Çfarë e shtyn njerëzimin të njohë të ardhmen e tij?



Rrënjët e para të dëshmive materiale për interesimin e njeriut në parashikimin e së ardhmes, zënë fill që nga parahistoria. Vizatimet më të vjetra të zbuluara në shpellat e Francës, që kanë një lashtësi prej 15.000 vjetësh, tregojnë për aftësitë e jashtëzakonshme të parashikuesve të fisit të shamanëve të asaj kohe, rreth aplikimit të metodave dhe formave të ndryshme parashikuese, në drejtim të ruajtjes së mirëqenies së tyre të përbashkët kolektive.
Ashtu si na dëshmojnë edhe shumë të dhëna materiale të zbuluara kohën e fundit, ekzistenca e fenomenit të parashikimit lidhet me njohurinë e ekzistencës së vetë njeriut. Historia njerëzore e të gjitha kohëve është e mbushur plot me fakte mbi parashikuesit që janë munduar në çfarëdolloj mënyre të parashikojnë të ardhmen tonë si në hapësirë të ngushtë rajonale, po ashtu edhe në përmasa më të gjera botërore.
Edhe pse nevoja për parashikimin e ngjarjeve të caktuara daton që nga lashtësia, mënyrat e parashikmit të fatit në ditët e sotme, në shumicën e rasteve, janë tërësisht të njëjta me ato të kohëve moderne. Megjithatë, fakti më i çuditshëm nuk është mënyra e parashikimit, por arsyeja që e ka shtyrë gjithnjë njerëzimin të njohë paraprakisht të ardhmen e tij.
E ardhmja ka qenë dhe do të mbetet përjetësisht misteri më i madh i njerëzimit. Sa më të pasigurta të jenë raportet në jetë, sa më shumë që ngrihet çmimi i naftës dhe kostot për ushqime, aq më shumë rritet dëshira për parashikimin e të ardhmes. Në politikë dhe ekonomi flitet për parashikime. Prej kohësh ky koncept është futur në shoqërinë dhe kulturën e shumë vendeve të botës.
Ne jetojmë në kohën e parashikimeve. Në ekonomi, politikë, kampionate futbolli, kudo dhe kurdoherë bëhen parashikime. Por disa herë nuk jemi në gjendje që të parashikojmë as ditën e nesërme. Por kjo nuk është thelbësorja, sepse i rëndësishëm është efekti që arrihet me parashikimet, shpjegon Sibylle Peters nga Universiteti i Berlinit. "Një parashikim kthen drejtimin e lëvizjes së kohës, që do të thotë se ajo lejon që gjërat e të ardhmes të ndikojnë në të tashmen. Për shembull, me atë që ne vëzhgojmë në lidhje me transformimin e klimës, bëhen parashikime se si do të ndryshojë klima dhe sipas saj ngrihet politika e sotme". Kështu që faktet e të ardhmes bëhen nismëtare të aksioneve të tanishme. Me fjalë të tjera, parashikimet kanë gjithnjë të drejtë. Ato krijojnë të vërtetën e tyre. Ato vendosin mbi veprimet tona, pavarësisht nëse baza e tyre faktike është apo jo e vërtetë. Megjithatë, mbetet fakt i pakontestueshëm që 80 përqind e parashikimeve janë të gabuara. Pretendimet për shkencën e përdorur për nxjerrjen e tyre, ose baza metodologjike, janë vetëm mite, sepse faktorët që ndikojnë për të ardhmen janë gjithnjë më shumë nga parashikimet e fillimit. Por nëse të rëndësishme nuk janë faktet, por mënyra se si ndikojnë parashikimet, atëherë ku ndryshojnë ato nga praktikat okulte si astrologjia, leximi i dorës, i fytyrës ose i filxhanit? Mbi besimin naiv të parashikimeve diskutuan në Berlin artistë dhe filozofë. Të gjithë ata ishin të një mendjeje, se edhe këto të fundit japin një lloj kontributi për parashikimin e të ardhmes dhe nxisin shumëllojshmërinë e metodave. Artisti britanik Joshua Sofaer tha: "Unë interesohem për fytyrat e njerëzve. Jo sepse unë besoj shumë se tek fytyrat mund të shihet e ardhmja, por sepse arti na jep mundësinë që të mendojmë për konstrukte të tjera, që ekzistojnë jashtë shkencave racionale. Unë kam fotografuar gjashtë fytyra njërëzish nga Berlini dhe me shprehjet e tyre të pasigurisë dhe sigurisë, me propocionet e tyre i lashë të interpretoheshin nga gjashtë eskpertë, një parapsikolog, një lexues fytyrash, një skenarist nga Hollivudi, e kështu me radhë. Pastaj unë i shkriva këto gjashtë fytyra me kompjuter dhe lashë të bëhej interpretimi i rezultatit që u përftua: Kjo është për mua fytyra e të ardhmes së Berlinit". Duhet pranuar së është një konstrukt i guximshëm". Në fakt, i çuditshëm është se leximi i fytyrës në Kinë praktikohet zyrtarisht kur merren njerëzit në punë ose në bisedimet ekonomike. Megjithatë, kinezët e parashikojnë të ardhmen ndryshe, jo duke lexuar të vërtetën okulte, por nëpërmjet një vështrimi skeptik të realitetit, gjatë të cilit ata analizojnë krejt të qetë dhe në detaje mikroskopike një situatë, dallojnë pikat e dobta dhe analizojnë me saktësi situatën për të parashikuar mundësinë më të mirë të mundshme. Pra, tek kinezët nuk flitet për ezoterikë ose për ndjeshmëri të lartë, por thjesht intuitë dhe bonsens.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers