Tristram Stuart

Në mbrojtje të ushqimit

Me produktet e mbledhura nga plehrat ka organizuar një drekë për 5 mijë persona. Një mënyrë kjo për të denoncuar shpërdorimin e ushqimeve

Tristram Stuart, aktivist dhe shkrimtar në Londër, njihet për dy arsye. Para së gjithash është një freegan, domethënë që përdor ushqimet e mbledhura nga koshat jashtë supermarketeve dhe së dyti si promotor i “Feeding the 5000”, një ngjarje e zhvilluar në bashkëpunim me “ActionAid” dhe “Save the children”, që u zhvillua më 16 dhjetor të vitit 2009 në “Trafalgar Square”. Atë ditë, mijëra njerëz hëngrën ushqimet që do të hidheshin poshtë. Stuart është 32 vjeç dhe pikërisht ashtu si mund të imagjinohet, një mbrojtës i njerëzve të pastrehë dhe atyre pa ushqim: i bukur, i gjatë dhe me pak mjekër. Por ka edhe pamjen e atij që nuk ka frikë të nisë të kërkojë ushqim në koshat e ndonjë supermarketi për t’ua dhënë të varfërve. Madje ka hartuar edhe tabela mbi ato çka gjen në plehra, duke i krahasuar statistikat e shpërdorimeve me të ardhurat e supermarketeve. Kur njerëzit i thonë se e kanë parë në televizor, ai u përgjigjet: “Po, është e vërtetë, sepse më 16 dhjetor u dhamë për të ngrënë rreth 5 mijë personave, duke u shpërndarë ushqime falas”. Libri i tij i parë, “The bloodless revolucion”, është një histori vegjetarianizmi, edhe pse ai vetë ha gjithçka. Jeton në një fermë në Sussex, ku gjuan ketra për t’i ngrënë. Rrit derra, i gatuan dhe nuk hedh asgjë poshtë. I do shumë derrat, saqë libri i tij i ri u është kushtuar atyre. Stuart tregon për eksperiencën e tij në “Trafalgar Square”, i mahnitur. “Çuam një sasi të mjaftueshme ushqimi për 5 mijë veta. Zakonisht pjesën më të madhe të kohës e kaloj duke shpjeguar se përse është e rëndësishme të mosshpërdorojmë kot ushqimet dhe cilat janë mënyrat më të mira për ta bërë këtë. Por atë ditë nuk pata asgjë për të thënë. Njerëzit e varfër prisnin në radhë dhe kur duhej të flisnin, thoshin: Përse e kanë hedhur, nuk ka asgjë që nuk shkon. Përpara këtyre fjalëve nuk mund të shtoja asgjë”. Edhe në radio thanë se ushqimi ishte i mrekullueshëm. “Nuk e mendoja se gjithçka do të ishte kaq magjike. Radha e njerëzve ishte e pafund. Pothuajse gjithë sheshi ishte i tejmbushur”. “Waste” është një tjetër nga librat e tij, sa tronditës, aq edhe befasues. Stuart përdor të dhënat e marra nga “analizimi” i dy mijë koshave të ndërtesave private, të bërë nga “Waste and resources action programme”, për të shpjeguar përse prodhojmë shumë ushqim dhe hedhim sasi të mëdha ende të paprekura. Buka dhe prodhimet e furrës, të flakura çdo vit në Britaninë e Madhe, do të shpëtonin nga uria 26 milionë persona. Çdo vit anglezët hedhin në plehra 2.6 miliardë feta buke, 484 milionë kuti kosi dhe 1.6 miliardë mollë. Në total, më shumë se 30 për qind e ushqimit të blerë përfundon në plehra. Arsyeja, shpjegon në libër, qëndron në prirjen e qenieve njerëzore për t’i harxhuar gjërat kot. “Tepricat kanë përfaqësuar bazën e suksesit njerëzor për dhjetë mijë vjet”, shpjegon ai. Qeniet njerëzore kanë menduar gjithmonë se të kesh shumë, është më mirë se të kesh mjaftueshëm. Që nga kohët e lashta ka ndodhur kështu. “Edhe nga pikëpamja financiare është më me leverdi të blesh në sasi të mjaftueshme, sesa në sasi të mëdha dhe të padobishme. Por ndoshta edhe shumëllojshmëritë e ushqimeve dhe raftet plot nëpër dyqane i shtyjnë klientët të blejnë në sasi të mëdha, të cilat më pas i flakin. Unë jam një përkrahës i ushqimeve që shiten në rrugë. Mendoj se kjo është një mënyrë e mirë për të kuptuar kulturën e një vendi. Zakonisht i lë pas dore lajmërimet e autoriteteve për të mos ngrënë ushqime të pakontrolluara. Për shembull, unë kam ngrënë kukurec të mbushur me mish kali në një stacion hekurudhor në Kazakistan, ku njerëzit i gatuajnë këto ushqime në shtëpi dhe pastaj dalin për t’i shitur kur vjen treni nga Moska”. Stuart është rritur në Sussex, në pyllin e Ashdown, bashkë me dy vëllezërit e tij më të mëdhenj. Ka kaluar momente të vështira në jetë, si divorci i prindërve dhe sëmundja e të atit. Për një periudhë kohe ka jetuar në një kolegj në Sevenoaks, por nuk i pëlqente. Vitet më të bukura kanë qenë ato që ka kaluar me të atin. “Ishim vetëm ne të dy dhe pikërisht në atë periudhë nisa të blija dhe të rrisja derrat”, tregon. Rritja e derrave e ka ndihmuar Stuart të kuptojë shumë gjëra, si shpërdorimin e kotë të ushqimeve. Për t’u dhënë për të ngrënë kafshëve, mblidhte mbeturinat nga mensa e shkollës dhe patatet, sallatën dhe domatet që hidheshin nga tregtarët apo fshatarët e zonës. “Mishi i tyre ishte fantastik”, tregon Stuart. Por, përveç kafshëve, Stuart merrej edhe me kultivimin e domateve dhe perimeve të tjera në kopshtin e tij. “Unë merresha me derrat, ndërsa im atë merrej me perimet e mrekullueshme që kishim mbjellë në kopsht. Kishim edhe pula. Edhe pse në mënyrë krejtësisht të pandërgjegjshme, kërkonim të prodhonim ushqime biologjike. Ajo ka qenë një periudhë shumë e bukur”. Babai i Stuart ishte një mësues me ide progresiste. Pasi mbaroi gjimnazin, ai shkoi për të jetuar në një fermë në Francë. “Kam jetuar me fshatarë të vërtetë. Kanë qenë një frymëzim i vërtetë për mua”, thotë. Më pas u regjistrua për letërsi angleze në Kembrixh, ku u njoh me Alice Albina, me të cilën u martua në vitin 2001. Pas diplomimit shkoi në Kosovë “për të çuar ndihma humanitare”. Bashkë me gruan e tij kanë jetuar edhe për shumë kohë në Indi, ku ka punuar në qendrën për shkencën dhe ambientin në Nju Dehli. Por pas kësaj eksperience Stuart dhe Alice vendosën të ktheheshin për të jetuar në pyllin e Ashdown. Rrisin pula, derra dhe bletë. “E dëshiroja këtë gjë prej kohësh”, thotë ai. “Në botën perëndimore prodhohet shumë ushqim, që më vonë shkon dëm dhe ne nuk e kuptojmë koston e gjithë kësaj: ezaurimi i terreneve, shkatërrimi i pemëve, varfërimi i burimeve hidrike. Por duke ndryshuar zakonet tona, mund të bëjmë shumë: të planifikojmë vaktet për të bërë një pazar më të kujdesshëm”. Të blejmë më pak, të përdorim edhe ato që ngelen dhe të konsumojmë më pak mish. “Vetëm kështu mund të ketë ushqim për të gjithë dhe ne mund të flakim më pak gjëra”, thotë Stuart duke nxituar, pasi bashkëshortja e tij po e pret.

Google+ Followers