Çfarë klime e keqe! Asnjë ide gjeniale nuk do t'i parashikojë dot pasojat



Për vite me radhë, disa mendimtarë kanë propozuar teknologji riskuese që mund ta kishin ftohur me shpejtësi planetin. Sot janë në rritje të vazhdueshme klimatologët që theksojnë nevojën për të adoptuar teknika gjeoinxhinierie për të përballuar emergjencat klimatike

Për vite me radhë, disa mendimtarë kanë propozuar teknologji riskuese që mund ta kishin ftohur me shpejtësi planetin, duke kompensuar në këtë mënyrë ngrohjen globale. Sot janë në rritje të vazhdueshme klimatologët që theksojnë nevojën për të adoptuar teknika gjeoinxhinierie për të përballuar emergjencat klimatike. Lumenjtë formohen nga shkrirja e dëborës dhe akullnajat furnizojnë me ujë më shumë se një të gjashtën e popullsisë botërore: mbi 1 miliard njerëzve. Por këto resurse janë duke mbaruar me shpejtësi, pasoja me shtrirje të tillë të ndryshimit klimatik nuk i habisin më shkencëtarët, por shpejtësia me të cilat ato po ndodhin po. "Planeti duket se po ndryshon me një shpejtësi më të madhe nga ajo e parashikuar nga modelet klimatike", thotë Daniel Schrag, Profesor i Shkencave Planetare dhe të Tokës në Harvard University dhe konsulent i Presidentit Obama për Çështjet Mjedisore. Anhidridi karbonik ka arritur tashmë një nivel prej 385 pjesësh për milion në atmosferë, vlerë shumë më e lartë se 350 pjesët për milion që shkencëtarë të ndryshëm theksojnë se janë limiti ekstrem për të ruajtur një klimë relativisht të qëndrueshme. Dhe, pavarësisht përpjekjeve të kryera nga qeveritë për të kufizuar emisionet e anhidridit karbonik në shumë vende, emisionet vjetore të shkaktuara nga lëndët djegëse me bazë fosile po rriten në vend që të bien: gjatë dy dekadave të fundit, janë rritur me 41 përqind. Në dhjetëvjeçarin e fundit, koncentrimi i dioksidit të karbonit në atmosferë është rritur me pothuajse 2 pjesë për milion në vit. Me këtë hap, brenda fundit të shekullit, do të jenë të barabarta me dyfishin e niveleve paraindustriale. Ndërkaq, kërkuesit po fillojnë të konsiderojnë hipotezën se klima mund të jetë më e ndjeshme ndaj këtyre niveleve të gazit me efekt serë nga sa besohej në të kaluarën. "Probabilitetet për të arritur të shmangen dëme serioze duken disi të ulëta", thotë Schrag. "Ka mundësi që as përpjekjet më të mira për të përballuar pasojat nuk do të jenë të mjaftueshme". Ky zbulim tronditës i ka shtyrë shumë shkencëtarë influentë (midis të cilëve konsulentët e Obama-s, si puna e Schrag) që ta ndryshojnë rrënjësisht pozicionin e tyre lidhur me mënyrën e reagimit ndaj ndryshimit klimatik. Kështu kanë filluar ta nxisin qeverinë që të fillojë të financojë kërkime gjeoinxhinierie, domethënë projekte në shkallë të gjerë për një ftohje të shpejtë të planetit. Ekziston një larmi e madhe strategjish gjeoinxhinierie, nga lëshimi i mijëra miliardash mburojash diellore në hapësirë tek aktivimi i një rritjeje të madhe algash në oqeane. Midis të gjithave, ajo që në vitet e fundit ka ngjallur interesin më të madh konsiston në futjen e miliona tonelatave anhidrid sulfurik në lartësinë e atmosferës për të formuar thërmija mikroskopike, në gjendje që të ndryshojnë planetin. Shumë propozime gjeoinxhinierie u përkasin shumë viteve përpara dhe pjesa më e madhe e shkencëtarëve klimatologë i konsideron një manifestim në mes midis arrogancës high-tech dhe fantashkencës. Sigurisht që argumenti ishte një "territor i ndaluar", thotë Ronald Prinn, Profesor i Shkencave të Atmosferës në MIT. Jo vetëm nuk është e qartë sesi mund të realizohet ky lloj arritjesh teknologjike dhe nëse këto praktikisht do ta zbusnin klimën, por shumë shkencëtarë kanë frikë se efektet kolaterale të tyre mund të rezultojnë deri katastrofike. Mbi të gjitha, fakti për t'ia besuar gjeoinxhinierisë ftohjen e planetit, në vend që të ulë emisionet e gazit serë, do t'i shtrëngonte brezat e ardhshëm që t'i mbanin këto projekte me kohë të papërcaktuar. Për këto motive, vetë të folurit për gjeoinxhinieri konsiderohej një mosvëmendje e rrezikshme nga ata që kishin përgjegjësinë për të vendosur sesi të përballohej problemi i ngrohjes globale. Deri pak vite më parë, vetë Prinn i konsideronte mbështetësit e gjeoinxhinierisë si përtej çdo limiti të arsyeshëm. Kurse sot bëhet fjalë më shumë për një ide e habitshme. Për shembull, United Kingdom Royal Society ka prezantuar shtatorin e kaluar një raport mbi gjeoinxhinierinë që nënvizon sfidat më të rëndësishme përsa i përket si kërkimit, ashtu dhe politikës për realizimin e saj. Akademitë në Shtetet e Bashkuara janë duke punuar për një studim të ngjashëm dhe John Holdren, Drejtor i White House Office of Science and Technology Policy, e ka përballuar diskutimin pak kohë pasi kishte marrë detyrën. Gjatë një bashkëbisedimi ka thënë se "ndryshimi klimatik po ndodh me një shpejtësi më të madhe nga sa ishte parashikuar më parë". "Nëqoftëse do të arrijmë në një nivel të padurueshëm, është e mundur që do të vëmë në veprim projekte gjeoinxhinierie për të kërkuar që të arrijmë ftohjen e dëshiruar". Për t'u përgatitur, kemi nevojë që të kuptojmë mundësitë e efekteve kolaterale eventuale. Deri Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka shprehur interesimin e tij dhe në mes të nëntorit ka mbajtur seancat e para dëgjimore lidhur me gjeoinxhinierinë. Gjeoinxhinieria mund të jetë një "ide shumë e keqe", por do të ishte më mirë sesa të mos bëhej asgjë, thotë Schrag. Në ndryshim nga shumë mbështetës të së kaluarës, nuk besohet se ekziston një alternativë ndaj reduktimit të gazit me efekt serë. "Nuk përbën një gjetje teknologjike. Nuk është manikotë, është një lidhëse", pranon ai. "Ekzistojnë efekte kolaterale potenciale, por është gjithmonë më mirë se alternativa e të vdekurit të gjakosur".
Kur meteorologu synonte mbi zjarret
Gjeoinxhinieria ka një histori të gjatë. Rreth vitit 1830, James Espy, meteorologu i parë i financuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, kishte synimin që të digjeshin porcione të mëdha të pyllit apalashian çdo të dielë pasdite, duke theksuar se nxehtësia e gjeneruar nga zjarret do të shkaktonte shira të rregullta. Më shumë se një shekull më pas, meteorologë dhe fizikanë të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kanë konsideruar respektivisht një seri projektesh për të ndryshuar klimën, shpesh me qëllimin që të ngrohin gjerësitë më në veri, për të zgjeruar kështu sezonet e të korrave dhe për të hapur rrugë lundrimi nëpërmjet Arktikut. Në vitin 1974 një shkencëtar sovjetik, Mikhail Budyko, ka hipotekuar i pari atë që sot konsiderohet plani par excellance për ta ftohur Tokën: futjen e gazeve në shtresat më të larta të atmosferës për të formuar thërmija mikroskopike në gjendje që të bllokojnë dritën diellore. Ideja bazohet mbi një fenomen natyror. Rregullisht, në harkun e disa dekadave, një vullkan shpërthen në mënyra aq të dhunshme sa të shkarkojë tonelata të mëdha squfuri - në formën e anhidridit sulfurik - në mbi 10 kilometra lartësi, midis shtresave më të larta të atmosferës, në rajonin e quajtur stratosferë. Thërmijat e sulfatit përhapen me shpejtësi dhe mbesin pezull për vite, duke pasqyruar dhe duke e përhapur dritën diellore, si dhe duke krijuar një mjegull që zbardhon qiejt e kaltra dhe shkakton perëndime spektakolare. Duke zvogëluar sasinë e dritës diellore që arrin sipërfaqen e Tokës, mjegulla kontribuon për t'i reduktuar edhe temperaturën. Kjo është ajo që ndodhi në vitin 1991 në vijim të shpërthimit të Malit Pinatubo në Filipine, i cili lëshoi rreth 15 milionë tonelata anhidrid sulfurik në stratosferë. Në harkun e 15 muajve të ardhshëm temperaturat mesatare ranë me gjysëm grade celsius (në disa vjet, tërësia e substancave në atmosferë precipitoi jashtë atmosferës dhe efekti i ftohjes u zhduk). Shkencëtarët vlerësojnë se për të kompensuar rritjen e niveleve të anhidridit karbonik për shekullin e ardhshëm, do të ishte e nevojshme të pompohej në stratosferë nga 1 në 5 milionë tonelata squfur çdo vit. Lidhur me këtë janë avancuar strategji të ndryshme për të arritur që të spostohej një sasi e ngjashme squfuri. Investitori miliarder Nathan Myhrvold, ish-përgjegjës për teknologjinë i Microsoft, pse jo dhe themelues dhe Administrator i Deleguar i Intellectual Ventures, me seli në Bellevue të shtetit Washington, ka menduar për zgjidhje të ndryshme, midis të cilave ajo e shfrytëzimit të faktit që centralet elektrike me qymyr emetojnë sasira të mëdha anhidridi sulfurik. Këto emisione mbesin afër sipërfaqes dhe shiu i fshin nga atmosfera në harkun e pak javëve. Por sikur ndotja të mund të arrinte stratosferën, do të qarkullonte për vite të tëra, duke e shumëfishuar gjerësisht efektin ndaj pasqyrimit të dritës diellore. Për ta çuar squfurin në stratosferë, sugjeron Myhrvold, pse të mos përdoret një "oxhak fleksibël, i mbështetur nga topa të fryrë me ajër të nxehtë, 25 kliometra i lartë?". Emisionet e centraleve të vetëm me qymyr mund ta zgjidhin problemin. Myhrvold vlerëson se zgjidhja e tij do të kushtonte më pak se 100 milionë dollarë në vit, përfshi koston e zëvendësimit të topave të dëmtuar nga furtunat. Natyrisht, shkencëtarët nuk janë të gatshëm për ta miratuar një projekt të ngjashëm. Në fakt, mbesin probleme të pazgjidhura. Mbi të gjitha, askush nuk ka provuar ndonjëherë të ndërtojë një oxhak 25 kilometra të lartë. Veç kësaj, shkencëtarët nuk e kuptojnë kiminë atmosferike mjaftueshëm sa të mund të parashikojnë se çfarë do të ndodhte: në vend që të lehtësojë ndryshimin klimatik, përhapja e tonelatave të sulfateve në stratosferë mund të ketë pasoja katastrofike. Kimia është tejet komplekse për të na dhënë siguri dhe modelet klimatikë nuk janë mjaftueshmërisht efikasë sa për të dhënë një kuadër të plotë të situatës. "Është e vërtetë, dimë se Pinatubo e ka ftohur planetin, por nuk është ky problemi", thotë Schrag. "Temperatura mesatare nuk është problemi i vetëm". Duhen mbajtur parasysh edhe variacionet klimatike rajonale dhe efekti i tyre mbi reshjet, shpjegon ai, që janë pikërisht ato aspekte lidhur me të cilat modelet klimatikë janë botërisht të pabesueshëm. Dhe Prinn bie dakord: "Nëqoftëse reduktojmë nivelet e dritës diellore, nuk jemi të sigurtë për përgjigjen e saktë nga ana e sistemit klimatik pikërisht siç nuk jemi të qartë sesi klima mund të reagojë në nivele të veçanta të gazit serë. Kjo është nyja e madhe që duhet përballuar. Si mund të ndërhyhet mbi një sistem që nuk kuptohet plotësisht?". Pasojat efektive të shpërthimit në Malin Pinatubo qenë komplekse. Modelet klimatike të kohës parashikonin që reduktimi i sasisë së dritës diellore që arrin sipërfaqen e Tokës dhe mjegulla e prodhuar nga shpërthimi do ta reduktonin avullimin, duke e ulur për pasojë sasinë e reshjeve në të gjithë globin. Reshjet u zvogëluan vërtet, por shumë më tepër nga sa prisnin shkencëtarët. "Vitin e ardhshëm u regjistrua praktikisht vlera minimale historike e reshjeve", rrëfen Kevin Trenberth, një shkencëtar i vjetër pranë National Center for Atmospheric Research në Boulder të shtetit Colorado. "Qe më ulët me 50 përqind respektivisht minimumit të mëparshëm historik të regjistruar". Pavarësisht kësaj, efektet nuk qenë uniforme; në disa zona reshjet bile u shtuan. Për këtë arsye, shkencëtarët paralajmërojnë se një mjegull e prodhuar në mënyrë artificiale mund të ketë rezultate të paparashikueshme të ngjashme. Deri në më të mirin e skenarëve, ku efektet kolaterale janë të reduktuara dhe të menaxhueshme, ftohja e planetit nëpërmjet devijimit të dritës diellore nuk do ta reduktonte sasinë e anhidridit karbonik të pranishme në atmosferë dhe e dimë se nivelet e larta të këtij gazim kanë pasoja që shkojnë përtej rritjes së temperaturës. Një prej tyre është se deti absorbon më shumë anhidrid karbonik duke u bërë më acid me efekte helmuese për molusqet, krustacët dhe disa forma planktoni që janë burim parësor ushqimi për peshqit dhe balenat. Industria e peshkimit mund të shkatërrohet. Sikur të mos mjaftonte, përveç përballimit të drejtpërdrejtë të problemit, niveli i dioksidit të karbonit do të vazhdonte të rritej, duke e shtrënguar çdo teknologji reduktimi të dritës diellore që ta intensifikonte aktivitetin e kompensimit. Dhe nëqoftëse gjeoinxhinieria do të duhej të ndërpritej për motive mjedisore apo ekonomike, niveli më i lartë pasues i gazit serë do të pësonte një ngrohje të papritur. Me pak fjalë, "edhe sikur veprat gjeoinxhinierike të funksionin për mrekulli", thekson Raymond Pierrehumbert, Profesore Gjeofizike në Chicago University, "do të gjendej megjithatë në një situatë në të cilën i gjithë planeti do të mund të mbetet i ekspozuar ndaj evenimentesh në gjendje që të provokojnë pasoja ekuivalente me nja 100 vjet ngrohje globale në më pak se 10 vjet, pakt padyshim katastrofik". Përfundimisht, në rastin ku do të duhej t'i drejtohej gjeoinxhinierisë, planeti do të binte në një gjendje jashtëzakonisht të pasigurtë.
Idetë janë të shumta, por pasojat mbesin të paparashikueshme
Identifikimi i pasojave të projekteve të ndryshme të gjeoinxhinierisë dhe zhvillimi i strategjive për t'i bërë më të sigurta dhe më efikase do të kërkojë vite, bile dekada, kërkimesh. "Për çdo dollar që shpenzojmë për të kuptuar sesi të realizojmë një projekt gjeoinxhinierie", thotë Schrag, "duhen 10 të tjerë për të kuptuar se çfarë pasojash do të ketë ai". Mbi të gjitha, shkencëtarët nuk janë as të sigurtë se përhapja e sulfateve në harkun e dekadave, në vend të një shpërthimi vullkanik të shpejtë, do të shërbejë për ta ftohur planetin. Një pyetje kyçe është sesi ndërveprojnë thërmijat mikroskopike në stratosferë. Thërmijat sulfurike të shtuara në mënyrë të përsëritur në të njëjtën zonë mund të kompaktësohen midis tyre. Nëqoftëse kjo do të ndodhte, thërmijat mund të fillojnë të ndërveprojnë me gjatësi valësh radioaktive më të gjata respektivisht gjatësisë së valës së energjisë elektromagnetike të pranishme në dritën e dukshme. Ky mekanizëm mund të gllabërojë pjesë të nxehtësisë që përhapet natyrshëm në hapësirë, duke shkaktuar një ngrohje zinxhir në vend të një ftohjeje, ose thërmijat e rritura mund të bien nga qielli përpara se të arrijnë të devijojnë nxehtësinë e Diellit. Për të studiuar këto fenomene të mundshme David Keith, Drejtor i Energy and Environmental Systems Group pranë Calgary University, imagjinon eksperimente si përhapja nga ana e një avioni e gazit me presion të ulët mbi një zonë prej 100 kilometrash katrorë. Kështu, gazi do të kondensohej në thërmija në stratosferë, duke i mundësuar avionit që të bënte rilevimet e duhura thjesht duke përshkuar renë e substancave të pranishme në atmosferë. Një ndryshim sistematik i dimensionet të thërmijave në një zonë të caktuar, vrulli i lëshimit të tyre në stratosferë dhe ndryshore të tjera mund të zbulojnë detaje të çmuara lidhur me ndërveprimet e tyre në mikroshkallë. Megjithatë, edhe atëhere kur do të duhej të kuptonim dhe të mësonim të menaxhonim sjelljen e thërmijave të sulfatit, do të mbeteshin të paqarta efektet e futjes së tyre në stratosferë në sisteme klimatikë të gjerë e kompleksë. Deri më tani, pjesa më e madhe e modeleve klimatike ka qenë shumë e përafërt: për shembull, vetëm kohët e fundit kanë filluar të mbajnë parasysh lëvizjen e akujve dhe të korrekteve oqeanike. Sulfatet do ta ftohnin planetin ditën, por nuk do të kishin kurrfarë efekti në mungesë të diellit. Do të rezistonin ka mundësi netë më të nxehta sesa dita, por shkencëtarët nuk kanë përpunuar akoma as modelet e këtyre efekteve, as pasojat ndaj ekosistemeve. "Mundet deri të influencohen stinët", shpjegon Schrag: sulfatet do t'i ulnin më pak temperaturat gjatë dimrit (kur ka më pak dritë diellore) dhe më shumë gjatë verës. Por shkencëtarët janë bërë shumë pak për të kuptuar sesi shtimi i sulfateve do t'i modifikonte korrentet në stratosferë ose, më saktësisht, në çfarë mënyre secili prej këtyre aspekteve mund të influenconte ecurinë (ku dhe kur) e fenomeneve si thatësira, përmbytjet dhe katastrofa të tjera. Sikur shkencëtarët të mund të dinin më shumë mbi efektet e sulfateve në stratosferë, kjo do ta rriste mundësinë intriguese të aplikimeve të gjeoinxhinierisë "inteligjente", konfirmon Schrag. Shpërthimet vullkanike janë instrumente krudo që lëshojnë sasira të mëdha squfuri në harkun e pak ditëve dhe gjithçka nga një vend i vetëm. Por gjeoinxhinierët mund të vendosin saktësisht nga ku t'i fusin sulfatet në stratosferë, përveçse kur dhe në sa kohë. "Deri më tani kemi menduar për një operacion shumë të thjeshtë", shpjegon Schrag. "Po flasim për të futur në atmosferë diçka në mënyrë uniforme". Por efektet që janë parashikuar deri më tani nuk janë shpërndarë në mënyrë po aq uniforme. Për shembull, ndryshimet në avullim mund të jenë shkatërrimtare kurdoherë që do të provokonin thatësirë në tokë, por, nëqoftëse do të binte shi më pak mbi oqeane, fakti nuk do të përbënte ndonjë problem të veçantë. Duke shfrytëzuar rrjetin e korrekteve stratosferike dhe ndryshimet sezonale në klimë, mund të jetë e mundur të kufizohen pasojat më të dëmshme. "Mund të ritmizohen futjet", shpjegon ai. "Mund të ndërtohen sisteme inteligjente të afta që të anullojnë disa prej këtyre efekteve negative". Më shumë se të ndotë qëllimisht stratosferën, një qëndrim i ndryshëm dhe potencialisht më pak riskues ndaj gjeoinxhinierisë konsiston në sekuestrimin e anhidridit karbonik nga ajri. Por zhvillimi dhe prodhimi në shkallë të gjerë i teknologjisë së nevojshme mund të jetë po aq impenjues. Në laboratorin e tij në katim e 10-të të lagjes Morningside Heights në Manhattan, Klaus Lackner, Profesor i Gjeofizikës në Department of Earth and Environmental Engineering të Columbia University, po eksperimenton një material që lidhet kimikisht me anhidridin karbonik e pranishëm në ajër dhe që kur laget me ujë e lëshon në një formë të përqendruar dhe lehtësisht të kapshme. Eksperimentimi është akoma në hapat e para. Dispozitivët e Lackner për kapjen e anhidridit karbonik ngjasojnë me fshehsa tubolare të deformuara; duhet të futen me dorë në ujë dhe janë të vështira për t'u vulosur me shpejtësi për t'i zhytur në dhomën e improvizuar për matjen e sasisë së dioksidit të karbonit që lëshojnë. Por Lackner imagjinon sisteme të automatizuara - miliona, secili me dimensionet e një kabine të vogël - përhapura në territor në afërsitë e rezervave gjeologjike që mund të shërbejnë si depozita për gazet e kapura. Sipas vlerësimeve të Lackner, një sistem i bazuar mbi materialin e tij mund ta heqë anhidridin karbonik e pranishëm në ajër me një shpejtësi mijëra herë më të madhe nga ajo e pemëve. Kërkues të tjerë pranë Columbia University po punojnë për të shfrytëzuar faktin që peridotiti (olivina) reagon me dioksidin e karbonit duke formuar karbonat magnezi e minerale të tjerë dhe duke e larguar kështu gazin serë nga atomsfera. Kërkuesit shpresojnë që të arrijnë t'i përshpejtojnë këto reaksione natyrale. Nuk është akoma e qartë nëse këto ide do të kenë zbatim të lehtë. Disa mund të kërkojnë deri një energji të tillë sa të provokojnë një rritje neto të emisioneve të anhidridit karbonik. "Por edhe nëse do të duhej të harxhonim 100 vjet për të mësuar sesi të bëhej", thekson Pierrehumbert, "megjithatë do të jetë e dobishme, pasi anhidridi karbonik harxhon mijëra vjet për t'u zhdukur në mënyrë të natyrshme nga atmosfera".
Një liri e pakushtëzuar e vendeve të veçanta është e papraktikueshme
Projekte të ndryshme ekzistuese gjeoinxhinierie megjithatë mund të testohen në mënyrë relativisht të thjeshtë e ekonomike dhe, megjithëse askush nuk e di nëse janë të sigurtë apo efikasë, nuk nënkupton se do të ndërmerren. David Victor, Drejtor i Laboratory on International Law and Regulation at California University on San Diego, parafiguron dy skenare në të cilat kjo mund të ndodhë. I pari, i ashtuquajturi desperate Hail Mary pass (shprehje zhargoni në përdorim në futbollin amerikan për të treguar një lëshim jashtëzakonisht të vështirë dhe me mundësi të pakta suksesi), është si vijon: "Një vend i prekshëm ndaj ndryshimeve klimatike është në kërkim të dëshpëruar të një sistemi për të modifikuar situatën pasi që tentativat për të ulur emisionet kanë rezultuar të kota. Disa sisteme rudimentare të gjeoinxhinierisë mund të jenë shumë ekonomikë dhe kështu që ky opsion mund të jetë i favorshëm si nga ana e Trinidadit, ashtu dhe nga ana e Bangladeshit, njëri një vend i prekshëm i pasuruar në të kaluarën më eksportimin e gazit, tjetri i varfër por mjaftueshmërisht i madh sa për të bërë diçka nëse mendohet e domosdoshme për mbijetesën". Dhe i dyti, "skenari inxhinieristik arrogant i stilit sovjetik" paraqitet në këtë mënyrë: "Një vend i qeverisur nga teknikë dhe veçanërisht i ndjeshëm ndaj opinionit publik apo ndaj zërave disidentë vendos që të ndarmarrë rrugën e gjeoinxhinierisë, në mënyrë të ngjashme me operacione të tjera si prodhimi masiv i reaktorëve bërthamorë me cilësi të ulët, devijimi i rrjedhjeve të lumenjve, vendbanimet e reja të popullsive dhe vështirësi të tjera për t'u realizuar kur publiku në fakt është i informuar, reagues dhe pjesëmarrës". Në të dyja rastet, veprimet e një vendi të veçantë mund të influencojnë klimën e të gjithë botës. Si do të reagonte bota? Në raste ekstreme, thotë Victor, mund të arrihet në konflikte luftarake. Disa vende mund të jenë kundër ftohjes së planetit, veçanërisht atje ku rritja e temperaturës ka sjellë avantazhe, si sezone për të mbjellat më të mëdha dhe dimra më të butë. Në rastin në të cilin gjeoinxhinieria do ta reduktonte shiun, vendet tashmë të prekura nga thatësia për shkak të ngrohjes globale mund të vuanin më tej. Asnjë prej ligjeve apo marrëveshjeve ndërkombëtare aktuale nuk mund ta pengonte një vend për të ndërmarrë një projekt unilateral gjeoinxhinierie. Veç kësaj, deri më tani, dihet ende shumë pak pasi Kombet e Bashkuara mundet edhe vetëm të flasin për rregullime, që mund gjithsesi të injorohen nga një vend që ka synimin të shpëtojë nga një katastrofë klimatike. Sipas Victor, zgjidhja më e mirë është që shkencëtarët e të gjithë botës të bashkëpunojnë për të stabilizuar në mënyrën më të qartë të mundshme se çfarë rreziqesh mund të fshiheshin në një projekt gjeoinxhinierie dhe, apo deri nëse, ky mund të përdoret. Me një kërkim ndërkombëtar, thotë ai, mund "ta rrisim probabilitetin - jo në 100 përqind - për t'u dhënë jetë normave të përgjegjshme".
Dije shkencore menjanë, gjeoinxhinieria do të jetë një rrugë e detyruar
Në vitin 2006 Paul Crutzen, shkencëtari holandez fitues i Çmimit Nobel për Kiminë për zbulimet e tij lidhur me reduktimin e shtresës së ozonit në stratosferë, shkroi një artikull për gazetën "Climatic Change", në të cilin deklaroi se përpjekjet për të reduktuar emisionet e gazit serë "kanë qenë krejtësisht të kota". Bëri një apel për një rritje të kërkimeve lidhur me "fizibilitetin dhe mbi pasojat mjedisore të teknikave të manipulimit të klimës", megjithëse duke e pranuar mundësinë që futja e sulfateve në stratosferë mund ta dëmtonte shtresën e ozonit dhe të shkaktonte efekte bilaterale të rënda të paparashikueshme. Pavarësisht këtyre rreziqeve, pohoi se teknikat e inxhinierisë klimatike në mënyrë definitive mund të jenë "opsioni i vetëm i disponueshëm për të reduktuar me shpejtësi rritjen e temperaturave". Në atë kohë ndërhyrja e Crutzen ngjalli polemika dhe shumë shkencëtarë e quajtën të papërgjegjshëm. Por qysh atëhere ka pasur meritën që të nxjerrë gjeoinxhinierinë, shpjegon David Keith, i cili filloi ta studiojë fushën në vitin 1989. Nga momenti në të cilin një shkencëtar me kredencialet e Crutzen, që e njihte stratosferën si askush tjetër, është shprehur në favor të studimit të futjes së sulfateve në stratosferë si një sistem për ftohjen e planetit, shumë shkencëtarë të tjerë kanë filluar që ta pranojnë idenë e të diskutuarit. Midis të konvertuarve më të vonshëm është David Battisti, Docent i Shkencave Atmosferiike në Washington University. Një problem e preokupon në mënyrë të veçantë. Studimet mbi valët e nxehtësisë tregojnë se prodhimi i kulturave bie në mënyrë të ndjeshme kur temperatura ngrihet me 3 apo 4 gradë cenbtigradë mbi normë, temperatura që sipas Prinn të MIT-it mund të arrihen edhe me kontrolle të rrepta ndaj emisioneve. Duke folur vjeshtën e fundit në simpoziumin e gjeoinxhinierisë të zhvilluar në MIT, Battisti ka deklaruar: "Në fund të shekullit të kaluar, për faj vetëm të temperaturës, kemi asistuar në një rënie të të korrave të barabartë me 30 - 40 përqind dhe, në 50 vitet e ardhshme, parashikohet një rritje në kërkesën për ushqim më e lartë se dyfishi". Battisti është i vetëdijshëm për pasiguritë që rrethojnë teknikat e manipulimit të klimës. Sipas kërkimeve të kryera kohët e fundit prej tij, modelet e para në kompjuter që kanë tentuar të tregojnë efektet e mbrojtjes së planetit nga nxehtësia paraqisnin vlera të rritura nga 2 gradë centigradë në 3 gradë centigradë në parashikimet e ndryshimit të temperaturës rajonale dhe deri në 40 përqind në parashikimet e rënive rajonale të shirave. Por mbi 1 miliard njerëz tashmë të prekur nga kequshqimi dhe miliarda akoma që mund të vuajnë urie kur ngrohja globale do të arrinte të shkatërronte bujqësinë, Battisti ka pranuar me ngurrim se ndoshta është lojë force të konsiderohet "gjeoinxhinieria si ilaç". Të dhëna dhe modele më të mira do të ndihmojnë që të sqarohen efektet e teknikave të manipulimit të klimës. "Na jepni 30 apo 40 vjet dhe do të jemi gati", ka nënvizuar në simpoziumin e MIT-it. "Por në 30, 40 vjet, me shpejtësinë me të cilën po rritet prodhimi i anhidridit karbonik, gjithsesi, me hir apo me pahir, do të duhet t'i drejtohemi gjeoinxhinierisë".
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Google+ Followers