Zvicra mbi këpucët me taka

Tri gra të ulura në kolltukun më të rëndësishëm të vendit. Një fakt historik, që i ka bërë qytetarët të zbulojnë politikën e bërë me zemër

Sy që shkëlqejnë dhe një buzëqeshje vezulluese. Joshëse dhe shumë profesioniste femrat në Zvicër kanë zënë postet më të rëndësishme të politikës. Ato nuk shqetësohen nëse dikush i gjykon si një treshe e dobët, të paafta për të vepruar vërtet mbi shtresën social-ekonomike  të vendit. Gjithsesi, në Zvicër 2010-a do të mbetet një vit historik: Presidentja e Konfederatës, ajo e Dhomës së Ulët (dhoma e deputetëve) dhe e Dhomës së Lartë (tip senati), ose më saktë, numri një, dy dhe tre i vendit, janë femra. Doris Leuthard, 46 vjeç, Pascale Bruderer, 32 vjeçe dhe Erika Forster, 65 vjeçe, nuk janë vetëm tri gra të fuqishme, por edhe tri femra që nuk kanë shumë gjëra të përbashkëta me njëra-tjetrën, si në politikë (vijnë nga tri parti të ndryshme) ashtu edhe në jetën private. Por jo vetëm kaq. U përkasin edhe tre brezave të ndryshëm, me vlera dhe mentalitete të ndryshme. “Këto tri gra nuk janë modele, por shembuj që mund të sjellin një frymë të re politike”, shpjegon Sylvie Durrer, anëtare e Këshillit për Barazi.

Jo se femrat nuk janë shumë vizionare, por Zvicra, tepër konservatore për sa i përket mentalitetit dhe traditave, u ka dhënë të drejtën e votës qytetarëve të saj vetëm në vitin 1971. Me 30 për qind femra të pranishme në Parlament, sot Zvicra ua ka kaluar vendeve historike si Franca, Anglia dhe Italia dhe po shkon drejt 50 përqindëshit. Mosha nuk është një tabu, por karizma dhe ndjeshmëria personale janë vlera të cilat të ndihmojnë të ecësh përpara. Nga të tria, më popullorja është Doris Leuthard, e cila pas krahëve ka një karrierë tepër të gjatë e “të stuhishme”. E lindur në vitin 1963 në Zvicër, është diplomuar për Drejtësi dhe ka punuar për 15 vjet si avokate, para se të zgjidhej në 1997-n në Parlamentin e vendit të saj. Dy vjet më vonë u bë zëvendëspresidentja e demokratëve të krishterë, pastaj në 2004-n ndryshoi drejtim, në një moment kur partia po kalonte një periudhë të vështirë. Një vit më parë, PDC-ja kishte humbur një nga dy postet në qeveri. Por “efekti Doris” u bë i famshëm menjëherë: në zgjedhjet e vitit 2007 partia fitoi sërish një post të dytë në shumë kantone. Doris ishte shumë e zgjuar, e dinte se nuk do të mjaftonin metodat tradicionale për t’i dhënë jetë një partie. Pikërisht për këtë arsye kishte menduar diçka më interesante: më 1999-n për t’u zgjedhë në Parlament, 35-vjeçarja Leuthard, në vend të thasëve me presh, kishte shpërndarë mbi 20 mijë flakonë me shampo trupi, mbi etiketën e të cilave shkruhej: “Argovia rifreskuese”. Fundja a nuk kishte nevojë për diçka të freskët vendi? Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, me një vendosmëri të madhe u hapi shtëpinë fotografëve, të cilët përveç aktiviteteve të saj të përditshme, nga palestra te pazari, fotografuan edhe koleksionin e këpucëve, që më pas i dha emrin Imelda Markos e Zvicrës. Pas kësaj ndodhie shumë qytetarë zviceranë nuk e gjykuan mirë Dorisin, dhe ç’është më kryesorja nuk ndodhi asgjë interesante. Në vitin 2006 ajo nuk kishte fëmijë, jetonte me të shoqin, një kimist i zoti dhe ishte shumë e përkushtuar ndaj punëve të shtëpisë. Në atë kohë Doris u thirr nga partia për të qenë një nga shtatë anëtarët e qeverisë. Në vitin 2010 do të bëhet ajo përfaqësuesja e vendit të saj në botë. “Me atë buzëqeshje vezulluese, look-un e thjeshtë, por me shumë ngjyra, sapo Doris prezantohet të transmeton menjëherë simpati”, thotë një mik i ngushtë. Doris transmeton jo vetëm simpati, por edhe sensualitet, ndjeshmëri, kurajë. “Ndonjëherë më vjen për të qeshur, sepse ka ende nga ata që më pyesin në Bern nëse i kam mbaruar apo jo studimet”, thotë ajo duke buzëqeshur. 
Ndryshe nga Doris, Bruderer ka hyrë në politikë në moshë të madhe, në vitin 1997. Është diplomuar për shkenca politike dhe gjithashtu ka bërë një master në Universitetin e Zyrihut në vitin 2005. Sipas miqve të ngushtë që e njohin mirë, ajo është fenomeni i vërtetë politik i vendit. “Është shumë seksi dhe e ke për nder të biesh në dashuri me të”, thotë duke buzëqeshur drejtori i të përjavshmes “Die Zeit”. Pascale ishte 24 vjeçe kur e kuptoi se cila ishte pika e saj e fortë. Gjatë një fushate të organizuar për mbledhjen e fondeve, çdo politikan duhej të dhuronte diçka të tijën për ta nxjerrë më pas në ankand. “Ajo hoqi bluzën që kishte veshur dhe e dhuroi ashtu siç ishte, madje ende të patharë nga djersa”, thotë drejtori.

Pragmatike, e emancipuar, nacionaliste, e martuar me një bankier, por pa fëmijë, kjo zonjë e re nga Badeni mishëron vlerat dhe idealet e  brezit të ri të socialistëve zviceranë. “E kam mësuar gjuhën e shurdhmemecëve para se të flisja”, është shprehur ajo gjatë një interviste. “Jam rritur me dy xhaxhallarë shurdhë, për të cilët u kujdes nëna ime që pas vdekjes së vjehrrit dhe vjehrrës. Ajo eksperiencë ndikoi shumë në personalitetin tim. I kam parë nga afër vështirësitë me të cilat duhet të përballen handikapët, por mbi të gjitha zbulova paragjykimin”.

Komplet e kundërt me bindjet e saj është Erika Doster, 65 vjeçe, ish-stjuardesë e “Swissair”, e martuar me një ish-biznesmen dhe nënë e katër fëmijëve tashmë të rritur. Erika është një politikane e kohërave të vjetra. Liberale, aspak ekstremiste, është një nga ato figura politike, të cilat kanë luftuar shumë për të pasur një post të rëndësishëm, por që nuk kanë arritur ende të jenë në qendër të vëmendjes. Në Këshillin e Shtetit (Dhomën e Lartë) që prej vitit 1995, veçohet nga kolegët e saj për angazhimin e saj kundër ndotjes së ambientit.

Të zonjat ose jo, me një shkallë papunësie që arrin në 4 për qind (një rekord për Zvicrën), “tri shoqeve” do t’u duhet të përballen fillimisht me temën e ekonomisë, pastaj me punë të lartësojnë reputacionin e tyre.

Google+ Followers