Xhorxh Bllejk, si tradhëtoi Britaninë për t'i shërbyer Bashkimit Sovjetik


Xhorxh Bllejk lindi në 11 nëntor 1922, në Roterdam të Hollandës dhe emri i tij i lindjes ishte Georg Behar. Si fëmijë i prindërve të pasur që ishte, Xhorxh Bllejk kishte privilegjet e shkollës së mirë, një shtëpie të madhe, një të ardhmeje të shkëlqyer. Ai studioi në një shkollë private, derisa i ati, Albert Behar vdiq në 1936. Pas këtij viti, sipas amanetit të të jatit në krevatin e vdekjes, ai u dërgua në një shkollë ekskluzive angleze në Kajro të Egjiptit. Kjo për arsyen se në të kaluarën, Albert Behari, biri i një familjeje çifute i ishte hequr e drejta e trashëgimisë ngaqë ishte martuar me një hollandeze të krishterë, Katherin Bajderfelen, nënën e Xhorxh Bllejkut. Jeta e Albert Beharit ishte e mbushur me rreziqe dhe aventura. Ai kishte shërbyer në Legjionin e të Huajve francezë si dhe në ushtrinë angleze. Më pas ai u mor me biznes në Roterdam, ku për disa kohë ishte shumë i suksesshëm. Biznesi filloi të humbiste para pak kohë para se Albert Behar të vdiste i sëmurë rëndë. Albert Behar iu lut të motrës, e cila ishte në Kajro të kujdesej për të birin pas vdekjes së tij. Kur Albert Behari vdiq, i biri, Xhorxh u dërgua në moshën 13-vjeçare në Kajro pranë hallës së vet dhe burrit të saj të pasur, një bankier me emrin Henri Kyriel i Vjetri. Këta e rritën Bllejkun me të gjitha të mirat, duke e dërguar në një shkollë angleze, ku ai mësoi të fliste anglisht me theks të pastër britanik.
Henri Kyriel i Riu, i biri i bankierit dhe kushëriri i Bllejkut u bë shoku i tij më i ngushtë dhe burim i fortë influence. Kyriel i Riu më vonë themeloi Partinë Komuniste të Egjiptit dhe më pas u largua për në Paris ku u bë pjesëmarrës aktiv i disa lëvizjeve terroriste si dhe i KGB-së, derisa u vra nga vrasës të panjohur në 1978. Në 1938, Bllejku u kthye në Hollandë për të mbaruar shkollën e mesme në Roterdam. Invazioni gjerman në 1940 e gjeti atë në bankat e shkollës. Pasi e ëma dhe 2 motrat e tij nga frika e persekutimit nazist si çifutë, u larguan për në Angli, Bllejku si patriot i vendosur, ndenji në Hollandë që të aktivizohej në rezistencën hollandeze. Ai u arrestua nga Gestapo dhe u dërgua në një kamp internimi, nga i cili u arratis pas pak ditësh. U kthye tek shokët e tij të rezistencës antinaziste, të cilët e ndihmuan të arratisej në Francë fillimisht dhe më pas për të kaluar Pirenenjtë për në Spanjën neutrale. Nga Spanja ai i hipi një treni dhe arriti në Londër. Gjatë kohës që qëndroi në Angli, refugjati hollandez, ndryshoi emrin e tij nga Georg Behar në Xhorxh Bllejk dhe u fut në Marinën Mbretërore. Meqë zotëronte shkëlqyeshëm disa gjuhë të huaja, ai u pranua menjëherë në SOE (Special Operations Executive), organizatë e cila dërgonte spiunë në shtetet evropiane të pushtuara nga nazistët, të cilët bashkëpunonin me rezistencën vendase. Por për habi të Bllejkut, meqë ai ishte shumë i vyer si linguist, nuk u dërgua në operacione aktive, por iu dha një detyrë si përkthyes dokumentesh në një zyrë në Londër. Pas zbarkimit të aleatëve në Normandi në 6 qershor 1944, Bllejku u dërgua në shtabin qendror të forcave speciale aleate ku punoi si përkthyes i dokumenteve sekrete gjermane që kishin rënë në duart e aleatëve. Pas lufte, Bllejku u dërgua në Hamburg të Gjermanisë, në krye të një njësie zbulimi për të gjetur komandantë të nëndetëseve gjermane, që pas lufte ishin përzier me popullsinë vendase. Pas këtij misioni që e kreu me sukses, ai u thirr në Angli, ku u lirua nga detyrat e Marinës Mbretërore,e cila e rekomandoi për një punë në Ministrinë e Jashtme si shpërblim për aktivitetin e shkëlqyer gjatë LIIB. Fillimisht, Bllejku studioi për rusisht në Kembrixh. Në 1947 ai mori nënshtetësinë britanike. Kur mbaroi studimet, u pranua dhe zyrtarisht si anëtar i Ministrisë së Jashtme. U emërua si nën-konsull në Ambasadën britanike në Seul, në Korenë e Jugut, ku Bllejku punoi për të ngarkuarën me punë të posaçme, Vivian Holt. Kur plasi lufta e Koresë, në 1950, trupat komuniste koreano-veriore pushtuan Seulin dhe burgosën përveç të tjerëve dhe të gjithë të huajt, diplomatë apo jo, përfshi Holt dhe Bllejk. Megjithëse ekzistonin marrëveshje diplomatike që ndalojnë arrestimin dhe burgosjen e diplomatëve, Korea e Veriut, refuzoi t'i lironte diplomatët. Përveç kësaj, ai iu nënshtrua teknikave të ndryshme për lavazhe truri. Megjithëse shokëve të tij të vuajtjeve, diplomatëve të tjerë anglezë, Bllejku u dukej si një person kurajoz dhe i papërkulshëm, komunistët arritën që ti cenonin bindjet e tij nëpërmjet lavazhit sistematik të trurit. Në një incident që ndodhi pak kohë pasi Bllejku u arratis nga kampi i internimit, por u kap përsëri, ai u vendos para skuadrës së pushkatimit. Koreanët donin ta pushkatonin si spiun, por në momentin e fundit, Bllejku bërtiti në rusisht: "Nuk jam spiun, jam civil dhe jam diplomat anglez. Ika nga kampi i Man-po dhe humba rrugën!"
Për fat të Bllejkut, oficeri koreano-verior që komandonte skuadrën e pushkatimit dinte rusisht dhe kur e dëgjoi Bllejkun të bërtiste në rusisht, ndaloi pushkatimin. Më pas e mori mënjanë dhe të dy folën në rusisht për filozofinë komuniste. Oficeri e dërgoi pas bisedës Bllejkun përsëri në kamp, duke e paralajmëruar që të mos bënte më tentativa për arratisje. Skenari i "skuadrës së pushkatimit" sigurisht mund të ketë qenë i inskenuar nga komunistët, për t'i bërë të dukeshin humanë dhe të kuptueshëm, duke fituar në këtë mënyrë besimin e Bllejkut dhe mirënjohjen e përjetshme që ata që i dukeshin si armiq, i kishin falur jetën. Kjo ishte një pikë kyçe në jetën e Bllejkut. Pasi u lirua në 1953, Bllejku kërkoi që Ministria e Jashtme ta transferonte tek MI6, në mënyrë që ai të përmbushte ambicien më të thellë të tij, të bëhej agjent sekret. Biografia e tij si rob lufte që u rezistoi komunistëve me kurajo, si dhe shërbimi i shkëlqyer gjatë LIIB, në kombinim me njohuritë linguistike të tij, e bënë që ai të kualifikohej menjëherë. MI6, që në praktikën e saj shumëvjeçare e kishte si rregull të padhunueshëm që të gjithë oficerët e tij të ishin me të dy prindërit anglezë, për rastin e Bllejkut bënë një përjashtim, përjashtim i cili do t'u kushtonte shumë rëndë më vonë. Pasi u anëtarësua në shërbimin sekret britanik, ai do të bëhej agjenti që shiti më shumë informacione pas Kim Filbit.
Xhorxh Bllejk shkoi në vitin 1953, në detyrë si oficer i MI6 (Shërbimi Sekret i Britanisë së Madhe). Gjatë gjithë kësaj kohe dhe derisa ai u ekspozua nga një agjent i dyfishtë gjerman, ai do t'i shërbente KGB-së me besnikëri, duke identifikuar më tepër se 40 agjentë perëndimorë brenda sovjetikëve. Shumica e këtyre agjentëve u pushkatuan ose thjesht u zhdukën nga rusët, përfshi këtu dhe mjeshtrin e shkëlqyer të spiunazhit, Robert Bialek. Kur u dërgua me detyrë në Berlinin Perëndimor në 1955, misioni i Bllejkut ishte të infiltronte operacionet sovjetike të spiunazhit. Ai duhet ta luante pjesën si agjent i dyfishtë që gjoja do t'u shiste sekrete sovjetikëve për para, sekrete të cilat ishin të gjitha të "kurdisura" nga Perëndimi. Në këtë mënyrë, ai do të identifikonte spiunët sovjetikë dhe rrjetin agjenturor të tyre. Por në realitet, Bllejku bënte lojë të trefishtë. Jo vetëm që u jepte sovjetikëve dhe KGB-së sekretet e aprovuara nga MI6, gjoja duke tradhëtuar Perëndimin, por ai u jepte dhe sekrete të tjera, kryesisht identifikonte spiunë perëndimorë në Gjermaninë Lindore.
Rrjedhja e informacionit
Çdo sekret që ndodhej në zyrat e MI6 në Berlinin perëndimor, fotografohej nga Bllejku dhe u jepej agjentëve dhe kontakteve të tij të KGB-së. Ai thjesht fshihej në një cep të zyrës derisa ato mbylleshin në mbrëmje dhe më pas fillonte punë i qetë për të fotografuar dokumente. Dëmi më i madh që bëri si spiun i sovjetikëve ishte zbulimi tek shefat e tij të KGB-së i ekzistencës së tunelit të Berlinit dhe të gjithë operacionit të përbashkët të CIA-s me MI6, "Operacionit Gold" për përgjimin e linjave telefonike të ushtrisë sovjetike dhe të diplomatëve komunistë. Si pasojë e tradhëtisë së Bllejkut, operacioni i spiunazhit perëndimor, deri atëherë i suksesshëm, përfundoi me shembjen e tunelit nga KGB-ja. Bllejku nuk u ekspozua si informator i sovjetikëve në 1959, por u shqetësua kur mësoi në këtë vit se Horsht Ajtner, i cili punonte për spiunazhin gjermano-perëndimor të Gehlenit dhe si Bllejku ishte dhe ai i ngarkuar nga perëndimorët të bënte lojë të dyfishtë, mund ta ekspozonte atë si agjent të trefishtë për llogari të sovjetikëve. Bllejku u kërkoi eprorëve të tij të MI6 që pas tri vjetësh spiunazhi të intensifikuar ta kthenin në Londër. Por ata refuzuan duke i thënë se ai ishte shumë i vyer në Berlin, për t'u transferuar që andej. I dëshpëruar, ai u shkroi eprorëve të tij se rrezikohej të zbulohej roli i tij si agjent i dyfishtë nga sovjetikët dhe se këta mund ta rrëmbenin për ta çuar në Berlinin Lindor për ta pushkatuar, fat të cilin Bllejku në të vërtetë ua kishte rezervuar disa dhjetëra vetave. Pas shumë kërkesash të tij, MI6 e ktheu në Londër dhe më pas e dërgoi në shkollën e gjuhës arabe në Shemlan, në afërsi të Bejrutit në Liban.
Arrestimi i agjentit
Roli i vërtetë i Bllejkut doli pas dezertimit të oficerit të spiunazhit polak tek CIA, Golinievskit. Para se të dezertonte, Golinievski nuk pranoi të intervistohej, as të dorëzohej tek anglezët, sepse e konsideronte se shërbimi i tyre sekret ishte i penetruar keqas nga rusët. Mbas dezertimit të tij, ai i paraqiti dokumente CIA-s që konfirmonin frikën e tij se MI6 angleze ishte shumë sensitive dhe vërtetonin praninë e Bllejkut si agjent të sovjetikëve. Pasi këto të dhëna u konfirmuan dhe nga Horsht Ajtneri, CIA lajmëroi MI6 aleate se në gjirin e saj gjendej një agjent i sovjetikëve. MI6 u shokua kur mësoi të vërtetën dhe bëri çmos që Bllejku mos t'i ikte nga duart dhe të kalonte në BS. Ata dërguan një mik të tijin në Liban, i cili i sugjeronte Bllejkut një punë zyre me pagë të lartë në Londër. Kur Bllejku u kthye në Angli për një intervistë të zakonshme pune, u arrestua në aeroportin e Hithrout sapo këmba e tij shkeli në tokën angleze.
Pas shumë orësh të gjata hetimi dhe pyetjesh, Bllejku pranoi se ai kishte qenë agjent i trefishtë dhe se si kishte ofruar KGB-së çdo gjë që ai dinte. Më tepër akoma, ai pranoi se kishte përqafuar komunizmin si ideologji në fillim të 1953 dhe se planifikonte të punonte për rusët gjatë kësaj kohe në vazhdim. Pas Kim Filbit, Bllejku ishte agjenti i cili i bëri më tepër dëm MI6 në vitet e Luftës së Ftohtë. Gjyqi i Bllejkut u bë i mbyllur, madje u mbajt sekret. Shumë pak detaje dhe hollësi janë të njohura akoma dhe sot e kësaj dite. Ai u dënua me maksimumin e 14 vjetëve për çdo akuzë kundër tij, gjithsej 42 vjet. Por ai do të kryente vetëm 6 vjet nga të gjitha këto vite dënimi.
Dënimi i Bllejkut
I dërguar në burgun e Uormvud Skrabsit, Bllejku pati një sjellje shembullore dhe ishte i burgosur model. I qeshur dhe i afruar me të burgosurit e tjerë, ai u thoshte gjithnjë se do të dilte së shpejti nga burgu. Bllejku kishte bërë plane për t'u arratisur së bashku me një të burgosur tjetër, një irlandez të quajtur Shon Berk. Në 22 tetor 1967, Bllejku thjesht shkelmosi hekurat e ndryshkura të dritares së burgut të vjetër dhe doli nga dritarja për të qenë i lirë. Pasi kapërceu një mur, doli në rrugë, ku e priste një makinë me Shon Berkun si shofer, i cili ishte liruar disa ditë më parë.
Bllejku dhe Berku u fshehën për disa javë në Angli dhe më pas u dërguan kontrabandë nga KGB-ja në Moskë. Ndërsa Berku u kthye nga Moska për në Irlandë, Bllejkut iu dha një punë zyre në KGB. Arratisja e tij, ndonëse u komentua nga shtypi perëndimor se ishte organizuar nga KGB-ja për të liruar njeriun e tyre duke i dhënë një grusht të fortë spiunazhit perëndimor, në fakt ishte më tepër si pasojë e masave të dobëta të sigurimit sesa "komplot" i KGB-së. Bllejku u arratis vetë nga burgu, ashtu siç kishte bërë disa herë më parë në jetën e tij.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers