Rindërtimi i qyteteve të shkatërruara

Gjatë shekujve, tërmetet, zjarret, përmbytjet dhe luftërat kanë shkatërruar e rrafshuar shumë qytete e civilizime të mëdha të planetit, por ato janë ndërtuar sërish nga e para. Ja disa nga këta shembuj frymëzues rindërtimesh

Antigua, Guatemala

Antigua ka qenë kryeqyteti i Guatemalas dhe u zhvendos dy herë para se të vendosej që kryeqytet të bëhej një tjetër qytet i vendit. Pas konfliktit të majave me spanjollët, ndodhi zhvendosja e parë nga ajo që aktualisht quhet Iximche në luginën e Alotenangos. Kjo pas shpërthimit të një vullkani shumë të madh në vitin 1541. Por pas këtij shkatërrimi, qyteti u ndërtua sërish. Por një seri tërmetesh të tjerë shkaktuan dëme të mëdha në shekullin e 18, derisa më në fund spanjollët vendosën që kryeqendra e vendit të shndërrohej qyteti i Guatemalës.

Antigua

Ata pak qytetarë që vendosën që të qëndronin pas evakuimit të qytetit ndërtuan një Antigua të re, që do të qëndronte sipas tyre në harmoni me gërmadhat e së shkuarës. Në vitin 1979, qyteti u konsiderua nga UNESCO si qendër e trashëgimisë botërore dhe për shkak të statusit të saj, ajo është një nga pikat më të rëndësishme turistike të zonës.

Lisbona

Një tërmet në mëngjesin e 1 nëntorit të vitit 1755 shkaktoi një cunam shumë të madh dhe një zjarr të përmasave të jashtëzakonshme që shkaktuan edhe dëmtimin e një pjese të madhe të qytetit të Lisbonës. Tërmeti pati ndikim shumë të madh në Portugali, duke shkaktuar edhe rrëmuja politike dhe ishte një goditje e madhe për ambiciet koloniale të vendit. Megjithatë qyteti u rindërtua dhe sot vazhdon të jetë kryeqytet i Portugalisë.

Saint-Pierre, Martinique, 1902

Qyteti bregdetar i Saint-Pierre u shkatërrua më 8 maj të vitit 1902, kur vullkani i Mount Pelee shpërtheu dhe mori jetën e mbi 30 mijë vetëve, që përbënin thuajse tërë popullsinë e vendit. Në vitin 1902, ai ishte një qytet i madh dhe i fuqishëm, një pikë e fuqishme ekonomike në trafikimin e rumit dhe të sheqerit. Por rindërtimi i tij ka qenë shumë i ngadalshëm dhe madje edhe sot vazhdojnë disa gërmadha të qëndrojnë në vendin e tyre. Sot, qyteti ka një popullsi shumë të vogël, prej 5000 banorësh dhe kryesisht mbijeton përmes të ardhurave nga turizmi.

San Francisko

Në vitin 1906, tërmeti i San Franciskos ishte një nga momentet më legjendare në historinë e Kalifornisë, një shtet që ishte mësuar me tronditje të nëntokës. Në fakt, dëmin më të madh e shkaktuan zjarret e shkaktuara nga tërmeti dhe jo vetë goditja. Lajmi i shkatërrimit dhe fatkeqësisë u përhap me të shpejtë dhe brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore nga i gjithë vendi erdhën sasi të mëdha parash për rindërtimin e tij. Ashtu si edhe Lisbona, tërmeti për San Franciskon ishte një mundësi më shumë për të riorganizuar veten. Në vitin 1915, qyteti i artë ishte ndërtuar 100% dhe tashmë ishte edhe më i bukur dhe më komod se më parë.

Tokio

Tërmeti me shkallë shumë të lartë që goditi Tokion shkaktoi rreth 100 mijë viktima, por në përfundim të tij u krijua një plan rindërtimi, në të cilin u përfshinë edhe rrjetet moderne të transportit publik si metrotë, autobusët dhe më pas edhe trenat. Si edhe në raste të tjera, edhe në rastin e Tokios, pati diskutime në lidhje me qëndrimin edhe në të ardhmen aty të qeverisë, për shkak të rrezikshmërisë së zonës, por më pas u vendos përfundimisht që Tokioja do të vazhdonte që të ishte qyteti ku do të qëndronte selia e qeverisë.

Berlini

Historia 200-vjeçare e Berlinit është ajo e një qyteti që është përballur me luftëra dhe rindërtime. Në fund të Luftës së Dytë Botërore britanikët e bombarduan Berlinin, ndërsa këmbësoria sovjetike shkatërroi më pas edhe godinat e rëndësishme të kryeqytetit me granata dore dhe tanke. Rindërtimi i një qyteti të shkatërruar nga dora e njeriut është shumë më i vështirë se ai shkatërruar nga një fatkeqësi natyrore. Veçanërisht në rastin e Berlinit, qyteti u rindërtua me synimin që të shndërrohej në një simbol të pushtetit mes Lindjes dhe Perëndimit të ndarë në periudhën e Luftës së Ftohte. Kur Gjermania u ribashkua në vitin 1989, Berlini rimori veten dhe rëndësinë që ka si një nga kryeqytetet më të rëndësishme të Europës dhe të botës.

Google+ Followers