Një udhëtim në vitet 00



25 korrik 2000
Aksidenti i Concorde
Ora 14:45. Concorde F-BTSC i fluturimit Air France 4590 që ishte nisur nga Parisi për në Nju Jork mori flakë, duke u rrëzuar vetëm pak çaste, pasi ishte ngritur në ajër dhe duke u përplasur pranë një hoteli në rrethinat e Parisit. Viktimat ishin 113 vetë: 100 pasagjerë, 9 anëtarë ekuipazhi dhe 4 persona që ndodheshin në tokë. Ky aksident shënoi edhe fillimin e fundit për udhëtimet supersonikë me avion, të vegjël dhe të parehatshëm, por nga ana tjetër shumë të shpejtë, që të mundësonin të shkoje për vetëm tre orë e gjysmë nga Londra në New York. Fluturimi i fundit i Concorde u krye në vitin 2003.
11 shtator 2001
Ground Zero
New York, ora 8:48. Një avion përplaset me kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë. Në orën 9:03, një tjetër avion godet kullën jugore. Pas afro një ore do të shpërthenin edhe dy avionë të tjerë: njëri do të binte mbi Pentagon, ndërsa tjetri që ishte marrë peng dhe po drejtohej për nga Shtëpia e Bardhë, u rrëzua në Pensilvani. Viktimat e sulmeve, që në një mesazh videofonik u morën përsipër nga Bin Laden dhe organizata e tij, Al Kaeda, ishin në total 2974, nga të cilët, 2603 vetëm në Nju Jork.
7 tetor 2001
Lufta në Afganistan
Fillon lufta kundër terrorizmit, me qëllimin kryesor kapjen e super të kërkuarit Osama bin Laden, në krye të organizatës terroriste ndërkombëtare Al Kaeda, përgjegjëse për sulmet e 11 shtatorit. Sipas George W. Bush (atëherë President i Shteteve të Bashkuara), lideri islamik në atë kohë ndodhej i fshehur në Afganistan, nën mbrojtjen e qeverisë fondamentaliste talebane. Sipas vlerësimeve të Marc Herold, docent i Departamentit të Ekonomisë në Universitetin e New Hampshire, viktimat në civilë ishin afërsisht 5000 vetëm në vitin e parë të luftës.
1 janar 2002
Hyn në përdorim Euro
Euro bëhet monedhë zyrtare e të ashtuquajturës Eurozonë, e cila përfshin shumë vende europianë. Monedha qarkullon sot në Austri, Belgjikë, Qipro, Finlandë, Francë, Gjermani, Greqi, Irlandë, Itali, Luksemburg, Maltë, Vendet e Ulëta, Portugali, Sllovaki, Slloveni dhe Spanjë. Kanë preferuar të mbeten jashtë Mbretëria e Bashkuar, Danimarka dhe Zvicra. Euro është monedha që përdoret nga afro 320 milionë njerëz.
Janar 2002
Falimenti i Argjentinës
Argjentina shpall mosaftësinë e pagesës së borxheve kundrejt kredidhënësve. Si pasojë erdhi edhe rënia në zero e kuotave të obligacioneve të emetuara nga qeveria e Buenos Airesit. Vetëm në Itali, borxhi i obligacioneve të Argjentinës (të ashtuquajturat bono argjentinase) arrin në 16 miliardë euro, të shpërndara mes investitorësh të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj. Të shumta ishin atëherë protestat në vijim të zhvlerësimit të Pesos argjentinase dhe shtrenjtimit të jetesës.
11 janar 2002
Hapet burgu i Guantanamos
Qeveria e Shteteve të Bashkuara hap në bazën ushtarake të Guantanamo Bay, në Kubë, një kamp burgjesh ndërkombëtarë për ata që janë të konsideruar në një farë mënyre të lidhur me veprimtari terroriste. Të burgosurit në Guantanamo nuk konsiderohen të burgosur lufte (pra, nuk gëzojnë të drejtat që parashikojnë Konventat e Gjenevës) dhe as të ndaluarit e zakonshëm (shumë prej tyre nuk kanë patur as proces). Kjo gjë shkaktoi polemika të panumërta në Shtetet e Bashkuara dhe në të gjithë botën. Barak Obama shpalli mbylljen e tij vitin që kaloi.
20 mars 2003
Lufta në Irak
Një koalicion anglo-amerikan, i mbështetur nga Australia, Polonia dhe Italia pushtoi Irakun, nën supozimin e ndërtimit dhe përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë nga ana e Sadam Huseinit (një hipotezë që nuk u vërtetua asnjëherë nga OKB). Në vitin 2004, shpërtheu skandali që lidhej me abuzimet në burgun Abu Ghraib, ku do të zbulohej se ushtarë amerikanë dhe britanikë torturonin të burgosurit. Në 30 dhjetor 2006, Sadami, i dënuar me vdekje, do të varej përpara telekamerave të të gjithë botës. Lufta në Irak vazhdon me intensitet të lartë: sipas vlerësimeve të Just Foreign Policy, një organizatë jo qeveritare viktimat mes civilëve janë 1 milion 288 mijë e 246.
20 mars 2003
Jugosllavia ndërron emër
Mbi rrënojat Republikës së dikurshme Federale të Jugosllavisë, lindi shteti i ri konfederatë i Serbisë dhe Malit të Zi. Pas një referendumi të zhvilluar në vitin 2006, Mali i Zi do të bëhet një shtet i pavarur, duke i vënë vulën në këtë mënyrë fundit të Unionit.
11 mars 2004
Sulm terrorist në Madrid
Mes orës 7.36 dhe 7.40 shpërthejnë dhjetë bomba në katër trena në stacione të ndryshëm të Madridit: Atocha, El Pozo de tio Raimundo, Santa Eugenia, dhe një tren i katërt pranë rrugës Tellez. Bombat e vendosura në trenat rajonalë shkaktuan vdekjen e 191 personave dhe plagosjen e 2057 të tjerëve. Fillimisht, mes të dyshuarve, përveç Al Kaedës ishte edhe ETA, organizata independentiste baske. Por, nuk u desh të pritej shumë. Pas vetëm tre ditësh, marokeni Abu Dujan al Afganhi, në një mesazh filmik do të merrte përsipër atentatin në emër të Al Kaedës.
26 shkurt 2003
Konflikti në Darfur
Fillon konflikti i Darfurit (rajon në pjesën Perëndimore të Sudanit), kur forcat rebele të frontit për Çlirimin e Darfurit sulmojnë disa rajone të policisë si dhe disa karvanë ushtarakë në zonë. Qeveria e Khartumit pajton - edhe pse gjithmonë e ka mohuar - një ushtri paramilitarësh, të quajtur janjavid, të cilët shprehen se janë luftëtarë që luftojnë për xhihad. Sipas vlerësimeve më të fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, viktimat mes civilëve në Darfur që nga fillimi i konfliktit dhe që vazhdon ende, së fundmi kanë arritur shifrën 2 milionë e pesëqind mijë vetë.
1-4 shtator 2004
Sulmi në Beslan
Në Beslan, në Republikën e Osetisë në Federatën ruse, një komando prej 32 terroristësh separatistë çeçenë hynë dhunshëm në një shkollë fillore morën peng afro 1127 persona, fëmijë dhe prindër. Pas tre ditësh, në të cilat pengjeve iu mohua edhe ushqimi edhe uji, afro pesëdhjetë prej tyre u përpoqën që të arratisen. Terroristët filluan që të qëllojnë me armë drejt atyre që përpiqeshin të largoheshin. Pas vetëm pak çastesh, nis sulmi i forcave speciale ruse, që detyrojnë të arratisen ose vrasin terroristët. Viktimat e këtij horrori ishin 334, nga të cilët më shumë se gjysma fëmijë si dhe 700 të plagosur.
26 dhjetor 2004
Cunami në Juglindje të Azisë
Diku rreth orës tetë të mëngjesit me orën lokale, për shkak të një tërmeti të fuqishëm që ndodhi në Oqeanin Indian, i madhësisë 9.3 ballë të shkallës Rihter, një cunam i fuqishëm nis në drejtim të Juglindjes së Azisë, duke shkatërruar me dallgë shumë të fuqishme disa rajone bregdetare të Indonezisë, Sri Lankës, Indisë, Tailandës, Birmanisë, Bangladeshit, Maldives dhe duke arritur madje të godasë edhe brigjet e Somalisë dhe të Kenias (disa mijëra kilometra larg nga epiqendra). Bilanci ishte 226 mijë të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur, përveç faktit që miliona persona mbetën të pastrehë.
2 prill 2005
Ndërron jetë Papa Vojtila
Qyteti i Vatikanit, ora 21;37: ndërron jetë Papa Gjon Pali II, i pari papë polak dhe sllav i historisë. Karol Vojtila udhëhoqi Kishën Katolike për pothuajse 27 vite. Në funeralin e tij, në Sheshin e "Shën Pjetrit" morën pjesë 130 mijë persona, nga të cilët shumë të rinj të ardhur nga e gjithë bota. Në 19 prill, Kardinali gjerman, Jozef Ratzinger, do të zgjidhej si pasuesi i tij me emrin Benedikt XVI.
7 korrik 2005
Sulm terrorist në Londër
Londra nën sulmin e 4 kamikazëve. Në mëngjes, teksa londinezët u ishin drejtuar qendrave të punës, shpërthyen 3 trena në metro si dhe 1 autobus. Atentati - i marrë përsipër menjëherë nga një grup terrorist i lidhur me Al Kaedën - shkakton vdekjen e 52 personave dhe plagosjen e 700 të tjerëve. Pas Madridit dhe Londrës, në 26 nëntor 2008, terrorizmi islamik do të godiste sërish, këtë herë në Mumbai, qendër financiar e Indisë, me dhjetë sulme në zona të ndryshme të qytetit, sidomos aty ku ndodheshin të huaj. Viktimat do të ishin 195, pjesa më e madhe e tyre indianë.
12 korrik 2006
Lufta në Liban
Disa militantë të Hezbollahut (në arabisht "Partia e Zotit") një lëvizje politike e armatosur shiite lëshojnë raketa Katjusha drejt fshatrave kufitarë izraelitë. Pas disa luftimesh në atë zonë kufitare mes Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite, Izraeli bombardon Beirutin si dhe qytete të tjerë të Libanit. Në 11 gusht u ndërprenë luftimet falë një rezolute të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke lënë në fushëbetejë afro 1000 viktima civilë libanezë si dhe 43 të vdekur mes izraelitëve.
19 gusht 2007
Revoltë në Birmani
Në Birmani, vend i shtypur nga një regjim ushtarak që nga viti 1962, shtrenjtimi me 500% i benzinës shkakton një protestë popullore. Murgjit u bashkohen protestave, duke refuzuar ofertat për furnizime me ushqime të ushtarakëve në manastire si dhe duke inskenuar kortezhe spontanë kundër regjimit me kore dhe lutje. Protesta, fillimisht e toleruar për arsye se njerëzit e fesë janë shumë të respektuar në vend, do të shtypej në mënyrë brutale në tetor: murgjit u rrahën, torturuan dhe vranë. Dhjetë të vdekurit për regjimin, me qindra sipas organizatave humanitare.
15 shtator 2008
Falimenton Lehman Brothers
New York: Pranë Sheshit "Times Square" fiken dritat e fundit të një prej bankave historike të Amerikës. Lehman Brothers, pas 158 vitesh aktivitet shpall falimentin. Në një ditë të vetme, vetëm në New York humbën dhjetë mijë vende pune, dhe në bursat e të gjithë botës, brenda vetëm pak kohësh do të hidheshin në erë afro 900 miliardë dollarë. Jemi në kulmin e krizës financiare, e cila nisi në fillim të vitit 2008 me rritjen e çmimit të naftës si dhe e vazhduar me krizën e kredive në Amerikë (kredi që jepeshin mbi mundësitë e konsumatorëve për t'i shlyer) si dhe shpërthimin e fluskës së tregut të banesave në SHBA.
27 dhjetor 2008
Sulm izraelit kundër Gazës
Nis operacioni ushtarak i Izraelit në Rripin e Gazës kundër Hamasit, lëvizje e rezistencës islamike ndaj qeverisë së Palestinës në vitin 2006. Objektivi është pengimi i lëshimit të raketave Qassam nga ana e palestinezëve në drejtim të Jugut të Izraelit, që në 8 vite ka shkaktuar 15 viktima izraelite. Sipas OKB, në vetëm 22 ditë luftime do të shkaktoheshin rretj 1400 viktima mes civilëve palestinezë. Në muajt që pasuan do të kishte shumë polemika mbi shkeljen e të drejtave të njeriut dhe përdorimin e fosforit të bardhë (i ndaluar nga ligjet ndërkombëtare) nga ana e Izraelit.
20 janar 2009
Betimi i Barak Obamës
Në Uashington betohet mbi bibël, të cilën e mban bashkëshortja e tij Michele, Barak Obama. Eshtë Presidenti i 44 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i pari president afro-amerikan në historinë e këtij vendi.
15 dhjetor 2000
Mbërrijnë USB-të
Trek Technology dhe Ibm hedhin në treg të parën USB. Ka një madhësi 8 Megabyte, 5 herë më shumë se sa disketat e famshme që përdoreshin në atë kohë, të cilat ndërkohë deri sot janë zhdukur fare nga qarkullimi. Sot, USB janë sistemi i memories së lëvizsshme më të kollajta në përdorim dhe më të përhapurat. Kanë shpejtësi më të mëdha të transferimit të të dhënave si dhe një kapacitet deri në 256 Gigabyte.
23 tetor 2001
Hidhet në treg i pari iPod
Apple nxjerr në treg iPodin, një lexues portabël mp3 me një kapacitet deri në 5 Gigabyte. I madh sa një paketë letrash, komandohet duke rrëshkitur gishtin e madh në një buton rrethor. Krahasuar me lexues të tjerë mp3 që kanë hyrë tashmë në treg, ai të lejon të komandosh direkt këngët; mund të sinkronizohet me kompjuterin vetëm nëpërmjet programit itunes, nëpërmjet të cilit mund të blihet muzikë në format dixhital. Pamja, lehtësia e përdorimit të tij kanë revolucionarizuar mënyrën e të dëgjuarit të muzikës.
Nëntor 2002
Fotografia bëhet dixhitale
Fotokamerat dixhitale prej 2 megapiksel mund të blihen sot deri në 100 dollarë amerikanë. Në gusht të vitit 2003, Canon EOS 300 D është e para kamera dixhitale që kushtonte më pak se 1000 dollarë. Kostoja e aparateve fotografikë dixhitalë është ulur në mënyrë të vazhdueshme gjatë dhjetëvjeçarit, ndërkohë që modelet bëhen gjithnjë e më kompaktë, të fuqishëm e të sofistikuar. Aparatet fotografikë jodixhitalë zhduken nga qarkullimi: që nga viti 2006 Nikon ka prodhuar vetëm dy modele, superprofesionalë me film. Dhe që nga viti 2009, Kodak nuk prodhon më filmin me ngjyra KODACHROME.
Mars 2003
Celularët e brezit të ri
Në Europë nisin të ofrohen shërbimet e para të telefonisë 3G. Rrjetet e brezit të tretë lejojnë që të marrësh shërbime të rinj: videotelefonata, shkarkime dixhitale, navigim në internet. Dhe telefonat celularë transformohen: nga objekte të thjeshtë për të komunikuar shndërrohen në instrumenta për të naviguar, për të bërë fotografi dhe për t'i ndarë me miqtë, për të dëgjuar muzikë e të tjera. Në mars të vitit 2009, bota është një celular. Më shumë se gjysma e tokësorëve e kanë një të tillë: 4.1 miliardë persona, më saktë, për një popullsi totale prej 6.7 miliardësh.
Shtator 2004
Makina me hidrogjen e BMW
BMW H2R, një koncept makine që furnizohet me hidrogjen vendos 9 rekorde shpejtësie në pistën e Miramas në Francë, mes të cilëve shpejtësia maksimale prej 302.4 kilometra në orë. Por shumë pak ka për të gëzuar: makinat me hidrogjen mbeten ende thjeshtë prototipe. BMW Hidrogjen 7, e prezantuar në vitin 2007 si e para veturë rruge me hidrogjen që është e gatshme të prodhohet, në të vërtetë u realizua në vetëm disa dhjetëra ekzemplarë, të cilët iu dhanë më pas politikanëve dhe yjeve të kinemasë për motive promocionale.

8 tetor 2005
Robotë garash
Universiteti i Stanfordit (SHBA) fiton Grand Challenge 2005, e para garë makinash pa pilotë, organizuar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes. Makina drejtohet nga dy kompjuterë të programuar ad hoc dhe që "shohin" falë tre aparateve gps që janë të montuar mbi çatinë e makinës. Makina përshkoi 200 kilometra në shkretëtirë pa u kontrolluar nga një njeri, duke iu shmangur madje pengesave dhe gropave.
14 gusht 2006
DVD vret Videorregjistruesin
"Një histori dhune" është filmi i fundit i Hollywood që është hedhur në treg edhe në videokaseta. Filmat në DVD, që mbërritën në fundin e viteve nëntëdhjetë nisën të dominojnë për shkak të cilësisë së tyre dixhitale, shpjetësisë si dhe përmbajtjeve ekstra. Videokasetat rezistuan edhe për disa vite të tjerë për regjistrimet shtëpiake. Në vitin 2002, Sony kishte hedhur disqet e parë blu-Ray, por duhej të pritej deri në qershorin e vitit 2006, për të blerë titujt e rinj të formatit të ri dixhital me rezolucion të lartë.
Nëntor 2006
Super lojërat
Lufta e të ashtuquajturave console u ndez: Xbox 360 që u hodh në tren në vitin 2005, iu shtuan edhe Ëii i nintendos si dhe Playstation 3 i Sonyt. Me consolet e reja të brezit të shtatë mund të luhet me grafika me rezolucion të lartë, në mënyrë të lirshme falë kontrollit jokabllor që janë të ndjeshëm ndaj lëvizjeve (ajo e Ëii), duke u lidhur në internet edhe me lojtarë të tjerë. Videolojërat nuk janë më një pasion vetëm për të vegjëlit, por shndërrohen në një mënyrë të mrekullueshme për të kaluar kohën për të gjithë familjen.
8 janar 2008
Televizori më i madh në botë
Panasonic prezanton televizorin Plasma më të madh në botë: 150 polsh (180 centimetra x 330). Por edhe konsumi është gjigand: 3000 watt. Falë çmimeve gjithnjë e më kompetitivë, televizorët me ekran të sheshtë janë përhapur duke kanibalizuar ata me tub katodik, që tashmë thuajse janë zhdukur nga qarkullimi. Mes teknologjive më të përhapura janë lcd, plazma dhe led 9Lcd dhe Led sigurojnë ngjyra më të shndritshme me konsum elektrik më të vogël).
10 dhjetor 2009
Avatar revolucionarizon kinemanë 3D
Avatar prezantohet në Londër në premierën botërore. I xhiruar me një videokamerë të prodhuar apostafat, filmi përdor një teknologji tredimensionale më komplekse në krahasim me të tjerët. Deri në ato momente, 3D konsisonte vetëm në pasjen e një objekti në plan të parë dhe sfondeve të distancuyar; megjithatë realiteti përbëhet nga shumë plane të ndryshëm, objekte që janë në nivele të ndryshëm thellësie. Dhe kjo gjë bëhet e mundur nga pikëpamja vizive falë teknologjisë së Avatar.


Nga kriza e internetit, tek mrekullia e iPhone
Dhjetor 2000
Shpërthen fluska e Internetit
Shembet tregu i ri i New Economy, i bazuar në sipërmarrjet dhe kompanitë që punojnë në internet. Në gjashtë muaj, Nasdaq (bursa amerikane e kompanive teknologjike) humbi 53 përqind dhe grupe të mëdhenj si Yahoo! Dhe Amazon kanë humbur 90 përqind të vlerave të tyre maksimale. Në Itali pësoi një rënie të madhe Tiscali, e para kompani italiane në internet që kuotohej në bursë: në gjashtë muaj kishte fituar 25% dhe në pak kohë humbi 85%. Shumë kompani start up dhe ato në internet u detyruan që të heqin dorë e të mbyllen. Ishte fillimi i një krize të internetit, e cila zgjati disa vite.
9 janar 2001
Versioni i parë i iTunes
Apple nxjerr një player të ri muzikor për kompjuter të quajtur iTunes, i cili në pak vite do të bëhej player-i i dytë më i përdorur në botë, pas Windows Media Player. Me këtë program kompjuterik muzikor mund të krijohen librari muzikore personale, mund të blihet muzikë nga dyqanet në internet (iTunes store) apo mund të përdoreshin CD-të personale për të transformuar këngët dhe për t'i dëgjuar në iPod apo në kompjuter. Player-i i ri do të ndryshonte mënyrën e të blerit dhe të dëgjuarit të muzikës: shumë prej këngëve që dëgjojmë në kompjuterët tanë nuk kanë nevojë më për materiale mbështetës (CD, kaseta etj).
15 janar 2001
Lind Wikipedia
Nga ideja e Jimmy Wales dhe Larry Sanger lindi e para enciklopedi open-source (e hapur për të gjithë) e historisë. Shpikësve të Wikipedia nuk u kishte shpëtuar asnjë prej potencialeve të internetit: hapësira e pakufizuar për të shkruar dhe mundësia për të "shfrytëzuar" dijet e të gjithë përdoruesve, duke u bazuar mbi koncepte parësorë, vullnetarinë (të atyre që hedhin të dhëna) dhe të qenurit falas (për ata që konsultohen). Në vitin e saj të parë të jetës enciklopedia në internet kishte 19598 zëra dhe në vitin 2009 arriti të ketë 13 milionë.
12 shkurt 2001
Napster duhet të mbyllet
Një sentencë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendos që Napster, faqja e parë e internetit për ndarjen e dosjeve, për shkëmbim falas të muzikës nga kompjuteri në kompjuter në formatin mp3, duhet që të mbyllet. Bazuar në një program kompjuterik P2P (peer to peer), ideuar nga një student në Boston, Shawn Fanning, Napster kishte përjetuar në vitin 2000 një bum të vërtetë. Por shumë shpejt, kompanitë më të mëdha diskografike, të cilat rrezikonin që të shihnin të reduktuara të ardhurat dhe xhiron e tyre, ngritën një furtunë me një seri kauzash ligjore kundër faqes së internetit. Napster u mbyll në korrik 2001.
Qershor 2003
Del "Second Life" (Jeta e Dytë)
Askush deri në atë moment nuk kishte menduar ndonjëherë se mund të kishte një jetë të dytë... virtuale. Por që nga ai moment në vitin 2003 ishte e mundur, mjaftonte që të zgjidhje një avatar (personazh virtual i vetvetes) për të hyrë në kontakte me avatarë të tjerë, për të udhëtuar drejt tokave të largëta, për të organizuar aktivitete e madje edhe të martoheshe (por gjithmonë virtualisht). Ndryshe nga lojërat e tjera online, bota tridimensionale e Second Life - ideuar nga fizikani Philip Rosedale - krijohet tërësisht nga përdoruesit. Në gusht të vitit 2009 të regjistruarit ishin më shumë se 1 milion.
4 shkurt 2004
Facebook është online
Studentët e Harvardit fillojnë që të përdorin Facebook, rrjetin e ri social të ideuar nga një shoku i tyre, Mark Zuckerberg. Studenti e mori frymëzimin pikërisht nga bota shkollore; librat e përvitshëm të shkollave amerikane, me fotografitë e të gjithë studentëve quhen pikërisht facebook. Më pas, rrjeti social do të dilte nga universitetet për t'u shpërndarë në rrjetin global dhe në shtator të vitit 2009 kishte 300 milionë përdorues dhe me një vlerë tregu afro 550 milionë dollarë.
23 prill 2005
Video e parë në Youtube
Quhet "Takohemi në kopshtin zoologjik" nga Jawed Karim, u xhirua në kopshtin zoologjik të San Diegos në SHBA, përpara kafazit të elefantëve dhe është i pari filmim që u shfaq në faqen e sapolindur të internetit, që shërbën për shkëmbimin e të gjithë videove: Youtube. Në fund të dekadës, Youtube do të ishte faqja e katërt e internetit më e vizituar në botë, pas Google, Msn dhe Yahoo!, me 100 milionë video të shfaqura përditë dhe 65 mijë video të reja të hedhura çdo ditë. Në vitin 2006, Google e bley Youtube për shifrën astronomike 1 miliard e 650 milionë dollarë.
Shtator 2005
Hera e parë e "New York Times"
Për herë të parë, versioni elektronik në internet i një gazete bëhet me pagesë. Nga ky moment, në fakt hyrja në disa prej seksioneve të gazetës "New York Times" bëhet me abonim, duke paguar 50 dollarë në vit. Por pas 2 vitesh, në 2007, botuesi, i bindur për një rritje në të ardhmen të tregut të reklamave në internet, do ta rimendonte sërish dhe do të rikthehej në versionin falas. Janar 2010: tjetër hap prapa. Për versionin e internetit të të përditshmes prestigjoze eksperimentohen forma të reja pagese, si për shembull abonimi me kohë.
21 mars 2006
Twitter
Programuesi Jack Dorsey poston të parin mesazh në rrjetin social të ideuar prej tij, Twitter. Në faqen e re të internetit mund të postohen mesazhe (tweet) të gjata si një sms, përmes internetit apo nga celulari. Dhe mund të lexohen mesazhet e miqve përmes celularit. Më pas, Twitter do të bëhej një mjet i përdorur nga vetë qytetarët për të shpërndarë lajme. Për shembull, në 6 prill 2009, Twitter do të ishte ndër të parët që do të jepte lajmin e tërmetit në Abruzzo, Itali. Në Iran, pas zgjedhjeve të vitit 2009, do të përdorej për të informuar botën dhe për të anashkaluar censurën e regjimit.
11 korrik 2008
Futet në treg iPhone
Telefoni i ri celular i krijuar nga Apple në 2007, hyn në treg në 70 vende. Aparati përbledh në vetvete funksione të ndryshme: iPod, me shërbimin audio dhe video; celulari, për të komunikuar me zë, me sms dhe me mms; një aparat portabël për të luajtur; dhe mbi të gjitha, me mundësinë për të naviguar në internet dhe për të marrë e-mail.


Nga harta gjenetike, tek mashtrimi i klonimit
12 shkurt 2001
Harta e gjenomës
Botohet copëza e parë e kodit gjenetik të njeriut: 3 miliardë baza gjenetike të grupuara në 25 mijë gjene. Kjo sipërmarrje arrihet të kompletohet tërësisht nga dy ekipe shkencëtarësh: një konsorcium publik ndërkombëtar dhe Celera, një kompani private. Në vitet që pasuan, dija në lidhje me kodin tonë gjenetik ka ardhur duke u pasuruar. Dhe bashkë me të kanë ardhur edhe surprizat: ne ndajmë më shumë se 955 të gjeneve tanë me shimpanzetë dhe afro 30 përqind me bananet. Sa i përket numrit të gjeneve, ai është i barabartë me atë të nematodëve, krimba 1 milimetër të gjatë.
4 tetor 2002
Dënohet industria e duhanit
Një gjykatës kalifornian dënon Philip Morrisin, prodhuesi i parë i cigareve në botë, që të paguajë një gjobë 28 miliardë dollarë amerikanë për një grua të sëmurë me kancer në mushkëri. Eshtë gjoba më e rëndë që i është vënë ndonjëherë një kompanie duhani. Gjykatësit e shpallën Philip Morrisin fajtor se kishte fshehur me vetëdije rrezikshmërinë e duhanpirjes për 50 vite. Në vitin 2009, gjoba u reduktua në Gjykatën e Apelit, duke zbritur në 13.8 miliardë dollarë. Ndërkohë, gruaja ka vdekur nga sëmundja e kancerit.
12 mars 2003
Epidemia e SARS
OMS lëshon alarmin: SARS (Sindrome Acuta Respiratoria Severa), një formë atipike e bronko-pneumonisë e shfaqur për herë të parë në nëntor të vitit 2002 në Kinë, është duke u përhapur në të gjithë botën. Përhapja e shpejtë dhe niveli i lartë i vdekshmërisë e bëjnë SARS-in një rrezik global. Fatmirësisht, epidemia arrihet që të mbahet nën kontroll. Vitet zero mund të mbahen mend si dhjetëvjeçari i terrorit prej sëmundjeve epidemike: SARS, gripi i shpendëve dhe gripi i derrave.
19 maj 2005
Klonohet një embrion i njeriut. Por është mashtrim
Një ekip shkencëtarësh koreano-jugor shpallë se ka arritur të klonojë një embrion njerëzor. Megjithatë, pas disa vitesh u vërtetua se lajmi ishte një mashtrim: studiuesit dhe shkencëtarët kishin falsifikuar të dhënat. Por në vitet zero, kërkimet mbi origjinën e jetës dhe përdorimin e celulave staminale (embrionale dhe të rritura) kanë bërë hapa gjigantë dhe - pavarësisht se janë vetëm në fazat e fillimit dhe vështirësitë e ndërlikimet janë të shumta - hapin perspektiva shumë tërheqëse për kurimin e shumë patologjive.
27 tetor 2004
Zbulohen eshtrat e njeriut Hobbit
Në një shpellë në ishullin shumë të largët indonezian të Flores zbulohen eshtrat e qenieve njerëzore të ngjashme me një Hobbit (të lartë afro një metër dhe me kokën me dimensionet e një portokalli) e që kanë jetuar afro 13 mijë vjet më parë. Gjetja e Homo Florensiensis do të vihej në diskutim në vitet e mëvonshme: në fakt, nuk bëhet fjalë për eshtra të një specieje të re njerëzore, por bëhet fjalë për eshtra njerëzish të prekur nga mikrocefalia, një sëmundje gjenetike që kishte shkaktuar tkurrjen e trupit dhe të trurit.
30 nëntor 2005
Transplanti i parë i fytyrës
Ndodh në Francë transplanti i parë i fytyrës në botë, tek një grua 36-vjeçare, pamja e të cilës kishte pësuar dëmtime shumë të rënda nga kafshimet e një qeni. Pjesa e jashtme e lëkurës, indet e poshtme, muskujt e vegjël, vena dhe arterie u dhuruan nga një donatore që ishte në gjendje vdekjeje cerebrale. Transplanti i fytyrës bëri hapa gjigantë në vitet që do të vinin: në vitin 2008 në Shtetet e Bashkuara, bashkë me lëkurë dhe me muskuj, janë transplantuar disa kocka faciale, nofulla dhe gjuha.
Maj 2006
Mbërrin manteli i padukshmërisë
Dy grupe studiuesish realizojnë prototipët e parë të materialeve të rinj artificialë, të cilët i quajnë "metamateriale". Kanë tipare elektromagnetikë që ekzistojnë në natyrë dhe që janë në gjendje të "shmangin" përreth objekteve dritën dhe forma të tjera rrezatimi elektromagnetik, pak a shumë siç i ndodh ujit që rrjedh mbi gurë. Zhvillimi i këtyre lloj materialeve nuk mundi që të kompletohet me mbylljen e dekadës: manteli i Harry Potterit me shumë gjasa mund të mbërrijë në 5 apo 7 vitet e ardhshëm.
Janar 2007
Fuzioni bërthamor në lëvizje
Në Cadarache (në Francë) fillon ndërtimi i ITER, një reaktor eksperimental bërthamor. Për ta përmbyllur do të duhen 10 vite dhe më shumë se 10 miliardë euro. Lënda djegëse do të nxehet deri në 150 milionë gradë, duke formuar një plazmë inkadeshente, e cila do të mbahet larg nga muret e reaktorit nëpërmjet një fushe magnetike, pa rreziqe zjarrjesh apo skoriesh bërthamore.
10 shtator 2008
Nis LHC
Eshtë ndezur në këtë datë ekseleratori i thërrmijave që quhet LHC, një unazë gjigante e gjatë 27 kilometra, e cila ndodhet nën tokë në 100 metra thellësi. Për ta ndërtuar, 5 mijë shkencëtarë dhe teknikë nga e gjithë bota kanë punuar për 10 vite me radhë. LHC do të mundësojë krijimin e kushteve të momenteve menjëherë pas Big Banut, si dhe do të mundësojë studimin e cilësive themelore të materies. Pas pak ditësh, një shkarkesë elektrike e dëmtoi rëndë akseleratorin: për riparimin e tij u deshën 26 milionë euro dhe një vit punë.
1 tetor 2009
Ardi, "gjyshja" 4.4 milionë vjeçare
Pas një studimi të gjatë u shpall se eshtrat e gjetura 15 vjet më parë në zonën depresive të afarit në Etiopi, i përkasin një pararendësi të përbashkët tonit dhe të shimpanzesë. Quhet Ardi (Ardipithecus Ramidus) dhe është paraardhësi ynë më i lashtë, duke lënë pas tashmë të famshmen Lucy, si dhe duke zhvendosur origjinën e njeriut nga 3.2 milionë vite në 4.4 milionë vite. Ka qenë e gjatë 1 metër e njëzetë, peshonte 50 kilogramë, ngjitej nëpër pemë, por gjithsesi ecte në pozicionin ngritur dhe kishte një sjellje shumë sociale.


15 dhjetor 2000
Mbyllet Çernobili
Në centralin bërthamor të Çernobilit, vetë Presidenti i Ukrainës, Leonid Kuçma fiku reaktorin, të vetmin që kishte mbetur ende në punë - për prodhimin e energjisë elektrike - pas fatkeqësisë. Në 26 prill të vitit 1986, një prej reaktorëve (numër 40) shërtheu papritur. Incidenti shkaktoi një plasje që përhapi në atmosferë sasi jo të vogla elementësh radioaktivë, gjë që shkaktoi në vitet e mëvonshëm rritjen e rasteve të tumoreve në tiroide për popullsinë e zonës.
4 dhjetor 2002
Samiti i Johannesburgut
U mbyll në kryeqytetin afrikano-jugor samiti i organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara mbi zhvillimin e qëndrueshëm. Udhëheqës politikë të vendeve të mëdha diskutuan për dhjetë ditë me radhë në lidhje me një model të ri zhvillimi, në gjendje të ruajë burimet, ekonomike dhe mjedisore, të dobishme për brezat e ardhshëm. Rezultati ishte një dokument pajtimi mes dy pozicioneve të ndryshëm: nga njëra anë, Europa më ambientaliste dhe nga ana tjetër, SHBA dhe Japonia, më të shmangur.
16 shkurt 2005
Në fuqi Protokolli i Kiotos
Hyn në fuqi traktati ndërkombëtar për ngrohjen globale i firmosur në 11 dhjetor 1997. Ai parashikon uljen e lëshimeve të gazrave të efektit serë (dioksid karboni, protoksid azoti, hidrofluorokarbure, perfluorokarbure dhe ekzafluorur) në periudhën 2008-2012 me të paktën 5 përqind krahasuar me vitin 1990. Marrëveshja ratifikohet nga 141 vende, por në të nuk aderon SHBA. Kina, India dhe vende të tjera në zhvillim - përgjegjës për 40 përqind të emetimeve - në këtë fazë të parë janë përjashtuar nga reduktimi.
Gusht 2005
Uragani Katrina
I formuar në ishujt Bahamas, cikloni Katrina përshkon Floridën, Misisipin dhe Luizianën, duke shkaktuar vdekjen e afro 2000 personave dhe dëme rreth 80 miliardë dollarë amerikanë. Dëmet më të rëndë verifikohen në Nju Orlins - në 30 gusht - kur bien argjinaturat e qytetit dhe 80 përqind e territorit zhytet nën ujë. Do të ishin me qindra të vdekurit dhe shumë më tepër ata që mbetën të pastrehë. Sipas disa shkencëtarëve, rritja në vitet e fundit e fuqisë shkatërrimtare të ciklonëve ka ardhur për shkak të ndryshimeve të klimës.
25 maj 2006
Shfaqet në New York "Një e vërtetë e pavolitshme"
Me regjisor Davis Guggenheim, filmi dokumentar ka për protagonist Al Gore, ish-zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai merret me problemin e ngrohjes globale si dhe ndryshimeve klimatike që kanë ndodhur, të gjitha këto përmes të dhënave të mbledhura nga Al Gore nëpër vite. Dokumentari, i cili mori çmimin Oscar si dokumentari më i mirë për vitin 2007, do të ndodhej nën rebeshin e kritikave nga ana e komunitetit shkencor, i cili do të kontestonte alarmimin e tepruar të autorëve si dhe faktin që tezave të parashtruara u mungonin elementët shkencorë.
7 korrik 2007
Koncerti Live Earth
Një koncert për klimën në krizë, ky ka qenë nëntitulli i Live Earth (Direkt nga Toka). Njëqind e pesëdhjetë artistë në të gjithë botën dalin në të njëjtën kohë në koncert në 8 qytete të ndryshëm në të gjithë kontinentet. Objektivi: tërheqja e vëmendjes së opinionit publik botëror nga problemi i ndryshimeve klimatike. Në maratonën muzikore morën pjesë 2 miliardë spektatorë në të gjithë botën.
Korrik 2007
Alarmi i parë për biokarburantet
Botohet raporti Ocse-Fao Agricultural Outlook 2007-2016, sipas të cilit, rritja e kërkesës për produktet që shërbejnë si biokarburante mund të sjellë brenda 10 viteve një rritje të padrejtë të çmimeve të shumë produkteve bujqësorë: 17 përqind e kostos së drithit dhe 50 përqind ajo e mishit dhe derivatëve të tij. Por në vitin pasardhës, në 2008, shumë shtete (nga Meksika në Afganistan) do të ndodheshin krejt papritur përballë një rritjeje të madhe të çmimeve për drithëra dhe oriz.
7 shkurt 2009
Australia në flakë
Pas një periudhe me thatësirë dhe disa ditësh me temperatura rekord (mbi 45 gradë, më të lartat e 100 viteve të fundit) në juglindje të Australisë shpërthen zjarri më i madh i historisë së vendit. Zjarret, që u përhapën në 4000 kilometra katrorë territor në ditët e mëvonshme, u përhapën edhe për shkak të kushteve klimatike jonormalë. Bilanci ishte 173 të vdekur, qindra të plagosur dhe afro 5000 persona pa shtëpi.
7 dhjetor 2009
Samiti i Kopenhagës
Hapet në kryeqytetin danez Samiti i 15-të i OKB mbi ndryshimet klimatike. Në tryezë synimi kryesor qe arritja e një marrëveshjeje me vendet me ekonomi në zhvillim, Kina, India, Afrika e Jugut dhe Brazili, për uljen e pjesshme të lëshimeve të tyre në atmosferë. Por dhjetë ditë debat nuk sollën aspak rezultatet e shpresuara nga ambientalistët, të cilët kishin kërkuar një ulje 50 përqind të lëshimeve globale. Shtetet e Bashkuara premtuan megjithatë, një ulje me 17% të lëshimeve deri në vitin 2020, krahasuar me 2005.
8 dhjetor 2009
Dhjetëvjeçari më i nxehtë
Organizata Botërore Meteorologjike, një agjenci e Kombeve të Bashkuara për klimën, ka bërë të ditur se dhjetëvjeçari 2000-2009 mund të mbahet mend si më i nxehti që nga viti 1850. Në vitin 2009 (nga janari në dhjetor), temperatura u rrit mesatarisht me 0.4 gradë krahasuar me tridhjetëvjeçarin 1961-1991, me një temperaturë mesatare vjetore 14 gradë.
14 shtator 2000
Seria e parë e "Vëllai i madh"
Mbërrin në Itali një prej programeve më të diskutuara të të gjithë kohërave: Vëllai i madh. Nuk ka aktorë, nuk ka skenarë: syri i telekamerës përgjon 24 orë në 24, dhjetë djem e vajza shumë normalë në një shtëpi të ndërtuar enkas për këtë rast. Lind kështu "reality show", që me kalimin e kohës do të marrë forma të ndryshme. Që nga pensionistët (Super Senior 2003) tek të famshmit (Ishulli i të famshmëve, Ferma) deri tek muzikantët (Music Farm): në këtë dhjetëvjeçar ishin të shumtë ata që u dhanë pas këtij zhanri të fundit televiziv.
18 janar 2002
Të ardhura rekord për "Zoti i Unazave"
Filmi "Zoti i Unazave" - Shoqëria e Unazës (Peter Jackson, 2001). Një realizim i librit të Tolkien doli për herë të parë në kinematë europiane, duke thyer të gjitha rekordet për të ardhurat nga një film. Në ditën e parë vetëm në Itali arkëton 1 milion e 32 mijë euro (më parë vendin e parë e mbante Hannibal, që në ditën e parë kishte arkëtuar 723 mijë euro). Në sallat e qyteteve të mëdha nuk gjeje asnjë vend bosh dhe ndërkohë, në kinematë me shumë salla filmi nis e shfaqet edhe jashtë orareve.
6 maj 2004
Seria e fundit e "Friends"
Pas dhjetë vitesh suksese, bie sipari i serisë televizive "Friends". Miliona spektatorë në Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të mbërthyer para televizorëve për të parë serinë e fundit, gjatë së cilës një spot vetëm 30 sekondësh kushton 2 milionë dollarë, një rekord absolut ky për një seri televizive. Sit-comi, ashtu si shumë seri amerikane shfrytëzon të qeshurat në sfond, të regjistruara gjatë projektimit në publik të disa puntatave, në të cilat spektatorët qeshnin dhe duartrokisnin (dhe ndonjëherë thërrisnin) me të vërtetë.
20 maj 2005
Akti i fundit i "Star Wars"
Akti i fundit i sagës fantastiko-shkencore të George Lucas. "Star Wars": Episodi III - Hakmarrja e Sith-ëve mbyll në fakt serinë e "Luftave Yjore" të filluar që në vitin 1977. Për të afruar sa më shumë fansat e çmendur pas serisë, në setin e episodit të fundit që u xhirua në Australi, u vendosën disa webcaera, përmes të cilave fansat mund të ndiqnin direkt xhirimet e filmit. Edhe ky, ashtu si të tjerët, ishte një sukses i madh: është përllogaritur që të gjashtë filmat kanë arkëtuar 4.4 miliardë dollarë.
1 korrik 2005
Zbulohet një skicë nën "Virgjëreshën e shkëmbinjve" të Leonardos
Eshtë zbuluar falë rrezeve infra të kuqe një skicë nën pikturën "Virgjëresha e shkëmbinjve" të Leonardo Da Vincit, e cila ruhet në Galerinë Kombëtare të Londrës. Sipas disave, skica paraqet një lutje të Jezusit dhe me siguri do të jetë e Leonardos. Vetë piktura ka origjinë misterioze: shumë historianë mendojnë se mund të bëhet fjalë për një "kopje të shëmtuar", vetëm pjesërisht të autografuar prej autorit të pikturës origjinale "Virgjëresha e shkëmbinjve", që në të vërtetë ruhet në Muzeun e Louvre në Paris.
7 korrik 2007
Shpallen 7 mrekullitë moderne
Një referendum i madh botëror i kryer në vitin 2004 nga një shoqëri private zvicerane, "New Open World Coropration" zgjedh shtatë mrekullitë e botës moderne. Pjesëmarrja dhe votimi ishin të hapura për të gjithë nëpërmjet internetit apo mesazheve me celularë. Mes 150 veprave kandidate fituesit dolën: Muri i madh kinez, vendi arkeologjik i Petras në Jordani, Statuja e Krishtit në Rio në Brazil, qyteti i humbur i Machu Picchu në Peru, Chichen Itza në Meksikë, Koloseu i Romës dhe Taj Mahal në Indi.
21 korrik 2007
Botohet libri i fundit i Harry Potter
Harry Potter i ka orët e numëruara? Këtë pyetje e bënin prej kohësh fansat e sagës fantastike që kish lindur për fëmijë, por që vlerësohet shumë edhe nga të rriturit. Në Angli ka dalë në korrik 2007 libri i shtatë dhe i fundit i serisë. Dhe pas tij ka ardhur edhe bumi i madh, teksa librat e mëparshëm të shkrimtares angleze Joanne Kathleen Rowling të përkthyer në 64 gjuhë, kanë shitur 400 milionë kopje.
