Somalia, vendi i pashpresë

Somalia është një vend ku mbizotëron anarkia: mes piratëve, trafikantëve të armëve, drogës dhe varfërisë absolute



Në këtë vend duhet të ecësh ngadalë mes mbeturinave, për të mos shkelur në ndonjë predhë apo granatë të pashpërthyer, sepse nuk ka mënyrë tjetër për të parë atë çfarë mbetet nga Mogadisho, kryeqyteti somalez i shkatërruar prej 20 vjetësh luftime. Bombat dhe plumbat e kanë transformuar qytetin e mrekullueshëm kolonial në një varrezë ndërtesash të shkatërruara. Mijëra të pastrehë janë zhvendosur në gërmadhat e ndërtesave përgjatë bregdetit të Xamarweyne. Në lagjen e vjetër tregtare të Scinganit, disa tabela të kujtojnë të kaluarën “Officina Fiat”, “Caffe capuccino”. Lufta civile e nisur në vitin 1991, pas rrëzimit të regjimit të korruptuar dhe autoritar të Mohammed Siad Barre-s, vazhdon të shkaktojë viktima, në indiferencën thuajse absolute të komunitetit ndërkombëtar dhe medias. Në luftën mes klaneve dhe nënklaneve për kontrollin e kryeqytetit mes ushtrive private të zotërve të luftës, milicitë islamike dhe trafikantët e armëve kanë shkatërruar gjithçka: ministri, ambasada, kazerma, dyqane, madje edhe hotelet janë rrafshuar plotësisht.

Shpresë e zhgënjyer

Në fund të vitit 1992, imazhet e masakrave dhe të mungesës së ushqimit të shkaktuar nga lufta bënë që Kombet e Bashkuara të aprovonin zbarkimin në vend të një force shumëkombëshe. Por kontingjenti i operacionit “Restore hope” të minuar nga konfliktet e brendshme, pa një strategji koherente dhe qëllim final, gjendeshin shpesh nën zjarrin e milicive somaleze. Përpjekjet diplomatike të mëvonshme dhe konferencat e panumërta për paqen nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Kështu, për më shumë se një dhjetëvjeçar, Somalia u izolua në veten e saj. Agjencitë e OKB-së evakuuan personelin e huaj. Thuajse të gjitha OJQ-të u detyruan të tërhiqeshin. Presidenti aktual i qeverisë së tranzicionit, islamisti i moderuar Sheikh Sharif Ahmed, jeton i rrethuar në zyrën e tij në një vilë madhështore. Qyteti është në duart e muhaxhedinëve të Al-Shabab, që frymëzohet nga Al-Qaeda, dhe nga Hizbul-Islam i udhëhequr nga Hassan Dahir, i cili që prej vitit 2001 gjendet në listën e personave të kërkuar për aktivitete terroriste. Shababët kontrollojnë tashmë pjesën më të madhe të Somalisë qendrore dhe veriore, kanë pushtuar qytetin e Baidois, selinë e Parlamentit somalez, Dhusa Mareb, 500 kilometra në veri të Mogadishos dhe një pikë strategjike në jug të vendit.

Piratët

Deri disa vjet më parë, në Somali sulmet më të shumta që verifikoheshin ndodhnin pranë Nigerisë, në dalje të lumit Niger, meqë aty kishte një trafik të konsiderueshëm naftëmbajtësesh. Gjithashtu, në rrugët detare, që fillonin nga Deti i Kuq deri në gjirin Aden dhe për të përfunduar në oqeanin Indian, varkat e peshkimit nuk ishin shumë të rrezikuara nga pirateria, pasi afroheshin së tepërmi në brigjet veriore. Ndërsa gjatë këtyre tre viteve të fundit, në këto zona, të paktën në 3300 kilometrat e brigjeve somaleze, fenomeni është bërë alarmant. Nga dy sulme në vit (2004), tashmë ndodhin 67 sulme (2009). Dhe ky fakt është tepër shqetësues. Nëse në vitin 2003 peshkatarët këshilloheshin të rrinin të paktën 50 milje detare larg bregut, sot nuk konsiderohet e sigurt as distanca prej 200 miljesh. Por vetë ata e dinë se në detin somalez nuk ka asnjë autoritet që të ruajë sigurinë. Tashmë, pirateria aty është bërë një biznes i mirë, me shumë pak rrezik për keqbërësit. Madje, ajo zonë është bërë parajsa e piratëve. Në fakt, vendi nuk ka një qeveri të qëndrueshme që në vitin 1991. Qeveria federale e tranzicionit, tentativa e fundit për të sjellë normalitetin dhe vendosur ligjet në Somali, arriti të zinte vend në Mogadisho vetëm në vitin 2007, falë ndërhyrjes ushtarake të Etiopisë. Por, nga një anë kjo nuk shërbeu për mirë, pasi gjatë gjashtë muajve që islamikët dominonin vendin, kontrolli i vijës bregdetare ishte absolut. Por pasi islamikët ranë nga pushteti, sulmet e piratëve u rritën ndjeshëm. Qeveria aktuale e përkohshme kontrollon vetëm disa zona të kryeqytetit dhe disa lokalitete të vendit. Milicitë islamike më parë u futën në luftë të vërtetë kundër piraterisë, por gjithsesi tashmë nuk ka rregull në tokë e jo më në det. Kështu, duke përfituar nga kaosi në vend, keqbërësit rifilluan sulmet. Në fund të fundit, 90 për qind e tregtisë botërore bëhet me anë të rrugëve detare. Pra piratët i kanë përmirësuar cilësitë e tyre organizuese dhe ushtarake, për të qenë sa më efikase. Kanë marrë motoskafë më të mëdhenj dhe më të fuqishëm, mjete komunikimi të ndërlikuara dhe një armatim të përshtatshëm për synimet e tyre.

Zona paqësore

E vetmja zonë relativisht paqësore e vendit është ish-territori britanik i Somalindadit. Aty janë duke u ndërtuar hotele të reja, restorante dhe qendra tregtare

Pa shtet

Në raportet e OKB-së dhe në analizat e opinionistëve të politikës ndërkombëtare, Somalia përfaqëson shtetin e dështuar, me pak fjalë një “Far west” pa ligje, pa qeveri, pa shpresë. Aty një brez i tërë është formuar me armë në dorë, ku për të jetuar u duhej të vrisnin. Aty “killerat” janë të gatshëm që për pak dollarë të bëjnë gjëmën më të madhe. Somalia për ta është vendi kur ndjekësit e Bin Ladenit dhe luftës së shenjtë janë të paprekshëm

Braktisja

Statistikat përshkruajnë një tragjedi të pafund: 3.5 milionë somalezë; rreth 43 për qind e popullsisë rrezikojnë të vdesin urie; të pastrehët janë 1.3 milionë dhe 500 mijë refugjatët, sidomos në Kenia dhe Jemen. Një fëmijë në gjashtë, nën 5 vjeç është i kequshqyer dhe jo më shumë se 15 për qind e popullsisë ka akses ndaj shërbimit shëndetësor. Në Mogadisho, të varfrit mbushin qendrat ushqimore të organizatave ndërkombëtare, ndërsa spitalet pa ujë, drita dhe ilaçe, përpiqen të shpëtojnë sa më shumë jetë të munden. Natën qyteti zhytet në errësirë. Në Somali nuk do të ketë kurrë paqe derikur kallashnikovët do të kushtojnë më pak se antibiotikët.

Google+ Followers