10 vjet nga kriza e “New Economy”

Më 10 mars mbushen 10 vjet nga shkatërrimi që shkaktoi “New Economy” “flluska” e stërmadhe që shpërtheu në vitin 2000. Përjetimet e epokës sonë janë pasoja të vendimeve të marra shumë kohë më parë. Aktualisht, po përjetojmë edhe valën e re të spekulimeve, por ndërkohë mund të themi se zor se kemi mësuar nga  gabimet tona të së shkuarës.

Mund të shndërrohet shumë shpejt në 25-vjeçarin më të pasur të planetit, por ai vetë e ka marrë gjithçka shumë shtruar. Aktualisht, Facebook, sajti i tij ka 400 milionë vizitorë, që i japin themeluesit Mark Zuckerberg 10 miliardë dollarë. Për të përditshmen “Wall Street Journal” ai deklaron: “Unë jam i ngeshëm në punën time dhe mendoj se ka ende kohë që të kuotoj në bursë kompaninë”. Kësisoj, Zuckerberg “tradhton” kështu përmes këtij mosbesimi të hapur ndaj Wall Street, tendencën e dikurshme që u pasua nga një dramë e madhe që u përjetua pikërisht 10 vjet më parë. Ai vetë i përket atij brezi që në atë kohë ishte duke dalë nga periudha e adoleshencës dhe si për koincidencë iu desh që të përballej pikërisht në atë moment me shkatërrimin e të ashtuquajturës “Ekonomia e Re”. Një ngjarje kjo që shumëkush e harroi me kalimin e viteve, por me pasoja e mësime që sot më shumë se kurrë tingëllojnë aktuale. Më 10 mars të vitit 2000, lista e NASDAQ shënoi një maksimum historik, një shifër që nuk do ta haste më në dhjetëvjeçarin pasues: 5.132 pikë. Po atë ditë, bursa e specializuar në titujt teknologjikë kapitalizoi dyfish në krahasim me një vit më parë. Por që nga ai moment nisi edhe rënia e madhe që shkoi deri në një minimum prej 1.114 pikësh në tetor të vitit 2002. Që nga ai moment, rikuperimi dhe marrja e vetes ka qenë shumë modeste.

E ndërkohë që prej një viti, Barak Obama po përpiqet që të lehtësojë futjen në lojë të së ashtuquajturës: “Ekonomia e Gjelbër”, e bazuar mbi teknologjitë e reja në favor të mjedisit. Në këtë kuadër, Sillicon Valey që ndodhet në Kaliforni është bërë thuajse gati për t’u shndërruar në djepin e ri të novacionit në këtë sektor.

Sot euforia e pasuar nga rënia e “Ekonomisë së Re” u duken të gjithëve histori të vjetra, të ndodhura shumë kohë më parë, sepse tashmë shumë gjëra kanë ndryshuar. Në fakt, në marsin e vitit 2000 u mbyll një periudhë e konsideruar si “Epoka e Artë” e që sot duket sikur nuk ka ekzistuar kurrë. Amerika e asaj periudhe po hynte në vitin e tetë të presidencës së Klintonit dhe kishte një bilanc publik shumë aktiv, inkasonte dividentë politikë dhe ekonomikë me shumicë, aq sa sot tingëllon si një utopi e vërtetë. Për sa i përket papunësisë, ajo praktikisht ishte një fenomen i papërfillshëm, pasi kishte zbritur në masën 4% që konsiderohej edhe minimumi historik. Në ato vite, Kina ishte thjesht një vend nga i cili vinin shumë mallra me një çmim të ulët, industria informatike kaliforniane ishte në kontroll të të gjitha funksioneve përfshi edhe kërkimin shkencor. Al Kaeda vetë ishte vetëm një fjalë thuajse e panjohur nga pjesa më e madhe e njerëzve. Të gjithë protagonistët e asaj faze, sot ose janë zhdukur, ose janë shndërruar. Marrim rastin e “America on Line AoL” një portal interneti. Nga lartësia e kutacioneve stratosferike që kishte në bursë arriti që të merrte kontrollin e një grupi multimedial si “Time Worner”. Më pas vjen Yahoo, që u duk se ndryshoi kryekëput mënyrën e marrëdhënies së njerëzve me internetin. Kemi Cisco, gjigantin virtual të epokës kur e gjithë bota ndoqi Amerikën për sa i përket prodhimit dhe shtrimit të fibrave optike. Ishte Microsoft, një tjetër gjigant para të cilit të gjithë kundërshtarët duken të brishtë dhe të pafuqishëm. Atëherë ishte i vetmi grup që dukej se kishte aftësinë për të dominuar hapësirat virtuale. Pikërisht në kufijtë e kësaj bote, me këtë strukturë dhe këta emra të mëdhenj, nisën të shfaqen edhe patologjitë e rënda. Marrim famëkeqin Ebron me bazë në Teksas. Ai ishte një gjigant i ri që i shumëfishoi pasuritë duke gërshetuar 3 fenomene: situatën e çrregullt energjetike, financiare dhe internetin. Kompania energjetike arriti që të krijonte një treg të jashtëzakonshëm mekanizmash spekulativë në fushën e energjisë. Si pasojë e kësaj mënyre veprimi, Kalifornia vuajti një periudhë të gjatë errësirën e herëpashershme. Worldcom ishte një tjetër kolos i krijuar mbi “një flluskë”, atë të investimeve masive të fibrave optike që lindën si pasojë e projekteve absurde bazuar në shtimin e përdorimit të Telekomit. (Enron dhe Worldcom do të shndërroheshin më vonë në falimentimet më të mëdha e më të turpshme, për shkak të mbështetjes së tyre te skemat mashtruese. Përkatësisht telashet me to nisën në dhjetor 2001 dhe prill 2002).

Po çfarë provokoi saktësisht fillimi i fundit, duke nisur nga 10 marsi i vitit 2000? Si të gjitha krizat edhe ajo shpërtheu nga një përqendrim shkaqesh. Disa syresh ngjasojnë edhe me situatën aktuale. Por njëra ishte ngjarja e ndodhur më 10 mars që shërbeu në njëfarë mënyre si detonator i krizës. Ajo ishte nisja nga ana  e drejtësisë amerikane e kontrollit antitrust ndaj Microsoft, kompanisë që në atë periudhë konsiderohej edhe si “princeshë” e tregut.

Duke filluar me vitin 1999 e deri në fillim të vitit 2000 Rezerva Federale, banka qendrore amerikane u shtrëngua që të rriste përqindjen e interesit për 6 herë rresht, në tentativë për të  ndrequr ekseset e krijuara nga paratë e lehta. Por ato që ndryshuan tërësisht perspektivën ishin ngjarjet e 11 shtatorit të vitit 2001. Në atë moment, Amerika e ndjeu veten të kërcënuar nga një rrezik i dyfishtë: terrorizmi dhe recesioni. Atëherë Fed u detyrua që të pomponte likuiditet në sistem, duke lehtësuar kësisoj lindjen e një “flluske” të re, asaj të tregut të pasurive të patundshme. Administrata e re e Bushit nisi që të “shërojë” recesionin me një paketë masash diskriminuese, të cilat së bashku me luftërat në Afganistan dhe në Irak kontribuuan në krijimin e  një deficiti publik të përmasave të frikshme. Sakaq, kishte filluar edhe periudha kaotike në universin e financave.

Brenda këtyre dhjetë viteve duket sikur ndryshimet janë të jashtëzakonshme, por a është e vërtetë përmasa e këtij ndryshimi? Sot në pozicionin monopolist të Bill Gates, në atë kohë, është shefi ekzekutiv i Google, Eric Schmid, një nga këshilltarët e Barak Obamës dhe protagonist i incidentit të fundit “ideologjik” me Kinën. Ndërkohë, Sillicon Valey që është edhe magnetim i novatorizmave teknologjikë vazhdon që të jetë aktiv, pavarësisht kalimit të kohëve. Këtë e demonstronte dhe historia e indianit, Vinod Khosla, themeluesit të Sun Microsystems që në gjirin e një kolosi të tillë të informatikës ka krijuar “Caleran”, një nga shoqëritë më të avancuara të në fushën e kërkimeve energjetike. Apo ringjallja e mrekullueshme e Steve Jobs. Të gjithë konsumatorët e teknologjive të fundit presin me pa durim 3 prillin për lançimin në treg të iPad, krijesës së re të magjistarit që arrin të marrë me mend dhe më pas të realizojë të gjitha nevojat që kemi. Por jashtë botës së mrekullueshme të Apple dhe Google, situata nuk është edhe aq rozë, madje vende-vende duket si e dëshpëruar. Vetë Kalifornia që është edhe “shtëpia” e teknologjisë së lartë ka një shkallë papunësie shumë më të lartë se edhe vetë mesatarja kombëtare, me një përqindje që ka arritur një rekord historik prej 12.5%. Studentë dhe docentë janë në prag të luftës për masat që do të merren së shpejti për reduktimin e fondeve të mbështetjes financiare për kërkimet shkencore. Tashmë krizën po e vuan vetë sistemi shkollor dhe akademik amerikan, që jo shumë kohë më parë ka qenë një nga arritjet më të mëdha dhe pika e forcës në garën e shfrenuar intelektuale me Azinë. Kriza ka shtrirë metastazat e saj. Mekanizmat e quajtur “credit default swaps”, që janë derivativat e përdorur edhe në Greqi për vite me radhë e tani rrezikojnë që ta çojnë shtetin në faliment, kanë sulmuar dhe rrezikojnë vetë bilancin e shtetit kalifornian dhe shumë bashki dhe zona të tjera në të gjitha Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse nuk do të reduktohen ndjeshëm shërbimet sociale bazë, një falimentim nuk do të ishte i pamundur. Ndërkohë, Rezerva Federale, në të kundërtën e asaj që bëri 10 vjet të shkuara, po nis të thithë likuiditetin që iu desh të fuste në treg për të përballuar krizën e vitit 2008. Ndërkohë, në mungesë të një rrugëdaljeje të besueshme për t’iu shmangur situatës së maksideficitit shtetëror, në mungesë të reformave të vërteta e rrënjësore të tregjeve, shfaqet së largu hija e një shtrëngimi edhe më të madh monetar. Pas krizës famëkeqe të dot.com të internetit në vitin 2000, pas Enronit një vit më pas dhe kolapsit të Worldcom në 2002 apo pas falimentimeve të Bears Stearsn, Lehman Brothers e Aig në vitin 2008, kriza e ardhshme që pritet të shpërthejë në Shtetet e Bashkuara është ajo e borxhit publik. Me gjithë këto kriza të njëpasnjëshme që pasojnë një dhjetëvjeçar që nisi me kolapsin e të ashtuquajturës “New Economy” libri që duket se i përmbledh më mirë simptomat dhe shkaqet e situatës aktuale është ai i shkruar nga ish-drejtori i FMN-së, Keneth Rogoff. Sipas tij, aktualisht po ndodh një rikonstruksion i 8 shekujve të gjatë të marrëzirave financiare. Libri titullohet “This time is different”, “Këtë herë është ndryshe”. Kjo frazë nënkupton iluzionin e përjetshëm të shumëkujt për faktin se gabimet mund të kalohen pa paguar pasojat. Është ëndrra e ikjes dhe shmangies nga pasojat dhe përgjegjësitë e veprimet e bëra nga një brez në tjetrin.

Ndryshimin e kohëve e shohim, siç e thamë në fillim, te refuzimi që ka “djaloshi” i Facebook ndaj joshjes së Wall Street.

Google+ Followers