Të dënuarit e kujtesës


Nostalgjikët e Benito Kraksit nuk kanë dyshime. Ata që nuk duan t'i dedikojnë një rrugë në Milano liderit socialist që u nda nga jeta dhjetë vjet më parë, i shtojnë listës së dënimeve të gjykatave edhe një tjetër dënim, mijëra vjet të lashtë: damnatio memoriae. Një "dënim i kujtesës" që përdorej kundër statujave dhe monumenteve. E praktikonin egjiptianët e lashtë, ishte në rend të ditës në perandorinë romake, ka shoqëruar çdo ndryshim regjimi dhe ka çensuruar shumë ish të fuqishëm (dhe jo) të viteve 1900.

Simbole guri

"Mekanizmi i damnatio funksionon në të gjithë shoqëtitë që themelohen mbi fuqinë e imazheve. Për këtë arsye reziston në botën bashkëkohore, e ngritur mbi kulturën e dukjes", thotë Marksiano Meloti, antropolog i botës antike në Universitetin e Milanos.

Mes rasteve më antikë është një femëror: ai i mbretëreshës egjiptiane Hatshepsut. Afro 3400 vjet më parë, statuja dhe afreske që e ekspozonin nisën të dëmtohen dhe dorëshkrimi me emrin e saj në hieroglifë u hoq nga lista e faraonëve. Përse? Për të çrrënjosur kujtimin e saj. Nga kush? Autori numër një, deri disa vite më parë ishte Tutmosi III. Nip i mbretëreshës, arriti të hipë në fron vetëm pas njëzetë vitesh mbretërimi absolut të Hatshepsutit. Mendohet që për t'u hakmarrë, ai u përpoq të fshijë çdo gjurmë të hallës.

Zbulime të kohëve të fundit në Luginën e Mbretërve, në Egjipt, bëjnë megjithatë të mendosh se sulmi ndaj statujës ka ndodhur kur Tutmosi ishte mumje tashmë. Ja autori i dytë i mundshëm: për egjiptologen franceze Kristianë Desrosh Nobëlkur, ai që u përpoq të fshijë mbretëreshën nga analet egjiptiane ishte kleri i Abidos, "qyteti i shenjtë" i Perëndisë Osiridi. Mbretëresha kishte preferuar të sponsorizonte kultin e Amonit, duke orientuar kështu lumenj besimtarësh (dhe burimesh) drejt rivales Karnak. Por ka ndoshta edhe një të vërtetë të tretë. Në Egjipt ndodhte shpesh që të zëvendësoheshin, në monumente, dorëshkrimet e një faraoni të vdekur me atë të një pasardhësi. Ishte një mënyrë për të përvetësuar arritjet e paraardhësve.

Magji

"Në botën e lashtë, statujat konsideroheshin shpesh një kopje e individit", shpjegon Meloti. "Ekzistonin kulte që lidheshin me transmetimin e memories, por edhe rituale magjikë që kishin si qëllim fshirjen e kujtimit të armiqve".

Censura e pasvdekjes nuk ka qenë në fakt një ekskluzivitet i Egjiptit. "Në Ninive (Iraku i sotëm) është gjetur statuja e bronztë e një mbreti akadik me veshët e dëmtuar dhe njërin sy të nxjerrë (dënimi që u rezervohej kriminelëve) përkrah tre skulpturave të ruajtura në mënyrë të përsosur", shpjegon Erik Varner, arkeolog i Universitetit Emori në Atlanta dhe autor i një studimi mbi këtë argument. "I përket vitit 2350 para Krishtit dhe është ndoshta shembulli më i lashtë i damnatio memoriae politike". Gjymtimi nuk ishte vandalizëm i pastër. "Nxjerrja e syve të kufomës mbretërore shërbente për të goditur në mënyrë simbolike pjesën e trupit që besohej se ishte më aktive dhe e rrezikshme nga pikëpamja e magjisë", sqaron Meloti.

Të fshirë

2 mijë vite më pas, ai rit mes magjisë dhe politikës ishte shndërruar në çështje juristësh. E drejta romake vendosi rregulla precize për damnatio memoriae (që romakët nuk e quajtën asnjëherë kështu: shprehja u krijua vetëm në vitin 1689 nga filologu gjerman Kristof Shraiter-Gerlah). Mes sanksioneve post mortem romakët kishin sikletin e zgjedhjes. "Në epokën republikane praktikoheshin forma të dënimit me çnderim, sipas të ashtuquajturës rescissio actorum", shpjegon Armando Markone, docent i historisë romake në Universitetin Roma Tre. "Ishte një masë e Senbatit që anulonte të gjithë aktet e kryer nga një magjistrat në funksionin e tij publik". Një njollë turpi e ngjashme godiste politikanët e shembur në mënyrën më të keqe në Athinë. "Në Greqi, modaliteti kryesor i fshirjes nga kujtesa ishte eleminimi nga lista e magjistratëve".

Ndonëse të gdhendura në gur, kronikat romake nuk ishin pra të pandryshueshme. Rasti më i shpeshtë ishte sheshimi i epigrafëve të vdekjes: emri i të vdekurit fshihej, ndërkohë që pjesa tjetër e tekstit mbetej e paprekur. "Me këtë abolitio nominis të dënuarit fshiheshin nga listat e "fasti"-ve (një lloj rregjistri i artëi detyrave publike)", thotë Varner. Mes të parave viktima të njohura ishin Mark Antoni, të cilin Augusti e kishte mposhtur në Acio në vitin 31 para Krishtit, ku emri i tij u fshi nga rregjistrat e kryeqytetit dhe u hoq nga harqet e triumfit (por më vonë u riintegrua). Mes dënimeve të tjerë ishin ndalimi i ekspozimit të maskës së qeramikës me fytyrën e të vdekurit, djegia në turrën e druve të librave të të dënuarit, konfiskimi i sendeve të tij, shkatërrimi i banesës së tij, përjashtimi i pasardhësve nga detyrat publike. Për më tepër, dita e lindjes së tij bëhej një dies nefastus: përvjetori i turpit.

Kulti i Mermerit

Me Augustin, mermeri u bë megafon i perandorisë në ngjitje. Statujat e perandorit dhe familjes së tij ishin vendosur kudo. Ashtu si reklamat e sotme, u flisnin të gjithëve: analfabetëve, ashtu sikurse dhe elitës, qytetarëve romakë ashtu sikurse dhe "barbarëve" të provincave. "Si pasojë, në epokën perandorake damnatio memoriae u bë gjithnjë e më e rëndësishme", thotë Markone. Armiqtë politikë (të parët senatorët) i përgjigjeshin kështu kultit të personalitetit të vendosur nga pasardhësit e Augustit: "Je hyjnizuar sa ishe ende gjallë? Atëherë ne të dënojmë të vdekur". I pari që pësoi këtë trajtim ishte Kaligula.

Duke qenë se mermeri kushton, statujat nuk hiqeshin apo vetëm shkatërroheshin. Mund të manipuloheshin (tamam si fotografitë) duke hequr kokat dhe duke i zëvendësuar ato me të një tjetër politikani. Në vitin 96 një statuje të të dënuarit Dominician iu hoq koka dhe u vendos ajo e pasardhësit të tij, Nerva. Në Romën perandorake kazmat nuk kursenin as statujat e grave dhe bijve të ish të mëdhenjve. Dhe në një pikë të caktuar perandorët nisën të fshijnë edhe të dashurit e familjes. Agripina Minore u vra dhe më pas u fshi nga monumentet prej djalit të saj, Neronit. "Një tjetër rast i njohur ka të bëjë me bashkëperandorin Geta", shton Markone. "Në fillim të shekullit III, fytyra e tij u hoq prej një portreti ku paraqitej familja, me urdhër të vëllait Karakala. Një shembull i damnatio-s që të kujton manipulimet fotografike të shekujve të fundit".

Karakala, që ishte vrasësi i Getas, përveç kufomës zhduku edhe kujtimin e tij. Në fund, mes njerëzve të zakonshëm dihet që një aristokrate u largua nga varri i familjes për shkak të "braktisjes së çatisë bashkëshortore".

Zhvillime epokalë

Modeli romak bëri shkollë. Në frontin e fesë, në Mesjetë, damnatio i Kishës quhej shkishërim. Një shembull mbi të gjithë: Papa Formoso, që u gjykua kufomë në vitin 897. Në frontin politik, çdo ndryshim regjimi i njëzetë shekujve të fundit është shoqëruar me shkatërrimin e imazheve të njerëzve të fuqishëm, pas vdekjes së tyre. Sipas filozofit Remo Bodei "damnatio memoriae që shoqëron revoltat popullore dhe revolucionet demonstron dëshirën poër të bërë të harrohen emrat, simbolet, vendet, nëpërmjet pohimit të dhunshëm të pushtetit të ri, me perspektivën e vendosjes së hierarkive të reja mes personave dhe gjërave". Për këtë arsye, më shumë se sa individët godet objektet simbolikë: kisha dhe prona të fesë nga revolucionarët francezë pas vitit 1789, emblemat napoleonike pas 1815, kryqet e thyer pas 1945, statujat e Leninit të shembura në Europën Lindore pas vitit 1989, ato të Sadam Huseinit në Irak në vitin 2003.

Spastrime

Asgjë, në epokën bashkëkohore nuk ka barazuar fshirjen sistematike nga memoria të organizuar prej Bashkimit Sovjetik të Stalinit. "Mes viteve 1929-1930 dhe menjëherë pas luftës u përdor legjislacioni i jashtëzakonshëm për të dënuar me harresë të përjetshme (me dërgimin në kampet e punës) dhe atë pas vdekjes (me manipulimin e dokumentave dhe arkivave) të 20-25 milionë sovjetikëve", shpjegon Andrea Graciozi, docent i historisë bashkëkohore në Universitetin e Napolit dhe historian i BRSS. Ndërkohë që viktimat e të ashtuquajturave spastrime ishin ministra apo drejtues të lartë të partisë të përfunduar në rrugën e përplasjes me diktatorin, fati i tyre ishte: proces farsë, pushkatim apo vrasje dhe fshirje nga historia zyrtare. Spastrimi (nën Stalinin, por edhe në regjime të tjerë totalitarë, në Gjermaninë naziste apo në Kinën e Maos) pas pushkatimit parashikonte në fakt fshirjen nga fotografitë dhe filmimet zyrtarë.

"Nuk goditeshin vetëm drejtues të lartë", saktëson Graciozi. "Edhe memoria e qytetarëve të thjeshtë mund të fshihej, shpesh herë pa proces. Kush arrestohej, merrej në pyetje apo lirohej pas vitesh në gulagë duhej të firmoste një dokument në të cilin betohej se nuk do të fliste me askënd. Terrori nga dënimet ishte aq i madh, saqë askush nuk pëshpëriste".

Histori për t'u rishkruar

Me damnatio-n është kërkuar që të rishkruhen faqe të tëra të historisë. Por duke mos ia dalë mbanë gjithmonë. Eshtë e vërtetë, fama e keqe e Neronit, që vjen më shumë prej dënimeve pas vdekjes se sa prej veprave të tij, rezistion. Por megjithatë, prekjet me nxitim të statujave, fotove e filmimeve kanë lënë gjurmë të të vërtetave. Shpesh herë duke u mundësuar studiuesve të rivendosin pamjen autentike të personazheve që në të kaluarën janë gjykuar si të denjë për historinë, por jo për memorien.

Google+ Followers