Binom-miliardash, Hidrokarburet dhe Azia Qendrore


Me trazirën dhe një revolucion tjetër në Kirgizistan, rajoni i Azisë Qendrore është kthyer sërish në qendër të vëmendjes. I kemi bërë 6 pyetje Dilip Hiro, njërit prej vëzhguesve më të shquar të rajonit

Me trazirën dhe një revolucion tjetër në Kirgizistan, rajoni i Azisë Qendrore është kthyer sërish në qendër të vëmendjes. I kemi bërë 6 pyetje Dilip Hiro, njërit prej vëzhguesve më të shquar të rajonit, bazuar në librin e tij më të fundit të titulluar Inside Central Asia.
-Diskutimi juaj për Azinë Qendrore përfshin Turqinë dhe Iranin, rëndësia historike e të cilëve në rajon nuk mund të diskutohet dhe që vazhdojnë të luajnë role të rëndësishme, të cilat ju përshkruani, por hiqni diskutimin e Afganistanit, edhe pse centraliteti i tij në politikat qendroaziatike është i dukshëm nga çdo gazetë mëngjesi. Na shpjegoni arsyetimin tuaj?
Përgjigja ime qëndron në shqyrtimin e listës së 68 vendeve që morën pjesë në konferencën ndërkombëtare për Afganistanin të organizuar nga Britania në Londër me 28 janar. Prej tre republikave qendroaziatike të pranishme - Kazakistani, Kirgizistani dhe Taxhikistani - vetëm ky i fundit ka kufi të përbashkët me Afganistanin. Turkmenistani dhe Yzbekistani, dy fqinjët e afërt qendroaziatikë të Afganistanit, mungonin. Mungesa e tyre bëhet akoma dhe më e spikatur kur krahasohet me praninë në konferencë të vendeve të tilla si Qipro, Sllovenia dhe Zvicra: ato nuk janë anëtare të NATO-s dhe kanë pak apo aspak kontakt apo interes në Afganistan. Kështu që është e vështirë të jem dakord me deklarimin rreth centralitetit të Afganistanit në politikat qendroaziatike që po nënvizohet në shtypin perëndimor. Megjithatë, ajo çka kalon në median perëndimore është lidhja e pazgjidhshme midis Afganistanit dhe Pakistanit - dhe me të drejtë. Pavarësisht, unë e kam përshkuar me hollësi impaktin që ngjarjet në Afganistan kanë pasur në republikat qendroaziatike, duke filluar me ndërhyrjen ushtarake të Bashkimit Sovjetik në Afganistan në vitin 1979. Gjithashtu, unë jam marrë në mënyrë të detajuar me kapjen e Kabulit nga talebanët në shtator të 1996 dhe se si reaguan shtetet e pavarura qendroaziatike dhe Rusia. Në përgjithësi, historia e vonshme e Afganistanit është e inkorporuar në narrativën e përgjithshme të Azisë Qendrore, me theksin në impaktin e saj ndaj fqinjve të afërm qendroaziatikë të tij, veçanërisht Taxhikistani dhe Yzbekistani. Meqë ra fjala, e njëjta gjë është edhe me Rusinë: marrëdhënia e saj me republikat qendroaziatike është një temë e ngjashme në kapitujt që merren me shtetet e veçanta rajonale.
-Turkmenistani në përgjithësi etiketohet si më i "mbylluri" i shteteve qendroaziatike. Tani jemi 3 vjet në presidencën e Gurbanguly Berdymukhammedov. Qeveritë perëndimore e përshëndetën Berdymukhammedov me shpresën për përmirësime, të paktën në arsim dhe në kujdesin shëndetësor, dhe mundësi për eksplorim dhe zhvillim të gazit. A janë përmbushur këto shpresa?
