Nikola Tesla dhe dhuratat që i ka bërë njerëzimit


Në këto ditë të shekullit XXI shumëkush mund të pyesë se përse i detyrohemi kaq shumë këtij njeriu, i cili ka jetuar rreth një shekull e gjysmë më parë dhe që mezi i kujtojmë emrin

Në këto ditë të shekullit XXI shumëkush mund të pyesë se përse i detyrohemi kaq shumë këtij njeriu, i cili ka jetuar rreth një shekull e gjysmë më parë dhe që mezi i kujtojmë emrin. Ditët që jetojmë dhe ato që do të vijnë, në të gjithë botën kanë si problem kryesor energjinë, e cila ka burime të ndryshme si hidrike, termike, mekanike, bërthamore, diellore, etj, por një rezultat të vetëm, shndërrimin e këtyre energjive në energji elektrike dhe transportimin në mijëra kilometra larg, e më pas shfrytëzimin e saj në jetën e përditshme në të gjithë sektorët e jetës. Por, pakkush e di se kujt ia detyrojmë këtë "nder" kaq të madh, që për nga rëndësia është pothuajse njësoj me shpikjen e "rrotës" dhe përgjigjja është Nikola Tesla. Të gjithë sot përdorim celularët, aparatet satelitore, pajisje wireless për telefoni dhe internet, dhe që të gjitha këto punojnë mbi të njëjtin parim, atë të transmetimit të sinjalit nëpërmjet valëve elektromagnetike, dhe përsëri këtë "nder" ia dedikojmë të njëjtit person, Nikola Tesla. Të gjithë dëgjojmë radio dhe shohim TV falë tij, madje nga zbulimet e fundit ka dalë që edhe shpikja e telefonit nuk është e Bell-it apo e Meucci-it, por e vetë Nikola Teslës.
Nikola Tesla lindi më 10 korrik 1856, në Smiljan të Kroacisë, në atë kohë pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze dhe pasi mbaroi Institutin Politeknik në Raz të Austrisë, u diplomua në Pragë. Ai e filloi karrierën duke punuar fillimisht si inxhinier elektrik në Budapest, në vitin 1881 dhe dy vjet më vonë u zhvendos në Paris, duke punuar për shpikësin e madh të atyre kohëve, Edison në një prej filialeve të "Continental Edison Company". Në vitin 1883, Tesla demonstroi për herë të parë në Strasburg prototipin e motorit me induksion, por rrethi i shkencëtarëve europianë në atë kohë ishte tepër radikal për të kuptuar idetë e tij. Duke parë këtë fakt, në vitin 1884 Tesla pranon të punojë për Thomas Edison në Neu York, me një rekomandim për Edisonin nga shkencëtari i madh i asaj kohe, Charles Batchelor, i cili i shkruante Edisonit: "Unë njoh dy njerëz të mëdhenj në këtë botë, njëri je ti, ndërsa tjetri është ky djalosh". Nikola filloi të punonte në laboratorët e Edisonit në Neu Jersey, por shumë shpejt lindën divergjencat nga idetë brilante të Teslës, të cilat Edison i shihte shumë të rrezikshme për biznesin e vet. Në atë kohë, ai pak rrjet elektrik që ishte ngritur ishte bazuar mbi rrymën e vazhduar dhe kishte shumë kufizime, ku më kryesorja ishte kufizimi në distancë i transportimit të energjisë, i cili ishte vetëm 3 km dhe për të transportuar këtë energji përdoreshin kabllo përcjellëse të trasha dhe rigjeneratorë të energjisë. Në këtë moment, Tesla mbështetet për eksperimentet e tij nga bankieri i famshëm i asaj kohe, Morgan. Tesla arrin që më 1888, duke pasur si bazë teorinë e tij për fushën magnetike rrotulluese, të marrë patentën për gjeneratorin polifazë të rrymës alternative si dhe për të gjitha pjesët e tjera të rrjetit të rrymës alternative për transformimin, transportin, shpërndarjen dhe përdorimin e saj. Në vitin 1895 bëhet realitet ëndrra e Nikolës për të shfrytëzuar energjinë mekanike të ujit të ujëvarës së Niagarës për të prodhuar energji elektrike, duke ndërtuar hidrocentralin e parë në botë. Motorët elektrikë, të bazuar mbi teorinë e Teslës, pushtuan globin. Edhe në ditët tona, të gjitha makineritë elektrike bazohen mbi teorinë e këtij gjeniu. Motori me induksion elektrik i Tesles është klasifikuar si një nga 10 shpikjet më të mëdha të njerëzimit. Nikola Tesla nuk u mjaftua vetëm me shpikjet e sistemit të rrymës alternative i cili ndryshoi mënyrën e jetesës në botë, por atij i dedikojmë edhe shpikje të tjera, si drita fluoreshente, llamba me gaz, neoni, komunikimet valore, sistemet valore të transmetimit të energjisë, rrezet lazer, telekomandat, shpikjet e para në robotike etj. Ai gjatë gjithë jetës regjistroi rreth 700 patenta shpikjesh në të gjithë botën dhe hodhi idetë e para në përdorimin e energjisë diellore dhe asaj detare. Shumë koncepte të Nikola Tesles akoma janë të pazbërthyera dhe të pakuptueshme për botën e shkencëtarëve. Në vitin 1896 Nikola Tesla botoi artikullin shkencor për rrezet X, për të cilat më vonë Wilhelm Rontgen do të merrte patentën, por Tesla me gjenialitetin e tij, që e bënte në shumë raste edhe një njeri kapriçoz dhe të "çmendur", asnjëherë nuk pretendoi pronësinë e kësaj shpikjeje.
Po në këtë vit, 1896, Tesla botoi edhe një material ku përshkruante hollësisht në një skemë të gjithë elementët e një transmetuesi radio që më vonë u përdor nga Markoni. Gjithashtu, po këtë vit ai shpiku edhe anën tjetër të komunikimit valor, aparatin marrës dhe arriti që për herë të parë të transmetonte dhe të merrte një sinjal pa fije.
Në vitin 1901, me ndihmën e Morganit, Tesla ndërton "Wardenclyffe", laboratorin e tij të ri ku ndërtoi edhe kullën e tij të famshme, e cila ishte e lartë rreth 60 metër dhe kishte një kupolë në majë të saj me diametër 21 metër që do të ishte transmetuesi i parë në botë i energjisë pa fije dhe stacioni i parë broadcast i valëve elektromagnetike. Pikërisht këtu fillon dhe "çmenduria" e Tesles. Ai kërkonte që me anë të shpikjes së tij të transmetonte energji valore në të gjithë botën, duke furnizuar kështu me energji anijet në det të hapur, të furnizonte trenat, industrinë dhe shtëpitë e njerëzve, duke arritur deri aty sa të komentonte se shpikja e tij mund të përdorej edhe për komunikimet jashtëtokësore. Pikërisht këtu lind mosmarrëveshja e tij me Morganin, i cili i ndërpret fondet Tesles për kërkimet e tij. Në vitin 1917, kulla e famshme e cila u përdor për qindra eksperimente të Tesles do të shkatërrohet nën pretekstin e sigurisë kombëtare; ishte koha e Luftës së Parë Botërore. Tesla kërkonte që të transmetonte energjinë në sipërfaqen e tokës. Për këtë, Tesla mendoi që të përdorte Tokën si përcjellëse dhe më vonë si kapacitor të energjisë, por Toka deri në atë kohë ishte përdorur si "tokë" në teorinë e elektricitetit dhe mund të shkarkonte çdo kondensator. Por, ai hodhi idenë që mund të emetonte energji të mjaftueshme në Tokë dhe ta kthente atë në një kondensator gjigant dhe për këtë filloi eksperimentet në kullën e tij duke përfituar nga një marrëveshje me hidrocentralin e Colorado Springs për të përdorur energji pa pagesë. Në atë kohë, nga eksperimentet e Tesles bari përreth laboratorit të tij natën shkëlqente me drita vezulluese të kaltra, ndërsa njerëzve që ecnin aty pranë u kërcisnin hapat sikur të ecnin mbi një rërë të trashë. Në një natë vjeshte, Tesla me anë të pajisjes së tij që e quante "Transformatori