NE GJAK/Historia e fshehtë e Habsburgëve


Në ditët e para të tetorit 1740, Perandori Karli VI u nis për të gjuajtur rosa të egra në brigjet e Liqenit Neusiedl, pranë kufirit me Hungarinë. Gjuetia ishte e mirë, por jo moti; i ftohti i madh dhe lagështia i shkaktuan ethe dhe e bënë nervoz. Kur u kthye në pallatin e tij të vogël në fshat, në La Favorita, në 10 tetor, kuzhinieri i tij u përpoq që të ngrejë humorin e mbretit, duke i përgatitur një prej gatimeve të preferuara, çomlek katalan me kërpudha. Ose kërpudhat ishin të prishura, ose Karli, i cili ishte shumë grykës, ia bëri vetë të keqen vetes prej pangopësisë, por efektet ishin të këqija. Mëngjesin tjetër ai u sëmur rëndë dhe u transportua ngadalë për në Vienë. Atje vdiq në Hofburg, i rrethuar nga qirinjtë tradicionalë në vdekjen e një perandori dhe me një kryq në duar. Ishte një vdekje e ëmbël.

Siç ndodh shpesh, në ato rrethana shumëkush hodhi hipotezën se mbreti ishte helmuar. Përndryshe, përse një burrë i shëndetshëm, 65-vjeçar, do të jepej prej një pjate gjellë? Kishte një farë ironie në faktin që ishte një gjellë spanjolle që i solli vdekjen, pasi Karli ia kish dedikuar jetën e tij vazhdimit pretendimit të Habsburgëve për fronin e Spanjës. Që nga viti 1705 kur mbërriti për herë të parë në Barcelonë, ai e shihte veten si të vetmin mbret të ligjshëm të Spanjës. Ai nuk e pranoi asnjëherë ardhjen e pretendentit Bourbon, Filip V, sipas Paqes së Utrehtit të vitit 1713 dhe që atëherë çdo gjë që mbante erë ndikimi francez e zemëronte shumë. Nëse shihte ndokënd me veshje të bardha sipas stilit francez, ai ulërinte: "Ai është një prej atyre francezëve të hutuar". I thirrur në Vienë pas vdekjes së papritur të vëllait të tij nga lija, në 1711, ai ishte rrethuar që atëherë nga një qeveri kriptospanjolle në ekzil, si dhe përforcoi ceremonialin antik spanjoll në një oborr që, nën drejtimn e vëllait të tij, Jozefi I, kish nisur t'u largohej traditave të lashta. Edhe babai i tij, Leopoldi I, një tradicionalist i palëkundur në shumë drejtime, kishte nisur të prirej drejt manive dhe zakoneve disi më të lehta italiane. Karli ishte kthyer më shumë se dy breza prapa.

Mendimi për të kaluarën ishte në traditën e Habsburgëve. Karli shihte tek tradita e pandërprerë e familjes më të shquar të Evropës, Erzhausët. Asnjë lloj përkthimi nuk mund të reflektojë plotësisht sensin e superioritetit të pakohë që përmbante kjo fjalë. Me vdekjen e tij, ajo epërsi e shtëpisë sfidohej. Që këtej e tutje, ata bëheshin një familje "e shkruar", me identitet të dyfishtë, jo më Habsburgë "puro"; duke ndjekur rregullat striktë të gjenealogjisë, emri u ndryshua nga Habsburgë në Habsburg-Lorraine. Që nga viti 1740, hedhja e syve pas në kohë nuk ishte më një opsion. Që këtej e tutje, Habsburgët ishin thjeshtë të parë mes të barabartëve. Atëherë, si iu përgjigjën ata sfidës që po e fuste dinastinë në një kurs të ri?

Një pjesë e përpjekjes së tyre ishte që të pretendonin se nuk kishte ndodhur ndonjë ndryshim rrënjësor, se ishte biznes si zakonisht. Historia publike e familjes vazhdoi të vërë theksin tek pandryshueshmëria me kaq sukses, saqë shumë shkrimtarë të mëvonshëm kanë qenë të prirur të harrojnë ndryshimin. Në fund të fundit, cili ishte emri? Historia private dhe sekrete e Habsburgëve tregon një histori disi të ndryshme. Pas vitit 1740, familja ishte e dobësuar si kurrë më parë, jo në dimensionet politikë sipërfaqësorë (ndonëse edhe kjo qe e vërtetë), por në kuptimin e identitetit dhe mitologjisë së tyre.

Kështu, edhe nëse vdekja e fundit e Habsburgëve nuk kishte pasoja ogurliga, ajo ishte një katastrofë për dinastinë. Karli nuk kishte trashëgimtar mashkull dhe bijat nuk mund ta pasonin në fronin perandorak. Ligjet e perandorisë lejonin vetëm një mashkull që të ulej në fronin e Charlemagne, ndonëse nuk kishte inspektim fizik për t'u siguruar që rregullat po zbatoheshin. Zakonet familjare të Habsburgëve shkonin në tjetër drejtim. Mes tyre, gjinia ishte më pak e rëndësishme se gjaku. Të gjithë Habsburgët, meshkuj apo femra, mund të pretendonin anëtarësimin në familje dhe mund të trashëgonin pjesën e tyre te tokave dhe ndereve.

Femrat e familjes mund të pretendonin të drejtat e tyre jo për një pjesë sipas martese, por përmes trashëgimisë gjenetike si "Arkiduka", për të drejtat, titujt dhe tokat që i përkisnin familjes. Sigurisht, ekzistonte pranimi tradicional i përparësisë së meshkujve: por mes Habsburgëve, në ndryshim nga Valois-ët apo Bourbon-ët për shembull, realiteti i pushtetit të femrës si autoritet pranohej. Kështu që, bijat e Karlit mund të trashëgonin titujt e tij bashkë me tokat, por nuk mund të bëheshin Perandore e Shenjtë Romake.

Humbja e pushtetit dhe prestigjit ishte e konsiderueshme. Që kur Frederiku III ishte kurorëzuar Perandor i Shenjtë Romak në Romë në vitin 1452, titulli perandorak ishte bërë pothuajse sinonim me Habsburgët. Ata ishin zgjedhur që nga viti 1438 në një linjë të pandërprerë pasardhësish në zyrën më të lartë e më të nderuar në Europën e krishterë. Ndonjëherë kishte patur sfidantë të tjerë dhe, herë pas here ishte dukur që titulli me shumë gjasa do t'i kalonte një tjetër pretendenti. Por, Habsburgët ia kishin dalë gjithmonë të bindnin aq zgjedhës sa mjaftonin për të favorizuar kandidatin e tyre. Ky post kishte një rëndësi më shumë se sa simbolike: në këtë drejtim, ashtu si dhe në shumë të tjerë, frazat e mençura të Volterit kishin dhënë një dorë për të çorientuar brezat e ardhshëm "As e shenjtë, as romake, as perandori", ishte një frazë e bukur, por kjo e bënte të paqartë fuqinë e vërtetë të një perandori romak. Veç kësaj, Habsburgët kishin përfituar nga shansi kudo që mundeshin për të vënë nën kontrollin e tyre të drejtpërdrejtë institucionet tradicionalë perandorakë.

Ndërkohë që pushteti dhe efektiviteti i Reichut pa dyshim që po zbeheshin, sidomos pas paqes së Vestfalisë në vitin 1648, ai, paradoksalisht po bëhej një instrument më efektiv për pushtetin e Habsburgëve. Sigurisht, nuk ishte në vetvete një ushtri perandorake dhe financat e saj ishin kaotike. Por sanksionet e saj ende mbanin peshë. Për çështje të nderit, prioritetit dhe titujve perandorakë, autoriteti i perandorisë, domethënë perandori, ishin përtej çdo dyshimi. Humbja e rangut perandorak ishte shumë më tepër se sa një poshtërim ritual për Habsburgët. Pozicioni i tyre i dobësuar nxirrej në pah sidomos nga mbreti i ri i Prusisë, Frederiku II. Ai nuk i drejtohej trashëgimtares së Karlit, vajzës së tij më të madhe, si Mari Tereza, Mbretëreshë e Bohemisë apo Hungarisë, siç e kërkonte kortezia. Ai i shkruante asaj, duke i qëndruar strikt protokollit si "Dukeshë e Madhe e Toskanës", duke pretenduar që i vetmi titull i saj ishte si bashkëshorte e Francis Stephen, Duka i Madh. Qëllimi ishte të dukej si fyerje dhe pikërisht kështu merrej. Por Frederiku thjeshtë dramatizonte brishtësinë e vërtetë të pozicionit të Habsburgëve në vitin 1740. Zgjedhësit zgjodhën sundimtarin e Baravirsë, Karl Albertin në vend të Francis Stephenit si Perandor i ri, Karli VII.

Perandori i ri u martua me një habsburgase, Maria Ameila, vajza më e vogël e ish-perandorit, Jozefi I. Zgjedhja e bashkëshortit të saj çoi në një grindje shkatërrimtare brenda familjes së Habsburgëve. Tradita e vjetër e Habsburgëve, sipas së cilës edhe meshkujt edhe femrat mund të trashëgonin, ishte në qendër të problemit. Kishte qenë zakon, të paktën që në shekullin e XIII, që familja Habsburg nuk kishte qenë lehtësisht e zbatueshme si dinasti perandorake dhe me një ngadalësi të pafundme Habsburgët ishin prirur drejt parimit të paraardhësisë. Perandori Leopoldi I, në vitin 1687 dhe 1705 i ishte larguar idesë së pretendimit të barabartë për krijimin e përparësisë së vijës së trashëgimisë, me meshkujt që tashmë trashëgonin të parët e më pas femrat. Në terma praktikë, kjo nënkuptonte që çdo djalë i Jozefit I apo Karlit VI do të trashëgonin përpara motrave të tyre apo kushërirave. Megjithatë, nëse nuk kishte një trashëgimtar mashkull, atëherë bijat e Jozefit do të kishin përparësi kundrejt atyre të Karlit.

Megjithatë, sanksioni i famshëm Pragmatist i 1713, një prej akteve të parë publikë të Karlit VI, në praktikë privoi bijat e Jozefit I dhe vendosi që linja e re do të niste me fëmijët e tij. Kur Karli paraqiti këtë dekret, ai praktikisht inicioi një revolucion kushtetues. Së pari, të gjithë ligjet e mëparshëm të familjes kishin qenë privatë dhe jo publikë. Por sanksioni Pragmatist i Karlit ishte një dokument publik, i paraqitur për ratifikim mes viteve 1713 dhe 1723 në të gjithë tokat që sundoheshin prej Habsburgëve, si dhe në shtete të tjerë të Evropës. Së dyti, nëpërmjet kësaj ai shpresonte që çdonjëri prej pasardhësve të tij nuk do të ishte në gjendje të hidhte poshtë dekretin e tij me po atë lehtësi me të cilën ai kishte hedhur poshtë dëshirat e të atit. Ai priste të kishte një djalë që ta pasonte, por në të njëjtën kohë donte të sigurohej që fëmijët e vëllait të tij të ndjerë, Jozefit, të vinin gjithmonë prapa çdonjërit prej fëmijëve të tij të ardhshëm sa i përket përparësisë.

Vlen të përmendet se shqetësimet e Karlit ishin për të ardhmen. Në vitin 1715, pavarësisht dhjetë viteve martesë, ai nuk kish trashëgimtar. Sigurisht, në 6 prej këtyre viteve ai ishte në Spanjë, por fëmija i tij i parë, në djalë jetëshkurtër nuk lindi deri në 1716, me Maria Terezën pas tij në 1717, Maria Ana në 1718 dhe Maria Amerlia në 1724. Ai ishte i vendosur, mbi të gjitha, që tokat e sunduara prej Habsburgëve nuk duhej të ndaheshin kurrë dhe ai ishte i vetëdijshëm për grindjet e trashëgimisë spanjolle të kushëririt të tij, Karlos II.

Sanksioni Pragmatist parashikonte që meshkujt vinin para femrave në rendin e trashëgimisë, por nëse nuk kishte trashëgimtarë meshkuj, atëherë një femër mund të trashëgonte të gjithë pushtetet dhe të drejtat për kreun e shtëpisë së Habsburgëve. Edhe në Hungari, e cila kishte ruajtur të drejtën për të zgjedhur një Mbret nëse nuk kishte meshkuj habsburgë për të vazhduar linjën, pranohej që një femër nga Habsburgët mundej të mbante Kurorën e Shën Stefanit. Konstitucionalistët do të këmbëngulnin se, të paktën teknikisht, Maria Tereza duhej të bëhej "Mbret i Hungarisë", ndonëse asaj gjithmonë i thërrisnin Mbretëreshë e Hungarisë. Megjithatë, në vjeshtën e 1740, këto vazhdonin të ishin ende polemika akademike. Vdekja e papritur e Karlit shkaktoi një krizë për Habsburgët, së pari në fushën politike, por së dyti, në fushën e ideologjisë dinastike, të cilës ata i kushtonin më shumë rëndësi. Në atë moment krize, kishte një zhvendosje sizmike, teksa Habsburgët u përshtatën me një situatë të re dhe jofamiljare.

Shumë prej legjendave për Habsburgët ishin të krijuara nga ata vetë. Për breza të tërë, ata ishin vetëprezantuar si të veçuar nga njerëzit normalë, si mjete të zgjedhura të vullnetit të Perëndisë. Si familje, ata nuk kishin "dështuar", duke patur parasysh që një grua mund të trashëgonte sipas ligjeve të familjes, në mënyrën e dinastisë franceze, e cila ishte detyruar të lëvizte, jo pa vështirësi, nga Capetian, në Valois e në fund në Bourbon. Maria Tereza ishte padyshim një Habsburg, por megjithatë vija ishte ndërprerë. Habsburgët e kishin theksuar kaq shumë origjinën e tyre mashkullore, të prejardhjes me meshkuj nëpër breza që nga koha e Rudolfit I, saqë ndërprerja tani ishte shkatërrimtare. Bashkëkohësit dhe brezat e mëvonshëm e kanë kërkuar shpjegimin për këtë "dështim" dhe asnjëherë nuk kanë gjetur përgjigje. Përshkrimi i Karlit VI si "i fundmi i Habsburgëve" i shkon për shtat një legjende të dobësimit të linjës së Habsburgëve. Nofulla e poshtme shumë e ekzagjeruar dhe buza e sipërme mishtore ishin një tipar i trashëguar për të cilin Habsburgët ishin krenarë dhe jo të turpëruar. Si një lloj stigmate, ajo shenjonte trashëgiminë e tyre të lashtë.

Pasojat e saj praktike ishin disi të padëshirueshme. Perandori i madh Karli V, nuk mund të përtypte ushqimin, me rezultate të tmerrshme për sistemin e tretjes, ndërkohë që pasardhësi i tij, Karlos II i Spanjës duhej të kënaqej vetëm me supa dhe puding. Kjo pamje groteske qëndron prapa pohimit që Habsburgët ishin shuar në linjën mashkullore për arsye gjenetike, si pasojë e politikës së tyre të qëllimshme të të martuarit brenda familjes që e kishin ndjekur që nga mesi i shekullit XVI. Në shekullin XX, kjo pikëpamje u theksua edhe më nga nazistët, të cilët kishin arsyet e tyre për të diskredituar Habsburgët. Në fakt, dështimi i linjës së Habsburgëve kishte më shmë të bënte me sëmundjet epidemike dhe standardet e dobëta të kujdesit foshnjor në pallatet e Habsburgëve se sa me njollat gjenetike.

Edhe Karlos II, që aq shumë vihej në lojë, nuk ishte i mangët në drejtim të entuziazmit dhe aftësisë seksuale. Mungesa e një trashëgimtari, të paktën nëse besohet dëshmia e bashkëshortes së tij, qëndron në fakt më shumë tek padurimi i tij i tepruar. Një diplomat francez i quajtur Rebenac i rapotonte Luigjit XIV:

"Ajo (mbretëresha) donte të më rrëfente diçka që nuk donte t'ia thoshte kurrë, askujt, domethënë që nuk ishte më e virgjër, por me aq sa kuptonte, besonte se nuk do të ishte në gjendje të kishte asnjëherë fëmijë. Modestia e saj nuk e lejonte të më shpjegonte më tutje dhe respekti im më pengoi të bëja pyetje, por nga ajo që më tha kuptova se kishte një dobësi natyrore që i atribuohej gjallërisë dhe afshit të tepruar të mbretit dhe së fundi, akti seksual siç e quajnë doktorët, nuk ishte i përsosur".

Mungesa e një trashëgimtari mashkull mund të ketë patur një element trashëgimor, sepse kishte shumë më tepër lindje vajzash se sa djemsh në Shtëpinë e Habsburgëve, por zhdukja e linjës së meshkujve ishte më shumë një aksident se sa një shenjë e zbehjes së fuqisë pjellore. Të dy djemtë e Perandorit Leopold, Jozefi I dhe Karli VI, lindën djem që vdiqën që në fëmijëri: por Jozefi kishte marrë një sëmundje seksuale me të cilën infektoi menjëherë të shoqen, duke e bërë jopjellore, ndërkohë që Karli preferonte më shumë dashnoren se sa sharmin e bashkëshortes së tij, Elisabetës së Brunsvik Volfenbutel.

Në të vërtetë, në vitin 1740, Karli ishte një burrë i fuqishëm dhe i shëndetshëm, i cili priste të jetonte shumë më tepër se bashkëshortja e tij, tashmë e shëndoshur tej mase dhe kishte në plan të martohej sërish. Për këtë arsye, ai asnjëherë nuk priste që e bija, Maria Tereza të bëhej pasardhëse në fron dhe kështu nuk kishte bërë asgjë për ta prezantuar atë me kompleksitetet e qeverisjes.

Megjithatë, mundësia që një femër të trashëgonte tokat dhe titujt e Habsburgëve, e pamendueshme në Francë, dhe shumë shtete gjermanë, nuk kishte qenë asnjëherë në dyshim brenda familjes së Habsburgëve. Rregullat dhe tabutë që frenonin shumë familje të tjera shndërroheshin prej idesë së Habsburgëve për identitetin e tyre unik kolektiv. Ligjet ishin bërë për njerëzit dhe jo për Habsburgët: kjo familje, në linjën e të cilës kishte patur qindra shenjtë, gra e burra, vallëzonte me një tjetër vijë melodike. Habsburgët, që nga themeluesi i tyre, Rudolfi I, në shekullin XIII, kishin ndërtuar plot zell një legjendë mbi origjinën e tyre që i veçonte ata nga njerëzimi i zakonshëm. Rrëfehej se Rudolfi, tek kishte dalë për gjah, kishte takuar një prift që mbante kungatën e një njeriu që po vdiste. Prifti ndeshi në një rrëke të tejfryrë në mal dhe nuk dinte si të kalonte. Rudolfi i ofroi menjëherë kalin e tij dhe e udhëhoqi për në anën tjetër, por kur prifti kërkoi që t'ia rikthejë kalin, ai kundërshtoi, duke thënë që nuk do të mund të hipte kurrë në një kafshë që kish mbajtur trupin e Krishtit. Ashtu si shumica e legjendave, vetë ky rrëfim vetëm sa e gërvishte pak sipërfaqen e kuptimit.

Legjenda u shfaq fillimisht në një kohë kur Kisha Katolike krijoi festën e Corpus Christi dhe filloi të vërë theksin në pjesën fizike të Krishtit. Që atëherë, Habsburgët i siguruan vetvetes një pozicion kontakti të ngushtë me trupin e Krishtit. Piktorët i paraqisnin tek vështronin me vëmendje të madhe meshën e shenjtë, si për shembull, në portretin e madh të Karlos II (adhurimi i zotit të shtëpisë) nga Claudio Coello, në pallatin e El Escoral. Dhe shumica e sundimtarëve Habsburgë, vit pas viti deri në vdekjen e Perandorit Franc Jozef në 1916, luajtën një pjesë solemne në festimet e përvitshme të Corpus Christi nëpër rrugët e Vienës. Kjo, si dhe pranimi i dëshiruar i kultit të Virgjëreshës Mari (Perandori Ferdinandi II e kishte shpallur atë kryegjeneralen e të gjithë ushtrive të tij), u dha Habsburgëve hijen e të pëlqyerve të perëndisë. Ishte për këtë arsye, që anët e errëta të identitetit të Habsburgëve, si për shembull nofulla e dalë, ishin një shenjë nderi dhe jo shëmtie.

Megjithatë, problemet që hasnin Habsburgët i përkisnin realitetit dhe jo ritualeve, legjendave apo ideologjisë. Kishte qenë Uollenshtaini praktik dhe jo Virgjëresha Mari që kishte shpëtuar kauzën e Habsburgëve në vitet 1630. Në vitet 1740, Maria Tereza shpëtoi trashëgiminë e saj me një vullnet të hekurt dhe një vendosmëri të patundur për t'ia dalë mbanë. Ambasadori anglez në vitin 1741 fliste se si "ministrat, kur dëgjuan për aleancën franko-prusiane u plandosën në karriget e tyre të bardhë si kufoma dhe ku vetëm një zemër mbeti e patrembur, ajo e Mbretëreshës". Atë vit, Maria Tereza deklaroi: "Unë jam vetëm një mbretëreshë e shkretë, por kam zemrën e një mbreti". Përgjigjja e saj, e kushtëzuar si nga karakteri që ajo kishte, ashtu edhe nga nevojat e rrethanave, ishte shumë e ndryshme nga ajo e babait të saj gërnjar dhe pedant, i obsesionuar pas fronit të humbur të Spanjës.

Përpara vitit 1740, shumë shpesh Habsburgët kishin kërkuar përgjigjet për problemet e tyre në nënshtrimin ndaj Vullnetit të Perëndisë dhe jo në përpjekje për të bërë vetë fatin e tyre. Në 1740, prej rastësisë, gjërat u bënë ndryshe. Një grua e re trashëgoi kurorat dhe zotërimet e babait të saj, por edhe një thesar të boshatisur si dhe një ushtri të komanduar nga matufër. Procesi nëpërmjet të cilit ajo forcoi vendosmërinë e gjeneralëve të saj, bëri që fisnikëria dhe zotërinjtë hungarezë të simpatizonin kauzën e saj dhe organizoi rezistencën ndaj ushtrive prusiane, bavareze dhe franceze, gjë që i dha cilësinë e legjendës.

Megjithatë, pavarësisht të gjithë ndryshimeve të saj nga i ati, Maria Tereza ishte shumë e involvuar në identitetin e Habsburgëve. Ajo ndoqi të atin në merakun e tij obsesiv për ruajtjen e eshtrave të paraardhësve. Ishte Maria Tereza shumë praktike që, në 1770 bindi Kantonin e Bernës të lejonte që eshtrat e paraardhësve të saj të largët të varroseshin në kishën e Habsburgëve në Konigsfelden në Aargau që të zhvarroseshin dhe të silleshin në një mauzoleum të ri në kishën e Shën Blasien, në territore të sigurtë të Habsburgëve në veri të Rinit. Dhe ajo inkurajoi si dhe financoi murgun e Shën Blasien, Marquard Herrgott në kërkimin e tij dhe më pas botimin e Monumenta Augustae domus Austriacae, një arkiv i Habsburgikës prodhuar në tetë vëllime të mëdhenj mes viteve 1550 dhe 1772.

Djali i Maria Terezës, Jozefi II kish marrë nofkën "Perandori Revolucionar" nga një prej biografëve të tij, por fraza mund të kishte vend edhe për nënën e tij. Transformimi që ajo frymëzoi dhe më pas realizoi në territoret e saj ishte më pak dramatik se sa i Jozefit: ishte gjithashtu shumë më i suksesshëm dhe më jetëgjatë. Kriza e viteve të parë të Maria Terezës si dhe ringjallja e mëpasshme e fuqisë së Habsburgëve shihet shpeshherë si e shkaktuar nga faktorë të jashtëm, politikë dhe ekonomikë. Por ringjallja ndodhi gjithashtu brenda familjes dhe bëri shumë për të riformësuar ideologjinë e saj. Ajo iu largua mbështetjes tek titulli perandorak si një burim parësor i legjitimitetit të Habsburgëve. Ajo vetë nuk mund të ishte Perandor, por vendi vakant për Habsburgët zgjati vetëm disa vite; në vitin 1745, bashkëshorti i saj, në përpjekjen e dytë u zgjodh Perandori Francis I. Megjithatë, edhe atëherë ajo refuzoi të kurorëzohet Perandoreshë, duke preferuar titujt që mbante në të drejtën e saj në kurorat e Hungarisë dhe Bohemisë.

Në mos një avokate e kombësisë, Maria Tereza paraqiti idenë e një monarkie me rrënjë në respektin e popullit. Asaj i pëlqente të thirrej Mëma e Vendit (Landesmutter), një titull që deri në kohën e nipit të saj, "Landesvater"-i Francis II ishte shndërruar në një formulë po kaq të fuqishme simbolikisht sa edhe seria e titujve mesjetarë, siç kishte qenë dikur Mbreti i Jeruzalemit.

Në të ardhmen, ligjmëria do të bazohej në të paidentifikueshmen dhe paverifikueshmen "dashuri e popullit". Nga Maria Tereza e tutje, Habsburgët përshkruheshin gjithmonë në terma dashamirës, qoftë edhe Jozefi II, një njeri i vrazhdë dhe jo shumë i dashur. Si rezultat i krizës së 1740, Habsburgët nisën të rishkruajnë historinë e tyre të fshehtë, si një reagim pjesërisht i brendshëm dhe pjesërisht i qëllimshëm ndaj perspektivës së katastrofës. Ata as nuk ia lanë rastësisë këto çështje të identitetit publik dhe imazhit. Maria Tereza përdori censurën me efekt të fuqishëm; po kështu bëri edhe Jozefi, pas një flirti të shkurtër me lirinë e shprehjes. Vëllai dhe pasardhësi i tij, Duka i Mirë i Toskanës, Pietro Leopoldo, i cili sundoi për pak kohë si Leopoldi II dinte më mirë se secili prej tyre se si të luante me dy fijet binjake të forcës dhe lirisë së shprehjes. Liria ishte që të lëvdohej dinastia në mënyrë bindëse dhe të mprehtë, në botime, piktura dhe skalitje, "përhapje publike të ndjenjave patriotike", dhe në kohën e Francis II në 1797, me një himn të ri të Haydn, Gott Erhalte, që himnizonte babanë e Kombit.

Ky menaxhim i kujdesshëm i imazhit publik të Habsburgëve mund të kish vënë lehtësisht në rrezik teprinë fjalëmadhe të artistëve francezë, që udhëhiqeshin prej Davidit, Glosit dhe Inglesit, që gjenin mënyra më ekzotike për të glorifikuar Napoleon Bonapartin dhe Perandorinë Franceze. Por Habsburgët, që nga Maria Tereza e tutje, i kthyen shpinën traditës së madhështisë dhe paraqiteshin si shërbëtorët e parë të kombit. Në ato raste të rralla kur Perandori i ri i Austrisë, Francis paraqitej në mënyrë tradicionale në veshje dhe kurorë, dukej i parehatshëm. Megjithatë, ky transformim ishte shumë sipërfaqësor, një ndryshim në pamje dhe jo në thelb. Edhe perandori revolucionar, Jozefi II, pavarësisht se kishte zët lajkat dhe supersticionin, nuk ishte aspak agnostik sa i përket fatit të Habsburgëve; ai besonte po aq shumë sa edhe të gjithë paraardhësit e tij në rolin unik dhe misionin e klanit të tij.

Historianët e kanë konsideruar Maria Terezën si një prej më të rëndësishmëve dhe novatorëve në linjën e gjatë të sundimtarëve Habsburgë. Megjithatë, risitë e saj nuk ishin shumë konservatore në natyrë. Katastrofa e mundshme e 1740 ishte se tokat e Habsburgëve, si Polonia një brez më vonë, mund të jenë copëtuar apo në rastin më të mirë zvogëluar në shkallë e madhësi. Ky ishte një rrezik që Habsburgë të njëpasnjëshëm e kishin ndeshur nga shekulli i XIV e më vonë; përgjigjja e tyre, ashtu si e saj, ishte të ndryshonin dhe përshtateshin. Ndërkohë që fytyra e tyre publike shpallte "jo ndryshimit", nën sipërfaqe ata e pranonin ndryshimin. Motoja e tyre mund të ketë qenë ajo që Robert Musil më vonë e ka përmbledhur në romanin e tij "Një burrë pa cilësi": "Ndryshim, sigurisht: por jo shumë ndryshim". Kështu që, ka një paradoks në historinë e gjatë të Habsburgëve. Për vite të tërë ata vinin theksin në lashtësinë e tyre, në gjenealogjinë e gjatë, në statusin e tyre si bastion i vlerave tradicionale. Ata ishin të kujdesshëm, të ndruajtur në politikat e tyre, jo të prirur për të rrezikuar dhe në dukje mishërim i vlerave konservatore. Megjithatë, në momente krize ata dukeshin të aftë të braktisnin këtë maskë dhe të vepronin me energji dhe vendosmëri.

Google+ Followers