Në politikën e brendshme, kurrikulumi i Presidentit turkmen, Gurbanguly Berdymukhammedov është i përzier. Në anën pozitive, ai urdhëroi heqjen e fotografive të gjithëpranishme të paraardhësit të tij megaloman, Saparmurat Niyazov, nga ndërtesat publike. Ai bëri të njëjtën gjë me miniaturën e fytyrës së Niyazov, që kurorëzonte Harkun e Neutralitetit në kryeqytetin Ashgabat, që ndizte një zonë ekranesh televizive. Emri i Niyazov u hoq nga betimi patriotik i vendit dhe Berdymukhammedov riemërtoi kartmonedhat, duke e hequr portretin e Niyazov nga të gjitha përveç kartmonedhës me prerjen më të lartë 500 manatëshe (150 dollarë). Me një lëvizje kurajoze, ai urdhëroi prishjen e Harkut të Neutralitetit, një trikëmbësh gjigant, në majë të cilit ndodhej statuja e larë në flori e Niyazov e vendosur për t'u rrotulluar për 360 gradë për të qenë përballë diellit, duke e dominuar peizazhin e Ashgabat. Veç kësaj, ai e zgjeroi arsimin e detyrueshëm në 11 vjet, nga 9 vite që ishin përcaktuar më parë nga Niyazov. Ai rifuti mësimin e gjuhëve të huaja në shkolla. Gjithashtu, ai vendosi pensionet që qenë shkurtuar rëndshëm nga paraardhësi i tij dhe përfitimet e lejes së shtatzanësisë. Në anën negative, ndërsa ndalonte festimet pompoze të ditëlindjes së tij, Berdymukhammedov e dekoroi veten me një varëse të trashë floriri e diamanti dhe emetoi monedha argjendi dhe floriri me portretin e tij. Gjithashtu, portrete të mëdha të tij u shfaqën në ndërtesat publike dhe kryqëzimet e mëdha. Ai përforcoi ndalimin e baletit dhe studentëve akoma u kërkohet që të shkojnë me veshje tradicionale në shkollë. Mbi të gjitha, frika ka vazhduar të ekzistojë. Thjesht, përmendja e emrit të tij në publik i bën vendasit që t'u merret goja, të luajnë sytë, të pëshpërisin, të heshtin apo të shikojnë nga ana tjetër. Në industrinë e hidrokarbureve, kompanitë perëndimore të naftës kanë dështuar. Gjatë vitit të parë të Berdymukhammedov si President, gjiganti rus Gazprom ra dakord që të blejë 50 miliard metra kub gaz turkmen në vit nga prodhimi total i tij prej 62 miliard metrash kub. China National Petroleum Corporation (CNPC) nënshkroi një marrëveshje për të zhvilluar një vendburim gjigant gazi me angazhimin për të blerë 30 miliard metra kub në vit për 30 vjet me radhë që të dërgoheshin në provincën Ksiniang të Kinës nëpërmjet një tubacioni 1140 milje të gjatë që përshkon Yzbekistanin dhe Kazakistanin. Dhjetorin e kaluar, Presidenti kinez Hu Jintao, hapi valvolën e gazit në qytetin turkmen Saman-Depe në praninë e homologëve të tij nga Kazakistani, Turkmenistani dhe Yzbekistani.
-Islam Karimov i Yzbekistanit duket se dërgon një test për Perëndimin - sa vlerë kanë vërtet të drejtat e njeriut? Pas masakrës në Andijan, ai qe subjekt reagimesh të ashpra nga Shtetet e Bashkuara dhe sanksionesh nga Bashkimi Europian. Si e ka menaxhuar Karimov këtë situatë?
Përgjigja e shkurtër është: gjeografi dhe hidrokarbure. Kufijtë e përbashkët të tij me katër republika të tjera qendroaziatike, ashtu si me Afganistanin, e bëjnë Yzbekistanin vendin më strategjik të rajonit. Ai është njëkohësisht edhe më i populluari, duke numëruar në gjirin e tij gjysmën e popullsisë të Azisë Qendrore. Presidenti i tij, Islam Karimov e di këtë gjë dhe po kështu edhe liderët e Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara. Masakra e 187 (shifra zyrtare) deri 500 civilëve të paarmatosur në qytetin yzbek Andijan në maj të 2005 e shokoi botën. Pas thirrjes për një hetim ndërkombëtar, administrata Bush filloi të fitojë kohë pjesërisht pse Rusia dhe Kina ju kundërvunë atij dhe pjesërisht pse qe e zgjuar që të ruhej përdorimi i bazës ajrore Karshi-Khanabad për trupat dhe avionët e nevojitur për Afganistan. I ndjerë, i fyer nga kritika e Uashingtonit dhe dënimi i fuqishëm në mediat amerikane, Karimov i dha fund qirasë së bazës ajrore me Pentagonin. Lëvizja e tij fitoi mbështetjen e Shanghai Cooperation Organization 6 anëtarëshe me qendër në Pekin. Gjatë vizitës së tij atje në korrik të 2006, ai nënshkroi një joint venture 600 milionë dollarësh me korporatën energjetike kineze. Kurse përsa i përket Bashkimit Europian dhe ndalimit të shitjeve ushtarake nga ana e tij për Tashkent, Karimov nënvizoi se, Gjermania ishte e etur që të shikonte se Bashkimi Europian nuk e armiqësonte në mënyrë të pakorrigjueshme Yzbekistanin, i cili posedonte gazin natyror aq shumë të dëshiruar. Prandaj, ai e lejoi Gjermaninë që të mbante një bazë ushtarake në Termez, një qytet në kufirin yzbeko - afganas. Në shkëmbim, Berlini loboi fuqishëm që ta bënte Bashkimin Europian që t'i hiqte sanksionet e tij ndaj Yzbekistanit.
-Presidenti kirgiz, Askar Akayev, u largua qetësisht përballë një revolte popullore kundër tij. Presidenti aktual, Kurmanbek Bakiyev, duket i vendosur që të përdorë dhunën për të shtypur kërkesat aktuale për largimin e tij. Si e vlerësoni situatën e kësaj jave në Kirgizistan?
Revolucioni Tulipan në Kirgizistan në mars të 2005 rezultoi në largimin e Presidentit Askar Akayev, duke pasuar manipulimin e zgjedhjeve parlamentare nga ana e tij. Nëpërmjet premtimit për të kufizuar pushtetet presidenciale dhe çrrënjosur korrupsionin, Kurmanbek Bakiyev, arriti që të zgjidhej President. Por, sapo erdhi në post, ai bëri prapaktheu. Beteja e vjetër midis Parlamentit dhe Presidentit lidhur me ndarjen e pushteteve rifilloi. Me futjen e një ligji të ri elektoral dhe themelimin e partisë së tij, Ak Zhol (Rruga e Ndritshme), ai fitoi kontrollin e Parlamentit në zgjedhjet e 2007. Pavarësisht pushteteve të tij të rritura, Bakiyev dështoi në përballjen me korrupsionin e vazhdueshëm dhe rritjen e ekonomisë së zezë. Për t'i mbyllur gojën pakënaqësisë në rritje, ai adoptoi strategjinë e ish-Presidentit rus, Vladimir Putin të krijimit të "demokracisë së menaxhuar" nëpërmjet sulmimit të liderëve opozitarë dhe kufizimit të mediave. Duke ju përgjigjur kërkesës së Bakiyev për ndihmë financiare në valën e krizës financiare të 2008, Rusia i fali borxhin prej 180 milionë dollarësh dhe i siguroi një hua prej 300 milionë dollarësh, me një premtim për një investim 1.7 miliardë dollarësh në projektet hidroelektrike kirgize. Por u tërhoq prapa në premtimin e tij për t'i dhënë fund qirasë së bazës ajrore të Manas me Pentagonin, një pikë vendimtare për fushatën e tij në Afganistan. Ai e rinovoi qiranë për një shifër më të lartë dhe mori sigurimin e administratës Obama se nuk do t'i kritikonte shkeljet e tij të zgjedhjeve apo të të drejtave të njeriut. Kështu, në një rol të përmbysur, kanalet televizive ruse, popullore në Kirgizistan, shënuan përvjetorin e 5-të të Revolucionit Tulipan nëpërmjet nënvizimit të keqqeverisjes së Bakiyev. Kjo ndodhi në mes të një pakënaqësie popullore në rritje të shkaktuar nga ngritjet e mëdha të çmimit të ujit dhe të elektricitetit të vendosur në janar. Një koalicion grupesh opozitare i mbledhur me shpejtësi bëri thirrje për protestë kombëtare më 7 prill. Revolta pasuese popullore, që rezultoi në 75 vdekje, e detyroi Bakiyev që të largohej nga qyteti i tij i lindjes Jalalabad. Qeveria e përkohshme e Roza Otunbayeva e fitoi njohjen de facto të saj kur Putin i telefonoi liderit të ri. Ndërsa, zëdhënësi i NATO-s tha se, fluturimet për në bazën ajrore Manas qenë pezulluar, Otunbayeva tregonte se do të shikonte nga Kremlini për "asistencë të mëtejshme".
