëz. U fol për një ndryshim drastik nga "pak, por të mëdhenj" në "të vegjël, por shumë", që i dha në një kohë shumë të shkurtër efektet e tij habitëse të mira në reduktimin e dhunës shumë përpara se të arrinin përforcimet e "surge". Pjesërisht kjo ndodh sepse rrjeti fizik i ndërtuar nga bastionet e lehtësonte endjen e një rrjeti raportesh sociale me një numër shumë të madh tribushë të vogla, të cilat zgjodhën që t'i bashkoheshin kauzës dhe formuan kështu bërthamën e asaj që më pas u bë "lëvizja e zgjimit".
Ngurrimi i Pentagonit në pranimin e këtyre mundësive të reja - i pasqyruar në mënyrë elokuente në kërkesat e përsëritur për forca të tjera, fillimisht në Irak, më pas në Afganistan - derivon pjesërisht nga një frikë e pashmangshme për të renë, por edhe nga frika e problemeve që një Forcë e Armatosur e bazuar mbi parimin "të vegjël, por shumë" mund të ketë ndaj një armiku "masiv" tradicional - për shembull, Koreja e Veriut.
Ndoshta shembulli më i mirë i një Force të Armatosur të frymëzuar në parimin "të vegjël, por shumë" që ka pasur sukses kundër armiqve të çdo lloji është ushtria e Romës së lashtë, me legjionet e saj. Për shekuj me radhë, manipulet e legjionarëve hynin në betejë ngurtësisht të inkuadruar në një formacion shumë të fortë si skakierë kundër falangave masive të ngadalta të kundërshtarëve të tyre më të fuqishëm; në të dyja rastet, dilnin fitimtare.
Rregulli 2: të gjesh, më shumë se të rrethosh. Që kur 2400 vjet më parë, në Leuttra, gjenerali teban Epaminonda fuqizoi krahun e majtë e armatës së tij për të goditur krahun e djathtë të rreshtimit spartan, për ta kapur në befasi armikun nga krahu ka qenë manovra më e kërkuar e artit ushtarak. Sulmet nga krahët mund të shikohen në "rendin mashtrues" të famshëm të adoptuar nga Frederiku i Madh në shekullin XVIII, në "grushtat majtas" e përsëritura me të cilat Erwin Rommel pothuajse përplasi përtokë anglezët në Afrikën Veriore në vitin 1941, në "grushtin e majtë" të famshëm të Norman Schwarzkopf kundër irakenëve në vitin 1991. Rrethimet nga krahët kanë një bekgraund të gjatë.
Rrethimi është përdorur edhe në bazën e avancimit në Mesopotami të amerikanëve në vitin 2003. Por kësaj radhe ndodhi diçka e çuditshme. Për të përdorur fjalët e historianit ushtarak John Keegan, ushtria e madhe irakene, e përbërë nga 400000 ushtarë, thjesht u shpërbë. Nuk pati asnjë betejë të madhe rrethimi dhe vetëm ndonjë përplasje të vogël në rrugën për Bagdad. Ajo që bënë irakenët qenë pritja që vendi të pushtohej, për të shpërthyer më pas një luftë rebelimi të përbërë nga sulme "kafsho e largohu" dhe atentate me bomba.
Kështu, lufta përfundoi për të qenë një konfrontim masë kundër masës, duke marrë një dinamikë lufte midis një subjekti që fshihet dhe një tjetri që kërkon ta shkatërrojë. Në një botë të ndërlidhur, ushtritë duhet të rimendojnë mënyrën e të luftuarit, duke mbajtur në mendje faktin që armiku i ardhshëm duhet të çrrënjoset përpara se të mund të luftojë. Në njëfarë kuptimi kjo ndodhi tashmë në Vietnam, por ai që një konflikt në të cilin armikun nganjëherë pati mirësjelljen që t'i grumbullonte forcat për një ofensivë të vendosur: e frenuar më 1965, e mundur në 1968 dhe 1972, së fundi fitimtare në 1975.
Në Irak nuk ka pasur sulme masive, por një lloj të ri lufte në të cilin një seri sulmesh të vogla nuk qëndrojnë më për të sinjalizuar afërsinë e një beteje të madhe. Është kjo skema e adoptuar nga talebanët në Afganistan dhe është dukshëm koncepti i "operacioneve globale" të ndjekura nga Qaeda. Në të njëjtën kohë, aparati ushtarak amerikan ka treguar se mund t'i përshtatet një lufte të kësaj natyre. Efektivisht, situata në Irak është patjetër e përmirësuar, falë sidomos aftësisë më të madhe për ta gjetur armikun, rrjeti fizik i pikave të forta të vogla ishte i lidhur dhe merrte forcë nga një rrjet social luftëtarësh tribalë të dëshiruar që të bashkëpunonin me amerikanët. Këta elementë, në tërësinë e tyre, kanë si akses praninë e al Qaedas në Irak, me jehonën e së cilës militantët e grupit terrorist janë rritur, duke u bërë pre e lehtë për përqindjen e reduktuar të trupave të koalicionit që praktikisht po çonin përpara luftën kundër tyre.
Mendohet për gjithë këtë si për një rol të ri për ushtarakët. Në histori janë konsideruar gjithmonë si "njerëz që qëllojnë"; në erën aktuale do të duhen të bëhen edhe "njerëz që kërkojnë".
Një qëndrim i tillë sigurisht që mund të funksionojë në Afganistan ashtu siç ka funksionuar në Irak - dhe në fushata të tjera antiguerrilase - deri kur përpjekja kryesore të jetë ushtruar ndaj aktit të krijimit të sistemit për "të gjetur". Ka vende në të cilat miqësia e vendësve mund të jetë më pak e rëndësishme se instrumentet hi-tech - për shembull në hapësirën kibernetike, në mënyrë të njohur "vendstrehimi virtual" i al Qaedas.
Ndërsa arti i luftës po shkon duke e postuar theksin nga rrethimi tek gjetja, suksesi mund të sigurohet falë një trupe të vogël të degëzuar "zbuluesish". Në këtë mënyrë, një konflikt si lufta kundër terrorizmit nuk do të "drejtohet" nga një fuqi e madhe sesa të avancohet në mënyrë të përbashkët nga shumë vende, çdo njëri prej të cilëve do t'i shtonte një copë mozaikut që do të përcaktonte forcën dhe dislokimin e armikut.
Ky ndryshim i dytë - gjetja - ka fuqinë që t'i japë një fuqi të madhe këtyre njësive të vogla, por të shumta, nga këtu në rregullin numër 1. Ajo që mbetet për t'u bërë është të mendohet për kriteret operative që do t'i drejtonin këto njësi.
Rregulli 3. Lëvizja si turma bletësh është rritja e re. Të vetëdijshëm për faktin se nuk do të mund të mbizotërojnë asnjëherë në numër, terroristët kanë eksperimentuar një mënyrë të re të bëri luftë që u mundëson atyre të arrijnë maksimumin nga resurset e kufizuara që disponojnë: "taktika e turmës së bletëve" (swarming). Bëhet fjalë për një formë sulmi e kryer nga njësi të vogla të dërguara për të goditur një objektiv të vetëm nga drejtime të ndryshme apo shumë objektiva njëkohësisht.
Nga 11 shtatori, al Qaeda ka kryer një numër të kufizuar sulmesh të mëdha - në Bali, Madrid e Londër - ndërsa ka kryer fushata të ndryshme të rëndësishme të mbështetura mbi "taktikën e turmës së bletëve" në Turqi, Tunizi dhe Arabia Saudite, ku ka lëshuar valë pas vale atentatesh me synimin që të dëmtojë aftësinë reaguese të kundërshtarit, në Irak një strategji e tillë është avancuar edhe pas "surge"; siç ka vërejtur kohët e fundit vetë Gjenerali David Petraeus, armiku ka treguar "një aftësi të sofistikuar" nga ana e milicëve të tij "në kryerjen e sulmeve simultane" kundër objektivash të rëndësishme qeveritare.
Shembulli më i qartë i faktit se çfarë është një sulm terrorist "në turma bletësh" jepet nga atentatet në Mumbai në nëntor të 2008, që mendohet se janë kryer nga grupi Lashkar-e-Taiba. Forca sulmuese përbëhej nga pothuajse 10 luftëtarë, të cilët u ndanë në çifte secila prej të cilëve goditi një seri vendesh të ndryshme. U deshën më shumë se 3 ditë për t'i neutralizuar dhe u ankua humbja e 160 jetëve të pafajshme - duke qenë se forcat e sigurisë indiane më mirë të stërvitura për ta kundërshtuar një lloj të tillë emergjence u desh që të arrinin nga Nju Delhi dhe qenë përgatitur për të përballuar një rrezik të vetëm dhe jo një shumëfishtësi sulmesh.
Një sinjal tjetër i hyrjes në skenë të taktikës së turmës së bletëve ndodhi në gushtin e 2008. Inkursioni rus në Gjeorgji, më shumë se një tronditje e Luftës së Ftohtë të vjetër, ka treguar që edhe ushtritë tradicionale mund të dominojnë artin e sulmeve shumëdrejtimëshe. Në këtë rast, forcat e rregullta ruse u mbështetën nga një milici etnike që impenjoi luftime për të gjithë shtrirjen e zonës së operacioneve; në të njëjtën kohë, "sulmet në turma bletësh" ndodhnin në hapësirë kibernetike. Efektivisht, një sulm i synuar që të bllokojë një numër të madh serverësh, prej kohësh specialiteti i guerrilasve kibernetikë, është një formë shumë moderne e taktikës së turmës së bletëve. Në rastin në fjalë, zinxhiri komandues gjeorgjian u sulmua rëndshëm nga hakersat.
Sulmet simultane nga shumë drejtime të ndryshme mund të përbëjnë risinë e fundit e artit të luftës; megjithatë, kanë një prejardhje të lashtë. Lufta tribale tradicionale, qoftë midis nomadëve të armatosur me hark e shigjeta apo njerëz të armatosur me një hu të thjeshtë, ka paraqitur gjithmonë elemente të taktikës së turmës së bletëve. Apogjeu i kësaj mënyre të luftuari ka mundësi që ndodhi në shekullin e XIII me mongolët, të cilët i kishin vënë një emër kësaj doktrinë: "furtuna e korbave". Kur sulmi ishte indirekt, domethënë i kryer jo nga kalorës që karikonin armikun por nga harkëtarë që gërmonin në largësi për të krijuar një shi shigjetash të drejtuar ndaj një objektivi masiv, khanët flisnin për "yje që bien". Me taktika të tilla, mongolët fituan perandorinë më të madhe që bota ka parë nmdonjëherë dhe i qëndruan padronë për disa shekuj.
Sulmi në turma bletësh e humbi shkëlqimin e tij prej hyrjes në skenë të armëve të zjarrit në shekullin e XV dhe me nevojën pasuese për ta maksimizuar vëllimin e zjarrit. Era industriale qe një faktor tjetër i forcimit të konceptit të masës dhe mekanizimi favorizoi manovrat e mëdha rrethuese më shumë se sulmet e vogla në turmë blete. Por tani, në një erë në të cilën bota është ngushtësisht e ndërvarur dhe gëlon me teknologji informimi, edhe njësitë e vogla luftuese mund të shkaktojnë dëme të mëdha. Siç thotë një proverb i vjetër mongol: "Me 40 burra mund të trondisësh botën". Të kihet parasysh ajo që arriti të bëjë al Qaeda me gjysmën e këtij numri më 11 shtator 2001. Argumenti është marrë nga strategu i famshëm anglez B.H. Liddell Hart në biografinë e tij të T.E. Lawrence, me të drejtë një maestro i artit të turmës së bletëve. Liddell Hart, i cili shkruante në vitin 1935, parashikoi se do të arrihet në një moment në të cilin "koncentrimi i vjetër i forcave ka mundësi që do të zëvendësohet nga një shpërndarje e gjithpranishme dhe jo e individualizueshme, e cila e ushtron presionin e saj ndaj gjithçkaje, por nuk mund të kundërsulmohet nga asnjë anë".
Adoptimi i lëvizjes në turma bletësh do të duhej t'i drejtohej së kaluarës, por në një moment në të cilin shumë pak organizata ushtarake janë në gjendje apo kanë dëshirën që të pranojnë rikthimin e saj në skenë. Problemi është që implikimet e kësaj taktike - në mënyrë të veçantë, mundësia nga ana e njësive të vogla luftarake për të siguruar rezultate befasuese nëqoftëse përdoren si "turma bletësh" - janë thellësisht destabilizuese. Ndryshimi më rrënjësor mund të ndodhë në ushtritë e përhershme, të cilat mund të jenë ndjeshmëritë të reduktuara në dimensionet nëqoftëse rikonfigurohen siç duhet dhe stërviten për të luftuar sipas konceptit të ri. Në vend që të kërkojnë përforcime të vazhdueshme, përgjigjja standard e një "force si turmë blete" do të ishte ajo që të procedohej me shpejtësi, me pak njerëz dhe të goditen sulmuesit në pika të ndryshme. Në të ardhmen do të duhet një forcë si turmë blete për të luftuar një të ngjashme.
Pothuajse 20 vjet më parë, nisa një debat lidhur me rrjetet që shpërtheu në një miqësi të paparashikuar në Nënadmiralin Art Cebrowski, mendimtarin modern të strategjisë që ndoshta do të kujtohet si një Alfred Thayer Mahan i ri, apostulli i ri i fuqisë detare amerikane. Qe i pari në hierarkitë e Pentagonit që tregoi një interes të vërtetë për idetë e mia rreth nevojës për të zhvilluar "rrjete luftarake" dhe aderoi ndaj idesë së krijimit të një rrjeti të gjerë linjash komunikimi ndihmëse midis kujt merr informacion dhe kujt luan gishtin.
Aty ku nuk qemë dakord, qe mbi potencialitetet e këtyre rrjeteve. Cebrowski mendonte se "lufta e rrjeteve" mund të përbënte një fuqizim, në një të ardhme pakashumë të afërt, të instrumenteve tashmë ekzistues, përfshi aeroplanmbajtëset. Kurse unë mendoja se rrjetet do të implikonin një Marinë ushtarake të strukturuar rrënjësisht ndryshe, e përbërë nga anije të vogla e të shpejta, pjesë e të cilave e kontrolluar në largësi. I dalë në pension më 2005, Cebroëwki e ka fituar qartë diskutimin, duke parë se US Navy ka mbetur një forcë e bazuar mbi parimin "pak, të mëdhenj"; por është edhe e vërtetë se është gjithnjë e më shumë "në rrjet". Me një pranim implicit të ideve të mia dhe të David Ronfeldt, Marina ka inauguruar edhe një Netwar Command.
Taktika e turmës së bletëve ka fituar disa mbështetës. Më shumë se të gjithë dallohet Gjeneral Leitnanti i marinsave, Paul Van Riper, i cili ka përdorur taktika si turma bletësh në "lojën e luftës" të madhe të fundit të Pentagonit, "Millennium Challenge 2002", me të cilat ka mbytur disa aeroplanmbajtëse në hapje të konfliktit imagjinar. Por në vend të njohjes se ndodhej përballë një diçkaje krejtësisht të ri, ajo që doli qe një urdhër në bazë të të cilit arbitrat i ngjitën mbi ujë aeroplanmbajtëset dhe loja e kushtueshme - çmimi i së cilës shkoi në disa qindra milionë dollarë - vazhdoi. Van Riper u largua. Akoma sot dikush në aparatin ushtarak amerikan ndjek idenë e turmës së bletës, për më tepër me shpresën e përdorimit të një numri të madh avionësh të vegjël pa pilotë në luftime. Por zakonet ushtarake dhe interesat institucionale vazhdojnë të veprojnë në mënyrë të tillë që preferenca për një grumbullim masiv të trupave apo të mjeteve të jetë shumë më e madhe se ai për një "turmë bletësh".
Çfarë do të ndodhte nëqoftës sferat e larta një ditë të zgjoheshin dhe të vendosnin që t'i merrnin seriozisht teoritë lidhur me luftën e rrjeteve dhe mbi teorinë e turmës së bletëve? Nëqoftëse do të bënin ndonjëherë, ka mundësi që kamxhiku i terrorizmit do të bëhej një faktor shumë më pak i rëndësishëm në skenarin botëror. Një aparat ushtarak i rimodeluar në një mënyrë të tillë do të ishte më i vogël dhe më i gatshëm për të reaguar, më pak i kushtueshëm, por shumë më vdekjeprurës. Bota do të bëhej shumë më pak e cenueshme ndaj shumë prej dhunave që e kanë kapllosur. "Networking" dhe "swarming" janë dy çelësat, respektivisht organizativ dhe doktrinar, ndaj kokëçarjes strategjike të kohëve tona, që pret akoma një zgjidhje.
Një aparat ushtarak amerikan i ndërlidhur dhe i aftë që të "lëvizë në turma bletësh" do të kishte nevojë për shumë më pak efektiva - lehtësisht mund të shkurtoheshin dy të tretat e personelit, respektivisht 2 milionë e gjysëm në shërbim sot - por do të strukturohej në një numër të madh njësishë të vogla interforcë. Modeli për një ndërhyrje ushtarake do të përbëhej nga 200 "ushtarët mbi kuaj" të forcave speciale që shpartalluan al Qaedan dhe talebanët në Afganistan nga fundi i 2001.
Njësi të tilla mund të dislokoheshin me shpejtësi, me efikasitet vdekjeprurës dhe do të ruhej një rezervë e madhe e reparteve për të zbuluar "valët e para" dhe të përballohen kriza të reja. Kurse në det, në vend që të përqendrohet fuqia e zjarrit në një grusht aeroplanmbajtësesh gjithnjë e më shumë të cenueshme, US Navy duhet t'i shpërndajë aftësitë e veta operative midis qindra anijesh të vogla të pajisura më armë inteligjente. Në virtyt të dhuntive të mosshikueshmërisë dhe multifunksionalitetit, nëndetëset mund të mbesin, aeroplanmbajtëset jo. Në qiej, skuadrat duhet të reduktohen në dimensione, por të rriten në numër, secila duke disponuar një grusht mjetesh fluturuese. Nënkuptohet se interkoneksioni ("networking") bën që kjo pafundësi copash të vogla do të ishte në gjendje të operonte së bashku, duke u "lëshuar në tufa si bletët" mbi armiqtë, qofshin ata të mëdhenj apo të vegjël.
Një ndryshim i tillë është i zbatueshëm? Absolutisht po. Reduktime të mëdha në aparatin ushtarak amerikan nuk janë aspak gjë e re. Përjashto çmobilizimin masiv që ka pasuar Luftën e Dytë Botërore, pas Vietnamit forcat operative u reduktuan me 40 përqind në pak vjet dhe një e tretë më shumë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Por çelësi i problemit nuk është dhe aq tek të shkurtuarit sesa në rikonceptimin dhe në rimendimin. Por çfarë do të ndodhë ateherë kur do të mbizotërojë statuskuoja dhe kjo valë e re ndryshimesh në strategjinë botërore të injorohej apo keqkuptohej? Në një rast të tillë do të kishim të bënim me një dështim, i cili do të na kushtonte jashtëzakonisht shumë.
Mënyra më e mundur me të cilën mund të konkretizohej katastrofa është që rrjetet terroriste të mbijetojnë aq gjatë sa të sigurojnë armë bërthamore. Edhe vetëm një grusht testatash bërthamore do t'i jepnin Usama bin Ladenit një forcë shantazhuese të madhe, duke qenë që një rrjet, në kundërshtim nga një shtet, nuk mund të jetë objekt raprezaljeje. Koncepti i frikësuesit do të bëhej copë-copë. Nëqoftëse do të ketë ndonjëherë ndonjë Napoleon bërthamor, ky do të dilte nga rangjet e terrorizmit ndërkombëtar.
Në kuadrin e aparatit ushtarak amerikan, rreziku është që komandat e larta të hetojnë në fatalizmin e përcaktuar nga bindja, sipas të cilit liderët sa të Kongresit, as edhe të industrisë, do të shuanin çdo tentativë për reformë radikale. Qysh nga fillimi i viteve '90 kam dëgjuar shumë herë një rezervë të kësaj natyre, e përsëritur si mantra nëpërmjet të gjithë shkallës hierarkike, deri në Shefat e Bashkuar të Shtabit. Makina luftarake e fuqishme e Shteteve të Bashkuara do të ishte një Guliver i lidhur dhe i çmobilizuar nga politikanë dhe afaristë.
Ironi e fatit, aparati ushtarak amerikan nuk ka qenë kurrë në pozicion më të mirë sesa tani për të pranuar një ndryshim të vërtetë. Asnjë rreshtim në Kongres nuk mund t'i lejojë vetes që të paraqitet si pengesë ndaj progresit strategjik dhe, për pasojë, çfarëdo gjëje që i kërkon Pentagoni, ia jep. Ndodh si për "contractor"-ët e mbrojtjes, të cilët, larg nga diktimi i axhendës, janë edhe tepër të gatshëm për të dhënë saktësisht atë që klientët e tyre ushtarakë duan (në vend që t'i japin, ndoshta, diçka më mirë). Nëqoftëse Forcat e Armatosura amerikane do të kërkonin më të vogla dhe më inteligjente me të cilat të zhvillojnë taktika me "tufa bletësh", do t'i kishin.
Përtej kufijve të Shteteve të Bashkuara, ushtri të tjera janë duke filluar të mendojnë në terma "shumë dhe të vegjël", janë duke filluar ta vënë theksin mbi "gjetjen" dhe po mësojnë taktikat me "tufa bletësh". Strategjia detare kineze dukshëm që po lëviz në këtë drejtim, ashtu si forca tokësore ruse. Natyrisht, kur janë përpara të gjithëve në këtë drejtim janë rrjetet terroriste, jo vetëm al Qaeda. Hizballahu ka dhënë një demonstrim më shumë se të vlefshëm të tri rregullave të sipërpërmendura në konfliktin me Izraelin në vitin 2006, laboratori i parë i luftës së shteteve kundër rrjeteve, në të cilën rrjeti është mbrojtur më shumë se mirë.
Sikur aparati ushtarak amerikan të mos arrinte ta bënte këtë hap përpara në bindjen se ekziston nevoja për një ndryshim të thellë, atëhere mund të jepet, të themi, një shtytje duke reduktuar buxhetin për mbrojtjen - për sa bëhet fjalë për një sektor ndaj të cilit Presidenti Obama nuk do të donte ta shtrinte politikën e tij të dorës së shtrënguar. Ky reduktim mund të shpjegohet në një ngrirje të niveleve aktuale të shpenzimeve, pasuar nga një reduktim, të themi, prej 10 përqindësh në vit. Për ta drejtuar në mënyrë korrekte riprojektimin e forcave të armatosura, do të duhej të deklarohej një moratorium lidhur me çdo sistem arme që mund të trashëgohej i "trashëguar" (le të mendohet për aeroplanmbajtëset dhe anijet e tjera të mëdha, për supergjuajtësit, për tanket, etj.) në pritje që të kryhet një rishikim i kritereve të përdorimit të tyre. Duhet të shmanget që të supozohet se shumat e mëdha të investuara në mbrojtjen kombëtare janë shpenzuar mirë.
