ARTUR/Legjenda që ndryshon



Ronald Hutton

Dyzet vite më parë, si librat shkollorë të historisë, ashtu edhe romanet historikë kishin një këndvështrim të përbashkët për Mbretin Artur: si një luftëtar historik, lidershipi i të cilit mundësoi popullin e tij, banorët e lindur të Britanisë postromake, që të ndalnin valën që përparonte të pushtimit anglo-sakson për afro gjysmë shekulli. Askush nuk ishte me saktësi i sigurtë se kur kishte ndodhur kjo, sepse bëhej fjalë për periudhën e errët mes viteve 410 dhe 550, një periudhë ku nuk ka mbetur pothuajse asnjë dokument bashkëkohor. Megjithëkëtë, ka patur një marrëveshje të pranuar gjerësisht se Arturi kishte lulëzuar diku në atë kohë si dhe kishte qenë personaliteti më i madh britanik i saj, duke krijuar për vetveten një famë të tillë, e cila hodhi themelet për legjendën e mëvonshme mesjetare mbi Arturin, më romantik dhe më fantastik.
Ky konsensus i lumtur ishte prodhuar kryesisht për shkak të disiplinës së re të arkeologjisë, e cila kishte gërmuar disa prej vendeve kryesorë që lidhen me Arturin dhe më vonë kishte zhvilluar plotësisht Legjendën, si për shembull, vendlindjen e tij në Tintagel dhe Kështjellës Cadbury në Somerset, që sipas gojëdhënave, kishte qenë oborri i tij i Camelot. Në secilin rast, mes publicitetit të madh, ishin gjetur rrënoja spektakolare të pushtimit nga njerëz të pasur në periudhën e duhur. Për shumëkënd, kjo ishte më se e mjaftueshme për të vendosur, përtej çdo dyshimi, se legjenda i kishte rrënjët në të vërtetën historike dhe libra të tillë si ai i Geoffrey Ashe "Në kërkim të Britanisë së Arturit", apo ai i Leslie Alcock "Britania e Arturit" e përcillnin këtë mesazh tek lexuesi i gjerë. Më vonë, argumenti u mor prej historianëve, të cilët tashmë ndiheshin të inkurajuar që të rindërtonin një histori për vitet rreth pesëqindës, duke kombinuar burimet e hershme mesjetare me një pasuri të tërë të dhënash më të dyshimta nga periudha të mëvonshme; kjo qasje u mishërua nga libri i trashë i John Morris "Epoka e Arturit". Interesi i nxitur prej akademikëve rezultoi në një vërshim fiksioni historik në vitet '60 dhe'70. Shumica u prodhua nga anglezë, ndonëse edhe gra angleze si Rosemary Sutcliff dhe Mary Stewart ishin ndër autoret më të njohura. Të gjithë e trajtonin Arturin si një personazh historik në një skenë postromake, me panorama realiste britanike dhe përdorim të kujdesshëm të të dhënave historike dhe arkeologjike.
Arsyeja për këtë unanimitet virtual ishte se Arturi që portretizonte ishte shumë i dobishëm. Me humbjen e Perandorisë së Britanisë dhe statusin e saj si një fuqi e madhe, ekzistonte një mundësi reale që t'i hiqe cmentoja Mbretërisë së Bashkuar. Ajo kishte nevojë për një të shkuar të re të përbashkët për të bërë apel dhe "epoka e Arturit" premtonte jo vetëm një të shkuar të lavdishme, por edhe një pasurim të identitetit të britanikëve kundrejt atij më të këndshëm dhe më të gjelbër të keltëve. Veç kësaj, Arturi mund të bëhej monarku ideal kundërkulturor. Zakonisht i paraqitur në kopertinat e librave të kohës si një burrë me flokë të gjatë me mustaqe të varur dhe trupin të mbushur me argjendarira, ai fare mirë mund të transplantohej në kohët moderne mbi një motor apo një festival rroku. Për ata që vajtuan humbjen e Britanisë imperiale ai mund të shihej si mbrojtësi i fundit i qytetërimit romak; për ata që identifikoheshin me revolucionarët, ai ishte një udhëheqës i rezistencës kundër agresionit anglez. Ai ishte një hero panbritanik që nuk i përkiste asnjë klase, që bëri që patriotizmi, monarkia dhe historia të pëlqeheshin.
Sot, kjo pikëpamje për Arturin duket po aq e largët sa edhe vetë Britania postromake. Shumë ekspertë të asaj periudhe tashmë e injorojnë krejt, ndërsa ata që nuk e injorojnë nuk bien dakord për mënyrën si duhet të konsiderohet. Libri i Thomas Greene "Konceptet e Arturit" e quan atë një perëndi pagane kelte apo gjigant i shndërruar në një hero historik për arsye se populli i tij kishte nevojë për një të tillë; të paktën kjo është një paraqitje më e mirë se sa ajo e librit të Nicholas Higham "Mbretit Artur", i cili kishte vendosur që ai kishte qenë sajesë e një gazetari uellsian të shekullit IX. Libri i Graham Anderson "Mbreti Artur në antikitet" e mendon atë si keqkuptim të një legjende të lashtë greke dhe libri i Howard Reid "Arturi, Mbreti dragua" e vendos origjinën e tij në mitologjinë kaukaziane. Edvin Pace tek libri "Arturi dhe rënia e Britanisë romake" thotë se ai ishte një personazh i ndryshëm i shekullit V, që zakonisht njihej si vortigern, ndërkohë që Miles Russell thotë se ai ka qenë një ngatërrim i mëvonshëm i dy të tjerëve, gjenerali britanik Ambrosius dhe mbreti sakson Aelle.
Ndërkohë, romanet për të janë më të shumtë se kurrë, por autorja më tipike që nga vitet '80 ka qenë një grua amerikane. Nuk është habi që panorama britanike e paraqitur në ta është turbulluar dhe çdo lidhje me historinë e njohur dhe arkeologjinë e periudhës nënromake pothuajse është zhdukur. Romakët u janë bashkuar tashmë anglezëve pushtues si figura të urryera dhe Arturi është një kelt romantik, që normalisht vepron në një botë ku përrallat, perënditë, ujkonjat dhe njëbrirëshat janë po aq të rëndësishëm sa edhe figurat njerëzore. Prototipi i të gjithë këtij zhanri ishte libri i Marion Zimmer, "Errësira e Avalonit".
Pjesërisht, ky ndryshim ka ardhur për shkak të një zhvendosje në programet shkollorë. Arkeologët kanë braktisur përpjekjet për të gjetur prova të ekzistencës së tij, pasi asnjë nuk ka dalë dhe vende pa lidhje me Arturin kanë qenë po kaq të pasura me zbulime romakë. Historianët kanë pranuar se nuk ka një provë solide dokumentare për këtë dhe nuk ka gjasa të gjenden më vonë. Në letërsi, ajo fantastike ka zëvendësuar romanet historikë dhe me detektivë si zhanri më i pëlqyer. Megjithatë, ky është më shumë rezultat i një ndryshimi më të përgjithshëm në kulturë. Këtu, Arturi mund të fitojë sërish dhe kështu të sigurojë vazhdimësinë e popullaritetit të tij; në një epokë zgjedhjesh individuale, natyra e paqartë e personazhit të tij historik siguron që ne të gjithë mund të kemi Arturin që duam. Heroi më i madh i Mesjetës është shndërruar në heroin e përsosur postmodern.
E vërteta e legjendës
Më pas Merlini e çoi Arturin buzë një liqeni, nga ku doli një dorë misterioze që mbante Ekskalibur-in, shpatën madhështore me të cilën Mbreti do të fitonte çdo betejë. Me anë të fuqisë së tij Arturi mundi Luçon, Perandorin e Romës dhe themeloi një perandori që bënte bashkë Irlandën, Skandinavinë dhe një pjesë të Francës. Këtu e ka zanafillën edhe njëra prej legjendave më të mëdha të historisë: ajo e Mbretit Artur dhe kalorësve të Tryezës së Rrumbullakët. Një histori plot aventurë dhe romantizëm, që ka frymëzuar breza të tërë rapsodësh, romancierë dhe regjisorë hollivudi. Po sikur të mos bëhej fjalë për një legjendë?
A ka ekzistuar vërtet Mbreti Artur? "Do të ishte e gabuar të përgjigjesh me një po, ose me një jo. Figura të tjera historike u bënë heronj legjendarë, si Aleksandri i Madh, apo Karli i Madh. E dimë që ata ekzistojnë vërtet, sepse kanë burime të qarta historike që i konfirmojnë. Ndërsa për Arturin, gjërat janë më të vështira, sepse bëmat bazohen të gjitha mbi një legjendë", thotë një historian britanik dhe eksperti më i madh mbi Mbretin Artur. Pra, para se të guxojmë të flasim për gjurmët e mbretit, le të fillojmë nga legjenda në kërkim të fillimeve të tjera.
Në pallatin e mbretit, kështjella e Kamelotit, Arturit i shkonin pas djelmosha të rinj që ëndërronin të bëheshin kalorës të Tryezës së Rrumbullakët, urdhri që ishte betuar për vendosjen e drejtësisë dhe nderit. Më trimi prej kalorësve, Lançeloti ishte në prag të gjetjes së Gralit të Shenjtë, por dështoi për një mëkat të vetëm: marrëdhënien e fshehtë me gruan e Arturit, Gjenevra. Ky ishte edhe preteksti për një komplot ndaj vetë Mbretit. Që në rini, Artur kishte dashur motrën e gjetur të Gjenevrës, Morganën dhe prej saj pati një djalë, i cili u bë Sër Mordred, një prej kalorësve. I etur për hakmarrje, Mordred e informoi Arturin për tradhtinë e Gjenevrës dhe e bindi të largonte Lançelotin e të udhëhiqte një ekspeditë kundër kështjellës së tij në Francë. Duke qenë se mbeti i vetën në drejtimin e Britanisë, Mordred u mundua të rrëmbente fronin dhe të martohej me Gjenevrën.
Pasi e zbuloi tradhtinë, Arturi u drejtua për në Kamelot. Gjatë rrugës u takua me ushtrinë rebele të të birit dhe u përlesh në një duel deri sa Mordred vdiq dhe vetë Arturi u plagos rëndë. Kështu ai urdhëroi një kalorës, Sër Bediver, ta hidhte Ekskaliburin (shpatën) në liqen, kur një dorë gruaje doli nga fundi i ujit për të kapur atë. Ndërsa Mbreti Artur qëndroi në ishullin Avalon për të kuruar plagët që kishte marrë gjatë përleshjes.
Në kërkim të Arturit
Pavarësisht ngjarjeve, kjo është një histori e gjatë dhe e ndërlikuar. Po si është e mundur që nuk ka lënë gjurmë? Dokumentet e para që flasin për Mbretin Artur shfaqen në shekujt V-VI pas Krishtit, në fundin e sundimit romak në Britani, në fillimet e Mesjetës. Përmendjen më të hershme të emrit të tij e gjejmë në "Historia Brittonum" e murgut Nenio, në shekullit IX. Ai nuk citon kurrë një "Mbret Artur", por tregon bëmat e një komandanti ushtarak me atë emër, i cili ishte i gatshëm të mbronte zotërimet e britanikëve nga pushtuesit saksonë, të cilët do t'i mundte në 12 beteja. Por tregimet mbi një personazh të ngjashëm qarkullojnë edhe diku tjetër: për Arturin tregohet në Irlandë, Normandi (ku emri i tij shfaqet në vitin 1050) e madje dhe Itali. Në Modena, në Portën e Peskierës është një basoreliev, që daton në mesin e viteve 1099-1120, ku paraqitet mbreti dhe kalorësit e tij që shpëtuan Gjenevrën nga disa keqbërës. Ai është edhe përfaqësimi i parë ekzistues i Arturit. Ndërkohë, në vitin 1136 u shfaqën për herë të parë figurat e Mbretit Artur dhe Merlinit në pseudohistorinë britanike "Historia Regum Britanniae" e murgut galez. Megjithatë, është e pamundur të ndash faktet nga fantazia.
Në vitin 1485, historia e Arturit mori formën e saj përfundimtare. Në atë vit, Sër Thomas Malory publikoi në Angli librin "Vdekja e Arturit", në të cilin përmenden Lançeloti, Tryeza e Rrumbullakët, kështjella Kamelot dhe Grali i Shenjtë. Një pionier i shtypit anglez që publikoi poemën, citonte në parathënie "prova" të ndryshme të ekzistencës së Arturit: "Para së gjithash, mund të shihet varri i tij në Manastirin e Glastonburit". Ai tregonte shkrime, ku përmendej Arturi. Shkrimet e përshkruanin si Perandorin e Britanisë, Galicisë e Gjermanisë dhe ruheshin në abacinë e Uestminsterit. Sipas tyre, edhe shpata e Lançelotit ekzistonte, por nuk dihet se ku ndodhet. A lidhen këto prova me hetimet? Shumë nga objektet e cituara ishin false, ashtu sikurse dhe kujtimi i lashtë fetar i epokës, krijuar për të tërhequr udhëtarët... Por një "Tryezë e Rrumbullakët" ekziston vërtet në kështjellën e Uestminsterit.

Google+ Followers