Ngrohja globale e parashikuar 500 vjet më parë


Pak njerëz e dinë se për këtë rrezik të madh që tani po i kanoset njerëzimit ka folur para 500 vjetësh edhe parashikuesi më i madh i të gjitha kohëve, Mishell Nostradamus

"Rritja e temperaturës globale të tokës dhe rreziku që paraqet sot ajo, është një ndër problemet më serioze me të cilën duhet të merret njerëzimi gjatë këtij shekulli. Por, pak njerëz e dinë se për këtë rrezik të madh që tani po i kanoset njerëzimit ka folur para 500 vjetësh edhe parashikuesi më i madh i të gjitha kohëve, Mishell Nostradamus. Sipas parashikimit të shumë shkencëtarëve, problemi dhe preokupimi kryesor i njerëzimit në të ardhmen, pa dyshim se do të jetë ndryshimi i klimës. Kjo dukuri shkaktohet për shkak të dëmtimit permanent të shtresës mbështjellëse të ozonit që rrethon globin tokësor. Dëmtimi i kësaj shtrese po bëhet vetë nga dora e njeriut, përmes prodhimit dhe përdorimit të madh në industri të dioksidit karbonik dhe metanit, të cilat shpërndahen në ajër përmes tubave të ndryshëm të përdorimit ditor, si: ngjyra, perfumi etj. Se çfarë rreziku mund të përbëjë për njerëzimin nxehja globale, tanimë të gjithë e dinë.
Shumë vende me klimë të ndryshueshme kontinentale, kanë filluar të ballafaqohen me temperatura shumë të larta. Dihet, se në disa vende të botës, dimri, pranvera dhe vera, vit për vit ndryshojnë dhe nuk janë si të viteve të kaluara. Temperaturat në këto vende kanë filluar të ndryshojnë dhe klima vit për vit bëhet e nxehtë, dhe e kundërta, aty ku ishte zakonisht nxehtë, përballen me temperaturë çuditërisht shumë të ulëta. Dëshmitare e këtij fenomeni tashmë është e gjithë bota. Nëse kjo gjendje gradualisht vazhdon me këtë trend njerëzimi mund të përballet me probleme serioze. Për fenomenin e nxehjes globale të tokës dhe rrezikun e madh të saj për mbarë njerëzimin, tashmë janë alarmuar shumë qeveri dhe institucione ndërkombëtare të vendimmarrjes, por gjëja më kryesore është që ky rrezik, që tani realisht po i kanoset njerëzimit dhe mbarë rruzullit tokësor, është parashikuar që para 500 vjetësh nga Nostradamus.
Çfarë parashikonte në realitet Nostradamusi për këtë fenomen?
Në veprën e tij të shkruar në formë strofash, ndër shumë parashikime për të ardhmen e njerëzimit, gjenden edhe disa strofa që parashikojnë thatësirën e madhe në gjithë globin. Sipas Nostradamusit, shkaktare të kësaj thatësire do të jenë temperaturat e larta klimatike, nga e cila do të shkretohen shumë toka pjellore. Do të paraqiten, zjarre dhe sëmundje të ndryshme që si pasojë do të kenë vdekje masive të njerëzve, kafshëve dhe botës bimore. Pastaj, për shkak të rritjes së vëllimit të ujit, nëpër oqeane dhe lumenj që do të shkaktohen nga shkrirja e akullnajave në vendet polare me temperatura të ulëta, toka do të përfshihet nga vërshimet e mëdha ujore. Nga këto vërshime, ai parashikon përmbytjen e shumë sipërfaqeve ekzistuese kontinentale. Këtë thatësirë Nostradamusi e parashikon kështu: "Në dyzet e tetë gradë / Deti shkumon, peshqit zihen". Sipas tij, thatësira e madhe duhet të zgjasë dyzet vjet me temparatura tejet të larta. Për shirat që pasojnë dhe vërshimet e mëdha, parashikohet të jenë të shkaktuara në mënyrë artificiale, në formë të shkrirjes së akullnajave. Ai parashikon se njohuria (shkenca) detare do të krijojë shiun (në këtë rast përmbytjet e mëdha). Thatësira e madhe dhe shirat, paraqiten më konkretisht në këto vargje:
Dyzet vjet ylberi nuk do të shihet
Dyzet vjet më pas ylberi përherë do të shndrrisë
Toka e thatë edhe më e thatë do të jetë
Dhe përmbytja do të vijë kur ylbri sërish të shfaqet.
Sipas Nostradamusit, gjatë kësaj përmbytjeje, e tërë Anglia do të jetë nën ujë dhe jo vetëm Anglia. Më pas, do të shfaqet dukuria e lëvizjeve të mëdha tektonike të shumë sipërfaqeve tokësore dhe kontinenteve të tëra. Përveç këtyre efekteve, Nostradamusi parashikon se në rruzullin tokësor do të ketë dyndje të mëdha të popullatës nga një vend në vendin tjetrin, gjë që do të përbëjë edhe një problem tjetër të madh hapësinor për njerëzimin. Nëse në këtë kontekst, paraqitet edhe uria e madhe që ai mendon se do të jetë si pasojë e thatësirave të mëdha. Pas gjithë këtyre katastrofave dhe vuajtjeve të mëdha, Nostradamusi parashikon se shpëtimi i njerëzimit do të vijë si pasojë e kthimit të ateistëve në rrugën e Zotit. Pa marrë parasysh se sa mund të janë të vërteta këto parashikime të Nostradamusit, një gjë është më se e vërtetë: jemi dëshmitarë edhe vetë se njerëzimit dita-ditës i kanoset rrezikut të ngrohjes globale dhe ndryshimit të temperaturave.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers