Zotërinjtë e Vatikanit/Pushteti i Papëve



Ishte 11 shkurti i vitit 1929, një gjysmë ore para mesditës kur një makinë ngjyrë e zezë erdhi e u ndal përpara pallatit të Lateranos, në Romë. Dyert e veturës u hapën, dhe prej saj doli njeriu më i frikshëm i Italisë. Ishte Benito Musolini. Në pallat - zyrat qendrore të Curias romane, organi administrativ i Kishës Katolike - Papa Piu XI dhe funksionarët e tij më të lartë e pritën diktatorin me shtrëngime duarsh të përzemërta.
Musolini donte që Vatikani të njihte zyrtarisht fashizmin. Ishte një tentativë për të neutralizuar Partinë Popullore të don Sturcos, kundërshtari i tij. Edhe kisha kishte qenë e qartë sa u përket objektivave të saj. Donte të rimerrte atë që kishte pasur në vitet tetëqind me bashkimin e Italisë: një shtet sovran. Ia doli. Rreth orës një, Musolini firmosi Marrëveshjen lateranense, që i jepte Papës një territor të pavarur në brendësi të Romës. Në këmbim, Kisha Katolike njihte si legjitime qeverinë e drejtuar nga Duçja.
Ishte pikërisht në atë ditë dimri, me bekimin e një prej personazheve më tiranikë të shekullit të njëzetë, që lindi shteti i Vatikanit ashtu si është sot: vendi më i vogël i pavarur në botë dhe e fundmja monarki absolute e Perëndimit.
Parabolë
Takimi në Laterano ishte vetëm epilogu i një historie shumë më të gjatë, e cila i kishte rrënjët rreth dy mijë vite më parë, kohë kur Papa ishte vetëm peshkop i Romës, një prej liderëve të shumtë të një feje të persekutuar. Në kulmin e pushtetit, Papët u vetëdeklaruan "padronë të botës" dhe ata filluan luftëra në emër të Perëndisë. Sot, papati është institucioni ndërkombëtar më jetëgjatë i historisë. Prej nga buron dhe ku ka shkuar gjithë ky pushtet? Për t'u përgjigjur ka nevojë të kthehemi pas në origjinën e krishtërimit, kur Roma u bë qendra e një sekti hebraik i lindur mes rërave të Lindjes së Mesme.
Kisha e parë
Një ditë Jezusi ishte duke shëtitur nëpër Jude, një prej provincave më të varfëra të perandorisë romake (që në atë kohë shtrihej nga Anglia e sotme deri në Irak). Papritur, Mesia hodhi vështrimin drejt njërit prej apostujve të tij, peshkatari Simon, i njohur edhe si Pjetri. Dhe i tha: "Ti je Pjetri, dhe mbi këtë gur unë do të ngre kishën time... Ty do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve, dhe gjithçka që do të lidhësh në Tokë, do të lidhësh edhe në qiej". Për doktrinën katolike, ky hap i Ungjillit sipas Mateut do të thotë, që Pjetri është zgjedhur si përfaqësues i Krishtit mbi tokë. Papa i parë.
Në fillim, krishtërimi ishte vetëm një sekt hebraik. Aq e vërtetë është, saqë pas kryqëzimit të Krishtit, apostujt vazhduan të predikojnë në Jeruzalem. Megjithatë, ideja që Jezusi kish qenë Mesia i shumëpritur nuk i pushtoi tërësisht hebrenjtë. Përkundrazi, apostujt u penguan kaq shumë saqë u detyruan të shkojnë të predikojnë në Lindjen e Mesme, për të tjerë veshë. Pikërisht, këtu Mesia nisi të konsiderohet si shpëtimtar i të gjithë njerëzve. Funksionoi, dhe komunitete të quajtur "kisha" - nga greqishtja ekklesia, "asamble" - u shfaqën në qytete të ndryshëm të Azisë së Vogël, në Afrikë dhe në Europë. Kështu që, mbërritën në qendrën politike të asaj kohe: gojëdhëna siguron që Pjetri erdhi në Romë diku rreth vitit 42.
