Tim Berners-Lee


Profesori i qetë, që shpiku internetin



Ai është njeriu që e ka ndryshuar botën më shumë se kushdo tjetër gjatë 100 viteve të fundit. Sir Tim Berners-Lee mund të jetë një akademik me mënyra sjelljeje shumë të buta e të qeta, që bën një jetë modeste në Boston, por si shpikësi i “World Wide Web” (Internetit), ai është gjithashtu një revolucionar. Së bashku me Galileo Galilein, William Caxton dhe Sir Isaac Newton, ai është një nga shkencëtarët që ka ndryshuar mënyrën e të menduarit të njerëzve, sikundër edhe mënyrën e të jetuarit.
Që kur rrjeti u bë global, 20 vjet të shkuara, është transformuar plotësisht mënyra se si ne bëjmë pazar, komunikojmë me njerëzit tanë, dëgjojmë muzikë e kështu me radhë. Sigurisht që ndikime të mëdha nga kjo shpikje ka pasur politika, letërsia, ekonomia e madje edhe terrorizmi, sepse një individ tashmë mund të ketë të njëjtin akses në informacion, si edhe elita, gjë e paimagjinueshme dikur. Të gjithë e dinë mirë se pas shpikjes së internetit, shoqëria ka ndryshuar në një mënyrë revolucionare dhe ky është një ndryshim që pëson zhvillime përditë. Shkencëtari i kompjuterëve nga Oksfordi, që ndërtoi kompjuterin e tij nga ekrani i televizorit dhe disa pjesë mekanike që kishin dalë jashtë përdorimit, është një guru kulturor dhe teknologjik njëherazi. “Është e mrekullueshme ajo që ndjejmë kur shohim se sa larg kemi shkuar, por gjithmonë e dimë se shumë shpejt do të dalë në treg një tjetër ide e çmendur, që do të na e ndryshojë mënyrën e jetesës. Sigurisht, interneti është një zhvillim i jashtëzakonshëm në jetët tona dhe do të vazhdojë të jetë i tillë, me kusht që të jetë gjithmonë i hapur dhe i lirë për të gjithë”, thotë Tim. Po cila ka qenë nxitja më e madhe, shtysa magjike, që e bëri t’i jepte jetë shpikjes së shekullit? “Unë kam qenë që në fëmijëri një njeri kurioz dhe ëndrra ime ishte që të kisha një kuti brenda së cilës të mund të gjeja të gjitha përgjigjet e pyetjeve që më shqetësonin dhe më lindnin. Kjo ishte ideja fillestare që më nxiti të mendoja për një makineri brenda së cilës do të ndodheshin hapësirat dhe kutizat e informacioneve dhe shumë më tepër se kaq. Ishte një imagjinatë që e shndërrova në koncept e më pas në një realitet. Sot, kur shoh ‘Google’, ‘Facebook’ e të tjerë motorë kërkimi e rrjete sociale, më pëlqen shumë fakti se ideja ime ka evoluar jashtëzakonisht”. Megjithatë, sipas Tim, bota në të cilën jetojmë është ende shumë e ngadalshme në lidhje me thithjen dhe absorbimin e mundësive të pafund që i ka ofruar shpikja e tij. “Njerëzit në përgjithësi nuk kanë shumë iniciativë dhe ajo që ne e quajmë ‘turmë’, shpesh i pret direktivat nga ‘lart’. Koha në të cilën po jetojmë, është një kohë e mbushur me eksperimente nga më të ndryshmet për të gjetur sisteme të reja sociale, të cilat të arrijnë t’u përgjigjen pyetjeve që na kanë munduar gjithmonë si: Ku dhe çfarë të besojmë? Çfarë duhet të bëjmë në këtë moment të caktuar? Përse jemi këtu?... E të tjera”.