-Saparmurat Nazarbayev i Kazakistanit shpejt do të udhëtojë drejt Uashingtonit për një takim kokë më kokë me Barack Obama. Ai lançoi reforma mbresëlënëse në Kazakistan që çuan në një sektor shërbimesh financiare të pavarur të konsiderueshëm. Por vuajtjet ekonomike dhe persekutimi nga ana e qeverisë së tij duket ta kenë dëmtuar industrinë e sapolindur bankare dhe shumë prej oligarkëve u larguan jashtë vendit. A e shiti Perëndimi me çmim shumë të lartë Kazakistanin si një model për reformat ekonomike dhe politike në rajon?
Edhe një herë, përgjigja qëndron tek gjeografia dhe hidrokarburet. Një vend i madh, 4 apo 5 herë më i madh se India, me një popullsi të vogël prej 20 milionësh që qëndron sipër rezervash të mëdha nafte e gazi dhe e kufizuar me Rusinë dhe Kinën, Kazakistani ka një vend të tijin në Azinë Qendrore. Menjëherë pas pavarësisë në vitin 1991, Presidenti Saparmurat Nazarbayev u përpoq me të gjitha mënyrat për të zgjeruar idenë e pronësi private aty ku gjithçka përpara zotërohej nga shteti. Kjo iu aplikua sa tregtisë me pakicë, aq edhe sistemit bankar. Me Chevron dhe Exxon Mobil, që drejtonin një konsorcium që planifikonte të investonte 20 miliardë dollarë në eksplorim dhe nxjerrje të naftës dhe gazit, nevoja për sistem bankar privat u ngrit fuqishëm. Por, ashtu si tjetërkund në botën joperëndimore, nafta dhe gazi janë sa burim pasurie kombëtare, aq edhe sa janë burim korrupsioni në shkallë të gjerë në majë të shtetit. Kur vjen puna tek ndarja e të ardhurave nga hidrokarburet, nuk është e pazakontë të shikosh elitën politike dhe ekonomike të grinden dhe të kthehen kundër njëri-tjetrit. I tillë u bë rasti në Kazakistan kur çmimet e naftës ranë poshtë 10 dollarëve për fuçi në vitin 1999. Në kohën që çmimi u ngrit në 75 dollarë për fuçi në vitin 2006, Kazakistani ishte bërë po aq i korruptuar sa Angola, Libia dhe Pakistani, sipas treguesve mbarëbotërorë të qeverisjes të Bankës Botërore. Vitin e ardhshëm, Nazarbayev e bëri Parlamentin, e nënshtroi që ta amendojë Kushtetutën për ta përjashtuar veten nga limiti i 2 mandateve presidenciale dhe të kërkojë rizgjedhje sa herë që të donte. Vështirë se ishte modeli i reformave politike dhe ekonomike që Perëndimi kishte në mendje për pjesën tjetër të rajonit më 1992. Më vonë, pati shpresë në kapitalet perëndimore, që me Kazakistanin e emëruar në 2007 që të kryesojë OSBE-në 56 anëtarëshe - duke u ndeshur me të drejtat e njeriut, lirinë e shtypit, zgjedhjet e lira dhe kontrollin e armëve - në vitin 2010, qeveria Nazarbayev do ta liberalizonte sistemin politik. Ndodhi e kundërta. I siguruar në trumbetimin e Kazakistanit si "lideri i Europës", Nazarbayev u bë akoma më jotolerant ndaj opozitës se më parë, duke rezultuar në ngacmimin dhe bile vdekjen e opozitarëve kryesorë dhe gazetarëve të pavarur.
-Ju përshkruani ciklin historik të Turqisë, në të cilin qeveritë civile që testojnë limitet e shtetit laik në mënyrë të pandryshueshme përplasen me ushtarakët - nganjëherë në formën e imponimit të një qeverie ushtarake. Por, lajmet e kohëve të fundit flasin për një grusht shteti të zbuluar kundër partisë në pushtet AKP. Mos vallë tani era ushtarake si "garantues" të politikave kemaliste është e kaluar?
Po. Më e rëndësishme, në fjalët e Mehmet Altan, një editorialisti të shquar turk, "Kemalizmi ka vdekur, por askush nuk di se çfarë të bëjë me kufomën". Ajo çka është e mrekullueshme rreth arrestimeve të vazhdueshme midis të tjerave të oficerëve aktivë dhe në lirim në një grusht shteti të supozuar që të përmbysë qeverinë e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (e njohur si AKP) në vitin 2004 është se dy tentativat puçiste të tyre u bllokuan. Konkluzioni është mbështetja publike që ka mbledhur AKP-ja. 47 përqindëshi i votës popullore të saj është i paprecedent dhe është 2 herë e gjysëm më e madhe se rivalja laike e saj. Ky është rezultati përfundimtar i migracioneve masive të fshatarëve në zonat urbane që ka filluar qysh nga vitet Gjashtëdhjetë. Ndërsa, këta njerëz ruralë e kanë mbajtur religjiozitetin e tyre, ata kanë humbur frikën e tyre ndaj bashkëpatriotëve, thellësisht laikë të klasës së mesme dhe të lartë. Ardhja e celularëve dhe e mijëra kanaleve televizive e ka ndihmuar procesin. Një sondazh i 2006 tregonte se 59 përqind të turqve e përshkruanin veten si "shumë fetarë: apo "jashtëzakonisht fetarë". Qeverisja relativisht pa korrupsion e AKP-së, kombinuar me një menaxhim të aftë të ekonomisë, e ka ndihmuar atë që të ngrihet mbi partitë e mëparshme qeverisëse që shpesh qenë të korruptuara deri në palcë. Ndjekja aktive e anëtarësimit të plotë të Turqisë në Bashkimin Europian i kërkonte asaj që të zgjeronte të drejtat e njeriut, të drejtat demokratike dhe të drejtat e minoriteteve. Ajo e realizoi një gjë të tillë nëpërmjet bërjes së reformës më të thellë të ligjeve dhe të standardeve. Në të njëjtën kohë, AKP-ja vazhdoi që të ushqejë organizatën fillestare që kish trashëguar nga tani partitë e shkrira islamike. Ajo u kap fuqimisht pas strategjisë së punimit nga poshtë lart, një përmbysje nga mënyra sesi kishin operuar kemalistët, nga lart poshtë. Një kusht parësor për anëtarësimin në Bashkimin Europian është kontrolli civil i forcave të armatosura. Për ta plotësuar atë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare me mazhorancën ushtarake të tij - autoriteti ekzekutiv më i lartë qysh nga viti 1982 - u kthye në një trupë këshillimore në vitin 2003 me anëtarësinë ushtarake të saj të reduktuar nga 5 në 1. Kjo i dha fund dominimit të ushtarakëve në politikën turke. Kështu që, ka pak vend për t'u habitur që kur gjatë hetimit të grushtit të shtetit të vitit 2003 për të përmbysur qeverinë e AKP-së, 49 oficerë aktivë dhe në lirim u arrestuan në shkurt të 2010, drejtuesit më të lartë ushtarakë nuk bënë asgjë më shumë se bërja e një deklarate të shkurtër të thatë.
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Google+ Followers