Si po vdes bukurshkrimi pa u vënë re



Stuart Jeffries, The Guardian


Pjesën më të madhe të ditës së punës e kalojmë para kompjuterit. Tani me njëri-tjetrin komunikojmë me mesazhe elektronike në vend të letrave. Dhe sot, kur teknologjia e qarqeve të integruar është e detyrueshme në një shkallë të gjerë, edhe firma individuale ka dalë nga përdorimi. Mos ndoshta kaq e pati dhe shkrimi me dorë? Stuart Jeffries, thotë se fjalët e Patrick McGoohanit sa vijnë e bëhen më pak të vërteta, ndërkohë që teknologjia sa vjen e përmirësohet. Unë nuk jam një numër, - deklaroi ai për "The Prisoner". Jam një njeri i lirë. Por tani duket se jemi numra, të shifruar e të përcaktuar, të rishkruajtur si algoritme dhe vazhdimisht na kërkohen kodet personale që të konfirmojmë se kush jemi dhe vetëm atëherë punonjësit e centralit do të denjojnë të na e kthejnë një fjalë. Sot, të gjithë ata me një kartë me mikroqark dhe numër pin do të jenë të detyruar ta përdorin numrin pin dhe jo më firmën e tyre kur të blejnë diçka. Fatkeqësisht, në vend të bukurshkrimit dredha-dredha, identiteti ynë gjithnjë e më shumë po konfirmohet nga një mori numrash, të cilët na janë imponuar. Dhe, tani që firmat po bëhen të parëndësishme, kush është e ardhmja e shkrimit të dorës në një botë kur një në tre fëmijë ka një kompjuter në dhomën e tij dhe shumë prej tyre janë mësuar të shkruajnë me to në shtëpi e në shkollë dhe sikur të kisha një cent për secilën herë që kam dëgjuar apo lexuar për prindër që ankohen për shkrimin e keq të fëmijëve të tyre, do të kisha mundësi të blija një stilograf 335 paund "Mont Blanc Meisterstuck" me rrëshirë të çmuar të veshur me ar. Dje pasdite, mora një letër të këndshme nga një korrespondente që fillonte: "Të lutem më fal për letrën e zhgarravitur. Nuk mundem më të shtyp". Përse, pyeta unë, dikush duhet të kërkojë falje kur më favorizon me prekjen personale të shkrimit të tij? Që kur letrat e shtypura janë më të mira se ato të shkruara? (Për këtë pyetje një përgjigje e mirë do të ishte: Nëse je kaq i zgjuar, pse nuk e shkruajte këtë artikull me dorë?) Personalitetet tona duket se po na ikin pa na rënë në sy kur bie fjala për të përcaktuar identitetin tonë. E vërtetë që dhe firmat mund të bëhen më të thjeshta, por të paktën ato mbeten karakteristike për secilin prej nesh dhe janë një shprehje e një aspekti në karakterin tonë, edhe nëse s'i kuptojmë. Ashtu si rrjeti i internetit të Institutit Britanik të Grafologjisë thotë në faqen kryesore: Kur ishit fëmijë iu mësuan të shkruanit. Përse nuk vazhdoni të shkruani ashtu si iu kanë mësuar? Fakti që s'e bëni këtë, është arsyeja pse grafologjia ekziston. Elaine Quigley, psikologe dhe kryetare e institutit, thotë: Letra dhe lapsi gjithmonë do të jenë të nevojshme. Të gjitha ndryshojnë, por unë mendoj se shkrimi do të mbijetojë. Megjithatë, ky është një opinion subjektiv që nuk mund të merret si i mirëqenë, pasi vetë disiplina e saj varet nga njerëzit që shfaqin personalitet përmes shkrimit të dorës dhe puna e saj është t'i analizojë ato. Vdekja e bukurshkrimit është ekzagjeruar jashtë mase shumë, thotë Patricia Lovett, anëtare e Shoqërisë së Artit të Bukurshkrimit dhe Shkronjave. "Kur u shpik telefoni, për shembull, mendohej se nuk do të ishte nevoja të shkruhej, më pas kjo u përsërit me shpikjen e makinës së shkrimit dhe më pas përsëri me kompjuterin, faksin, letrat elektronike dhe kohët e fundit, me botimet. Në secilën fazë disa kanë sugjeruar se kjo do të rezultonte në braktisjen e nevojës për të shkruar me dorë. Deri tani, nuk ka qenë kështu. Megjithëse disa mund ta kenë më të lehtë të shtypin sesa të shkruajnë me dorë, hedhja e bojës në letër është diçka që fëmijët kanë nevojë ta mësojnë. Por pse, kur kemi kaq shumë mjete të tjera komunikimi? Lovett imagjinon një situatë pa energji elektrike, kompjuteri portativ nuk ka bateri, nuk ka as diell për të karikuar bateritë dhe diçka e rëndësishme duhet patjetër të shkruhet. Çfarë duhet të bëjmë? Të punësojmë një "shkrues"? Nuk më duket ide e mirë. Tregtarët sumerianë ishin të parët që kodifikuan shitblerjet e tyre në një shkrim të njohur më shumë se 5000 vite më parë. Ata ishin të vetmit në zbulimin e tyre, kanë pohuar arkeologët, megjithëse disa prova të reja sugjerojnë se egjiptianët kanë zhvilluar shkrime me hieroglifë në të njëjtën kohë. (Versioni më pak prozaik gjendet te Fedrusi i Platonit, ku Sokrati tregon historinë