Gruaja që flet me lopët

Temple Grandin është një nga femrat më të famshme të botës. Ka shpikur “makinën e përqafimeve”, shkruan libra, i kupton jashtëzakonisht mirë dhe kujdeset si askush tjetër për to



Gjithmonë vishet në të njëjtën mënyrë, me një shall në qafë, sipër një këmishë të bardhë dhe një palë pantallona kauboj dhe hedh mbi shpatulla një pelerinë të dekoruar me dizajno të qenieve të gjalla, me të cilët ndihet më e afërt: lopët. Që kur ishte e vogël, Temple Grandin e ka pasur më të lehtë të komunikonte me to, sesa me njerëzit, të cilët jo gjithmonë e pranonin ashtu siç ishte. Edhe kur e ëma e mbante në krahë, Temple përpiqej të luante gjithmonë me to. Fjalët e para filloi t’i belbëzonte kur ishte 4 vjeçe. Shpesh herë këpuste copa letrash dhe i mbante në gojë si çamçakëz, ndërkohë që bajgat e lopëve i përdorte si plastelinë dhe formonte figura. Vajzës i pëlqente shumë të rrinte me lopët. Ajo shkonte shpesh në fermën e tezes së saj në Arizona dhe kalonte orë të tëra mes këtyre kafshëve. U fliste, i përkëdhelte dhe luante me to. Ndjenjën e Temple Grandin për lopët amerikanët e kanë kuptuar në një film që tregonte historinë e mrekullueshme të jetës së saj. Kur ishte e vogël, Temple i kalonte ditët në një shtëpi të vogël pranë Arizonës. Gjatë adoleshencës ëndrra e saj ishte të bëhej një rritëse e zonja kafshësh. “Pa autizëm ndoshta as Anjshtajni dhe as Mozarti nuk do të kishin ekzistuar. Kush mendoni se e ka shpikur regjistruesin që ju po përdorni? Ka shumë mundësi që ta ketë shpikur një zotëri i prekur nga një formë e lehtë autizmi, i cili në vend që ta shpërdoronte kohën, vendosi që të kalonte orë e orë të tëra për të zgjidhur problemin e riprodhimit të tingujve”, thotë Temple.

Në film, ajo që interpreton pjesën e Temple është aktorja Claire Danes. “Është një aktore shumë e zonja. Ta shihja ishte njësoj sikur të kthehesha vite prapa me makinën e kohës”, thotë Grandin, që gjithashtu është këshilltare e “McDonald’s”, si dhe e disa firmave të tjera ushqimore amerikane. “Gjatë pubertetit kisha kriza të shpeshta paniku. Një ditë pashë se kur veterinerët po merrnin një lopë për ta vaksinuar, ajo u qetësua. Atëherë provova ta vija edhe unë veten në vendin e saj”, kujton ajo. Grandin ishte 18 vjeçe kur ndërtoi për herë të parë “makinën e përqafimeve”, të cilën për vite të tëra e përdori disa herë në javë për t’u qetësuar (“Makina e përqafimeve” është titulli i një libri tjetër të famshëm). “Njerëzit e ndjeshëm dhe kafshët logjikojnë në të njëjtën mënyrë, nuk përdorin fjalët, por gjuhën e mrekullueshme të tingujve, aromave dhe sidomos atë të imazheve”. Sipas Grandin, ka forma të ndryshme autizmi (jo më kot ekspertët flasin për ‘spektrin autistik’, ku përmendin Kim Peek, personi i prekur nga sindroma “idiot savant”, i cili vdiq para pak kohësh. Peek u mor si model nga aktori Dustin Hoffman në filmin e famshëm “Rain Man”. Grandin ka një kujtesë të jashtëzakonshme vizive: “Më duket sikur në kokën time ekziston një skedë grafike gjigande: kujtimet i kam aq të gjalla, saqë i mbaj në mendje si videoklip, fillimisht shfaqet pamja, pastaj nëse dua lidh edhe zërin”.

Dashuria romantike është diçka që Temple thotë se nuk e ka provuar kurrë: “Emocionet e mia nuk janë të ndërlikuara, nuk do të arrij kurrë të kuptoj si mund të ndjesh xhelozi dhe të duash një njeri. Por nuk qahem se nuk kam pasur lidhje dashurie. Kam shumë miqësi të bazuara tek interesat e përbashkëta. Gjithsesi, mendoj se kam talente të tjera dhe emocionet që ndjej janë të vërteta, si frika dhe kurioziteti, që më afrojnë më shumë me kafshët”, thotë ajo.

Për të larguar krizat e saj të panikut, që për vite me radhë kanë shkaktuar kriza paniku, që nuk e lejonin të hante gjë tjetër përveç kosit, Grandin prej 30 vjetësh merr një sasi të vogël antidepresivësh. Ato që e bëjnë të ndihet mirë janë kafshët e saj të dashura. “Lopët të trembin me hijen e tyre dhe gjithashtu kur pëllasin. Por si njerëzit, edhe lopët kanë shpirt. Tremben edhe nga një zinxhir i vogël që mund të kenë të lidhur në qafë, ndërkohë që ndihen më të qeta kur lëvizin brenda grupit”, tregon Temple. “Shumë lopë për prodhimin e mishit nuk do të ishin gjallë nëse nuk do të rriteshin për këtë qëllim. Por kjo nuk do të thotë që duhet të trajtohen në mënyrë çnjerëzore, dhe jo vetëm në pesë minutat e fundit të jetës së tyre, kur niveli i stresit mund të ndryshojë cilësinë e mishit. Edhe në fermat më të mira, lopët mund të trajtohen në mënyrë çnjerëzore. Ka persona që nuk i ndjekin rregullat, bërtasin, bëjnë gjeste të dhunshme. Për këtë arsye unë kam shpikur një sistem për të matur pikërisht këta faktorë”. Kjo mund të jetë arsyeja që Grandin është ndoshta njeriu i vetëm në botë që ka marrë çmime si nga shoqatat për mbrojtjen e kafshëve, si nga zbutësit e kafshëve të çdo kontinenti, që e konsiderojnë një mit. Dikur, gjatë viteve të përshkruara nga filmi, i cili flet për të, Grandin nuk do ta kishte imagjinuar kurrë se do të fliste për një temë kaq të gjerë. Megjithatë Temple thotë se ka ende shumë për të mësuar dhe për t’u përmirësuar edhe më. Lidhur me njerëzit, Temple thotë se mund të ketë kontakt fizik, por kjo gjë do të ndodhte vetëm nëse ajo do t’i njihte mirë: “Sigurisht që nuk u hidhem në qafë njerëzve që shoh rrugës, por do më pëlqente të njihja sa më shumë njerëz të mirë, që veçanërisht i duan kafshët”, thotë. Po me makinën e përqafimeve çfarë ka ndodhur? “U prish para dy vitesh. Fakti që nuk kam kohë dhe dëshirë për ta rregulluar, do të thotë se nuk kam më nevojë për të”, përfundon Temple.

Google+ Followers