i shkëlqyeshëm", arriti të pomponte në sipërfaqen e Tokës një tension 1 milion volt. Rryma përshkoi globin me shpejtësinë e dritës dhe mbërriti në anën tjetër të tij, duke u rikthyer mbrapsht, por duke dobësuar intensitetin. Por, Tesla në rezonancë me kthimin arrinte të pomponte përsëri rrymë, duke e forcuar valën ashtu siç bëhet me një lisharës. Fenomeni erdhi duke u forcuar dhe shkaktoi djegien e siguresave në hidrocentral, por edhe rrufe gjigante pranë laboratorit si dhe një tërmet prej rreth 5 ballë. Në vitin 1917, Tesla ndërton një stacion, i cili nëpërmjet valëve elektromagnetike zbulonte vendndodhjen precize të anijeve armike, sistem i cili do të quhej radar në Luftën e II-të Botërore. Nikola Tesla vdiq më 7 janar 1943, në një dhomë të hotelit "Neu Yorker", ku kaloi 10 vitet e fundit të jetës së tij. Materialet shkencore nga puna e tij u sekuestruan nga FBI-ja dhe u cilësuan sekret shtetëror.
Teoria e energjisë kozmike nga Tesla
Të rindërtosh teorinë e energjisë kozmike të Teslës është mjaft e vështirë. Dokumentet e tij ashtu si dhe projektet janë vjedhur e janë fshehur mjaft mirë, për t'u bërë më pas "të rezervuar për motive sigurie kombëtare", ndërsa 700 licencat e tij të shpikjeve, në brendësinë e të cilave rrallë gjejmë referime, janë bërë të pagjetshme, si të zhdukura në zbrazëti. Me rastin e 79-vjetorit të tij, në vitn 1938, pesë vite para vdekjes, Tesla shpalli shpikjet më të mëdha të jetës së tij e tha se do t'ua dhuronte të gjithë botës, sapo të përfundonte zhvillimin e aspekteve më sekrete. Tesla i referohej Teorisë Dinamike të Gravitetit e Energjisë së Kozmosit, që ishte pastaj një zbulim i një vërtetësie të re fizike, që thotë se nuk ka energji përveç asaj që marrim nga mjedisi. Në parathënien e tij të shkurtër për teorinë, Tesla saktësoi se u riferohej molekulave e atomeve ashtu si dhe trupave të mëdhenj yjorë, "... të gjithë trupave prezent në univers në të gjitha fazat e ekzistencës së tyre të formimit deri në shkyçjen e tyre". Teoria e relativitetit shpesh i referohet "energjisë esenciale" në njëfarë "forme", por në të vërtetë energjia është një "potencial" abstrakt që ekziston gjithmonë në të ardhmen.
Në shkrimet e tij shpesh gjejmë shprehje poetike, në emfazën e një vizionari të vërtetë, siç është ajo ku përshkruan tokën si "yllin e lindjes njerëzore", e që duke përdorur "rrufenë e Jupiterit" (zoti i qiellit Indo-europian) njeriu "asgjëson kohën e hapësirën", duke e perceptuar në përdorimin e fuqisë elektro-shtytëse ("rrufetë"), për të udhëtuar në shpejtësi e për të anuluar kohën e hapësirën. Tesla pra ka përcaktuar teorinë e tij të gravitetit në një prozë poetike, me bukuri të jashtëzakonshme. "Eteri është mbartës i dritës, mbush çdo hapësirë dhe vepron si forcë krijuese që jep jetën. Udhëton nëpër 'vorbulla të pafundme' (mikro spirale) të afërta me shpejtësinë e dritës, duke u bërë materie e matshme. Forca e saj zvogëlohet e deri sa mbaron krejtësisht, duke u prapësuar në materie, sipas njëfarë procesi humbjeje atomike. Njerëzit munden pra të frenojnë këto procese kalimi nga energjia tek materia, të kapin materien nga eteri, të alterojnë madhësinë e Tokës, të kontrollojnë stinët, të udhëheqin rrugën nga toka nëpërmjet Universit, si një lundrim hapësinor, e pastaj të shkaktojnë përplasje planetesh për të prodhuar diej të rinj e yje e d.m.th., nxehtësi e dritë. Njeriu mund të burojë e të zhvillojë jetë në pafundësi".
Tesla i riferohej një energjie të pafund, të kapur nga ambienti që na rrethon, e zbulimi i saj vjen nga diçka tjetër shumë më e madhe, e cila është mundësia për të konvertuar energjinë në një forcë shumë më të fortë - gjatë elektropulsionit, që përdoret për të kontrolluar forcën më të dobët të gravitetit. Por, çfarë është eteri i Teslës? Nuk ishte as eteri "i ngurtë" i Maxuell e Hertz, as ai i gaztë i Lorentz. Eteri i Teslës konsiston në "ngarkesa të jashtëzakonshme në një izolant të lëngët" që mbush çdo hapësirë. Aftësitë e tij variojnë sipas lëvizjes relative, nga prezenca e masës dhe nga një ambient elektrik e magnetik: eteri Tesla ngurtësohet duke variuar me shpejtësi forcat elektrostatike, e përzihet kështu në efekte gravitacionale. "Toka është - siç ka shpjeguar Tesla, - një rruzull metali e ngarkuar që lëviz nëpërmjet hapësirës" e që krijon një sasi tejmase të lartë energjie që varion shpejt forcat elektrostatike, që zvogëlohen nga intensiteti". Ai ilustron si prodhohen lëvizjet mekanike nga një forcë elektrostatike e ndryshme, që vepron nëpërmjet një mjeti të gaztë, që ngacmohet nga ndërrimet e shpejta të potencialit elektrostatik. Mendohet që streset e mëdha elektrostatike reagojnë, nëpërmjet këtij mjeti, duke variuar në mënyrë të shpejtë intensitetin dhe mund të lëvizet një trup me anë të tij. Eteri është elektrikisht neutral në mënyrë të natyrshme dhe penetron çdo lëndë të ngurtë. "Energjia" nuk ekziston në formë fizike, por është "potenciali i punës" është "koha" ajo që kthehet në një matëse arbitrare të përqindjeve të lëvizjeve të materies që përshkon tërë hapësirën e eterit. Të gjithë eventet ndodhin në të tashmen, dhe e "shkuara" apo e "ardhmja" janë vetëm metafora. Kjo energji "fiktive dhe e palosjes së kohës është universalisht punë potenciale, e krijuar nga lëvizja e vazhdueshme e materies dhe nga ndërrimi i vazhdueshëm i forcave më të mëdha e më të dobëta nëpërmjet të cilave mbahet ekuilibri i universit. Kur materia e ngurtë udhëton nëpërmjet hapësirës, krijohet "era e eterit" e ndryshimet në potenciale elektrike provokojnë ndryshime në dislokimin elektromagnetik në brendësinë e masës dhe në atë të erës së eterit. Fusha elektrike e tokës krijon një dislokimin magnetik në brendësinë e fushës elektrike të tokës. Ndryshimi mes dislokimit magnetik në brendësinë e një mase dhe dislokimit magnetik jashtë masës së eterit është "forca e gravitetit". Qeveria Sekrete deri tani ka kontrolluar teknologjinë e elektropulsionit për të mbrojtur interesat e monopolistëve ndërkombëtarë. Anijet me elektropulsion janë fshehur me anë të "shkaqeve speciale", e shpërndarjen e origjinave të rreme "aliene", nëpërmjet grupeve të "Ufologjisë" të drejtuar nga agjentët sekretë të qeverisë. Hyrja brenda së vërtetës do të lejojë krijimin e "free energy" që do të na çojë në përfitimin e pavarësisë e të mbijetesës. Pa marrë parasysh konfuzionin e gënjeshtrave të mëdha, në abuzimin gjyqësor e socio-ekonomik të shtetit social, ne mund të risjellim në dritë shkencën e teknologjinë e vërtetë.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers