“Buka e helmuar”, CIA çmendi banorët e një fshati francez


image
Më 16 gusht të vitit 1951, banorët e një fshati francez u zgjuan papritur me zhurmë nga halucinacione të frikshme me zjarre dhe bisha. Një burrë u përpoq të mbyste veten, duke bërtitur se barku i tij po kafshohej prej gjarpërinjve. Një djalë 11-vjeçar u përpoq të mbyste gjyshen e vet. Një burrë tjetër bërtiti: “Unë jam një aeroplan”... E gjithë kjo, si pasojë e një eksperimenti të CIA-s
Misteri 50-vjeçar mbi “bukën e mallkuar” të Pont Saint Esprit, që shkaktonte halucinacione te banorët, u zgjidh pasi një gazetar zbuloi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin spërkatur bukën me drogë të llojit LSD, pjesë kjo e një eksperimenti. Në vitin 1951, një fshat i vogël piktoresk në jug të Francës u shkatërrua papritur dhe në mënyrë misterioze, si të kishte qenë një iluzion, si pasojë e sëmundjeve të ndryshme që pllakosën vendin. Së paku 5 njerëz vdiqën dhe dhjetëra të tjerë u dërguan në azile ku edhe vdiqën, ndërsa qindra të tjerë vazhduan të vuanin në mënyrë të pareshtur. Për dekada të tëra thuhej se buka e vendit kishte qenë helmuar pa dashje me një lloj myku. Tashmë, një gazetar investigues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka zbuluar fakte që tregojnë se ka qenë vetë CIA ajo që ka përzier me ushqimin vendas, një lloj droge të tipit LSD, pjesë kjo e një lloj eksperimenti të zhvilluar përgjatë Luftës së Ftohtë. Misteri i “Le Pain Maudit” ose thënë ndryshe “Bukës së mallkuar”, vazhdon edhe sot e kësaj dite t’i terrorizojë banorët e Pont Saint Esprit, në Juglindje të Francës.
Më 16 gusht të vitit 1951, banorët e kësaj zone u zgjuan papritur me zhurmë nga halucinacione të frikshme me zjarre dhe bisha. Një burrë u përpoq të mbyste veten, duke bërtitur se barku i tij po kafshohej prej gjarpërinjve. Një djalë 11-vjeçar u përpoq të mbyste gjyshen e vet. Një burrë tjetër bërtiti: “Unë jam një aeroplan”, përpara se të hidhej poshtë nga dritarja e katit të dytë duke thyer si pasojë të dyja këmbët. Më pas, ai u ngrit përsëri dhe vazhdoi të zvarritej për më tepër se 50 metra. Ndërkohë, një tjetër person “pa” zemrën e tij t’i rrëshqiste përgjatë këmbëve teksa thërriste një doktor për t’ia rikthyer përsëri në vend. Sakaq, shumë njerëz të tjerë u shoqëruan për në azile ku u mbajtën nën këmisha force. Në atë kohë gazeta amerikane “Times” shkruante se “mes të prekurve nga deliri dhe kllapia e kuqe kishte pacientë të shtrirë nëpër shtrate, që ulërinin se lule të kuqe po lulëzojnë përmes trupave të tyre dhe se kokat e tyre po shkrijnë”. Në atë kohë u arrit në përfundimin se bukëpjekësi më i njohur i zonës kishte përzier pa dashje miellin me një myk që në fakt infektonte drithërat dhe kryesisht thekrën. Një tjetër teori supozonte se buka ishte helmuar prej mërkurit organik. Sidoqoftë, një gazetar investigues, H.P. Albarell Jr., deklaroi rezultatet e zbuluara nga një eksperiment i fshehtë i drejtuar nga CIA dhe Divizioni i Operacioneve Speciale Sekrete Amerikane në Fort Detrik të Meriland. Shkencëtarët që prodhuan të dyja shpjegimet alternative, - shkruan ai, - punonin për Kompaninë Farmaceutike Sandoz me bazë suedeze, e cila në mënyrë sekrete kishte furnizuar të dyja, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe CIA-n me LSD. Albarell arriti të zbulonte dokumentet e CIA-s, ndërsa ishte duke investiguar mbi vrasjen e dyshimtë të Frank Olson, një biokimisti që punonte për SOD-in, i cili u hodh nga dritarja e katit të 13-të, dy vjet pas incidentit në lidhje me “Bukën e helmuar”. Një shënim përshkruan një bisedë mes një agjenti të CIA-s dhe një zyrtari të Sandoz, ku përmendej “sekreti i Pont Saint Esprit” dhe shpjegimi se helmimi nuk ishte shkaktuar aspak nga myku, por nga elementi D i ndodhur në drogën LSD.
Ndërsa shkruante librin e tij “Një gabim i tmerrshëm: Vrasja e Frank Olson dhe Sekreti i CIA-s mbi eksperimentet e Luftës së Ftohtë”, zoti Albarell foli me kolegë të zotit Olson, dy prej të cilëve i treguan atij se incidenti i Pont Saint Esprit ishte pjesë e një eksperimenti të drejtuar nga CIA dhe vetë Amerika. Pas luftës koreane, amerikanët lançuan një program të gjerë mbi manipulimet mendore të të burgosurve dhe mbi trupat e armiqve. Shkencëtarë të Fort Detrik i treguan atij se agjentët kishin spërkatur drogë LSD në ajër dhe gjithashtu në “produktet ushqimore vendase”. Zoti Albarell tha se “arma e vërtetë tymosëse” ishte një dokument i Shtëpisë së Bardhë i dërguar tek anëtarët e Komisionit të Rokfelerit i formuar në 1975, për të investiguar abuzimet e CIA-s. Ai përmbante emrat e një numri individësh francezë që ishin punësuar në mënyrë sekrete nga CIA, duke shkaktuar në mënyrë direkte incidentin e Pont St. Esprit. Albarell bën të ditur se droga LSD, e përdorur si një armë ofensive nga Ushtria Amerikane, kishte droguar mbi 5.700 punonjës amerikanë mes viteve 1953 dhe 1965. Asnjë nga kërkimet e tij nuk do të arrinte të tregonte se shërbimet sekrete franceze ishin në dijeni të operacionit. Sipas lajmeve amerikane, drejtuesit francezë i kishin kërkuar CIA-s të jepte shpjegime, gjë të cilën shërbimet franceze e mohuan. Banorët e Pont Saint Esprit vazhdojnë akoma të kërkojnë shpjegime se pse u goditën nga skena të tilla apokaliptike. “Në atë kohë njerëzit krijuan teorinë e një eksperimenti me qëllim kontrollin mbi revoltat popullore”, - thotë Sharl Granjon. “Unë përherë godisja kovën”, - i tregoi ai gazetës franceze “Les Inrockuptibles”, pa e ditur pse.

Google+ Followers