Adoleshentët, të fiksuar pas mesazheve


Brezin e ri pa frikë mund ta quajmë “texteen”, një bashkim mes fjalëve “teenager” dhe “texting”. Të rinjtë nga 6 në 19 vjeç janë përdoruesit më të “rrezikshëm”, të telefonave dhe rrjedhimisht edhe dërguesit e sëmurë të mesazheve

Brezin e ri pa frikë mund ta quajmë “texteen”, një bashkim mes fjalëve “teenager” dhe “texting”. Të rinjtë nga 6 në 19 vjeç janë përdoruesit më të “rrezikshëm”, të telefonave dhe rrjedhimisht edhe dërguesit e sëmurë të mesazheve. Numri i mesazheve që një adoleshent amerikan dërgon dhe merr çdo muaj është 428. Rreth 79 për qind e atyre që kanë telefona përdor sms-të, por kjo shifër nuk vlen vetëm për adoleshentët, te 65-vjeçarët numri i personave që dërgojnë mesazhe është rritur me 33 për qind. 2300 miliardë SMS dërgohen në botë çdo ditë. Për psikologët, ky është brezi i të rinjve të sëmurë pas SMS-ve. Çështja është më serioze sesa duket, ndaj deri diku do të ishte e gabuar që ta saktësoje se kjo lloj patologjie ka prekur kryesisht të rinjtë. Ajo që po shqetëson gjithnjë e më shumë shoqërinë tonë janë aksidentet rrugore të shkaktuara nga të rinjtë që nuk arrijnë të heqin duart nga tastiera e telefonit edhe kur drejtojnë automjetin. Pas rastit të një makinisti në Los Angelos, që disa muaj më parë nxori trenin nga binarët, sepse ishte duke i shkruar një mesazh bashkëshortes, Kalifornia ka nisur një fushatë parandalimi, ku ndalohet me ligj dërgimi i mesazheve gjatë kohës që je në makinë, me gjoba të majme deri në 100 dollarë. “Duart në timon dhe sytë në rrugë”, pati thënë guvernatori Arnold Schwarzenegger, që menjëherë ka gjetur disa dhjetëra shtete që janë të gatshme ta ndjekin në këtë kryqëzatë të re. Edhe pse kjo duket e pamundur, ish-terminatori ka vendosur të marrë guximin. Shifrat nuk janë në anën e tij. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, numri i mesazheve të shkruara është më i lartë se ai i telefonatave. Çdo amerikan dërgon ose merr çdo muaj 357 mesazhe, ndërsa numri i telefonatave brenda së njëjtës periudhë kohore shkon në 204. Me telefon, më mirë të shkruash se të flasësh. Edhe pse nuk bëhet fjalë për ndonjë revolucion kopernikan, ndryshimi i zakoneve është i dukshëm. Edhe në Francë mesazhet i kanë kaluar prej kohësh telefonatat. Që në vitin 2002, Ferzan Ozpetek, në një film të tijin, tregonte një personazh të vrarë, që ishte shtypur nga një makinë, ndërsa shoferi lexonte një mesazh. Në Itali një njeri dërgon mesatarisht 1.4 mesazhe në ditë, të dytët pas anglezëve. Çdo muaj aty shkruhen 300 milionë mesazhe, shifër që i kalon të 600 milionat gjatë festave të fundvitit. Titulli “When texting is wrong” tregon gjithçka. Pas aksidentit të një adoleshenteje “New York Times” e ka cilësuar këtë si një rrezik social. “Të shkruarit mesazhe në mënyrë të vazhdueshme, jo vetëm që i ndryshon raportet ndërpersonale, por edhe i dëmton ato”, thotë opinionisti Randy Cohen. E përditshmja evokon një luftë të re kulturore mbi rregullat e reja që duhen adaptuar për të lejuar përdorimin e tyre të kufizuar. Në ambientet e punës kanë nisur të qarkullojnë disa “ligje” që ishin efikase vetëm në kohën kur dolën për herë të parë telefonat. Për momentin në Hollivud, “Creative Artists Agency” dhe “United Talent Agency” kanë ndaluar përdorimin e telefonave gjatë mbledhjeve. Disa shoqëri financiare njujorkeze e lejojnë përdorimin e tyre në takimet e brendshme, por jo në takimet me klientët. Hillary Clinton ishte e para pro numrit të kufizuar të mesazheve, e cila, sapo hyri në Departamentin Amerikan të Shtetit, ka kërkuar një përdorim të moderuar të SMS-ve. Pavarësisht këtyre masave, SMS në formën e tyre tradicionale vazhdojnë të jenë një nga mënyrat tona më të preferuara të komunikimit: vetëm 10 për qind e përdoruesve e telefonisë së lëvizshme kohët e fundit ka nisur të përdorë shumë edhe e-mail-in dhe 29 për qind përdorin MMS. Studiuesi amerikan, David Crystal, thotë se “telefonata është më e shpejtë se letra, por mbetet më pak interesante sesa një formë komunikimi ballë për ballë. Mesazhet janë më të shpejta se e-mail-et, janë një rrugë e mesme e pranueshme”. Mesazhet, vazhdon eksperti, e bëjnë më të gjallë dhe të sigurt komunikimin. Në fakt, sot askush nuk do të guxonte të thoshte “nuk e kam lexuar, sepse nuk e kam pasur telefonin me vete”. Nevoja për të shkruar SMS mund të kthehet në një patologji, sidomos mes të rinjve. Një gazetar i “Orange County Register”, Greg Hardesty, vuri re se e bija, Renia, kishte dërguar 14528 mesazhe brenda një muaji. Një fenomen ky në mënyrën e tij. “Një adoleshent i shëndetshëm e përdor celularin në mënyrë të shëndetshme”, tregon një profesor francez, autori i librit “SMS dhe pushteti i jashtëzakonshëm”. Sipas tij, edhe vendosja e rregullave nuk mund ta rregullojë këtë mani të përhapur jo vetëm mes të rinjve. “Automobil Club” ka llogaritur se shpejtësia e reagimit të shoferit që është duke shkruar një mesazh me telefonin personal ul me 35 për qind mundësinë për të reaguar, një përqindje kjo më e lartë se tek ata që tymosin marijuanë (21 për qind) madje edhe tek ata që kanë në gjak një përqindje alkooli prej 0.8 përqindësh. Por në shumë vende të Europës nuk ekzistojnë ligje si ato kaliforniane. “Shpesh harrojmë që është më e thjeshtë të bëjmë një telefonatë. Nxënësve të mi u kam dhënë numrin e telefonit dhe u kam kërkuar të më marrin në telefon dhe të mos më shkruajnë mesazhe, sepse përndryshe nuk do të kem kohë t’u përgjigjem të gjithëve”, tregon një tjetër studiues që është kundër përdorimit të tepruar të SMS. Megjithëse mendimet janë të ndryshme. “Përveçse barbarë të gjuhës, të rinjtë janë edhe shumë kreativë. Në 160 karaktere ata duhet të përmbledhin dhe të thonë thelbin e gjërave”, tregon Crystal.

Google+ Followers