Caput Mundi
Jeta në kryeqytet nuk ishte e lehtë: të krishterët persekutoheshin për arsye se refuzonin të adhuronin perënditë romake. Vetë Pjetri u arrestua dhe u dërgua në cirkun e Neronit, një arenë e përdorur për garat e karrocave me kuaj dhe për ekzekutimet e tradhëtarëve, e ndërtuar në një zonë kënetore në periferi të Romës. Zona njihej si Vatikanus. "Sipas shkrimtarit latin Aulio Gellio, emri i rrethinës vatikane dhe perëndisë etruske që e udhëhiqte buronte nga "vaticinii" hyjnorë", shpjegon Claudio Rendina, ekspert i historisë së Vatikanit dhe autor i librit "Papët. Histori dhe sekrete". Për një tjetër historian, Varrone, perëndia etruske ishte mbrojtës i "vagiti" të fëmijëve, prej nga vjen edhe emri".
Në këtë vend misterioz u kryqëzua dhe u varros Pjetri. Por, i kujdesshëm siç ishte, ai e kishte zgjedhur tashmë një pasardhës, Linon, një romak i konvertuar në të krishterë, për të cilin nuk dihet pothuajse asgjë përveç emrit. Dhe kështu, autoriteti i Pjetrit u transmetua nga brezinë brez, nga papa në papë, deri sa u mbërrit tek Benedikti XVI, papa i 265 roman.
Primati
Shkurt, ja teza e primatit të Romës, në bazë të të cilit peshkopët romakë do të ishin përfaqësues të ligjshëm të Krishtit. Në të vërtetë, shumë studiues dyshojnë që Pjetri ka qenë një shef absolut, sepse në origjinë të tij krishtërimi nuk kishte hierarki të ngurta. "Ndërkohë, në Romë komuniteti ishte tashmë i organizuar, pavarësisht se ekzistonte prej pak vitesh", thotë Rendina. "Në kohën e Linos, mund të mbështetej në dhjakë, meshtarë dhe peshkopë". Kur, në vitin 312, perandori Kostandin u konvertua dhe feja e persekutuar u shndërrua në të preferuarën e shtetit, hierarkia e Kishës së Romës u konsolidua, donacionet e perandorëve e pasuruan dhe pushteti ra në duart e peshkopit, i cili deri atëherë ishte respektuar si i parë mes të barabartëve ndër shefat e komuniteteve kristianë. Në fundin e shekullit të Tretë mori emrin Papë, në greqisht 'baba", shenjë që konsiderohej superior ndaj peshkopëve të tjerë. Një lloj versioni spiritual i Perandorit.
Rrëmuja e Mesjetës
Në gjysmë dritën e dhomës, një burrë shkruajti veprën e tij të parë. Përdor një penë, bojë të zezë dhe fletë papirusi apo pergameni. Data nuk është e sigurtë, jemi diku rreth vitit 750. Një adresë e mundshme është pallati i Lateranos. Autori duhet të jetë një farë Kristofori, sekretar i Ppapës Stefani II. E vetmja siguri i përket veprës: është "Donacioni i Kostandinit", mashtrimi më i arrirë i historisë.
Për të kuptuar rëndësinë e këtij dokumenti duhet të kthehemi pas në kohë. Gjatë shekullit V, pjesa perëndimore e perandorisë romake ishte pushtuar dhe shkatërruar nga tributë e barbarëve. Në vitin 476 Roma u pushtua. Në konfuzionin e luftës, papati ishte i vetmi institucion i organizuar që mbijetoi (Papa Leoni I i Madhi kish shfrytëzuar genet diplomatike për të nxjerrë të paprekur Vatikanin nga kjo fazë e vështirë). Kur situata u normalizua, Kisha u bë padrone e padiskutuar e një prej monopoleve më të fuqishëm, ndërgjegjes.
Në fillim të mesjetës, besimtarët e krishterë ishin të vetmit europianë të shkolluar. Duke furnizuar me këshilltarë dhe legjislatorë mbretëritë që po krijoheshin, Kisha shtriu ndikimin e saj tek sovranët barbarë, që nisën të konvertohen në vitin 508: i pari ishte Klodoveo, mbret i frankëve që dërgoi të bekohen me ujë të shenjtë ushtrinë e tij.
Autori i Donacionit të Kostandinit ndoshta i përkiste një klase të veçantë eruditësh të klerit: kjo seri falsifikuesish që, mes shekujve VI dhe IX punonin në zyrat e Papës ndryshonin apo krijonin dokumenta për të forcuar pozicionin e peshkopëve romakë. Donacioni ishte një e mesme mes një dëshmie dhe një testamenti, firmosur hapur nga Kostantini në vitin 325. Teksti rrëfen se Perandoroi, i shpëtuar mrekullisht nga lebra pas lutjeve të Papë Silvestrit, në shenjë mirënjohje emëroi Papë trashëgimtarët e tij ligjorë: "Atyre u lë kurorën mbretërore dhe qeverisjen e të gjithë rajoneve të Perëndimit, tani e përgjithmonë".
Aleancë perandorake
Përgjatë të gjithë Mesjetës, donacioni pranohej si i vërtetë dhe i padiskutueshëm nga jo më pak se dhjetë papë për të forcuar pushtetin e tij politik. Shumë historianë këmbëngulin se, dokumenti është përdorur deri në 754. Atë vit, Stefano II shkoi tek Pipino, mbret i fankëve. Papa kërkonte ndihmë për të transformuar Romën dhe zonat rrethuese në territor të Kishës, pasi në dy shekujt e mëparshëm kryeqyteti ishte fundosur dhe dominuar nga Eruli, Goti, Bizantini dhe Longobardi. Pipino, ngjitja në fron e të cilit ishte kontestuar nga pretendentë të tjerë, kërkonte nga ana e tij që të ligjëronte pushtetin që kishte.
Stefano i paraqiti Donacionin Pipinos, si provë e autoritetit të Papëve. Mund të duket e çuditshme, por pushtuesit kishin një përzierje nderimi dhe frike për armikun e tyre të vjetër, perandorin romak. Mbretërit barbarë ëndërronin që të përsërisnin veprimet e perandorëve të lashtë, mes të cilëve Konstantini ishte ndër më të adhuruarit. Pas konsakrimit të kurorës nga ana e Papës, Pipino u nis për në Itali, përzuri longobardët që dominonin vendin dhe e transformoi një zonë të Italisë Qendrore, me qyetin e Romës në territor të pavarur të pretenduar nga Kisha. Të gjithë banorët e atyre rajoneve u bënë nënshtetas të papëve, filluan t'u paguajnë atyre taksa si dhe të gjykohen dhe qeverisen nga Kisha.
Padronë të botës
Në fund të vitit 1000, Europa ishte në gjunjë. Me shpatën e katolikëve dhe zellin e misionarëve, krishtërimi kishte unifikuar kaleidoskopin e Perëndimit në një komb të madh shpirtëror. Megjithatë, në Azi autoriteti i Papës nuk njihej. Patriarku i Kostandinopojës, Stambolli i sotëm, konsiderohej po aq i rëndësishëm sa edhe kolegu i tij italian. Veç të tjerash, kishte edhe disa mosmarrëveshje që lidheshin me doktrinën dhe me liturgjinë romake, si beqaria dhe mesha në latinisht. Mosmarrëveshja shpërtheu në vitin 1054, kur Papa Leoni IX dhe patriarku Michele I Cerulario ndërprenë komunikimet duke i vështirësuar edhe më tej marrëdhëniet. Në Lindje u krijua Kisha ortodokse, ndërkohë që Kisha romane u shpall unike, e shenjtë, apostolike dhe katolike (nga greqishtja katholikos, që do të thotë universale).
Kundërshtari tjetër i papës u manifestua në formën e një ish-aleati. Në atë kohë, siguria e shtetit papnor garantohej nga trupat e Perandorisë së shenjtë Romake, themeluar nga biri i Pipinos, Karli i Madh. Në këmbim të mbrojtjes, perandorët ushtronin një ndikim shumë të madh tek papët. Praktikisht, udhëheqësi i krishtërimit ishte një buratin në duart e tyre. Por në vitin 1073, ishte një papë që vendosi të ndryshojë rregullat e lojës. I shkurtër në staturë dhe me zë të mekur, Gregori VII kishte një temperament të zjarrtë e të rrëmbyer, që bëri edhe t'i vinin nofkën "Satanai i Shentë". Në një dekret të famshëm, ai vendosi jo vetëm që papët kishin të drejtë të vendosnin një sovran, por edhe ta shkarkonin dhe dëbonin atë. Dhe pohoi se papa ishte jo vetëm kreu i Kishës, por "Padron i botës". Kjo gjë zemëroi shumë Henrikun IV, sovran i Perandorisë së shenjtë Romane. Pa e zgjatur shumë, Gregori e shkishëroi.
Shkishërimi ishte një instrument i fuqishëm. Të shkishëruarit nuk i lejohej që të hynte në Kishë dhe të merrte sakramentët. Në një epokë kur jeta e përditshme ishte e mbushur me fenë, ndëshkimi ishte tmerrësisht i rëndë. Në dimrin e vitit 1077, Henriku IV shkoi që të kërkojë falje në portat e kështjellës së Kanosës, në Apeninet Emiliane, ku ndodhej papa. "Satanai i Shenjtë" e detyroi të presë tre ditë në rrugë, në mes të dëborës, përpara se ta takonte.
Hegjemonia
Me Grigorin VII, Kisha kaloi nga mbrojtja në sulm. Nëse më parë papët kishin nevojë për mbrojtje, tashmë ishin gati të pushtonin botën përmes kryqit dhe shpatës. Një provë e mëtejshme u dha në 1095, kur Urbani II kërkoi që të krishterët të marshonin drejt Lindjes së Mesme për të "çliruar" Jeruzalemin, që qeverisej prej myslimanëve qysh prej shekullit VII. Afro 25 mijë pelegrinë dhe luftëtarë të krishterë nisën të shkruajnë një prej faqeve më brutale të historisë: kryqëzatat. Pas pushtimit të Jeruzalemit, në 1099, pothuajse të gjithë hebrenjtë dhe myslimanët e qytetit u masakruan. Në 200 vitet që pasuan, edhe tetë kryqëzata të tjera u drejtuan për në Tokën e Shenjtë.
Një shekull pas Grigorit VII, në 1198, hipi në fron Inoçenti III, ndoshta papa më autoritar i të gjitha kohërave. Kisha ishte tashmë një fuqi ushtarake, e aftë të dërgonte kudo ushtritë e saj si dhe një institucion shumë i pasur. Fshatarë dhe artizanë europianë ishin të detyruar që të derdhnin në arkat e saj një të dhjetën e të ardhurave të tyre. Bollëku eklesiastik u rrit në atë masë saqë të shkaktonte skandal: në jug të Francës erdhi e u zhvillua një lëvizje heretike e quajtur katarizmi, e cila mohonte autoritetin e Papës dhe e konsideronte atë si birin e djallit. Inocenti III reagoi dhunshëm. Në vitin 1209, shpalli një luftë të shenjtë kundër katarëve: fshatra të tërë u dogjën dhe banorët u masakruan. Për të fshirë atë që mbetej nga heretikët, Gregori IX, pasardhësi i Inocentit krijoi në vitin 1233 Inuizicionin e Shenjtë, një lloj gjykate fetare që kishte pushtetin të inkriminonte, përndiqte dhe dënonte armiqtë e Kishës. Me kalimin e kohës, Inkuizicioni dhe Zyra e Shenjtë u përhapën në vende të tjerë dhe nisi të persekutojë jo vetëm katarët, por të gjithë ata që nuk pajtoheshin me fenë katolike (hebrenj, shkencëtarë, homoseksualë...)
Rënie me elegancë
E megjithatë, mes shekujve XIII dhe XV ëndrra e Kishës për hegjemoni erdhi e u venit. Kryqëzatat rezultuan një fiasko: në vitin 1291 europianët u dëbuan përfundimisht nga sulltanët myslimanë. Në Europë, delirët absolutistë të Vatikanit provokuan rebelimin edhe të klerit. Lorenco Vala, prift dhe filolog në vitin 1440 provoi se Donacioni i Konstantinit ishte fals. Vala demonstroi se dokumenti ishte plot me gabime historike dhe papajtueshmëri gjuhësore.
E pësoi edhe prestigji spiritual i Selisë së Shenjtë: shkishërimet humbën efikasitet dhe disa mbretër filluan të largohen prej papëve. Ndërkohë, instruksioni dhe arsimimi nuk ishte më monopol i klerit: lindën universitete në të gjithë Europën dhe lulëzuan shkencat dhe artet. Kishte mbërritur Humanizmi.
Ndikimi global i papatit u zbeh, por papët mbetën sovranë të fuqishëm dhe të pasur brenda shtetit të tyre. Dhe pak nga pak, jeta e bukur nisi të korruptojë kostumet e Kishës. Beqaria ishte tashmë një detaj që mund të fshihej dhe Roma u zhyt në një jetë të ëmbël shumë luksoze. Karriera fetare u bë tashmë një magnet për oportunistë që ishin të interesuar vetëm për të mirat që ofronte Kisha. Shembulli maksimal ishte Rodrigo Borgia, i zgjedhur papë në vitin 1492 falë shumës së parave që u shpërndau zgjedhësve (të rënda vërtetë: katër mushka të ngarkuara me florinj). I bukur dhe joshës, Aleksandri VI kishte të paktën dy dashnore fikse, organizonte festa të mëdha në pallatin apostolik dhe kishte shumë bij të pranuar prej atij vetë.
Pavarësisht reputacionit të keq, papët e Rilindjes ditën që të përdorin të ardhurat dhe pasurinë për të lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme kulturore. Krijuan biblioteka, ngritën monumente dhe e transformuan Romën në një qytet të mrekullueshëm për syrin. Papa më shumë i dhënë pas arteve ishte Xhulio II. Por ishte pikërisht ekstravaganca e tij që shkaktoi krizën më të rëndë të historisë së Kishës. Në vitin 1505, Xhulio II inauguroi kantierin për rikonstruksionin e bazilikës së Shën Pjetrit, që po rrënohej. Për të financuar punimet fuqizoi tregun e "faljeve", domethënë pagesat që kryheshin për të siguruar faljen e mëkateve. Ishte pika e ujit që përmbysi vazon: që nga ai moment e brenda disa vitesh, murgu gjerman Martin Luter kishte botuar 95 tezat me anë të të cilave denonconte korrupsionin e Kishës. Ishte akti i lindjes së Reformës protestante. Shumë shpejt, të krishterët e Gjermanisë, Vendeve të Ulëta dhe Europës Qendrore mohuan autoritetin e papës dhe supremacinë e Romës. Kontinenti i vjetër u zhyt në dy shekuj luftëra fetare.
Frikë nga moderniteti
Megjithatë, ditët më të këqia për Kishën ende nuk kishin ardhur. Në shekullin XVIII, në Europë lulëzoi Iluminizmi, lëvizja filozofike që vendoste arsyen dhe shkencën në qendër të botës, si dhe vinte në dyshim vlerën absolute të fesë dhe të traditës. Disa mendimtarë, si francezi Volter pohonin se të gjithë njerëzit lindin të barabartë dhe kanë të drejtë të zgjedhin fenë e tyre. Kjo mënyrë e re e të menduarit kaloi më pas nga intelektualët, tek masat: në vitin 1789, Revolucioni Francez çoi në gijotinë privilegjet (dhe disa koka) të klerit dhe shpronësoi disa pasuri të Kishës. Po konsumohej kështu, në mënyrë konfliktuale, ndarja mes Kishës dhe shtetit në perëndim. Nga mbrojtës i arteve, papati po shndërrohej në armik të progresit, duke hyrë në një fazë paniku apokaliptik kundrejt modernitetit (dënoi madje edhe hekurudhën apo ndriçimin me gaz). Në shekullin XIX, me humbjen progresive të të gjithë territoreve, integriteti moral u bë tashmë flamuri i ri i Vatikanit dhe në sytë e besimtarëve papa u bë një shenjt që jeton, i padështueshëm, i pagabueshëm.
Të izoluar
Në vitin 1870 përfundoi unifikimi i Italisë dhe tashmë edhe pronat që i kishin mbetur papatit u bënë pronë e shtetit. Tridhjetë vjet më pas, pasardhësi i Pjetrit ishte në një gjendje mizerje dhe një zero politike, ndërkohë që pallatet e Vatikanit copëtoheshin përditë. Ishte pikërisht në këto kushte që papa Piu XI firmosi marrëveshjen e shumëdiskutuar në Laterano, e cila përveç një territori sovran parashikonte një donacion prej afro 90 milionë dollarësh, të cilët mjaftonin për të rregulluar llogaritë. Ishte fillimi i një ndryshimi të madh: sot, Vatikani deklaron fitime vjetore prej më shumë se 200 milionë dollarësh, duke përfshirë donacinet dhe të ardhurat nga investimet financiare. "Papa Piu XI tregoi se ishte një politikan i madh në dy momente", shpjegon Rendina. "Në fazën e parë tek realizonte "aleanca të neveritshme" me disa diktatorë si Hitleri, Franko dhe Musolini dhe në fazën e dytë kur, pasi kishte arritur qëllimin e tij, u tregua i gatshëm t'i dënojë". Praktikisht, në muajt e fundit të jetës së tij, Piu XI punoi për një fjalim për dënimin e ligjeve të racizmit, antisemitizmit dhe përgatitjeve për luftë. Por vdiq përpara se ta bënte publik, në 10 shkurt 1939.
Për pasardhësin e tij, Papa Piu XIII regjimi nazist ishte në fakt një e keqe e domosdoshme në luftën kundër një rreziku më të madh: komunizmit. "Heshtja e Piut XIII nisi në tetor 1939, të nesërmen e pushtimit të Polonisë", vazhdon Rendina. Siç thuhet në vetë Observatorin Roman të 1981, Piu XIII "nuk ushtroi diplomacinë e madhe, nuk u bëri një apel palëve ndërluftuese për t'i dhënë fund luftës... nuk bëri shkishërime dhe as nuk shpalli një denoncim solemn me listën e krimeve naziste". Mund të mbrohet vetëm nëse kujton shpëtimin e shumë hebrenjve të dërguar përmes përfaqësuesave të tij në vende të ndryshme, por kjo nuk mjafton".
Rinovuar
Në vitin 1958, vdekja e Papa Piut XIII u pasua nga një konklavë ndër më të tensionuarat e shekullit XX. Për të penguar zgjedhjen e një konservatori, kardinalët progresistë votuan në masë Anxhelo Ronkalin (Gjoni XXIII) që dukej i papërshtatshëm për shkak të moshës 80-vjeçare. Sapo hipi në fronin papnor, ai befasoi edhe liberalët, duke thirrur Këshillin e Vatikanit II. Këshillat - apo më mirë ansambletë universale të peshkopëve - ishin një shembull i lashtë demokracie. "Por shpesh herë përfundonin në luftëra të brendshme dhe pa një vendim apo zgjidhje përfundimtare", thotë Alberto Meloni, historian i Kishës. "Këshilli i Vatikanit II ishte një revolucion i vërtetë dhe jo thjeshtë një makiazh". Mes të tjerave, pranoi të drejtën e individit për të zgjedhur fenë e tij (duke hapur një kanal dialogu me fetë e tjera) dhe reformoi liturgjinë, duke braktisur meshën në latinisht.
Për fat të keq, Papa vdiq i sëmurë nga kanceri në 1963, duke ia lënë Këshillin në duar pasardhësit, Pali VI. "Por për reformat, pothuajse të 2676 etërit e Këshillit ishin dakord", përfundon eksperti. "Pavarësisht rehabilitimit kohët e fundit të ultrakonservatorëve pranë Benediktit XVI, që ka folur për 'hapa pas', fryma e Këshillit është ende gjallë".

Google+ Followers