“Jeni gati të bëheni qytetarë globalë?”

Rregulla, fleksibilitet dhe më shumë hapësirë vendeve në zhvillim: këshillat për të dalë nga kriza sipas Nouriel Roubinit, të vetmit ekonomist që parashikoi krizën

Për shumë njerëz, Nouriel Roubini është një enigmë. Si mund ta bënte, pyesin shumë njerëz, të parashikonte, në një kohë kur optimizmi ekonomik mbretëronte, se bota financiare amerikane do të pësonte në vitin 2008 një goditje shumë të fortë. Sipas parashikimeve të tij edhe bota do të përfshihej ngadalë në një nga depresionet më të mëdha të shekullit të fundit. Ndoshta për këtë aftësi të tij për të parashikuar diçka të tillë i kanë vendosur emrin: Dr.Doom, ose ndryshe Doktor Katastrofa. Ai nuk e pëlqen aspak këtë etiketim dhe kur e thërrasin kështu gjithmonë e anashkalon situatën me një buzëqeshje. “Unë merrem me ekonominë. Në punën time nuk është e rëndësishme të jesh optimist apo pesimist, por të kesh të drejtë”. E pyetëm Roubinin të na ndihmojë të kemi një ide më të qartë për botën ku jetojmë dhe atë që na pret në vitet e ardhshme. Me origjinë turke, Roubini ka jetuar në Iran, Itali dhe SHBA, ku tani jep ekonomi dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Princetonit. Nuk është martuar kurrë. Flet rrjedhshëm, turqisht, anglisht, italisht, hebraisht dhe persisht. Është i njohur mes kolegëve për faktin se nuk ka një specializim të mirëfilltë dhe për të kjo nuk përbën mister. “Jam i bindur se një pjesë e rëndësishme e dijes fshihet në ndërveprimin mes disiplinave të ndryshme”, thotë. Roubini bie në sy për elokuencën e tij, opinionet e drejtpërdrejta dhe mungesën e diplomacisë. Shpesh kritikohet nga kolegët, por dëgjohet nga të gjithë si një orakull modern. Apartamenti i tij në Nju Jork i ngjan atij të një hipije, i arreduar me mobilie metali dhe ngjyra të ndezura. Nga tavani varen disa sfera xhami, të bëra nga një artist modern, ndërsa në mur janë fotot e një feste të madhe në Tel Aviv. Roubinit nuk i intereson vetëm ekonomia. Kurioziteti i madh e ka shtyrë të udhëtojë shumë, të flasë shumë gjuhë, të dojë si muzikën lirike ashtu edhe rrepin. Miqtë e tij të gjithë betohen se është një njeri argëtues. “I pëlqejnë shakatë dhe në këtë lagje është një nga njerëzit më simpatikë”, shton portieri i apartamentit ku ai jeton. Ja se çfarë tregon ai:

Kjo krizë ekonomike na ka çorientuar. Çfarë mendoni se do të ndodhë në vitet e ardhshme?

Kriza ka djegur tashmë 50 miliardë dollarë në tituj financiarë dhe 20 miliardë në pasuri të patundshme. Ka krijuar deficite shumë të mëdha në bilancin e dhjetëra vendeve dhe një kuptim të përgjithësuar të paqëndrueshmërisë ndoshta më të madh se ai i depresionit të vitit 1992. Unë thjesht mendoj se situata do të përkeqësohet edhe për një vit për t’u përmirësuar më pas me kusht që të rishihen disa kushte.

Çfarë kushtesh?

Duhet ta interpretojmë këtë situatë të vështirë si një rast për të riprojektuar sistemin tonë financiar. Bankat duhet të kenë më pak autonomi dhe qeveritë duhet të kontrollojnë më shumë flukset financiare, duke qenë të kujdesshëm që të mos kalojnë në drejtimin e kundërt. Duhet të rregullojmë aktivitetin e operatorëve të bursës dhe të bankave ndërkombëtare, duke kufizuar fitimet e tyre. Pastaj duhet të sforcohemi të krijojmë rregulla globale më solide, duke reformuar fondin monetar ndërkombëtar dhe duke nisur të marrim vendime që përfshijnë edhe vendet e botës në zhvillim: Kina, India dhe Brazili. Nëse do të kemi kurajën të veprojmë në këtë mënyrë mund ta bëjmë më të qëndrueshme të ardhmen tonë. Në të kundërt, flluskat financiare do të na përndjekin dhe atëherë do të jetë e vështirë të kthehemi pas.

Po ne ç’mund të bëjmë?

Njerëzit që jetojnë në Perëndim kanë frikë nga globalizimi. E ndiejnë veten të kërcënuar. Dhe në një farë mënyrë ka arsye për të qenë. Të mendosh se 2.3 miliardë kinezë dhe indianë sapo na janë bashkuar në ekonominë globale, nuk është e thjeshtë. Kanë energjinë dhe optimizmin që ne na mungon dhe gjithmonë e më shpesh konkurrojnë me perëndimorët për terrenin e tyre, me kosto dhjetë herë më të vogla. Ndërmarrjet e vendeve të pasura po zhvendosin aktivitetet e tyre nga këto anë duke vënë në rrezik vendet e punës së qytetarëve të “botës së parë”. Kjo të ngjall frikën, por jam i sigurt se nëse do të dimë ta interpretojmë mirë këtë situatë do të përfitojmë të gjithë: të varfrit, që sapo kanë hyrë në ekonominë globale, ata që duhet të hyjnë, dhe të pasurit që e kanë shfrytëzuar prej kohësh. Pyetja e vërtetë që duhet bërë është: a jemi gati të bëhemi qytetarë globalë?

Na e shpjegoni pak më mirë?

Para së gjithash duhet të bëhemi më fleksibël. Ideja e një vendi pune në një sektor të caktuar, që mund të zgjasë gjithë jetën nuk ka më kuptim. Duhet të përgatitemi për një të ardhme ku secili prej nesh duhet të studiojë më shumë, të njohë më shumë gjuhë të huaja, të jetë i gatshëm të ndryshojë profesionin dhe angazhimet. Natyrisht që edhe shtetet duhet t’i përshtaten kësaj situate duke krijuar sisteme që e lejojnë individin “fleksibël” të mund të ringrihet pa u dëmtuar shumë. Së dyti, duhet të bëhemi më shumë kuriozë. Askush nuk mund ta konsiderojë veten të plotësuar profesionalisht nëse nuk e di se çfarë ndodh në anën tjetër të botës. Evoluimi i përditshëm i situatës në Iran, Kinë apo Indi influencon në mënyrë direkt edhe në zgjedhjet e qeverive dhe kompanive në Perëndim. Duhet të lexojmë gazetat, të njohim internetin dhe ta përdorim në mënyrë aktive, të mësojmë të arsyetojmë dhe diskutojmë ndryshe nga e kaluara.

Duket e lodhshme...

Është e lodhshme, por është rruga e vetme e zgjidhjes. Ndaj duhet të përgatitemi të jemi fleksibël si tani ashtu edhe në të ardhmen.

Ju nuk keni fëmijë, por nëse do të kishit çfarë shkolle do t’i këshillonit?

Do të doja për të edukimin më të mirë të mundshëm, por edhe të shumëllojshëm, sepse në jetë nuk mund të jesh vetëm avokat, ekonomist dhe mjek. Do të drejtoja drejt një shkollë që para së gjithash do ta bënte intelektual dhe të aftë për të vepruar shpejt. Një që do t’i ofrojë formim kritik dhe ndërdisiplinor. Paskëtaj, pak rëndësi ka se kush do të jetë profesioni i tij. nëse do të dijë të mendojë në mënyrë kritike, të shkruajë në mënyrë korrekte, t’i shohë gjërat ashtu siç janë, nëse do të ketë një vizion global dhe do të jetë i aftë të shfrytëzojë teknologjitë e reja me siguri që do jetë i suksesshëm në profesionin që do të zgjedhë.

Kjo fazë e evolucionit të shpejtë që po jetojmë do të jetë pozitive për individin?

Janë dy miliardë njerëz në botë, për të cilët përgjigjja është po. Fshatarët kinezë dhe indianë po shohin të ardhurat e tyre të rriten dhe cilësinë e jetës të përmirësohet. Por problemi është një tjetër. Sot planeti ynë është i mbipopulluar dhe mirëqenia ekonomike krijon një rritje të kërkesës për burime: nga nafta tek ushqimi. Sfida që duhet të fitojmë është ajo e gjetjes së ekuilibrit të qëndrueshme mes mirëqenies dhe qëndrueshmërisë. Nëse nuk do të arrijmë, atëherë shumë shpejt do të na duhet të luftojmë mes nesh jo vetëm për naftën, por edhe për ujin që na mban në jetë.

Nouriel Rubini 
Ekonomist me origjinë turke, 52 vjeç, ka jetuar në Iran, ka studiuar në Itali dhe tani jep mësim në SHBA. Kishte parashikuar krizën ekonomike botërore që në vitin 2006

Google+ Followers