Për shumë amerikanë të bindur se pasja e një aparati të fuqishëm ushtarak nënkupton të impenjohen gjithnjë e më shumë resurse dhe të ndërtohen sisteme gjithnjë e më të mëdhenj, sugjerimi për të shkurtuar shpenzimet mund të tingëllojë skandaloz. Por adoptimi i doktrinave mbrojtëse më inteligjente jo vetëm që mund t'ua përmirësojë efikasitetin, por edhe t'ua ulë kostot. Një skemë e ngjashme është adoptuar dhe ndjekur në dekadat e fundit si në industri, ashtu edhe në bujqësi. Pse të mos funksionojë në fushën ushtarake?
Ka një urgjencë absolute për të folur për këto gjëra. Jo vetëm historia nuk ka përfunduar me mbarimin e Luftës së Ftohtë dhe fillimin e tregtisë globale, por luftërat dhe dhuna kanë vazhduar - bile janë rritur - duke u bërë një fshikull i ri pasmodern.
Tingëllon befasuese që në një erë magjepsëse si kurrë përpara përdorimit bindës diplomatik të forcës, në fund janë dinamikat e vjetra shantazhuese të lidhura me fuqinë ushtarake ato që dominojnë çështjet ndërkombëtare. Kjo nuk habit kur bëhet fjalë për shtete batakçinj që tentojnë të pajisen me një arsenal bërthamor që garanton sigurinë e tyre, as kur bëhet fjalë për rrjete terroriste që e vendosin arsyen e qenies së tyre në aksione të dhunshme. Fakti është që kjo aftësi shtrënguese është ushtruar edhe nga një numër i madh vendesh të mëdha e të vogla dhe në veçanti nga Shtetet e Bashkuara, politika mbrojtëse e të cilëve në dekadën e fundit praktikisht ka përkuar me politikën e jashtme të tyre.
Nga luftat në Irak e Afganistan në krizat me Korenë e Veriut dhe Iranin, duke kaluar nëpër preokupimet strategjike lidhur me sigurinë e Azisë Lindore dhe Europës Lindore, Shtetet e Bashkuara sot janë të impenjuar rëndshëm në një politikë fuqie. Dhe kështu do të vazhdojë të jetë. Por nëqoftëse axhustimet radikale në strategji, organizim dhe doktrinë të implikuara nga rregullat e reja të luftës do të injorohen, atëhere amerikanët, për mbrojtjen kombëtare, do të përfundojnë duke shpenzuar më shumë dhe siguruar më pak. Rrjetet terroriste do të vazhdojnë të ekzistojnë derikur do të arrijnë të posedojnë aftësinë e dhënies së një goditjeje bërthamore, ndërsa vende të tjera do t'i tejkalojnë ushtarakisht Shtetet e Bashkuara dhe koncepte të tilla si "frikësim" do të flaken tej si gjethet përpara erës. Gjithmonë ka qenë kështu. Në çdo periudhë ka pasur një zhvillim teknologjik të konsiderueshëm, kanë ndodhur ndryshimet të thella në fushën ushtarake dhe në raportet ndërkombëtare. Historia na thotë se këto zhvillime janë të pashmangshme, por edhe se ushtarë dhe shtetarë kanë qenë pothuajse gjithmonë të ngadaltë për t'i pranuar, vonime që kanë kushtuar tragjedi të panumërta. Jemi akoma në kohë për të hyrë e për të qenë pjesë e përjashtimeve, si për shembull bizantinët, të cilët pas rënies së Romës e rithemeluan ushtrinë e tyre dhe e ruajtën perandorinë e tyre për 1000 vjet të tjera. Objektivi i Shteteve të Bashkuara duhet të jetë ai i bashkimit me ata që në erën e tyre kapën sinjalet e së ardhmes dhe vepruan në kohë për t'i dominuar ato, duke e shpëtuar botën nga errësirat.
John Arquilla është Profesor i Analizave Mbrojtëse në U.S. Naval Postgraduate School dhe autor i librit "Worst Enemy: The Reluctant Transformation of the American Military".
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Google+ Followers