6 shtator 2007
Ndërron jetë Luçiano Pavarotti
Pas një sëmundjeje të gjatë shuhet në shtëpinë e tij në Modena, në moshën 71-vjeçare, tenori Luciano Pavarotti. Dy ditë më parë i ishte dhënë nga ministri i Kulturës i Italisë çmimi për Ekselencën në kulturë, që në kandidimin e parë. Gjatë karrierës së tij, Pavarotti e bëri lirikën një fenomen të masave: në koncertin e tij në vitin 1993 në Central Park, në New York kishte një gjysmë milioni të pranishëm dhe në Berlin, në vitin 1988 u duartrokit për një orë e 7 minuta!
29 maj 2009
Del filmi "Burra që urrejnë gratë"
Del në sallat europiane të kinemave filmi i shkëputur nga seria Millenium, trilogjia e romaneve të shkrimtarit suedez Stieg Larsson: "Burra që urrejnë gratë", "Vajza që luante me zjarrin", "Mbretëresha e kështjellave të letrës". Epopea policeske ka qenë fenomeni editorial i dhjetë viteve të fundit. 3 veprat kanë shitur 10 milionë kopje në të gjithë botën dhe në vitin 2008, "Burri që urrente gratë" ka qenë libri më i shitur në Europë. Një sukses që shkrimtari nuk mundi ta shijojë, për arsye se vdiq nga një infarkt pikërisht në momentin kur sapo kishte përfunduar të tretin e librave të tij.
26 qershor 2009
Ndërron jetë Majkëll Xhekson
Në Holmby Hills, në kodrat e Beverly Hills në Kaliforni ndërron jetë këngëtari amerikan Majkëll Xhekson. Vdekja erdhi për shkak të një ataku kardiak. Gjashtë muaj pas vdekjes së tij, në janar të vitit 2010, e përditshmja britanike "News of the World" do të zyrtarizonte një zë që kishte kohë që kish nisur të dëgjohej: në çertifikatën e vdekjes së këngëtarit mendohet të jetë shkruajtur: i vrarë. Fajtori mjeku, Conrad Murray, i cili mendohet që për shkak të neglizhencës t'i ketë dhënë një dozë shumë të fuqishme Propofoli, një qetësues shumë i fortë.


15 shtator 2000
Olimpiada e Sidneit
Olimpiada e Sidneit hapet me shenjat e pajtimit mes aborigjenëve australianë dhe kolonizatorëve europianë. Cathy Freeman, atletja australiane e 400 metrave me origjinë aborigjene ka qenë në fakt atletja që ndezi flakën olimpike.
8 prill 2001
Rekordi i Tiger
Tiger Woods është i pari që siguron brenda të njëjtit vit titullin e të katër turneve kryesorë të golfit. Gjatë karrierës së tij Woods do të fitonte plot 14 herë dhe 4 turne të mëdhenj të cirkuitit të golfit profesionist, apo më mirë atë që quhet Masters, Open-at amerikanë, Open-at anglezë dhe kampionatin PGA.
30 qershor 2002
Brazili pesë herë kampion
Me dy gola të Ronaldos, Brazili ka mundur Gjermaninë dhe ka siguruar për të pestën herë titullin kampion i botës në futboll. Për herë të parë në histori, kampionati botëror i futbollit zhvillohet jashtë Europës dhe Amerikës, dhe organizohen në dy vende, Japoni dhe Kore e Jugut.
23 nëntor 2003
Regbi, hera e parë e Anglisë
Finalja e kupës së botës në regbi, në Sidnei. Anglia luan përballë Australisë. Në sekondat e fundit të një ndeshjeje shumë të fortë, që zgjati me dy pjesë të rregullta plus dy kohë shtesë, mesfushori anglez Johny Wilkinson shënon nga 30 metra. Anglia është kampione e botës. Për herë të parë, dhe deri tani edhe të fundit, një skuadër e hemisferës veriore merr titullin e botës në regbi.
24 korrik 2005
Lance Armstrong: një amerikan në Paris
Lance Armstrong për pak sa nuk pëson aksident në hyrjen e Champs Elysees në Paris ku fiton të shtatin Tour de France, diçka kjo që nuk ishte arritur nga askush deri në atë kohë. Kampioni amerikan do të tërhiqej menjëherë më pas, për t'u rikthyer sërish në 2009. Armstrong, përpara se të shndërrohej në një legjendë e pedaleve ka luftuar dhe mposhtur një tumor në testikuj, duke u shndërruar më pas në një prej aktivistëve kryesorë të luftës kundër tumoreve.
9 korrik 2006
Italia, kampione e botës
Mbyllet karriera e Zinedine Zidane, kapiten i Francës. Me goditjen me kokë kundër Marco Materazzit gjatë finales së kupës së botës në Gjermani. Italia shpallet për herë të katërt kampione e botës në futboll.
10 shtator 2006
Tërheqja e Shumakerit
Majkëll Shumaker deklaron se do të tërhiqet, pasi ka fituar Çmimin e madh të Italisë në Monza. Për pilotin 37-vjeçar nga Gjermania, fitues i 7 kampionateve të botës dhe statistikisht piloti më fitues i historisë së Formula 1, bëhet fjalë për 90 Çmime të Mëdhenj të fituar deri atëherë.
5 shtator 2007
Dopingu trondit atletikën
Marion Jones pranon përpara një gjykatësi se ka përdorur steroidë më parë, gjatë dhe pas Olimpiadës së vitit 2000. Të gjithë rezultatet e saj deri në shtator të vitit 2000 anulohen, duke përfshirë edhe 5 medaljet e fituara në Olimpiadën e Sidneit. Për faktin që kish gënjyer para një gjykatësi për përdorimin e 5 substancave të ndaluara, ajo dënohet me gjashtë muaj burg.
24 gusht 2008
Bolt e phelps: dy superatletë në Pekin
Mbyllet Olimpiada e Pekinit, e cila do të kujtohet mbi të gjitha për ceremonitë e jashtëzakonshme të hapjes dhe të mbylljes si dhe për arritjet sportive të dy atletëve të parivalë. I pari, është Usain Bolt, xhamaikan: arrin rekordin botëror në 100 dhe 200 metra; i dyti, amerikani Michael Phelps, fiton tetë medalje të arta në not, duke arritur kështu rekordin e Mark Spitz.

Google+ Followers