Një perandori për dy


Armiq-miq

Mes perëndimit "barbarik" gjermanik dhe Bizantit të rafinuar (alias Kostandinopoja) nuk kishte shpërthyer ende lufta e ftohtë që e quajmë ndarja e madhe e Orientit. Madje, dy perandoritë, ndonëse në garë për kontrollin e Italisë jugore, për disa vite u qeverisën të dyja nga gjak bizantin. Ndodhi mes viteve 985 dhe 981, kur Oktoni III, i kurorëzuar në vitin 983 në moshën 3 vjec pas vdekjes së të atit (Oktoni II) u vu nën kujdesin e të ëmës, Teofanisë. "Kujdestarja ishte mbesë e Xhovani Zimishes, gjeneral bizantin dhe perandor uzurpator, dhe kështu nuk i përkiste dinastisë së Bazilios", saktëson Salvatore Kosentino, docent i historisë bizantine në Universitetin e Bolonjës.

Dikujt nuk i pëlqeu kjo lëvizje. Aq sa mbreti foshnjë (i lindur nën një yll të çuditshëm: motra binjake vdiq gjatë lindjes) rrezikoi të mos arrijë moshën e shkollës. Ai u rrëmbye nga kushëriri i babait (Henriku Paqësori i Bavieras, i cili me paqen kish vërtetë shumë pak të bënte) i cili u kurorëzua nga papa i radhës, i trembur prej armatave gjermanike. Por kur e kuptoi se askush nuk e ndiqte, Henriku e ktheu djalin e vogël (dhe pushtetin) tek kujdestarja e ligjshme.

Erë nga lindja

Mama Teofania ishte një Ivana Trump e mesjetës, gruaja më e pasur e epokës së vet. Kronikat e 972 rrëfejnë si në përrallë kolonën që e shoqëroi në Romë për martesën me Oktonin II, që u celebrua nga Papa Xhovani XIII: qindra karroca të mbushura me perla, gurë të çmuar, flori, argjend. Ajo 14 vjeç, ai 17, "ajo martesë duhej të kishte bashkuar në mënyrë të pazgjidhshme perandorinë e lindjes me atë të perëndimit", shpjegon ish ambasadori anglez dhe historiani Xhon Noruiç në librin e tij, "Bizanti".

Teofania, përveçse e pasur ishte edhe e ditur, ashtu si pjesa më e madhe e princeshave të lindjes. Dhe Bizanti kishte lënë tashmë pas "shekujt e errët" të ikonoklastisë, kur ndjekësit fanatikë të perandorit Leoni III iu vunë duke shkatërruar mozaikë, statuja, piktura me imazhe të shenjtë. Një meritë në pjesën më të madhe e Kostantin VII Porfiroxhenitos, një mbret i rritur me bukë e me libra, muzikan, artist dhe autor i dy enciklopedive: njëri mbi artin e qeverisjes, tjetra mbi "bizantinizmat" e oborrit. Shumë shpejt ishin këta të fundit që patën sukses të madh edhe në perëndim.

Mbërritja e Teofanisë në oborrin gjermanik nuk pati vetëm pasoja politike por edhe kulturore. "Oborri bizantin influencoi stilin e sovranëve gjermanikë: veshje, mësime përpushtetin, ceremoniale, si në mbretërinë e Oktonit II, ashtu edhe në atë të Oktonit III, u bënë gjithnjë e më të orientuar nga lindja", thotë Kosentino.

Endrra e madhe

Teofania vdiq në vitin 991. Në moshën 15 vjeçare (shumë pak kohë nga kapërcyelli i mijëvjecarit) Oktoni mori plotësisht pushtetin e tij. I frymëzuar nga shembulli i nënës së tij dhe i indoktrinuar nga mësuesi i tij Gerbert d'Aurilak (Papa Silvestri II në të ardhmen) mbreti adoleshent shpalli ëndrrën e tij: bashkimi i dy gjysmave të perandorisë romake, duke themeluar një Europë të bashkuar kristiane që do të shtrihej nga Franca deri në stepat e lindjes, të kristianizuara prej pak kohësh.

"Oktoni imagjinonte një teokraci të madhe të bizantinizuar, që përfshinte gjermanët, grekët, popujt e Italisë dhe sllavët, e udhëhequr nga Perëndia, nga ai vetë dhe nga Papa", shpjegon Noruiç. Për të realizuar një projekt politik kaq ambicioz, më shumë se sa forca nevojitej diplomacia. Që në atë epokë do të thoshte të zgjidhje bashkëshorten e duhur. Në vitin 996 në Bizant mbërriti një delegacion i perandorit të perëndimit. E drejtonte Xhovani Filagato, një grek i emigruar nga Kalabria në Piacenca, ku ishte bërë arkipeshkv i parashikueses Teofani. E thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë kërkesa: një prej mbesave të Bazilios për mbretin e ri sakson. Eudosia, Zoe apo Teodora? Do të zgjidhte ai.

Interesa të përbashkët

Projekti i Oktonit dhe Silvestrit nuk pengonte aq shumë interesat bizantinë. Përkundrazi. "Bizanti synonte të forconte pushtetin e tij në Perëndim, pasi kish arritur suksese të mëdhenj kundër myslimanëve të Lindjes së Afërt. Kishte projektuar edhe një ripushtim të Sicilisë që, megjithatë nuk ia kish dalë mbanë", shpjegon Kosentino. "Ndërsa perandoria gjermanike synonte jugun e Italisë - zona e fërkimit mes dy fuqive - një rajon ende jashtë sferës së vet të influencës. Në Europën Lindore, bizantinë e Oktonë nuk konkuronin me njëri tjetrin: të parët synonin Mbretërinë e Bullgarëve, të dytët territoret polakë dhe moravën (sot Republika Ceke)".

Dy perandoritë kishin edhe armiq të përbashkët (me të cilët, megjithatë nuk hezitonin që sipas nevojave të bënin edhe aleanca): "Arabët e sicilisë, normanët që kërkonin të vendoseshin në Itali, dhe ndonjëherë, papati". Pra ajo martesë tingëllonte si një punë me interes për të dy brigjet e Adriatikut.

Të paparashikueshëm

Por ndodhi diçka. Kur Filagato u rikthye në Romë me ambasadorët bizantinë për të përcaktuar detajet e operacionit, Oktoni ishte rinisur për në Gjermani (udhëtimet zgjasnin me javë, dhe ishte e vështirë të kishte takime në distancë). Për më tepër, shpërtheu një prej të shumtëve komplotë antiperandorakë. Papa Gregori V (kushëri i Oktonit) u dëbua nga Roma dhe në vendin e tij u shpall antipapë... Filagati. Në shkurt 998 Oktoni bëri prapa kthehu për të rivendosur status kuonë. Papës grek iu prenë duart dhe veshët, iu nxorrën sytë dhe gjuha, dhe pas kësaj e mbyllën në një manastir për 15 vitet e jetës që i mbetën.

Brindizi i vetmuar

Oktoni u detyrua të ngrejë i vetëm dolli për mijëvjecarin e tij, por vitin tjetër iu rikthye punës. Këtë herë dërgoi në Kostandinopojë peshkopin e Milanos, Arnolfin. "Ishte një fetar kaq shumë i dashuruar pas madhështisë saqë u shfaq në Bosfor në shalën e një kali me supertakëme, me frerët prej floriri dhe patkonjtë prej argjendi", rrëfen Noruiç. Zgjodhi Zoen, 23 vjeç, bashkëmoshatare e Oktonit dhe, sipas kronikave, më e këndshmja e tre kandidateve.

Zoe dhe ndjekësi i saj lundruan drejt Italisë në janar të 1002. Por kur anijet bizantine iu afruan Barit, princesha pati një suprizë të shëmtuar: bashkëshorti i premtuar kishte vdekur, i sëmurë nga ethe misterioze në Faleria, pranë Viterbos. Fundi i ëndrrës së ribashkimit. "Nëse Zoe dhe Oktoni do të kishin pasur një djalë, ai djalë do të kish trashëguar jo vetëm Perandorinë e Perëndimit por, në mungesë të trashëgimtarëve meshkuj në bazile, edhe atë të Lindjes, dhe do t'i qeveriste të bashkuar, nga Franca në Persi. E gjithë historia jonë do të kish qenë ndryshe", përfundon Noruiç. "Edhe pse", saktëson Kosentino, "nuk pati asnjëherë projekte konkretë për bashkimin e dy perandorive, të paktën nga pala bizantine".

Vetëm deri në fund

Që Bazilio nuk do të kish lënë pas trashëgimtarë, kjo ishte e sigurt. Beqari i dytë i artë i vitit Një Mijë e kish zgjedhje të tijën të qënurit i vetëm. "Bazilio ishte i shkurtër dhe trupngjeshur, i shëmtuar, i pistë, i paedukuar dhe një koprac thuajse patologjik". Gjë që nuk do ta kishte penguar të gjente bashkëshorten e duhur, duke patur parasysh rolin e tij. Por ishte ai vetë që nuk donte t'ia dinte. "Një asket i pashembullt, hante dhe pinte pak dhe rrinte larg grave. Unik mes thuajse të gjithë perandorëve bizantinë, nuk u martua asnjëherë. Në fronin e Kostandinopojës nuk u ul më kurrë një njeri më i vetmuar se ai".

Prezantohej në oborr me veshje të grisura dhe ndërrohej rrallë, por sigurisht që nuk ishte një i marrë. Kohën që shumë paraardhës të tij ia kishin dedikuar artit dhe kënaqësive ai ia dedikoi luftës, duke refuzuar - sapo arriti moshën e qeverisjes - që t'ua linte frerët e perandorisë shambelanëve dhe gjeneralëve, sic ndodhte në oborrin e tij. Ishte një kalorës i jashtëzakonshëm dhe sipas studimeve të ndryshëm ishte një prej gjeneralëve më brilantë të historisë bizantine, ndonëse i mungonte karizma dhe nejrëzit shumë pak e donin.

I mërzitshëm por i paepur, ai shtypi në mënyrë të vendosur një grusht shteti shumë të fuqishëm të disa gjeneralëve ambiciozë. Më pas iu kundërvu Mbretit Simeon të Bullgarisë, i cili e kishte poshtëruar ushtarakisht në rininë e tij. U tregua i pamëshirshëm. Në vitin 1014, në grykëderdhjen e lumit Serrai mes Bullgarisë dhe Greqisë, e bëri pluhur e hi ushtrinë armike. Nga 15 mijë robërit, Bazilio shndërroi në të verbër 99 për cdo njëqind prej tyre: 150 që i la të gjallë udhëhoqën kolonën e trishtë dejt fortesës së plakushit Simeon, i cili përballë atij spektakli vdiq nga një atak në zemër. 4 vite më vonë, Bullgaria dhe një pjesë e madhe e Ballkanit ishin bizantinë. Aleanca tashmë e konsoliduar me rusët e Kievit hodhi bazat e hegjemonisë greko-ortodokse mes sllavëve, që vazhdon edhe sot.

I treti në siklet

Kur vdiq Bazilio në 15 dhjetor 1025, Perandoria e Lindjes ishte e madhe, e pasur dhe e fuqishme siç nuk kish qenë prej shekujsh. Por sovrani kish bërë gabimin që nuk ishte martuar, dhe luftërat për pasardhësin e tij ishin fatale për superfuqinë bizantine. Veç të tjerash, edhe Oktonët kishin pushuar së mbretëruari prej një viti.

"Me pasardhësit e Oktonit III, Henriku II dhe Korradi II, lidershipi gjermanik hyri në krizë dhe perandorëve iu desh të kufizonin veprimet e tyre në Gjermani dhe në Italinë e jugut", shpjegon Kosentino. Italia e Jugut i kaloi Normanëve dhe në 1071 beteja e Mancikertës (Turqi) i kushtoi bizantinëve Azinë e Vogël dhe shënoi ngjitjen e padronit të ri të lindjes: perandoria islamike, paraardhëse e perandorisë otomane. Vdekja e atyre dy beqarëve të artë kishte ndarë përgjithmonë rrugët e dy perandorive dhe ndarja e madhe e 1054 ishte guri i varrit për ëndrrën e Oktonit.

Ndërkohë, në pjesën tjetër të botës...

Ndërkohë që në Europë dhe në basenin e Mesdheut dominonin dinastia e Oktonëve, bizantinët, arabët dhe normanët, çfarë ndodhte në pjesën tjetër të botës?

Teknologjikë

Në Lindjen e largët, perandorët Song e bënë Kinën një prej mbretërive më të përparuara teknologjikisht në botë. Pikërisht atëherë shpikësi Bi Sheng krijoi shtypin e shkruar 4 shekuj përpara Gutenbergut. Shumë shpejt Kina do të kërcënohej prej perandorisë mongole, që dy vjet më vonë, me Gengis Khanin do të shndërrohej në perandorinë më të madhe të historisë. Në juglindje të Azisë, mbretëria e khmerëve po kalonte një periudhë të gjatë paqeje dhe në Angkor po ndërtoheshin disa prej tempujve më të pasur të qytetit. Në Japoni, epoka e samurajëve ishte ende larg, por arti dhe letërsia ishin në kulmin e shkëlqimit (Murasaki Shikibo po shkruante Rrëfimi i Genjit, poema më e rëndësishme e letërsisë së lashtë japoneze). Ndërkohë që India veriore pushtohej nga ushtritë islamike, në jug ndërtoheshin tempujt e mëdhenj hindu të dinastisë Chola të etnisë së tamilëve. Ndërsa Korea u bë qendra kryesore e përhapjes së budizmit.

Amerikanët

Në anën tjetër të Oqeanit atlantik, Amerika qendrore ishte sfondi i katër qytetërimeve të mëdhenj parakolumbianë: Majat, Toltekët, Mikstekët dhe Zapotekët. Qyteti i majave Chichen Itza me 50 mijë banorët e tij dhe piramidat e mëdha, ishte qyteti më i populluar i kontinentit. Në amerikën veriore lulëzonin qytetërimet misteriozë Puebla dhe të Misisipit. Afrika perëndimore dominohej nga Perandoria e Ganës, dy shekuj më vonë u përthith nga ajo e Malit, ndërkohë që në Nigerinë e sotme krijoheshin kryeveprat në bronz të qytetërimit Ife. Qyteti i Zimbabves së Madhe me muret e vet ciklopikë ishte kryeqyteti i Perandorisë Shona, që bënte tregti flioriri me Kinën. Në Etiopi, rreth vitit 1000 binte më në fund Perandoria e Aksum, që më pas u zëvendësua prej perandorisë etiopiane.

Ndarja e madhe e 1054

Nëse prej 955 vitesh historia e Bizantit dhe ajo e Europës Perëndimore na duken dy çështje që pak kanë jo të përbashkëta, faji është i një postieri shumë të vecantë: kardinali Umberto i Silvakandidas, që në 16 korrik 1954 i dorëzoi Mikeles I, patriark i Kostandinopojës, aktin e shkishërimit prej Papës së Romës, Leoni IX. Kundërshkishërimi i Mikeles sanksionoi ndarjen përfundimtare të kishës katolike romane nga ajo ortodokse greke. Si kishin mbërritur deri tek ai divorc?

Duke filluar nga shekulli VIII, tre nga pesë patriarkët që administronin shpirtërat dhe pasuritë në tokat e krishtera kishin humbur rëndësinë për shkak të përparimit të islamikëve: Jeruzalemi, Antiokia dhe Aleksandria kishin lënë pas Kostandinopojën dhe Romën. "Me kalimin e perandorisë perëndimore nga saksonët tek frankonët domethënë fundi i Oktonëve në 1024, papati u bë një pushtet politik, përvecse shpirtëror gjithnjë e më autonom", shpjegon Salvatore Kosentino, docent i historisë së bizantit në Universitetin e Bolonjës. Dhe kur Bizanti nisi rënien e tij të pandalshme, me vdekjen pa lënë trashëgimtarë të Bazilios II, konkurenca për supremacinë mes papës dhe patriarkut mori zjarr.

Në Romë, prej disa shekujsh tundej në ajër i ashtuquajturi Donacion i Kostandinit: "Peshkopi i Romës duhet të mbretërojë mbi të gjithë kishat e botës", thuhej të kish deklaruar në shekullin IV perandori i konvertuar. Dokumenti ishte fals (por kjo u zbulua vetëm në vitin 400), ndoshta i krijuar në shekullin IX për të legjitimuar supremacinë romake. Bizanti nuk mund të qëndronte jashtë baletit të shkishërimeve.

Grindje

Për të pasqyruar rivalitetet politikë ndihmonin shumë edhe divergjencat teologjike. Që në vitin 867 patriarku Focio (në Romë konsiderohej një uzurpator i rolit të patriarkut) u kish shpjeguar peshkopëve të lindjes pikat që për të ishin të papranueshme: mosmartesa e priftërinjve, pengimi i priftërinjve për të administruar kreshmën, agjërimi i të shtunës, e mërkura e hirit. Por mbi të gjitha qëndronen mospajtimet mbi natyrën e Shpirtit të Shenjtë. Shtimi në perëndim i një fjale "dhe nga Biri" në Kredo (profesioni i besimit i të krishterëve) nënkuptonte që Shpirti i Shenjtë zbriste për vec se nga Ati, edhe nga Biri. E përdorur në 1014 gjatë kurorëzimit të Henrikut III, kjo formulë u shpall heretike nga Kostandinopoja.

Google+ Followers