Teknologjia po e kthen jetën në Reality Show

Të shohësh apo të shihesh - kjo është forma e dilemës hamletiane, të përkthyer në epokën e videoregjistrimit dhe videotransmetimit total


Kujt nuk i kanë rënë në sy videokamerat e montuara në vetrinat e dyqaneve të elektronikës, falë të cilave fytyra jote, prej kalimtari tuhaf, shfaqet me bujë në dhjetëra ekrane televizorësh ofruar për shitje? Të shohësh apo të shihesh - kjo është forma e dilemës hamletiane, të përkthyer në epokën e videoregjistrimit dhe videotransmetimit total. Njeriu tashmë ka mbjellë në botën e vet lloj-lloj sysh elektronikë: kamera televizive, kamera mbikëqyrëse të rrugëve e të dyqaneve, live cams që transmetojnë 24-orë në ditë për sajte në internet, web-cams, kamera telefonash celularë, kamera të trafikut e të shpejtësisë, kamera të Google që fotografojnë qytetet poshtë, kamera që filmojnë pyllin e virgjër tropikal, folenë e urithit, hapësirën kozmike, thellësitë e nënujshme, gurët në tëmth, ose botën mikroskopike deri në nivel të molekulave dhe atomeve; kamera që ruajnë kamerat, nga sulmet e vandalëve ose kriminelëve anti-teknologji. Thuhet se çdo banor i Londrës del në kamera mesatarisht 300 herë në ditë. Programe kompjuterike për analiza imazhesh analizojnë rregullsitë e sjelljeve në rrugë për të dalluar vjedhësit, të ikurit, të kërkuarit, keqbërësit, të dyshimtët, terroristët; ose na identifikojnë nëpërmjet tipareve të fytyrës. Përparimi teknologjik e ka ulur në mënyrë dramatike koston e kapjes, manipulimit dhe ruajtjes së imazheve. Thuhet, përsëri, se në Londër - që është metropoli teknologjikisht në pararojë të mbikëqyrjes video - gjen afërsisht një videokamera për çdo 14 qytetarë.

Forcat e ruajtjes së rendit, madje ndonjëherë edhe shoqatat e komuniteteve të shpjegojnë se prania e kameras në rrugë ndihmon për të frenuar impulset kriminale, e për t'i bërë qytetarët të ndihen më të qetë e më të mbrojtur. Të tjerë protestojnë për dhunimin e privatësisë, nga syri vëzhgues dhe i padëshiruar i një aparati policor që ashtu imponon praninë dhe autoritetin e vet në publik. Në Shoreditch, një lagje e Londrës, rrjeti i televizionit komunitar Digital Bridge ka eksperimentuar me transmetimin, drejtpërdrejt në televizorët privatë të banorëve, të pamjeve çfarëdo nga rruga - njerëz që parkojnë veturën, takojnë tezet, bëjnë pazarin, nxjerrin qenin shëtitje, luajnë domino në lulishte. Imagjinoni sikur kamerat t'ju ndjekin ditë e natë, në shtëpi dhe jashtë, për ta përjetësuar ekzistencën tuaj që në rast të kundërt do të ishte anonime.

Madje as që ka nevojë ta imagjinoni - tashmë në metropolet e përditshmja e mërzitshme e të gjithëve regjistrohet dhe ruhet në miliona dosje dixhitale, dyfish të mërzitshme. Përmirësimet në teknologjinë e editimit të videove (i ashtuquajturi non-linear editing system) mundësuan realizimin, me kosto të arsyeshme, të spektakleve televizive të tipit Big Brother, ose të televizionit realitet, i cili tashmë i ka mposhtur të gjitha formulat e tjera të produksionit televiziv dhe tashmë është bërë programi më i ndjekur në të gjithë botën pasi shumica e shteteve e kanë një të tillë. Tani kushdo, edhe më anonimi mes anonimëve, mund të shpresojë jo vetëm se jeta që çon i motivohet tërthorazi, si mundësi dëfrimi për publikun shumëmilionësh; por edhe se gjendet gjithsesi në candid camera, madje edhe kur nuk e merr vesh kurrë. Televizioni komercial, por edhe televizioni publik, po priren t'i lënë gjithnjë e më hapësirë transmetimeve të paskriptuara - që nga ngjarjet sportive, ceremonitë, liturgjitë, festat popullore, mitingjet, kongreset, seancat parlamentare, koncertet e garat mes artistëve amatorë dhe konkurset me çmime. Deri edhe intelektualët materializohen në televizion nëpërmjet debatit publik, ku protagonistët tentojnë të përfaqësojnë vetveten duke iu përgjigjur çdo pyetjeje spontane të publikut. Dekada e parë e shekullit XXI mund të përkufizohet edhe si koha kur teknologjia e elektronikës së konsumit arriti ta shndërrojë telefonin celular në pajisje multimediale universale - me të cilën mund të komunikojmë me të tjerët, por edhe të shfletojmë internetin, të shohim TV, të luajmë lojëra elektronike, të blejmë rroba, të gjejmë vendndodhjen në një hartë satelitore, të nxjerrim fotografi ose videoklipe dhe t'i afishojmë këto menjëherë në faqet tona në Web. Njëkohësisht, mjedise si MySpace, Facebook, Flickr, YouTube dhe Twitter kanë mundësuar tashmë që materialet video të qarkullojnë në mënyrë kapilare dhe virale, duke i shndërruar komunitetet virtuale në sisteme që riprodhohen nëpërmjet postimeve të ndërsjella. Nëse e përditshmja na zbrazet nga kuptimi, së paku mund të ngushëllohemi me idenë se po e përjetojmë sikur të ishim yje kinemaje, ose protagonistë absolutë të historisë, çka do t'i jepte edhe një përmasë papritmasi filozofike statusit tonë, që më parë nuk ka qenë më shumë e një qytetari të tejdukshëm. Mediat tradicionale ose të organizuara në mënyrë hierarkike nuk i kanë kursyer përpjekjet për ta shfrytëzuar këtë mani kamerash dhe sysh regjistrues anembanë botës, duke pompuar konceptin miklues të gazetarisë qytetare. Përdoruesve të telefonave celularë u është shpjeguar se portabilitetin e tyre mund ta fusin në punë për të fiksuar, në vendin dhe në kohën e duhur, klipin e ndonjë incidenti madhor ose sensacional, që do të qarkullojë pastaj anembanë planetit, në edicionet globale të lajmeve.

Shërbime si Scoopt dje (i cili tashmë ka falimentuar), ose Demotix sot janë prova të hapura të përpjekjeve për ta sistematizuar "mbikëqyrjen" e sotme në kontekstin e ekonomisë së tregut, duke u ofruar të paguhen për fotot ose videot e nxjerra prej qytetarëve. Roli i Twitter-it në përhapjen e informacionit gjatë fushatës elektorale në SHBA ose për të njoftuar rreth protestave publike pas zgjedhjeve të fundit në Iran është analizuar nga shumë aspekte; nëse entuziastët e kanë përshëndetur si shembull se çfarë mund të arrihet nëpërmjet të ashtuquajturit "demokratizim" të mediave, skeptikët kanë vënë në dukje rrezikun e manipulimit të anonimatit prej shërbimeve sekrete ose grupeve të interesave. Në anën tjetër, duket sikur etja për informacion dhe nevoja për siguri publike mund t'u adresohen të njëjtave mekanizma të kontrollit vizual - sikur gazetari dhe qytetari i tejdukshëm të ishin dy anë të së njëjtës medalje. Kamerat mbikëqyrëse në një numër qytetesh të Britanisë së Madhe pajisen ndonjëherë me altoparlante, nga ku oficerë policie nga qendrat e monitorimit mund t'u "bërtasin" qytetarëve që kapen me presh në duar duke shkelur rendin publik - p.sh. duke ndotur mjedisin, ose parkuar makinat në vende të papërshtatshme. Përkundrazi, në shtetin amerikan të Texas-it, qytetarët e përkushtuar ndaj rendit publik mund të ndjekin pamjet e përcjella drejtpërdrejt në internet nga kamerat e instaluara në kufirin me Meksikën dhe të lajmërojnë policinë me telefon sapo të shikojnë diçka apo dikë të dyshimtë. Nëpërmjet një sajti të posaçëm (http://www.blueservo.net/), kushdo që ka kohë të lirë dhe vullnet të mirë, mund të shndërrohet për pak minuta në kufitar syshqiponjë. Facefile (http://myfacefile.com), një shërbim sigurie privat, i fton klientët e vet t'u nxjerrin foto dixhitale, me anë të celularit, të gjithë atyre që takojnë gjatë ditës, sidomos të panjohurve; këto foto i dërgohen pastaj një serveri automatikisht dhe ruhen atje për t'u përdorur nga policia, në rast se autori i tyre bie viktimë e një krimi çfarëdo (ngacmim seksual, përdhunim, rrahje, rrëmbim).

Më në fund, miliona përdoruesit e përditshëm të metrosë së New York-ut jo vetëm filmohen anonimisht e verbërisht nga dhjetëra-mijëra videokamerat e sigurisë, por edhe porositen, nëpërmjet mbishkrimeve murale, mesazheve në ekranet e automatëve biletashitës dhe lajmërimeve të para-regjistruara në altoparlantët e stacioneve dhe të vagonave, që t'i mbajnë sytë hapur ndaj rrezikut terrorist: if you see something, say something ("po të shohësh diçka, thuaj diçka"). Ky duet jo gjithnjë i pafajshëm mes sigurisë publike dhe kuriozitetit njerëzor të sëmurë për të parë se çfarë po ndodh mishërohet në mënyrë të përkryer sa herë që publikut i jepet mundësia ta ndjekë shkeljen, krimin, ose katastrofën drejtpërdrejt në ekran. Imazhe të gjalla rrahjesh, përleshjesh mes tifozëve, vandalizmi, ekzekutimesh publike, ndjekjesh nga policia në autostradë dhe incidentesh terrorizmi, por edhe katastrofash natyrore dhe industriale vijnë me sukses të garantuar në publik - mjaft të kujtojmë përplasjen e avionit të dytë me kullat binjake në Manhattan, në 11 shtator 2001; edhe pse majfton vetëm të klikoni fjalën krim në YouTube dhe do të shikoni ato skena që më parë i shikonit vetëm në filma horror, ndryshim i vetëm është se shumica e tyre kanë ndodhur vërtet.

Megjithë përpjekjet e njeriut të sotëm për ta mbajtur veç realen nga virtualja dhe për të gënjyer veten se jeta e mirëfilltë nis kur e mbyll televizorin e kur e fik kompjuterin, tashmë është tepër vonë për t'i penguar teknologjitë e elektronikës së konsumit, por edhe mediat që ushqehen prej tyre, që ta shndërrojnë të gjithë realitetin rreth nesh në reality show.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers