E ardhmja e energjisë së rinovueshme

Pa përhapjen në të gjithë territorin të një rrjeti elektrik më efikas dhe të pajisur me fleksibilitet më të madh, energjia diellore dhe eolike do të mbesin burime energjitike dytësore

Projekti 400 miliardë dollarë i Al Gore

Duke kaluar një portë të rrotullueshme të blinduar të një ndërtese anonime në një zonë të humbur të ish-Berlinit Lindor, hyhet në qendrën e kontrollit të Vattenfall Europe Transmission, kompanisë që kontrollon rrjetin elektrik të Gjermanisë Verilindore. Monitori që tregon diagramën e rrjetit zë pjesën më të madhe të murit. Një seri ekranesh më të vegjël tregojnë prodhimin në kohë reale të turbinave eolike rajonale dhe parashikimet që qenë përpunuar një ditë më parë. Gjermania është konsumatori më i madh në botë i energjisë eolike, me një numër turbinash të mjaftueshëm për të kënaqur 6 përqind të konsumit gjerman të elektricitetit, domethënë 22250 megavat, ekuivalentin e prodhimit të 22 impianteve me qymyr. Zona e shërbimit të Vattenfall prodhon 41 përqind të energjisë eolike gjermane dhe salla e kontrollit të saj është kështu një terren verifikimi themelor i aftësisë së rrjetit për të menaxhuar energjinë e rinovueshme.
Si të gjitha rrjetet elektrike, ai i kontrolluar nga Vattenfall duhet ta kombinojë vazhdimisht prodhimin e energjisë me kërkesën që vjen nga banesa, zyra dhe kompani. Problemi konsiston në ruajtjen e një furnizimi të qëndrueshëm me energji, duke e inkorporuar elektricitetin nga një burim i çrregullt si era. Nëqoftëse energjia e gjeneruar nga era është e pamjaftueshme, inxhinierët e kompanisë janë të detyruar që të vënë në veprim impiantet e ushqyer nga lënda djegëse me bazë fosile me një paralajmërin të shpejtë; ky proces në realitet është pak efikas. Në të kundërt, nëqoftëse energjia është e tepërt, mund ta mbingarkojë sistemin, duke provokuar blackout ose duke i detyruar impiantet që ta pezullojnë aktivitetin.
Në realitet, inxhinierët nuk kanë shumë opsione. Rrjeti ka një aftësi të kufizuar për ta transferuar energjinë drejt rajoneve të tjera dhe nuk është në gjendje të magazinojë energji, përveç një grupi të vogël impiantesh që pompojnë ujë në rezervat e dislokuara lart dhe pastaj i lëshojnë nëpërmjet turbinave në periudhat e pikut të kërkesës. Kështu që çdo mëngjes, kur zyra dhe kompani fillojnë të konsumojnë energji, inxhinierët duhet të konsultojnë parashikimet e erës dhe të vendosin sesa elektricitet duhet të prodhojnë impiantet tradicionale.
Fatkeqësisht, këto parashikime janë larg nga përsosmëria. Sa më shumë rritet numri i turbinave eolike në Gjermani, aq më të shpeshta bëhen episodet e mangësive dhe të mbingarkesave energjetike të provokuar nga ndryshime të papritura në nivelin e erës. Në vitin 2007, inxhinierëve të Vattenfall u është dashur që t'i modifikojnë parashikimet lidhur me konsumet energjetike çdo dy apo tri ditë; në fillim të 2008, këto ndryshime janë bërë të përditshme. Centralet elektrike janë të shtrënguara në cikle të vazhdueshëm aktivitetesh prodhuese dhe ndërprerjesh, me joproduktivitet të madh, dhe për këtë arsye kompanitë janë të shtrënguara që ta blejnë me çmime të larta elektricitetin e krijuar në kushte emergjence. Në ditët me erë të pakët dhe kërkesë të ulët, punonjësit e Vattenfall janë të shtrënguar që t'i mbyllin me shpejtësi centralet eolike.
Problemet e Vattenfall janë vetëm një paraprirje e sfidave të pafundme që energjia nga burime të rinovueshme, sidomos ajo eolike dhe diellore, do të duhet të përballojë nëqoftëse do të luajë një rol qendror në nivel botëror. Për ta përdorur këtë energji të pastër, do të jenë të nevojshme më shumë linja transmetimi në gjendje që ta transportojnë energjinë nga një rajon në tjetrin dhe të lidhin qytete me konsume të larta me zonë të thella, në të cilat prodhohet energji e rinovueshme. Imponohen edhe forma kontrolli më të avancuara të sistemit të shpërndarjes, për shembull teknologji që mund të transferojnë elektricitet suplementar nga centralet eolike në bateritë për të rikarikuar automobilat hibridë apo për të aktivizuar e çaktivizuar në distancë elektroshtëpijake me konsum energjetik të lartë sipas disponueshmërisë së energjisë.
Nëqoftëse këto modifikime të rrjetit nuk do të realizohen, projektet e reja për energjitë e rinovueshme do të pësojnë një ngërç serioz, pasi përndryshe do të vinin në provë sistemet elektrike aktuale. Sipas një studimi të kohëve të fundit të financuar nga Komisioni Europian, një rritje më e mbështetur e energjisë eolike (impiantet e rinj të parashikuar në Detin e Veriut dhe në Detin Balltik mund t'i shtojnë 25000 megavat të tjerë rrjetit energjetik gjerman brenda vitit 2030) nganjëherë mund të provokojë mbingarkime serioze. Në Shtetet e Bashkuara, North American Electric Reliability Corporation, një organizatë joqeveritare e krijuar për të rregulluar industrinë pas blackout të madh të vitit 1965, ka lëshuar një alarm të ngjashëm në nëntor të 2008. "Sistemi është shumë më afër me pikën e kolapsit nga sa ka qenë në të kaluarën", pohon Presidenti i organizatës, Rick Sergel. "Nyja e vërtetë është se nuk posedojmë aftësinë e nevojshme të transmetimit për të integruar në mënyrë të përshtatshme resurset e reja të rinovueshme".
Sfida që ndodhet përballë Shteteve të Bashkuara duket veçanërisht impenjuese. Ndërsa, Gjermania nxjerr pothuajse 14 përqind të elektricitetit të saj nga burime të rinovueshme, Shtetet e Bashkuara arrijnë vetëm në rreth 1 përqind, duke marrë sëbashku eoliken, dielloren dhe gjeotermiken. Por, mbi gjysma e shteteve amerikane ka përcaktuar objektiva amniciozë për ta rritur përdorimin e energjive të rinovueshme dhe Presidenti i ri Barack Obama do që 10 përqind e elektricitetit kombëtar të vijë nga burime të rinovueshme brenda fundit të mandatit të tij të parë, për të arritur në 25 përqind në vitin 2025. Në ndryshim nga Gjermania, që ka filluar të projektojë linja të reja transmetimi dhe të miratojë ligje për t'ua shpejtuar ndërtimin, Shtetet e Bashkuara nuk e kanë një plan kombëtar për modernizimin e sistemit të tyre. "Mos arritja e përmirësimit të sistemit tonë do të jetë një peshë e konsiderueshme për zhvillimin e teknologjive të reja për energjitë e rinovueshme", thekson Vinod Khosla, themelues i "Khosla Ventures", një kompani kapitali me rrisk në Menlo Park të shtetit California, që ka investuar seriozisht në teknologji energjitike.
Një situatë ngërçi
Në momentin e ndërtimit të saj, rrjeti elektrik amerikan kishte qëllimin që ta përcillte energjinë me kosto të ulët për numrin më të madh të njerëzve. Gjatë shekullit të kaluar, monopole rajonale dhe ente qeveritare kanë ndërtuar centrale elektrike - sidomos të ushqyer me lëndë djegëse me bazë fosile - afër sa më shumë të ishte e mundur me qendrat e populluara dhe kanë realizuar rrjete transmetimi dhe shpërndarëse të finalizuara për t'u shërbyer konsumatorëve të rajoneve të ndryshme. Është zhvilluar një sistem jouniform dhe lidhjet midis rrjeteve lokale përgjithësisht përfaqësojnë një strukturë mbrojtjeje ndaj ndërprerjeve të energjisë. Aktualisht, rrjeti amerikan përfshin rreth 264000 kilometra linjash transmetimi me tension të lartë - ato fije familjare të kullave të çelikta që transportojnë elektricitetin nga centralet elektrike tek nënstacionet - dhe mbi 5000 rrjete shpërndarës lokalë. Edhe pse përmasat dhe kompleksiteti i tij janë rritur pafundësisht, struktura bazë e rrjetit ka ndryshuar pak nga kur Thomas Edison aktivizoi një sistem shpërndarës për t'u shërbyer 59 përdoruesve në pjesën e poshtme të Manhattan në vitin 1882. "Sikur Edison të zgjohej sot dhe të vërente rrjetin, do të thontë: "Po qenka akoma në pikën që e paskam lënë unë!"", thotë Guido Bartels, Drejtor i Përgjithshëm i IBM Global Energy and Utilities Industry. Struktura e luajtur në mënyrë të shkëlqyeshme rolin e saj për ta shpërndarë energjinë me kosto të ulët një popullsie të shumtë në numër, por nuk duket se u përshtatet mirë burimeve të paqëndrueshme energjetike si diellorja dhe eolikja.
Mbi të gjitha, linjat e transmetimit nuk janë në vendet e duhura. Ultësirat plotë erë të Perëndimit të Mesëm dhe shkretëtirat plot diell të Jug - Perëndimit - zona që teorikisht mund të garantojnë të gjithë nevojën kombëtare me energji diellore dhe eolike - janë në periferinë ekstreme të rrjetit, të izoluara nga arteriet kryesore, për shembull, që furnizojnë me energji Chicago apo Los Angeles. Në radhë të dytë, rrjeti nuk është në gjendje të magazinojë energji për të përballuar variabilitetin, për të transformuar një burim energjie diellore, që nuk gjeneron energji natën dhe vetëm sasira të vogla gjatë ditëve me re, në një burim të besueshëm elektriciteti. Së fundi, në pjesën më të madhe të tij, rrjeti është një sistem me sens unik, jo fleksibël. Të kihet parasysh se, kur mungon korrenti në një rrugë, një kompani furnizuese ndoshta nuk do të arrijë të mësojë asgjë derikur dikush nuk do t'i telefonojë për të sinjalizuar defektin. Nuk është me këtë lloj sistemi që mund të kontrollohen dhe menaxhohen prodhimet e çrregullta të paneleve diellore mbi çati apo të turbinave eolike të shpërndara nëpër territor.
Struktura që rregullon rrjetin amerikan është po aq e vjetër. Edhe pse Federal Energy Regulatory Commission (FERC) mund t'i miratojë kërkesat e kompanive për tarifat elektrike dhe licencat për linjat e transmetimit midis shteteve të ndryshme, vendet e veçanta e ruajnë kontrollin mbi nëse dhe ku linjat më të rëndësishme të transmetimit realisht do të ndërtohen. Në vitet Nëntëdhjetë, shumë shtete i kanë rishikuar ligjet e tyre në tentativën për ta futur konkurrencën në tregun energjisë. Kompanitë duhet t'ua hapin linjat e tyre të transmetimit prodhuesve të tjerë të energjisë. Një pasojë e këtyre ndryshimeve legjislative ka qenë që kompanitë kanë pasur më shumë stimulues për të investuar në rrjet sesa në centralet e reja elektrike dhe nuk është e qartë se kush e ka përgjegjësinë për ta zgjeruar infrastrukturën shpërndarëse. Në të njëjtën kohë, një treg më i hapur ka implikuar që prodhuesit kanë kërkuar t'u shesin energji rajoneve më të largëta, duke i rënduar akoma më shumë lidhjet ekzistuese midis rrjeteve. Rezultati ka qenë një rënie e aftësisë së transmetimit në nivel kombëtar.
Këto probleme mund të përfaqësojnë tani pengesën më të madhe ndaj një përdorimi të përgjithësuar të energjive të rinovueshme, një sektor që për aspekte të tjera demonstrohet jashtëzakonisht jetik. Disa kërkues të National Renewable Energy Laboratory në Golden të shtetit Colorado kanë arritur në konkluzionin se nuk ekzistojnë arsye teknike apo ekonomike që t'i pengojnë Shtetet e Bashkuara të nxjerrin 20 përqind të elektricitetit të tyre nga turbinat eolike brenda vitit 2030. Megjithatë, kërkuesit llogarisin se për ta arritur këtë objektiv janë të nevojshëm 60 miliard dollarë investime në 20000 kilometra linja të reja transmetimi për t'i futur centralet eolike në rrjet dhe balancuar prodhimin e tyre me atë të burimeve të tjera energjetike dhe me kërkesën e konsumatorëve. Infrastruktura e papërshtatshme e rrjetit "është në pjesën më të madhe problemi numër një për zgjerimin e eolikes", pohon Steve Specker, President i "Electric Power Research Institute" (EPRI) në Palo Alto të shtetit California, një ent kërkimor industrial. "Tashmë po dobësohen disa faktorë të rritjes potenciale të eolikes në disa zona të Perëndimit".
"Midwest Independent Transmission System Operator" që merret me menaxhimin e rrjetit elektrik në një rajon që përfshin 15 shtete, nga Pennsylvania në Montana, ka marrë qindra kërkesa për lidhje me rrjetin nga ana e prodhuesve aspirues të energjisë, projektet e shfrytëzimit të energjisë eolike të të cilëve mund të gjenerojnë komplesivisht 67000 megavat fuqi. Bëhet fjalë për një sasi 14 herë më të lartë nga energjia eolike e prodhuar tani nga rajoni, shumë më e lartë nga kuota që mund të konsumojë kjo zonë dhe që do të përfaqësonte rreth 6 përqind të konsumit komplesiv të elektricitetit amerikan. Por, sistemi aktual i transmetimit nuk e ka aftësinë që ta transportojë këtë elektricitet aty ku është e nevojshme. Në shumë shtete të rajonit, nuk ndjehet urgjenca për të ndryshuar ndonjë gjë, pasi situata e tyre energjetike është optimale. Kështu që, pjesa më e madhe e kërkesave për lidhjet me rrjetin janë lënë menjanë, disa të bllokuara nga mungesa e infrastrukturave dhe të tjera të vonuara nga pengesat burokratike dhe çështjet ligjore.
Për shembull, Lisa Daniels, pret prej tri vjetësh një lidhje me rrjetin për një instalim të planifikuar për një grup prej 9-12 turbinash në truallin e saj në Kenyon të shtetit Minnesota, 90 kilometra në jug të Minneapolis. Ky instalim duhet të jetë në gjendje që të prodhojë 18 megavat energji. Vendi i saj, vetëm 2 kilometra larg nga nënstacioni, tashmë është parapërgatitur, thotë Daniels, e cila është edhe drejtore e një organizate rajonale pa qëllim fitimi që mbështet projektet lokale të energjisë eolike. "Duhet të jetë gjithçka gati për të filluar, por nuk është akoma kështu", përfundon ajo.
Megjithatë, kompanitë janë ngurruese në ndërtimin e linjave të reja të transmetimit derikur nuk do të jenë të sigurta se, prodhimi i energjisë së centraleve diellorë dhe eolikë në zona të thella nuk do ta justifikonte këtë investim. Në të njëjtën kohë, kush investon në energjitë e rinovueshme nuk do të ndërtojë centrale diellore dhe eolike të reja derikur nuk do të ketë sigurinë e shitjes së energjisë në treg. Në përgjithësi, zgjedh që të presë zhvillimin e linjave të reja të transmetimit përpara se ta ndërmarrë këtë inisiativë, thekson Suedeen Kelly, një komisionere e FERC-it. "Është mekanizmi klasik i vezës dhe i pulës", shpjegon Kelly.
Një rrjet më inteligjent
Laboratori pa dritare Global Research i General Electric në Niskayuna të shtetit New York, është plot me elektroshtëpijake për kuzhinën dhe i mbushur me ekrane nëpër mure si ato të qendrave të kontrollit të rrjetit elektrik. Në laborator, Juan de Bedout, drejtues i "Electric Power and Propulsion Systems Laboratory", shpjegon sesi një "rrjet inteligjent" mund ta lehtësojë përdorimin e burimeve të rinovueshme, të imagjinohet, thotë de Bedout, se shpejtësia e erës të bjerë papritmas në centralin eolik apo që një grup reshë të spostohet sipër një instalimi fotovoltaik. Sistemet aktuale të kontrollit të transmetimit - si ato të Vattenfall - do të regjistrojnë një rënie të prodhimit dhe do të urdhërojnë që të rritet prodhimi i energjisë nga ana e burimeve të tjera, sidomos nga impiantet e gazit natyror, të cilat mund të aktivizohen me shpejtësi.
Kurse me një rrjet inteligjent sistemi i kontrollit mund të qarkullojë një mesazh nëpër zinxhirin e shpërndarjes rajonale, duke kërkuar një reduktim të kërkesës. Në mënyrë të menjëhershme, do të arrinte një sinjal tek sahatët regjistrues e banesave apo të zyrave të përdoruesve që, në shkëmbim të një reduktimi të kostove, kanë pranuar që t'i lejojnë kompanisë të ndërhyjë mbi elektroshtëpijaket e tyre për të kufizuar konsumet e energjisë në fazat e prodhimit të ulët. Brenda pak sekondash, bolierat elektrike do të bllokoheshin për ndonjë minut dhe termostatet elektronike do të zbrisnin automatikisht me dy apo tri gradë. Nuk do të kishte asnjë nevojë për t'ju drejtuar impianteve të gazit natyror.
Në një prej projekteve pilot më të avancuar për ta konceptuar këtë sistem, Xcel Energy, një kompani me seli në Minneapolis, dhe shitës të tjerë po investojnë 100 milion dollarë për të instaluar një infrastrukturë me rrjet inteligjent në Boulder të shtetit Colorado. Në këto kohë, 115 punonjës të Xcel janë duke punuar me kohë të plotë për të instaluar sahatët regjistrues elektrikë me dy rrugë në 50000 banesa. Pronarët e shtëpisë po pajisen me softe për të parë dhe kontrolluar në internet konsumet e tyre të energjisë dhe disa prej elektroshtëpijakeve të tyre inkorporojnë ndërprerës që do t'i mundësojnë kompanisë që t'i bllokojë në largësi në periudhat e kërkesës së ulët.
Teknologjitë për rrjetin inteligjent mund t'i reduktojnë konsumet e përgjithshme të elektricitetit me 6 përqind dhe kërkesën e pikut me 27 përqind. Vetëm reduktimi i kërkesës së pikut do të mundësonte që të kurseheshin midis 175 dhe 332 miliard dollarëve në harkun e 20 anni, sipas "Brattle Group", një kompanie konsulence në Cambridge të shtetit Massachusetts. Një kërkesë më e vogël do të duhet jo vetëm ta rriste aftësinë e transmetimit, por edhe t'i ridrejtonte drejt energjive të rinovueshme investimet kapitale që në rast të kundërt do të ishin të nevojshme për centralet elektrike tradicionale. Në fakt, teknologjitë për rrjetin inteligjent do t'i bënin instalimet e vogla të turbinave eolike dhe panelet fotovoltaike shumë më funksionale. "Do të ishte më e thjeshtë të integroheshin energjitë e rinovueshme me rrjetin dhe të uleshin kostot e përgjithshme reale të të gjithë sistemit të të rinovueshme", thekson Peter Fox-Penner i "Brattle Group".
