4 sekrete të thjeshta për të qenë më të lumtur



Lucy Danziger

A nuk do të donit që të kaloni më shumë ditë në jetën tuaj duke u ndjerë tërësisht të plotësuar? Ju ka ndodhur të pyesni veten pse nuk ndiheni të lumtur pavarësisht gjërave të mira që iu ka ofruar jeta? Nëse lejoni ofendimet dhe kritikat t'ju mërzisin, duke i përsëritur ato si një monolog i brendshëm negativ pasi momentet e këqija kanë kaluar, ju jeni në të vërtetë si të gjithë të tjerët, së paku si shumica e njerëzve. Por, ekzistojnë disa taktika të thjeshta që mund të jenë me të vërtetë të afta të vënë një buzëqeshje në fytyrën tuaj. Ju mund të rrisni ndjeshëm nivelin e lumturisë, jo detyrimisht duke zbuluar se keni fituar llotarinë apo një trashëgimi nga një i afërm i vjetër që nuk e dinit që ekzistonte, por thjesht duke adoptuar mënyra të reja të të menduarit. Ndërkohë që rreth 50 përqind e aftësive tona për të qenë të lumtur është e përcaktuar nga ajo që studiuesit e quajnë si "thirrje natyrore" për lumturi dhe 10 përqind varet nga rrethanat e jetës sonë, një pjesë e konsiderueshme prej 40 përqind është plotësisht në dorën tuaj, pra nga mënyra se si ju zgjidhni të reagoni ndaj ngjarjeve, si përballeni me stresin, si zgjidhni të kaloni kohën tuaj dhe më shumë.
Fakti se ne mund të influencojmë gati gjysmën e kënaqësisë tonë është një zbulim mahnitës dhe ndërgjegjësimi mbi rolin që njeriu mund të luajë në nxitjen e lumturisë dhe gëzimit, e ka bërë eksperten e Shëndetit Vetjak Mendor, Catherine Birndorf, që të shkruajë librin e saj të ri "Nëntë Dhomat e Lumturisë". Ajo që ka analizuar me kujdes situata të ndryshme që ndikojnë në përkeqësimin e humorit dhe mënyrën se si njerëz të ndryshëm reagojnë në situata të njëjta dhe ka gjetur metoda të ndryshme që mund të konsiderohen secila si sekreti i fshehtë i lumturisë: duke ndryshuar qasjen tuaj ndaj situatave të ndryshme, mund ta bëni zërin tuaj të brendshëm më pozitiv, duke iu gëzuar pasionit tuaj (qoftë ai pasioni për lulet, sportin apo udhëtimin) apo duke gjetur një sens të qëllimit që iu ndihmon të jeni më të lumtur në secilën nga "dhomat" e shtëpisë tuaj emocionale. (Metafora që përdoret për jetën duke e krahasuar atë me një shtëpi bëhet për efekt që t'ju lejojë t'i shihni fushat e ndryshme të jetës tuaj si dhoma: dhoma e gjumit për romanca, zyra për punë dhe çështje financiare, dhoma e ndenjes për shoqërinë, etj).
Ashtu si çdo gjë tjetër e vlefshme për shëndetin tuaj apo sigurinë tuaj financiare, përmirësimi i lumturisë tuaj është një çështje për të bërë alternime të vogla në vendimmarrjen tuaj, por që kanë shpërblime të mëdha dhe afatgjata. Kthejini këto katër zakone në një pjesë të rregullt të ditës suaj, në mënyrë që të ndiheni më të plotësuar, të vetëkënaqur dhe të lumtur sot dhe çdo ditë të jetës tuaj.
1. Gjërat e tepërta, edhe kur janë të mira bëhen të këqija
Kompanitë ajrore kanë plotësisht të drejtë kur iu këshillojnë që në raste emergjence të vendosni në fillim maskën tuaj të oksigjenit përpara se të ndihmoni personin e ulur pranë jush. Kjo këshillë nuk është aspak egoiste, është thjesht të kesh kujdes për veten. E njëjta gjë vlen edhe në jetën e përditshme kur na duhet të ndihmojmë njerëzit përreth nesh. Sigurisht, është e mrekullueshme të jesh person bujar dhe dashamirës sidomos kur bëhet fjalë për t'i kushtuar pak kojë të tjerëve, por në një moment të caktuar mund të ndodhë të japësh nga vetja më tepër se sa duhet. Kjo është rraskapitëse dhe nuk i bën mirë askujt.
Kur arrin në një pikë të tillë të ngjashme kur të duket se po vetësakrifikohesh, të duhet të mësosh t'i thuash jo personit tjetër që të kërkon ndihmë shpirtërore, financiare apo fizike. Ndonjëherë është legjitime që edhe t'i vetë të kërkosh ndihmë nga njerëzit e afërm, miqtë apo kolegët. Në këtë mënyrë, do të kesh më shumë mundësi të kujdesesh për interesat e tua personale dhe të ushqesh anët pozitive të karakterit tënd që të bëjnë të ndihesh më i lumtur. Duke u ndjerë më mirë dhe më në paqe me veten dhe duke rifituar energjinë e nevojshme, do të jeni të aftë të tregoheni edhe më tepër bujarë dhe dashamirës me të tjerët.
Në këtë mëryrë, duke ndjekur një pjesë teatrale që ju pëlqen, duke dalë pas darke për një shëtitje, duke notuar në mëngjes, duke lexuar në kolltukun tuaj të rehatshëm ose duke bërë çfarëdolloj gjëje që iu pëlqen dhe entuziazmon, do të shikoni se si dita juaj e lodhshme dhe e mërzitshme do të mbushet me dëshira në vend të detyrimeve. Mundohuni ta shihni në këtë mënyrë: të duhet të jesh i fortë për t'i ndihmuar të tjerët. Të kujdesesh për pamjen tënde të brendshme është po aq e rëndësishme sa të kujdesesh për atë të jashtme. Mësohu të njohësh limitet e tua dhe qëndro i lumtur për të qenë i shëndetshëm.
2. Tani është momenti! Shijoje atë!
Kur je fëmijë, kënaqesh me pasditet e gjata dhe argëtuese me shokët dhe shoqet në parkun e lojërave, ndërkohë që nëna jotë të ruan nga larg. Ke në dispozicionin tënd orë të tëra të gjata për të eksploruar çdo metër katror të vendit dhe ndihesh tërësisht i lirë. Kur i rikujton këto momente të fëmijërisë me nostalgji, nuk është çudi të të duken perfekte. Por, kur tashmë ka ardhur koha që të shoqërosh fëmijët e tu për tek parku i lojërave, gjithnjë i nxiton ato për t'u kthyer sa më parë në shtëpi. Ndonjëherë nuk të bën keq të ndalesh dhe të mendosh: Çfarë do të mbajnë mend ato? Ty që u bërtet‚ "nxitoni është shumë vonë", duke u kthyer për në shtëpi?
Fëmijët zakonisht i gëzohen shumë shëtitjeve. Ata kënaqen më shumë duke u endur rrugëve, duke ndaluar para çdo vitrine dhe duke parë shatërvanin që nxjerr ujë pa pushim se sa duke luajtur në shtëpi me vidiolojëra. Të duhet të ndalosh bashkë me ta dhe të mendosh: kujtimet e tua janë të mbushura me parqet e lojërave dhe të kthehen shpeshherë në mendje si një film, por ndoshta filmi i tyre nuk do të jetë aq interesant sa i yti. Ndoshta mendimet e tua duhet të ndryshojnë nga "do t'ju çoj në park që të luani" në "le të luajmë tani, këtu ose kudo që të jetë e mundur". Kjo është e gjitha. Mjafton të kalosh kohë me fëmijët e tu dhe ndihesh më i lumtur. Mos kërko një shkak, një kohë apo një vend të caktuar për të luajtur. Ky është momenti! Shijoje! Ky mund të jetë një moment perfekt për fëmijët e tu, që do ta kujtojnë gjatë gjithë jetës së tyre, sigurohu që edhe ti të jesh pjesë e këtij momenti.
3. Gjej "strofullën" tënde!
Sado njeri i shoqërueshëm dhe social të jesh, çdokush ka nevojë të kalojë disa momente vetëm çdo ditë për t'u rikarikuar. (Po ta mendoni, edhe telefoni juaj ka nevojë të karikohet). Koha është dhurata më e çmuar që mund t'i bëni vetes çdo ditë për të qenë më i lumtur, për të shkarkuar energjinë negative dhe për të ndryshuar humorin e keq dhe që nuk të kushton asgjë (as nuk iu detyron të shkoni asgjëkundi). Megjithatë, kur jetoni me një shok në dhomë, kur keni fëmijë të vegjël ose jeni të zhytur në një mal me punë dhe një afat të shkurtër për ta përfunduar atë, të kërkosh pak kohë të lirë për veten mund të duket si një mision i pamundur. Fatmirësisht, nuk të duhet të fluturosh drejt një ishulli të shkretë të mbushur me palma dhe ujvara gjigante (edhe pse kjo do të ishte ideale) ose të flesh jashtë shtëpisë (gjë që të tundon gjithashtu), në mënyrë që të fitosh atë pak kohë të çmuar për ta kaluar me veten. Kur vajza ime ishte 3 vjeçe, kishte zakon që të fshihej në "strofullën" e saj, një hapësirë e vogël midis dollapit dhe krevatit në dhomën e saj, të cilës i kishte vënë sipër një mbulesë dhe merrte me vete albume fotografish apo kafshë të ndryshme për të luajtur në vetmi. Kur e kërkoja më thoshte: "Nuk mund të futesh këtu brenda, kjo është strofulla ime dhe vetëm mua më nxë". Urtësia e saj fëminore ishte shumë e qartë: edhe një fëmijë ka nevojë për kohë dhe hapësirë personale ku të mbyllet, duke lënë të gjithë botën jashtë dhe të mendojë në qetësi.
Unë zakonisht e gjej kohën dhe hapësirën time kur notoj ose kur vrapoj, larg gjithçkaje. Kujtohu se ku ndihesh më i relaksuar, qoftë duke pirë kafe në një lokal në periferi të qytetit, madje edhe duke palosur rrobat me qetësi në dollapin tënd. Gjej ato momente që të bëjnë të ndihesh në paqe, ato endje të shkujdesura nëpër qytet pa patur asnjë destinacion dhe shkarkoji aty të gjitha shqetësimet. Mendo thjesht për atë që të bën të jesh e lumtur. E rëndësishmja është që të kuptosh se çfarë është dhe më pas të sigurosh kohën për ta bërë atë më shpesh. Nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për një shëtitje në natyrë, për shkëmbim eksperiencash me miqtë apo për të ndihmuar të tjerët të gjejnë kënaqësi shpirtërore, çfarëdo qoftë do të ndihesh më mirë, madje edhe kur mendon për të. Pas këtij pushimi të vogël është e garantuar që do të ndiheni më mirë dhe më mirënjohës kur të riktheheni në "shtëpinë" tuaj të çmendur emocionale dhe në jetën e ngarkuar që iu pret atje.
4. Edhe konfliktet të ndihmojnë!
Ka diçka që të gjithë ne duhet të mësojmë. Kur një mik është i xhindosur me ty ose ti me të (ose nuk gjeni dot një gjuhë të përbashkët me kolegët dhe rrezikoni mbarëvajtjen e projektit), gjëja më e vështirë ndonjëherë është t'i telefonosh këtij personi për të diskutuar problemin. Por, në momentin që e bën, gjithmonë ndihesh më mirë. Shanset më të shumta janë që mund të keni kontradikta për gjëra të vogla dhe keni më shumë gjëra të përbashkëta se sa të ndryshme me njëri-tjetrin, por të duhet ta diskutosh situatën në mënyrë që të zbulosh se ku mund të bini dakort dhe ku jo.
Në rastet më të shumta gjëja e duhur është t'i telefonosh mikut tënd dhe të organizosh një takim për t'u sqaruar. Nuk është edhe aq e vështirë t'i tregosh të tjerëve se sa të rëndësishëm janë për ju dhe se doni që ta kapërceni murin që është krijuar mes jush dhe më pas t'i shpjegoni këndvështrimin tuaj të gjërave. Në vend që të merreni me ngarkimin e fajit, tregojini të tjerëve që iu vjen keq për shqetësimin që mund t'u keni shkaktuar ose në rast të kundërt të shpjegoni pse ndiheni i lënduar.
Studimet tregojnë se ruajtja e lidhjeve, veçanërisht me miqtë është një nga gjërat më të rëndësishme për lumturinë tuaj afatgjatë. Ndërkohë që nuk është aspak e nevojshme që të jeni tërësisht të njëjtë për të patur gjëra të përbashkëta apo thjesht për të kaluar momente të bukura së bashku, e nevojshme është që të komunikoni dhe të anashkaloni mosmarrëveshjet e vogla. Mundohuni të gjeni edhe anët e ndryshme të karakterit tuaj dhe të mësoni sa më shumë nga njëri-tjetri, nxirrini në pah ndryshimet tuaja dhe ndonjëherë qeshni me to. Mund t'i thoni vetes: edhe pse jemi të ndryshëm dhe nuk biem dakord në çdo detaj, nuk do të thotë që nuk mund të jemi miq. Mund të jemi miq dhe të kemi mosmarrëveshje në aspekte të caktuara gjithashtu. Mund të kemi konflikt për një kategori të caktuar gjërash, por megjithatë të jemi miq të përjetshëm. Konflikti është i shëndetshëm. Në fakt është një pjesë e pandashme e jetës.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers