Larg duart nga “Wikipedia”

Enciklopedia e lirë më e famshme në internet ndodhet në udhëkryq: për t’u përmirësuar duhet të vendosë rregulla më të forta. Por komuniteti i përdoruesve nuk do t’ia dijë...

“Wikipedia” është shembulli më interesant i monopolit të rrjetit. E krijuar në vitin 2001, si një eksperiment paksa ekstravagant që vetadministrohej, në pak vjet kjo enciklopedi e shkruar nga përdoruesit është bërë faqja e pestë më e vizituar në botë dhe burimi i parë i informacionit. Sipas Jimmy Wales, një nga bashkëthemeluesit e saj, sot “Wikipedia” është bërë “pjesë e pandarë e infrastrukturës së internetit”. Influenca e saj vazhdon të rritet gjithmonë e më shumë. Wales tregon me krenari se versioni i saj në “Wolof” (gjuha e folur nga 40 për qind e senegalezëve, siç shpjegon vetë “Wikipedia”) ka më shumë se 1000 artikuj. Megjithatë, pavarësisht suksesit, ose pikërisht për këtë, “Wikipedia” nuk arrin të përshtatet shpejt me ndryshimet. Edhe propozimet më të thjeshta për të përmirësuar cilësinë dhe besueshmërinë e sajtit kanë qenë të vështira për t’u realizuar. Për ta bërë më të besueshëm versionin anglez (që është më i madhi me më shumë se 3 milionë artikuj) dikush ka sugjeruar të evidentojë modifikimet nga anëtarët e rij dhe nënshtrimin në analizën e redaktorëve më ekspertë. Por ideja nuk u mirëprit. Kjo risi e vogël, por e rëndësishme, është futur në versionin gjerman të sajtit një vit më parë, ndërsa për faqet në anglisht u shty për një sërë mosmarrëveshjesh mbi funksionimin e saj. Megjithatë burimet nga “Wikipedia” bëjnë me dije se shumë shpejt do të ketë ndryshime të tjera, edhe pse më të limituara. “Përdoruesit e ‘Wikipedia’-s janë krejtësisht të bindur se të gjitha kontributet e tyre duhet të kenë ‘dinjitet’ të njëjtë”, shpjegon Larry Sanger, që ka qenë mes themeluesve të sajtit, para se të largohej për shkak të grindjeve me Wales.

Redaktorët e dorës së dytë

Në horizont nuk duken konkurrentë në gjendje që të vënë në dyshim rekordin e “Wikipedia”-s. Enciklopedia online është një organizatë pa qëllime fitimi, ndaj nuk përbën ndonjë interes të veçantë për fuqitë e tjera të mëdha të internetit. “Me sajtin tonë, kompanitë si ‘Google’ nuk mund të bëjnë biznese të mëdha”, thotë Wales. Megjithatë, “Google” u përpoq të konkurronte “Wikipedia”-n, duke themeluar “Knol”, një tjetër sajt që funksionon me kontributet e përdoruesve. Sipas shifrave të komunikuara kohët e fundit nga kompania kaliforniane, projekti ka mbledhur vetëm 100 mijë artikuj. “Nuk mund të thuhet se ka pasur sukses”, shpjegon Wales. Pak më pak se dhjetë vjet nga fillimi dhe pa një strategji për të ardhmen, pozicioni i ‘Wikipedia’-s bën që të ngrihen një sërë dyshimesh. Wikipedia-nët, për shembull, refuzojnë akuzat e një profesori spanjoll sipas të cilit numri i redaktorëve po zvogëlohet, por pranojnë se versioni në anglisht i sajtit po kalon një periudhë tranzicioni. Sue Gardner, drejtoresha e përgjithshme e “Wikimedia Foundation”, shoqëria përgjegjëse për administrimin e sajtit, tregon se numri i redaktorëve nuk është rritur më që prej vitit 2006, edhe pse pasojat e këtij ndalimi nuk janë ende të qarta. Por sipas disave kjo përbën një problem. Nëse numri i redaktorëve është i njëjtë dhe artikujt sa vijnë e shtohen, atëherë kontrolli i cilësisë së teksteve është gjithmonë e më i vështirë. Kjo, nënvizon Andrew Lih i “University of Southern California” dhe autor i “Wikipedia revolution”, do të favorizojë të gjithë ata që publikojnë informacione të pjesshme. “Ekziston rreziku se mund të ketë një erozion të së vërtetës. Do të jetë shumë e vështirë ta kuptosh”. Para se të kritikosh konceptin që qëndron në bazë të “Wikipedia”-s duhet bërë një kompromis: e vërteta absolute nuk ekziston, as në rastin e informacioneve të konsideruara objektive. “Të gjitha informacionet janë në një farë mënyre të manipuluara. Dizinformacioni ekziston prej kohësh”, tregon Craig Newmark, themelues i sajtit të lajmërimeve ekonomike “Craiglist” dhe konsulent i “Wikimedia Foundation”. Idealistët si Newmark mbështesin idenë se “Wikipedia” mund të bëhet “më e besueshme se çdo lloj tjetër burim informacioni”, nëse lirohet nga defektet tipike të mjeteve të informacionit që kanë konflikte interesi. Megjithatë, edhe më optimistët e dinë se në fushën e besueshmërisë dhe të cilësisë së shërbimit, “Wikipedia” ka shumë rrugë për të bërë. “Mesazhi që ‘Wikipedia’ po u dërgon përdoruesve është se disa redaktorë janë më të rëndësishëm se të tjerët”, tregon Matt Curingo, programues dhe ekspert në fushën e enciklopedive online.

Motivet e suksesit

Për të përmirësuar besueshmërinë e informacioneve ka një rrugëzgjidhje. E para që preferohet edhe nga grupi drejtues është ajo e perfeksionimit të mekanizmave të vetërregullimit. Në këtë mënyrë, “pjesëmarrja e përdoruesve mund të japë rezultate më të mira. Bëhet fjalë për t’i dhënë përdoruesve mjetet e nevojshme”, thotë Wales. Në të ardhmen, shton Newmark, ndoshta duhet dhënë identiteti i redaktorëve apo të gjendet mënyra për të vlerësuar besueshmërinë dhe të bësh vlerësimin e punës: koncepte që në kulturën aktuale të sajtit janë një tabu”, Sot, shpjegon Gardner, “nuk kemi kritere të vlefshme për të gjykuar redaktorët. Dhe ky është një problem”. Paralelisht mund të ndihmohen lexuesit të dallojnë artikujt e besueshëm nga ata të pabesueshëm. Problemi nuk qëndron vetëm te cilësia e ulët e artikujve, por fakti se nuk ka një mënyrë të sigurt për të vendosur se cilët janë të besueshëm e cilët jo. Deri tani është bërë shumë pak për të analizuar cilësinë e përmbajtjes së artikujve. As motorët e kërkimit që ushqejnë një pjesë të mirë të vizitave te “Wikipedia” nuk bëjnë asgjë për të ndarë artikujt e besueshëm nga të tjerët. Rreth 60-70 për qind e trafikut vjen nga sajte si “Google” dhe “Wikipedia” është gjithmonë mes rezultateve të para. Ky është një nga çelësat e suksesit. Për të vlerësuar besueshmërinë e përmbajtjeve mund të përdoren disa informacione të brendshme nga vetë sajti. Ashtu siç tregon Marissa Mayer e “Google”, motori i kërkimit mund të analizojë CV-të e redaktorëve të veçantë dhe t’i përdorë informacionet për të stiluar një klasifikim të artikujve në treguesin e tij të kërkimit. Por kompania kaliforniane nuk e ka ndërmend fare diçka të tillë. Kjo do të thotë se mes rezultateve të kërkimit do të jenë si artikujt e besueshëm ai ata të pabesueshëm. Ndërkaq, “Wikipedia” po eksperimenton një seri mënyrash për të ndihmuar lexuesit të vlerësojë cilësinë e përmbajtjeve. Kështu, këtë vit, sajti ka vendosur që lexuesit t’i japin edhe një votë artikujve për ta pasur më të lehtë të orientohen për përmbajtjet. Në nivel informal, “Wikipedia” po përpiqet të përfshirë një numër gjithmonë e më të madh ekspertësh. Për të superuar rezistencën e botës akademike, fondacioni ka inkurajuar docentët universitarë të japin kontributin e tyre. Gardner tregon se në universitete të ndryshme, profesorët iu kanë besuar studentëve më të mirë detyrën e korrigjimit të një sërë artikujsh.

Google+ Followers