Steve Jobs/iPad i shpresës


"Heronj dhe heroizma" është një prej temave qendrore të sezonit aktual në Yerba Buena Center për Artet në San Francisko, e cila lëvrohet me shfaqjen e artistëve bashkëkohorë që sfidojnë mënyrat tradicionale të të bërit të gjërave. Në 27 janar, qendra u bë organizatore e prezantimit të një prej heronjve të industrisë së kompjuterëve: Steve Jobs, shefi i Apple, i cili nxorri në shfaqje krijesën më të fundit të kompanisë së tij, iPad. Jobs ka gjithashtu një reputacion të shfaqjes plot madhështi të jotradicionales. Dhe nuk zhgënjeu aspak.

iPad, që në pamje ngjan me një iPhone të stërmadh dhe me një ekran shumëngjyrësh më shumë se dhjetë polësh 925 cm) premton që të ndryshojë krejt panoramën e fushës së industrisë së kompjuterëve. Eshtë shumë i hollë dhe ka një peshë shumë të vogël, vetëm 680 gramë. "Eshtë shumë më familjar se sa një laptop, dhe shumë më i aftë se sa një smartphone", deklaroi Jobs për pajisjen, e cila do të dalë në treg në muajin mars.

iPadi i ri ka shumë kufizime, të cilët kritikët kanë nxituar menjëherë që t'i nxjerrin në pah. Ai nuk ka as një kamerë dhe as një telefon, dhe përdoruesit nuk janë në gjendje që të përdorin shumë programe në të njëjtën kohë. Por Apple duhet të jetë në gjendje që të korrigjojë të meta të tilla ndërkohë. Bashkë me një sërë kompjuterësh të tjerë tip tabletë me ekran me prekje që pritet të mbushin dyqanet gjatë vitit që do të vijë, iPad duket se është nisur për të revolucionarizuar mënyrën se si mediat dixhitale konsumohen në shtëpi, në shkolla dhe në zyra.

Vërshimi i këtyre lloj pajisjeve ka shumë gjasa që të kenë një impakt të thellë në disa pjesë të biznesit të medias, që tashmë kanë pësuar dëme të pallogaritshme për shkak të internetit. Transferimi nga shtypshkronja tek dixhitalja nuk ka qenë i lehtë për botuesit e gazetave apo të revistave. Lexuesit përgjithësisht kanë qenë hezitues për të paguar për edicionet e internetit të revistave dhe gazetave. Kompanitë nuk janë të gatshme të paguajnë po aq shumë për reklamat në internet sa për ato në letër, gjë që vështirë të të befasojë, duke patur parasysh hapësirën në dispozicion. iPad me shumë gjasa do të përshpejtojë kalimin nga shtypi i shkruar tek ai dixhital, gjë që mund të përkeqësojë dhimbjet e industrisë në një periudhë afatshkurtër. Megjithatë, botuesit shpresojnë se për shekullin 21 tabletët do të jenë ekuivalenti i letrës së printuar, duke u ofruar atyre mënyra të reja dhe shumë të mira për të paraqitur përmbajtjen e tyre dhe për të marrë pagesa për të. "Ky është me të vërtetë një shans për botuesit që ta shfrytëzojnë për të siguruar një jetë të dytë", thotë Phil Asmundson i Deloitte, një kompani konsulence.

Kështu që, nuk mund të përbëjë surprizë fakti, që Apple ka arritur të joshë disa kompani mediatike në platformën e vet. Gjatë prezantimit të tij, Jobs zbuloi se, kompania kishte arritur marrëveshje me botues të mëdhenj dhe liderë në treg si Penguin dhe Simon & Schuster. Ata do të ofrojnë libra për iPad, të cilët do të mund të gjenden dhe për ta do të paguhet në iBooks, libraria e re e internetit e Apple. Më shumë marrëveshje do të duhet të firmosen përpara se iradet e parë të dalin në treg në mars. Përdoruesit do të jenë gjithashtu në gjendje të firmosin programe që u ofrojnë atyre akses në versionet elektronikë të gazetave si "New York Times", që prezantoi pikërisht një program të vetin në ceremoninë e iPad.

Partnerët mediatikë të Apple, nuk ka asnjë dyshim se kanë ndjenja të përziera sa i përket marrëdhënieve me Steve Jobs. Apple është e demonizuar tashmë në industrinë muzikore për shkak se e dominon biznesin e shkarkimeve të muzikës në dyqanin e vet elektronik imunes. Kompania ka qenë në gjendje që të kontrollojë çmimin e muzikës, duke rritur kështu së tepërmi shitjet e iPodeve, por nga ana tjetër, duke mos u sjellë shumë para kompanive muzikore. Thënë kjo, Apple ofroi në fakt një mënyrë për biznesin e muzikës që të ketë fitime në internet, të cilët deri tani u ishin shmangur. iPhone i Apple u ka thënë gjithashtu shumë prodhuesve një platformë, në të cilën ata mund të sigurojnë para për programet e tyre.

E kaluara e kompanisë tregon se ajo do të jetë në gjendje që të sjellë realizimin e një prej dëshirave më të zjarrta të industrisë së kompjuterëve. Kompanitë teknologjike janë përpjekur në mënyrë të vazhdueshme që të prodhojnë me sukses tableta apo pajisje të ngjashme. Por, zona ndërmjet laptopëve dhe telefonave celularë ka qenë pak a shumë një lloj Trekëndëshi i Bermudës për prodhuesit e pajisjeve, thotë Roger Kay i Endpoint Technologies, një kompani konsulence. "Produktet që zakonisht janë nxjerrë në treg në këtë zonë zakonisht janë zhdukur nga radarët", thotë ai.

Mes tyre janë breza të mëhershëm të kompjuterëve në formë tablete. Në vitet nëntëdhjetë, kompani të ndryshme kanë eksperimentuar me këto lloj makinash, duke përfshirë edhe Apple. Kur asistenti i vet personal dixhital i quajtur Newton, dështoi që në ngjitje, Jobs i dha menjëherë fund projektit. Tabletët u shfaqën edhe një herë në skenë kur Bill Gates i Microsoftit parashikoi se shumë shpejt ata do të shndërroheshin në pajisjet kryesore kompjuterike që do të përdoren nga njerëzit - sigurisht, duke përdorur programet dhe sistemin e operimit që ofron kompania e tij. Një gjë e tillë nuk ndodhi për arsye se, konsumatorët u sprapsën për shkak të çmimeve të larta të këtyre pajisjeve, ndërlikimit në përdorim si dhe aftësive të kufizuara. Në vend të kësaj, pajisjet që kushtojnë pothuajse po aq sa edhe kompjuterët personalë, kanë mbetur një produkt qoshesh që përdoret më së shumti në industritë e tilla si kujdesi shëndetësor dhe ndërtimi.

Po përse po shkaktojnë kaq shumë ngazëllim tabletat këto kohë? Një arsye është se risitë, bateria dhe teknologjitë e mikroprocesorëve i kanë shkurtuar së tepërmi kostot e tyre. iPad i kompanisë Apple mendohet të kushtojë diku mes 499 dollarë për versionin bazë dhe 829 dollarë për versionin që ka shumë memorie si dhe një lidhje jokabllore 3G, gjë që e bën të përballueshëm edhe nga konsumatorët mesatarë. Një tjetër arsye për optimizëm është se janë përmirësuar shumë edhe pamjet e programeve. iPad ka një tastierë të madhe virtuale, e cila shfaqet në mënyrë të menjëhershme në rastet kur është e nevojshme. Ajo ka edhe teknologjinë multitouch, që do të thotë se mund të përdorësh dy gishtërinj për të ndryshuar për shembull madhësinë e një fotografie. Veç kësaj, tabletat do të përfitojnë edhe nga fakti që njerëzit janë mësuar tashmë të blejnë dhe konsumojnë forma dixhitale të muzikës, librave dhe revistave.

E gjithë kjo shpjegon arsyen përse edhe kompanitë e tjera i kanë hedhur sytë nga tregu i tabletave. Dhjetëra prototipe u shfaqën gjatë panairit të mallrave të konsumit elektronik në Las Vegas, në fillim të muajit që kaloi, duke përfshirë edhe të tilla nga marka të tilla si Motorola, Lenovo dhe Dell. Jen-Hsun Huang, drejtori i Përgjithshëm i NVIDIA-s, një prodhues i chip-eve për grafikë, pranon se kjo është hera e parë, që ka parë kompani telekomunikacioni, prodhues kompjuterësh dhe kompani të mallrave të konsumit elektronik, që të gjithe janë të prirur për të prodhuar të njëjtin produkt. "Në fakt, tableti është e para pajisje elektronike konvergjente", thotë ai.

Netbook, ebook

iPad dhe tabletë të tjerë janë në gjendje që të shkundin një herë e mirë skenën e tregut të kompjuterëve. Ka patur shumë spekulime se ata mund të dëmtojnë shitjet e kompjuterëve të tjerë, duke përfshirë edhe MacBookun e Apple. Por një skenar që ka më shumë gjasa të ndodhë është se ata mund të hyjnë në hak tregut të netbook-ëve ose laptopëve të vegjël dhe me kosto të ulët që janë duke u përdorur kryesisht për lundrim në internet dhe për të parë video. Netbook-ët kanë marrë superxhiro kohët e fundit, me shitjet globale që u rritën 72%, duke arritur në 11.4 miliardë dollarë vitin që kaloi, sipas DisplaySearch, një kompani që merret me studime dhe kërkime të tregut. Kjo i bën ata një shënjestër joshëse.

Pajisja e re e Apple përbën gjithashtu një kërcënim për lexuesit e dedikuar të librave elektronikë si për shembull Kindle i amazon, ndonëse këta me shumë gjasa do të mbeten popullorë tek më të pasionuarit pas librave. Hyrja e pritur prej shumë kohësh e appele në tregun e tabletave ka detyruar tashmë kompanitë e librave elektronikë, që të bëjnë pajisjet e tyre më elastike dhe entuziazmuese. 'Do të shihni gjithnjë e më shumë lexues elektronikë që përdorin ngjyra dhe video gjatë pesë viteve të ardhshëm", parashikon Richard Archuleta i Plastic Logic, që prodhon Que proReader. Dhe gjithnjë e më shumë prodhues të librave elektronikë mund të kopjojnë vendimin e kohëve të fundit të Amazon, që të lejojë prodhues të tretë të zhvillojnë programe kompjuterikë për linjën e saj të Kindle-ave.

Botuesit e librave janë duke shpresuar në heshtje, që hyrja e Apple në tregun e librave elektronikë do të ndihmojë për të reduktuar pushtetin e Amazon: Kindle ka tashmë 60 përqind të tregut të lexuesve elektronikë, sipas Forrester, një kompani kërkimesh. Ata janë gjithashtu të entuziazmuar nga shanset e shumtë që ofrojnë tabletat për të kombinuar media të ndryshme. Bradley Inman, shefi i Vook, një kompani, e cila mikson tekste me video dhe që i lidh njerëzit në faqet e rrjetëzimit social, beson se iPad do të nxisë një shpërthim të kreativitetit. "Impakti i saj do të jetë i ngjashëm me kohën kur i shtohej edhe audio filmave, apo kur i shtoheshin ngjyrat televizorit", thotë ai.

Edhe botuesit e gazetave dhe revistave janë të intriguar nga shfaqja e tabletit. Shpresa e tyre e madhe është që këto pajisje do të bëjnë të mundur që ata të sigurojnë të ardhura si nga lexuesit ashtu edhe nga kompanitë që merren me reklamat. Njerëzit kanë rezultuar të prirur që të paguajnë për gazetarinë e formës së gjatë në lexuesit elektronikë. Por këto pajisje nuk u mundësojnë botuesve, që të paraqisin materialet e tyre në mënyra kreative dhe shumica e tyre nuk mund të mbajnë reklama. Skiff, një pajisje e tillë e sapo nxjerrë në treg nga Hearst, është një përjashtim nga ky rregull. Lexuesi i vet elektronik 11.5 polësh është aq i madh sa për të shfaqur të gjithë elementët e një reviste si dhe për të përfshirë reklama në të.

Mbërritja e Appele në tregun e tabletave nënkupton, që botuesit do të duhet të përgatisin dhe të kenë në dispozicion materiale dixhitale për këto pajisje, si dhe për lexuesit elektronikë dhe për smart-phone. Shumë prej tyre do të rezultojnë jo në gjendje apo jo të gatshëm ta bëjnë vetë. Një gjë e tillë mund t'u japë krahë kompanive të tilla si Zinio, e cila ka prodhuar tashmë në model të botimit dixhital të quajtur Unity. Ky lloj modeli merr materiale për botim, i ripërshtat për pajisje të ndryshme dhe më pas i depoziton në "re", termi i përdorur për të përshkruar rezervat e pajisjeve të Zinio, gjë që rrit shanset e konsumit të saj.

Apple ka edhe pajisje të tjera për iPadin. Apple shpreson se do të bëhet një makineri shumë popullore për lojëra dhe e ka përgatitur këtë pajisje me qëllimin që shumë prej lojërave mes 140 mijë aplikimeve të disponueshme për produkte të tjerë të appele do të mund të përdoren menjëherë në iPad. Kompania ka ripunuar gjithashtu suitën e vet iWork për shkrim, për tabela dhe për prezantime me synimin që pajisja e re do të përdoret më së shumti edhe si kompjuter.

Nuk ka asnjë dyshim që aksionerët e appele po shpresojnë që iPad do të përmbushë etiketimin që i është vënë si një pajisje bazë në historinë e kompjuterëve. Ata kanë parë tashmë të rriten së shumti çmimet e aksioneve të kompanisë. Duke sfiduar edhe recensionin, në 25 janar apple shpalli rezultatet më të mira tremujore në historinë e vet 34-vjeçare, me të ardhurat që u rritën në 15.7 miliardë dhe fitimet 3.4 miliardë - një rritje 32% dhe 50% krahasuar me vitin e mëparshëm. Ata do të shpresojnë shumë që iPad të jetë në vazhdimësi një pajisje e mrekullueshme miliarda dollarëshe. Rezulton apo jo e vërtetë kjo, Jobs, tashmë ka treguar heroizmin e mjaftueshëm për ta përfshirë në muret e Yerba Buena Center.

Google+ Followers