Përpjekja më e fundit së cilës i është kushtuar shkencëtari i qetë e modest, është ajo e bindjes së qeverive për t’i bërë publike shumë nga të dhënat që kanë. “Kam qenë për darkë me Kryeministrin e Britanisë dhe në një moment ai më pyeti: Çfarë duhet të bëjmë me internetin? Hidhini të dhënat qeveritare në rrjet. Ai pranoi dhe, si përfundim, tashmë në rrjet çdokush mund të gjejë shumë të dhëna në lidhje me funksionimin e një shteti si Britania e Madhe dhe kjo për shumë fusha specifike. Këtë të hënë, Kryeministri britanik do të publikojë planet që ka për të transformuar marrëdhënien mes qytetarit dhe shtetit. Sipas Tim, aktualisht situata mund të konsiderohet fare mirë një “prag-revolucion” në korridoret e pushtetit. Tashmë janë hedhur në rrjet 3000 dosje të dhënash, që më parë ishin pronë vetëm e qeverisë britanike dhe bëhet fjalë për çështje të tilla si krimet, të dhënat për emetimet e gazeve të dëmshëm për ambientin e të tjera si këto. Sigurisht që nuk bëhet fjalë për të dhëna personale, por për informacione që tregojnë në përgjithësi funksionimin e gjërave dhe situata të caktuara. Kështu, për shembull, pagesa e taksave nga individë të caktuar është diçka personale, por ndërkohë jepet informacioni në lidhje me rastet e evazionit fiskal në qytete të caktuara e të dhëna të tjera përgjithësuese e tipizuese. Një hap shumë i rëndësishëm, sipas Tim, është edhe ofrimi i shërbimeve qeveritare online. Kësisoj barrierat mes publikut dhe qeverisë do të binin me më shumë shpejtësi. “Është një pafundësi shërbimesh që mund të kryhen online dhe ky do të jetë një hap i ri në revolucionarizimin e një marrëdhënieje që për shumë kohë ka qenë e ngurtësuar. Jam i bindur që do të vijë një moment kur nuk do të kemi më nevojë që të shkojmë nëpër zyra të ndryshme për të kryer shërbimet që kemi nevojë, sepse gjithçka mund ta arrijmë nëpërmjet rrjetit”. Por deri ku mund të shkojë një ndryshim i tillë? A do të vijë dita që mjekët të japin konsultat e tyre mjekësore për pacientët përmes internetit? A do të mbyllen shkollat në favor të mësimeve që nxënësi mund t’i marrë nga kompjuteri i shtëpisë? Sipas tij, asgjë nuk është e pamundur. Për shembull, në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, ku Tim jep mësim, shumë kurse janë online, por për sa u përket fëmijëve, ai është i mendimit që në këtë rast ata kanë nevojë për kontaktin njerëzor. Për një fëmijë është shumë e rëndësishme që një i rritur, në këtë rast mësuesi, t’i flasë për gjërat e reja që kërkon të zbulojë. Pyetja interesante që vjen në këtë rast është se deri në çfarë përmasash është duke e ndryshuar shoqërinë interneti. “Unë e kam thënë dhe e përsëris vazhdimisht, se është shumë e rëndësishme që të ruhet dhe kultivohet marrëdhënia e drejtpërdrejtë njerëzore. Njerëzit kanë grupe të ndryshme miqsh, por rrjeti të jep mundësinë që të jesh pjesë e një grupi që mund të mos jetë gjeografikisht pranë teje. Ti mund të flasësh me orë të tëra me dikë që ndodhet në cepin tjetër të botës, sikur ai të ishte përballë teje. Ndërsa flet me këtë njeri, që vjen nga një kulturë tjetër dhe ndoshta edhe racë, e kupton që në kontaktin e parë se sa gjëra të përbashkëta kanë qeniet njerëzore, pavarësisht vendndodhjes gjeografike, racave, gjinive, apo kulturave nga vijnë. Ky këndvështrim mendoj se është shumë pozitiv. Rrjeti i bashkon njerëzit, i afron distancat, e bën botën më të vogël dhe më të aksesueshme. Ai promovon vlerat njerëzore, paqen dhe një botë më të mirë”. Po a mendoni se interneti mund ta dëmtojë trurin e fëmijëve? “Nuk mendoj se kemi një përgjigje të saktë për këtë. Gjetja e përgjigjes është një gjë shumë e vështirë dhe për këtë duhen bërë shumë eksperimente dhe duhen ndjekur grupe të caktuara njerëzisht për një kohë të gjatë”.
Vajza e Tim ka lindur në të njëjtin vit që lindi interneti. Si prind ai sigurisht që ka shqetësimet e veta për rolin e internetit, sidomos kur sheh që fëmijët jepen me orë të tëra para ekranit të “Facebook”-ut.

Google+ Followers