Për shembull, në Boulder, Xcel po inkurajon konsumatorët që të instalojnë panele diellore mbi çatitë e banesave të tyre dhe grupe baterish nëpër bodrumet e tyre, në demonstrim të faktit sesi energjia e paqëndrueshme e prodhuar nga mijëra apo miliona çati të pajisura me sisteme fotovoltaike mund të magazinohet në banesat e veçanta dhe të hidhet në rrjet në momentet e nevojës. Gjatë muajve të fundit, Xcel ka blerë edhe disa makina hibride të rikarikueshme dhe i ka lidhur me rrjetin, për të verifikuar një sfot që duhet t'u mundësojë automjeteve që të sillen si aparate për magazinim energjie.
Xcel nuk është e vetmja. Kompani fillestare dhe të mëdha po i përsosin dhe po i komercializojnë materialet fotovoltaike për çatitë, aparatet për ruajtjen e energjisë për bodrumet, bateritë për hibridet e rikarikueshme dhe softe më të përparuar për ta optimizuar përdorimin e elektricitetit. Megjithatë, brezi i energjisë së rinovueshme në shkallë të gjerë varet nga përmirësimi i infrastrukturës së transmetimit dhe shumë prej këtyre përparimeve janë në realitet pa kontrolle rrjetesh më të avancuara. Nuk mund të lidhet një bateri e rikarikueshme për akumulim në rrjet nëqoftëse rrjeti nuk është në gjendje që ta rekuperojë energjinë nga kjo makinë në mënyrë fleksibël.
Aspekti pozitiv është që shumë kompani kanë filluar të instalojnë sahatët regjistrues e nevojshëm për ta kontrolluar në mënyrë efikase energjinë në hyrje dhe në dalje nga një banesë. Problemi është që tani të arrihet të shkohet përtej projekteve pilot, të instalohen teknologji më të avancuara në të gjithë rrjetin dhe të fillohet të integrohet më shumë energji e rinovueshme në infrastrukturën e re. "Perspektiva e rrjetit inteligjent është stimuluese dhe kemi parë të gjithë dhjetëra e dhjetëra diapozitiva me ngjyra të realizuara me Power Point", pohon Don Von Dolmen, i cili drejton kërkimin mbi rrjetin inteligjent tek EPRI. "Tashmë ka ardhur çasti që të veprohet".
Një rreth vicioz
Verën e kaluar, ish-Zëvendëspresidenti Al Gore ka theksuar se, vendi kishte nevojë që të adoptonte brenda një dhjetëvjeçari një sistem për furnizimin me elektricitet krejtësisht pa emisione dyoksidi karboni për të shmangur rrezikun e një ngrohje globale. Në mbështetje të argumentave të tij, Gore ka folur për një "rrjet inteligjent kombëtar të vetëm", që duhet ta çojë energjinë e gjeneruar nga burimet e rinovueshme në qytete, të rrisë nivelet e efikasitetit të përdorimit të elektricitetit dhe mundësuar një kontroll më të madh mbi resurset e rinovueshme. Sipas mendimit të tij, ristrukturimi i rrjetit duhet të kushtojë 400 miliard dollarë në 10 vjet.
Plani i Gore nuk e shpjegon qartë sesi të përfundohet një projekt i ngjashëm. "Nëqoftëse do të jetë e nevojshme të miratohen legjislacione të unifikuara që i shtyjnë shtetet të bashkëpunojnë dhe të grumbullohen kapitale private, mirë se të vijë", thotë Cathy Zoi, Administratore e Deleguar e "Alliance for Climate Protection", organizatës pa qëllim fitimi e themeluar nga Gore në Menlo Park të shtetit California, për të ushtruar presione me qëllim që të ndërmerren aksione urgjente për të luftuar ndryshimin klimaterik. "Nëqoftëse do të jetë më e thjeshtë dhe e shpejtë të shpërndahen financime federale dhe të realizohet kjo ndërmarrje me një projekt të punës publike, mirë se të vijë njëlloj. Nuk jemi të kufizuar me një instrument të vetëm politik".
Për momentin, asnjë strategji nuk është adoptuar akoma. Edhe pse projekte pilot si ai i Boulder janë një instrument efikas për të demonstruar vlefshmërinë e teknologjive të reja, këto përvoja janë zhvilluar në mënyrë johomogjene, me kompani të ndryshme që kanë përdorur teknologji të ndryshme në shumë shtete. Projektet e sistemeve të transmetimit po ecin përpara, por shpesh janë komplikuar nga konflikte midis shteteve. "Ajo që kemi sot përballë është ky mozaik rregullimesh dhe ligjesh që ndryshon nga shteti në shtet", thotë Peter Corsell, Administrator i deleguar i "GridPoint", një grup nga Arlington i shtetit Virginia, që prodhon softe për rrjetin inteligjent dhe merr pjesë në projektin e Boulder. "Jemi të gjithë robër të këtij sistemi të copëzuar dhe nuk arrijmë të gjejmë një marrëveshje për ta tejkaluar. Është një rreth vicioz".
Disa mendojnë se, përgjigja konsiston që t'i jepet më shumë autoritet FERC-it. Në ditën e sotme, enti mund të revokojë vendimet shtetërore mbi vendet e linjave të transmetimit, por vetëm në rajonet që Departamenti amerikan i Energjisë i ka përcaktuar si kritike për sigurinë e furnizimeve me elektricitet. Deri më tani, vetëm dy korridorë janë vendosur: një në shtetet e Atlantikut Qendror dhe një tjetër në Jug - Perëndim. Megjithatë, deri në këto rajone mbizotërojnë vonesat. "Southern California Edison", ka propozuar një linjë të rëndësishme transmetimi në korridorin Jug - Perëndimor, që duke kaluar nga periferia e Los Angeles në afërsitë e Phoenix në shtetin Arizona, duhet të transportojë energjinë e prodhuar nga centralet e ardhshme fotovoltaike dhe termike diellore. Por, shteti Arizona e ka refuzuar propozimin dhe kompania ka vendosur që t'i drejtohet FERC-it.
Të tjerë mendojnë se, zgjidhja është një politikë e rë federale që duhet ta bëjë më të përtypshëm ekonomikisht tregun e energjive të rinovueshme, ndoshta duke përcaktuar kontrolle të emisioneve të dyoksidit të karbonit, siç është premtuar nga Presidenti Obama me politikën e lejeve të emisioneve të dyoksidit të karbonit. Në këtë rast, energjia eolike dhe burime të tjera të elektricitetit me emisione zero do të fitonin vlerë, duke u dhënë një stimulues kompanive për ta zgjeruar aftësinë e tyre për ta komercializuar. "Mund të ndryshojë gjithçka me shpejtësi", pohon Will Kaul, zëvendëspresident për sistemet e transmetimit të "Great River Energy" në shtetin Minnesota, që drejton një projekt të përbashkët linjash tensioni të lartë të avancuar nga 11 kompani në Perëndimin e Mesëm. "Sikur të kishte një politikë mbi emisionet apo një standard kombëtar për energjinë e rinovueshme, atëhere prodhimi masiv i eolikes do të pësonte një hop të madh përpara".
Gore dhe ambientalistë të tjerë të njohur - me mbështetjen e plotë të inxhinierëve të Vattenfall - kujtojnë se shpërndarja e energjive të rinovueshme është i lidhur sidomos me azhurnimin e rrjetit. Nuk do të jetë një ndërmarrje ekonomike, por avantazhet do të ishin të mëdha. "Duhet të vendosim përballë këtij problemi të njëjtin qëndrim që kemi pasur me sistemin autorrugor federal", shpjegon Ernest Moniz, pedagog Fizike në MIT dhe përgjegjës i programeve të kërkimit energjetik të institutit. "Është kalimi kyç për të arritur të modernizohet i gjithë sistemi i prodhimit të elektricitetit. Energjitë e rinovueshme janë një prej përfituesve kryesorë. Nuk ekziston asnjë arsye teknologjike për të mos e marrë me zemër çështjen".
(Technology Review)
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Google+ Followers