e një perëndie, i cili i jep një mbreti egjiptian një ndihmë të mbinatyrshme për të thyer kujtesën njerëzore. Mbreti dyshon, ashtu si Sokrati që e paralajmëron se shkrimi do të zëvendësojë kujtimet dhe argumenton se e vërteta që jeton në shpirtin njerëzor do të shpërbëhet në një mbishkrim të dykuptimtë). Në mënyrë ironike, ashtu si Jacques Derrida thekson, ne i dimë mendimet e dyshimta të Sokratit për shkrimin, sepse Platoni i shkroi ato. Sumerianët përdornin një majë dhe baltë të njomë për të mbajtur shënim përbërësit e birrës. Shpikjet pa fund të shkrimit njerëzor vazhduan të shtoheshin për qëllime tregtie. Që atëherë, historia e shkrimit shënon një përhapje të vrullshme të fjalës së shkruar, si India që ka 200 dorëshkrime të ndryshme, apo japonezët që kanë tri dorëshkrime dhe mijëra karaktere. Por në histori nuk kanë si të mos përmendet fshirja e plotë e kulturave të të shkruarit. Në shkatërrimin spanjoll të civilizimit Maian humbën mijëra dokumente; vetëm katër kodikë mbijetuan. Sipas Steven Roger Fischer, autori i një historie shkrimesh, Hitleri urdhëroi që dorëshkrimet latine të zëvendësonin ato gotiket, të cilat kanë qenë simbol për identitetin gjerman. Gotiku përshkruhej nga nazistët si "dorëshkrimet hebreje", por ka shumë gjasa se pas retorikës raciste, ato ishin konsiderata praktike. Shkrimi latin është më i lehtë për t'u shkruar. Në Britani, stilet e bukurshkrimit latin u popullarizuan në manualin e parë të shkruar rreth viteve 1570. Shkrimtarë të periudhës viktoriane përdornin një stil shkrimi të rregullt me viza të mbushura e të holla, por më vonë, në shekullin XIX mësohej një tjetër stil. Vetëm në vitet 1930 u zhvillua stili gjysmë-kursiv ose stili i ngjitur i njohur si "dora e rrumbullakët". Shumica e shkollave tani mësojnë një variant të tillë. Por ekzistojnë dhe kultura të tjera të shkrimit me dorë. Janë zbuluar shumë forma të ndryshme të bukurshkrimeve, fëmijët e shkollave britanike, franceze dhe amerikane, për shembull, kanë mënyra të veçanta të shkruari. Në Francë, në vitin 2002 lindi një grindje ideologjike mbi bukurshkrimin kur ministri i Arsimit, Jack Lang, vendosi që fëmijët të mos e mësonin bukurshkrimin tradicional barok, sepse, pohonte ai, kjo gjë kishte rezultuar në moslexueshmëri kur shkruhej me nxitim dhe deri në paaftësi për të shkruar te disa nxënës të fillores. Lang tha se, "ishte koha që në shekullin XXI Franca të kishte një bukurshkrim më të qartë e më praktik, ndërsa kritikët vajtonin për humbjen e një trashëgimie franceze aq të vyer". Sot, dominimi global i bukurshkrimit latin është intensifikuar jo vetëm nga zënia për fyti globale e anglishtes, por dhe për shkak të kompjuterëve. Times New Roman është kudo, sepse është vlera automatike e Microsoft-it. Shkrimi dhe bukurshkrimi janë ndarë veçmas. Brian Dillon, pedagog anglishteje në Universitetin e Kentit, shkruan në një botim mbi librin e Fischer-it: në një botë kur pjesa më e madhe e shkrimit tonë është po kaq e palexueshme sa sudanishtja e lashtë, shkrimi dominon si kurrë më parë në formën e një spektri teknologjik: "Imazhi i ëndërruar i Platonit". Nëse është kështu, cila është e ardhmja e bukurshkrimit? Çfarë kuptimi ka nëse i mësojmë fëmijëve tanë të shkruajnë, kur shkrimi i dorës mund të shtypet dhe teknologjia e njohjes së zërit mund ta kthejë gjuhën në germa? Një diskutim shumë interesant i kësaj po kryhet në adresën e internetit të Agjencisë së Aftësive Themelore (basic-skills.co.uk), një diskutim mjeti i zgjedhur i së cilës mund të jetë paksa dyshues. Një korrespondent, Alan Wells, ankohet për shkrimin e tij të dorës, para se të shkruajë: Ajo që dua të them është, a ka shumë rëndësi? Kam dy kryetarë, të cilët kanë qenë industrialistë të mëdhenj dhe asnjëri prej tyre nuk e kishte shkrimin më të mirë se timin. Kjo gjë nuk i ndaloi të ngjiteshin në majë të biznesit, edhe pse ngjitja e tyre duhet të ketë qenë para hyrjes së shtypjes së fjalëve. Kështu që, ka ndonjë vlerë që në shkollë një pjesë e madhe e kohës i investohet bukurshkrimit, kur tani rëndësia e saj po venitet gjithnjë e më shumë. A s'mund të kalohet më mirë kjo kohë? Pse të shqetësohemi kaq shumë kur kemi mjete shkrimi? Quigley, megjithatë, është i bindur se shkrimi është një mjeshtëri dhe gjithmonë do të jetë. "Ka shumë arsye për të shkruar. Nëse keni një listë gjërash për të shkruar për shembull, ose një shënim për shitësin e qumështit".
Personalisht, nuk e di kur më erdhi për herë të fundit shitësi i qumështit në derë dhe aq më pak kur i lashë një shënim. Një argument akoma më bindës për ruajtjen e bukurshkrimit është se, ndërkohë që studentët e mësojnë këtë mjeshtëri, ata po ndërtojnë mjeshtëri të tjera si kujtimi vazhdues dhe aftësinë për të ngarë makinën. Këto aftësi thelbësore i ndihmojnë studentët në fusha të tjera esenciale akademike si matematika. Ekziston dhe një tjetër estetikë: ne nuk duhet të neglizhojmë bukurinë e thjeshtë të shkrimit të dorës. Ashtu si profesor Rosemary Sasson, autori i "Bukurshkrimi: Mënyra për ta mësuar" thotë: "Bukurshkrimi është një stampim i vetvetes në një faqe".
Kurikulumi kombëtar, në çdo rast, tani gjithnjë e më shumë thekson aftësitë e bukurshkrimit. Të katër kriteret e nivelit dy të testit të bukurshkrimit të Sats-it janë: lexueshmëria, masa dhe hapësira e qëndrueshme e shkronjave, rrjedhshmëria dhe lëvizja dhe një stil mjaft personal. Por ka një problem. Provat e anekdotave sugjerojnë se fëmijët e vegjël kanë më pak mundësi për të zhvilluar aftësi para të shkruarit, si ekuilibri, koordinimi i syve dhe duarve dhe kontrolli i muskujve, të cilat mund të jenë kritike në zhvillimin e aftësisë për të shkruar ndërsa fëmija rritet. Lojërat si bashkimi i pjesëve, modelimi i plastelinës apo grumbullimi i tiganëve brenda njëri-tjetrit ndihmon në zhvillimin e këtyre aftësive, por koha e kaluar në aktivitete të tilla po ulet në favor të kërkimeve më pasive si hutimi pas televizorit, thotë Beverly Scheib, një specialiste e bukurshkrimit nga Instituti i Edukimit. Mesa duket, teknologjia përbën një kërcënim për zhvillimin e shkrimit. Në të vërtetë, ndërsa niveli i leximit është përmirësuar në vitet e fundit, aftësitë e të shkruarit jo. Departamenti për arsimin dhe aftësitë, i cili ka themeluar një strategji kombëtare për shkrimin e këndimin në 1998, ka vënë re se megjithëse aftësitë e të lexuarit janë rritur, ato të të shkruarit jo dhe për këtë qëllim u mendua një program. Kështu që, edhe pse disa ia ulin vlerat bukurshkrimit, qeveria refuzon ta lejojë të bëhet një interes pakice ashtu si shumë mjeshtëri të tjera si gdhendja e fildishit apo kalërimi. Dhe jo vetëm qeveria. Në maj, për shembull, do të zhvillohet Konkursi Kombëtar i Bukurshkrimit dhe mijëra fëmijë do të konkurrojnë për lexueshmëri, rrjedhje, përputhje, individualitet, shpërndarje dhe pastërti. Ndoshta ky është një nga konkurset për fëmijë që nuk kërkon shfaqje rutinë (konkurset e bukurshkrimit janë shumë të ndryshme, në këtë kuptim, nga ato të drejtshkrimit). Ndoshta nekrologjia e bukurshkrimit është shtypur shumë shpejt. Tek e fundit, mund të mos jemi vetëm numra.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers