Azia, si po e ndryshon rendin global

Tashmë është një fakt që boshti ekonomik dhe politik i botës po zhvendoset drejt Lindjes së planetit, e megjithatë strukturat aktuale ndërkombëtare mundohen ta shmangin e ta anashkalojnë këtë realitet, duke rrezikuar shumë personalisht. India, një nga gjigandët e Lindjes dhe si një urë lidhëse mes dy anëve të botës, mund të shndërrohet në një promotore të bashkëpunimit e konsensusit

Ndërsa bota nuk është ende shumëpolare, ajo nuk mund të konsiderohet as si njëpolare, siç është konsideruar që nga koha e shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik në fund të viteve ‘90, periudhë gjatë së cilës Shtetet e Bashkuara dështuan në projektimin e një rendi të ri botëror liberal nën drejtimin e saj. Bota e sotme është një botë në tranzicion. Disave mund t’u duket si botë pa asnjë lloj poli, botë në të cilën angazhimet e shumta mes aktorëve të ndryshëm janë bërë një imperativ strategjik. Me shfaqjen e lojtarëve të rinj në tregun gjeopolitik, tashmë është veçse çështje kohe para se multipolarizimi të nisë ta karakterizojë rendin ndërkombëtar. Ndryshimet e boshtit që po ndodhin, ndërkohë janë të lidhura fillimisht me rritjen fenomenale ekonomike të Azisë, një rritje e karakterizuar nga një shpejtësi dhe përmasë që nuk ka të krahasuar në gjithë historinë botërore. Djepi i civilizimeve të lashta dhe streha e pjesës më të madhe të popullsisë së botës, Azia, po lulëzon sërish pas një periudhe relativisht të shkurtër rënieje. Në vitin 1820, aksionet e Azisë në ekonominë botërore ishin 60%, pra në prag të revolucionit industrial. Që nga ajo kohë nisi periudha e rënies, e cila zgjati plot 125 vjet. Sot, Azisë i përket 40% e prodhimit botëror, një shifër që sipas disa parashikimeve mund të shkojë deri në 60% brenda 30 viteve të ardhshme. Zhvendosja e pushtetit ekonomik dhe politik parathotë një botë shumë më të ndryshme nga kjo e sotmja, një botë që karakterizohet nga një shpërndarje më e madhe e pushtetit, por edhe një botë me shumë pasiguri të reja. Lëvizjet tektonike të pushtetit nuk janë kurrë të qeta. Ato zakonisht krijojnë lëkundshmëri dhe dobësi në sistemin ndërkombëtar, edhe nëse bëhet fjalë për një paqëndrueshmëri afatshkurtër. Ndarjet e reja ndërkombëtare e reflektojnë më së miri një realitet të tillë. Por ndryshe nga sa ka ndodhur në të shkuarën, rirregullimi cilësor i pushtetit, që tashmë po ndodh, nuk është pasojë e fitoreve në fushat e betejës, apo renditjeve të blloqeve ushtarake, por është pasojë e një faktori paqësor: rritjes ekonomike. Paradoksi është se ky ndryshim i pushteteve po ndodh, pavarësisht faktit se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbeten për momentin e vetmja superfuqi. Që pas triumfimit të viteve ‘90, dhjetëvjeçari i fundit ka qenë dëshmitar i erozionit të pushtetit të butë dhe të ashpër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shumëkush e konsideron Irakun, Afganistanin, uraganin Katrina dhe rrëmujën që ende mbizotëron në Lindjen e Mesme si simbole të kësaj rënieje dhe erozionimi. Ndarjet e sotme ndërkombëtare, pjesërisht pasqyrojnë një realitet, atë që pushteti dhe influenca nuk janë më të njëjtat në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pavarësisht epërsisë që ende kanë, ndikimi i Shteteve të Bashkuara ka rënë, një tendencë kjo që zor se mund të përmbyset edhe me ardhjen e administratës së re në Shtëpinë e Bardhë. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të thotë fjalën e saj dhe të përcaktojë axhendën ndërkombëtare, qoftë vetë, apo edhe me aleatët e saj. Për të siguruar mbështetje, Amerika duhet që të lidhet me shtete që nuk kanë bërë pjesë deri më tani në rrjetin e aleatëve të saj tradicionalë. Por njëherazi, edhe për disa kohë, Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të mbeten forca më vendimtare në politikën dhe situatën e sigurisë ndërkombëtare. Ka edhe një tjetër faktor që ka kontribuar në ndarjen e re: ndërsa e dimë që bota është në tranzicion, ende nuk e dimë se si do të jetë rendi i ri botëror. Për këtë nuk duhet të habitemi me stanjacionin dhe mosndryshueshmërinë e disa prej çështjeve më të rëndësishme ndërkombëtare, të tilla si ndryshimet klimatike, terrorizmi ndërkombëtar dhe epidemitë e përbotshme. Sfidat më të mëdha sot janë ato të natyrës ndërkombëtare dhe si të tilla kanë nevojë për zgjidhje ndërkombëtare. E megjithatë institucionet ndërkombëtare ekzistuese, përfshi Kombet e Bashkuara, janë jokompetente për t’u përballur me sfida të tilla globale, pjesërisht sepse institucione të tilla nuk reflektojnë më rishpërndarjen e re të pushtetit në botë. Sa më shumë ndryshon bota, aq më shumë mbetet e njëjta në disa aspekte shumë kritike. Epoka e informacionit dhe globalizmit, pavarësisht se ka sjellë ndryshime rrënjësore në ekonomi dhe mbrojtje, nuk ka mundur të ndryshojë natyrën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në fakt, hapi i madh teknologjik dhe ekonomik është në vetvete pasojë e konkurrencës së egër mes kombeve dhe kërkimit të avantazheve relative në një sistem ndërkombëtar të bazuar gjerësisht në sigurinë kombëtare.

Shekulli i kaluar ishte shumë i rëndësishëm për sa u përket arritjeve teknologjike, me shpikje që nuk sollën vetëm rritjen e shpejtë ekonomike, por njëherazi fuqizuan edhe arsenalin e luftës. Si pasojë, shekulli i 20-të ishte edhe më i përgjakshmi. Armët e shkatërrimit në masë zunë një vend kryesor. Në shekullin e ri, avancimi i teknologjisë dhe mungesa e masave mbrojtëse përkatëse evokoi skenarë konfliktesh shumë të rrezikshëm. Sot, në vend të çarmatimit shtetet po përpiqen që të armatosen. Por sapo të përfundojë ndryshimi ekonomik në sferën globale, shumë shpejt do të ketë ndryshime edhe në fushën luftarake. Rendi i ri, ndryshe nga ky aktuali i ngritur në gërmadhat e luftës botërore, duhet të bazohet në një epokë paqeje ndërkombëtare dhe si i tillë do të ketë qëllim parësor vendosjen dhe çelikosjen e paqes. Kjo do të thotë që sot duhet të jemi më refleksivë dhe konsensualë për të krijuar struktura vendimmarrëse demokratike. Derisa një gjë e tillë të ndodhë, linjat globale të ndarjes do të vazhdojnë të sinjalizojnë rritje të risqeve gjeopolitike. Tensionet mes internacionalizmit dhe nacionalizmit në epokën e “fshatit global” të supozuar, kanë ngritur pyetje shqetësuese në lidhje me paqen ndërkombëtare dhe stabilitetin. Me rritjen e ndërgjegjes publike, për shkak të avancimit të mjeteve të informimit dhe teknologjive të komunikimit, individët janë të inkurajuar edhe më shumë për të ripërcaktuar dhe riqartësuar statusin tyre në çështjet e fesë dhe etnisë. Dasitë politike, ekonomike dhe ato të sigurisë, janë jo më pak të urryera. Bota po zhvendoset përtej boshtit ndarës Veri-Jug, drejt një ndarjeje me katër kahe: Perëndimi i begatë, ekonomitë në zhvillim shumë të shpejtë të Azisë, vendet që ndodhen në stanjacion, pas arritjes së një statusi pozitiv ekonomik, dhe rreth 1 miliard njerëzve të harruar që jetojnë në kufijtë e globalizmit në Afrikën subsahariane. Këta persona të margjinalizuar nuk kanë asnjë rol në globalizëm. Braktisja ndërkombëtare që i bëhet Afrikës, ka krijuar vakumin që Kina po e shfrytëzon në mënyrë të egër dhe energjike, për të ndërtuar lidhjet e saj politike dhe ekonomike me një numër shtetesh afrikane.

Ndryshimet që po ndodhin në pushtetin ekonomik, manifestohen në ndryshimet që ndodhin në sektorët e energjisë dhe materialeve, me rritjen e kërkesës nga vendet e zhvilluara në vendet në zhvillim, kryesisht në Azi. Çmimet e energjisë do të vazhdojnë të qëndrojnë të larta dhe të lëkundshme për një të ardhme ende të papërcaktuar, pikërisht falë këtyre ndryshimeve dhe rritjes së kërkesës në vende të tilla si Kina dhe India, të cilat së bashku mendohet që ta dyfishojnë nevojën për naftë në 20 vitet e ardhshme. Megjithatë, pavarësisht konsumit total të energjisë në rajonin Azi-Paqësor, konsumi i energjisë për kokë është ende relativisht i ulët në krahasim me standardet ndërkombëtare. Shuarja e etjes së jashtëzakonshme të ekonomive të Azisë dhe përmbushja e kërkesave të përhershme të gjigandëve ekonomikë në Perëndim janë në thelb të dilemës së madhe energjetike me të cilën po përballet bota në këtë shekull. Zgjidhja e problemit energjetik është imperative nëse Azia dhe vendet e tjera do të vazhdojnë të rriten ekonomikisht. Kjo zgjidhje duhet t’i ketë rrënjët në tre elementë esencialë: kostoja e ulët, preferueshmërisht përdorimi i alternativave të rinovueshme; efikasitet më i madh energjetik dhe minimizim apo eliminim i emetimeve të gazeve të dëmshme që shkaktojnë efektin serë. Ndryshimet strukturale që po ndodhin në tregun e energjisë, mbartin implikime afatgjata ekonomike dhe politike në stabilitetin e synueshëm të këtyre tregjeve. Një dasi tjetër ka të bëjë me vlerat e politikës. Në një kohë kur një rirregullim cilësor i pushtetit po formëzon ekuacionet ndërkombëtare, lojtarët kryesorë po luajnë me rrezikun që sistemet kontradiktore politike mund të krijojnë një linjë ndarëse të madhe gjeopolitike, që synon fuqizimin e aksit të autokracive ndaj atyre të demokracive. Refreni i këtyre lojtarëve është që pragmatizmi dhe jo vlerat politike janë ato që duhet të udhëheqin strategjinë e tyre të politikës së jashtme.

Logjikisht, gatishmëria për të luajtur sipas rregullave ndërkombëtare duhet të vlejë më shumë se sa forma e regjimit. Por lloji i regjimit shpesh i bën rregullat e lojës të vështira. Në historinë moderne, vija ndarëse mes demokratëve dhe autokratëve ka pasur raste që është zbehur, kur bëhej fjalë për interesa të përbashkëta gjeopolitike. Por sot, dështimi për të ndërtuar një homogjenitet më të madh gjeopolitik përmes përcaktimit të objektivave të përbashkëta ndërkombëtare mbart rrezikun se, në vitet në vijim, vlerat politike mund të shndërrohen në linjën më të madhe ndarëse gjeopolitike. Është tashmë shumë e qartë që demokracitë rrallëherë shkojnë në luftë me njëra-tjetrën, edhe në rastet kur qeveritë mund të mos jenë aq shumë të përkushtuara ndaj paqes. Se çfarë roli mund të luajnë të huajt në vendosjen e demokracisë në një vend që nuk ka një regjim të tillë, kjo mbetet një çështje veçanërisht e vështirë. Pak a shumë, një çështje e tillë del në Azi. Ndryshe nga Europa, ku demokracia është tashmë një normë, vetëm 16 nga 39 vende të Azisë janë realisht të lira, madje disa prej këtyre vendeve bëjnë pjesë në venet ku liria shtypet më me egërsi se në çdo vend tjetër. Në rajonin Azi-Paqësor, që sa po vjen e po ndahet gjithnjë e më shumë për shkak të konflikteve dhe kulturave, demokracitë e mëdha duhet të bëhen bashkë për të mundësuar avancimin e bashkëpunimit politik dhe stabilitetin përmes vlerave të përbashkëta.

Google+ Followers