Skllavëria në Afrikë


Ajo çka ndodh në kontinentin e zi është vetëm “maja e ajsbergut”. Mbi 40 mijë vogëlushë tregtohen çdo vit dhe secili kushton rreth 40 euro


Bernadeta ka ca gërsheta rebelë dhe sy që duket sikur do të të këpusin shpirtin. Luan me aparatin fotografik, bën poza të bukura dhe në moshën 13-vjeçare është tashmë veterane e jetës. Një herë të vetme ka provuar me të vërtetë frikën, atë që rrëqeth trupin dhe ka shijen e hidhur të fundit. Kjo ndodhi kur tezja e saj e kapi duke vjedhur oriz dhe e kërcënoi se do ta bënte copash e do t’ia jepte zemrën e saj të gjakosur së ëmës. Ishte pikërisht ajo që bindi prindërit e Bernadetës që t’ia besonin vogëlushen, kur ishte vetëm 7 vjeçe. “E hoqa nga mizëria dhe e çova në shkollë që të mësonte”, pati thënë tezja e saj.

Por, e vërteta ishte krejt ndryshe. E fut në makinë që pa gdhirë dhe i drejtohet kufirit në Krake, që ndan Beninin nga Nigeria. Vajza i drejtohet çdo ditë zhurmës e poteres së tregut, me një kade me ujë dhe një pako biskota nën krah. 

“Çoi përtej barrierës e mos u kthe, unë jam prapa teje!” Bernadetë del kështu nga Benini, siç bëjnë mbi 40 mijë fantazma të vegjël çdo vit, duke ecur në pluhurin e dendur mes turmës që valëzon ndërmjet dy shteteve si të ishte një gjarpër i ngadaltë, nën syrin e egër të doganierëve. Asnjë pyetje, asnjë kontroll dhe ajo kalon kështu çdo ditë. Tezja e arrin më pas te porta e Lagosit. E vë të punojë në tezgën e saj të pijeve bashkë me dy benineze të tjera. I ka pagëzuar të tria Fumilajo, sepse të fshish identitetin dhe kujtimet i bën më të bindshëm fëmijët. “Na zgjonte që në 5 të mëngjesit dhe mbanim pasha, shisnim e pastronim. Halla na jepte shumë pak për të ngrënë sepse kushtonte shumë. Ndonjëherë kthehej te prindërit e mi e i kërkonte para për shkollën time”. 

Por, Bernadetë është analfabete dhe e dërrmuar nga druri që ka ngrënë. Një ditë nuk duroi dot më dhe u arratis më shumë prej instinktit. U fsheh prapa kazanit të mbeturinave. Aty një grua e panjohur i dha për të ngrënë dhe më pas ia besoi vogëlushen të birit, i cili e çoi në Krake dhe ia dorëzoi policisë benineze. Por, Bernadetë nuk mbante mend më emrin e fshatit, të familjes, madje as të sajin. Për dy vjet u sorollat nga një qendër pritjeje te një tjetër, derisa erdhi këtu, te murgeshat Salesiane të Cotonou, kryeqytetit ekonomik të Beninit. Ato e regjistrojnë në shkollë, arrijnë të kontaktojnë me anë të një apeli në radio me prindërit, por vendosin që ta mbajnë vajzën. Ndërsa halla shkon të marrë vogëlushen punëtore, me idenë se prindërit herët a vonë do të heqin dorë dhe Bernadetë do të jetë sërish në marshim drejt rrugës së skllevërve. E çuditshme, Afrika dhe vetë Benini! Ky i fundit laget nga gjiri i Guinesë, mbështetet në lindje nga gjiganti nigerian dhe është tërësisht i huaj nga disa stereotipa të kontinentit të zi. Një vend demokratik që pas përfundimit të regjimit komunist, i panjohur me luftërat civile, tragjeditë humanitare apo epidemitë e sidës.

E megjithatë është mjaft i varfër, të ardhurat mesatare janë 490 euro në vit, ndërsa 47 për qind e 8 milionë banorëve jeton me më pak se një dollar në ditë. Kur ishte koloni franceze, pasi u varrosën sundimtarët e përgjakshëm të Dahomeyt, Benini e mbante veten si “Lagjja Latine e Afrikës Perëndimore”, duke shtypur mundin e kampeve për tregti. Atëherë u shiteshin skllevër edhe të zinjve portugezë nën sovranët e Ouidah, ndërsa sot shkëmbehen mallra të çdo lloji dhe bëhet kontrabandë benzine nga Nigeria. Por, veç këtyre, eksportohen edhe fëmijë që nga mosha 5 vjeç e sipër. Të shitur nga prindër të dëshpëruar dhe trafikantë profesionistë për 40 ose 60 euro, ose u besohen personave të afërmve që premtojnë shkollim dhe përkëdhelje, por në të vërtet janë thjesht ndërmjetës të mafies. Ata i zvarrisin në Nigeri, Gabon, Bregu i Fildishtë apo Kongo për t’i përdorur si punëtorë shtëpie, nëpër guva apo në tezgat e tregjeve. Në 2001-in bota lexonte për vaporin “Etireno”, që lundronte nëpër gjirin e Guinesë me ngarkesën e tij njerëzore, bebe-skllevërit ishin vetëm 43, por kjo mjaftoi për të nisur hetimet dhe për të zbuluar se Benini ishte dhe vazhdon të jetë platforma e tregtimit të fëmijëve në perëndimin afrikan. 

Një raport i qeverisë dhe UNICEF-it tregon se mbi 40 mijë të rinj janë viktimë e kësaj tregtie çdo vit. Vijnë nga fshatrat e zonat rurale në liqenin Nokoué, ku mbijetohet duke shitur peshk në Dantokpa, tregu më i madh i Afrikës Perëndimore që shtrihet në lagunën e Cotonou. 8 nga 10-të kalojnë pa asnjë dokument kufijtë “prej gjalpi” në rrugë tokësore në Nigeri dhe në rrugë detare drejt Gabonit. 86 për qind janë femra. Si Bernadeta, si Eliza dhe Esta, 13 dhe 12 vjeçe, me vështrimin e çorientuar, të sapokthyera në atdhe dhe të pritura nga murgeshat Salesiane. Të shitura nga të afërmit e tyre si shërbëtore në Nigeri, ato janë bashkuar që në konsullatën benineze të Lagosit dhe që atëherë janë të pandashme. E kanë harruar gjuhën fon, flasin një yoruba (gjuhë e fiseve dhe grupeve etnike në Afrikën Perëndimore) të ashpër dhe anglishte Lagosi. Ndërsa kërkimi për familjet e tyre sapo ka nisur. “Numrat nuk janë gjë tjetër veçse përllogaritje të bëra keq”, - pranon nënsekretari i Ministrisë së Familjes dhe Foshnjërisë, Rigobert Hounnouvi. Na flet për ligjin e vitit 2006, që më në fund ndëshkon tregtarët e fëmijëve dhe për marrëveshjen me Nigerinë për të frenuar hemorragjinë njerëzore. Por, lë të nënkuptohet se buxheti qesharak i ministrisë së tij paralizon çdo veprim dhe fakti që vetëm 60 për qind e të porsalindurve regjistrohet në gjendjet civile, prodhon ushtri me bebe fantazma. Njësia policore e krijuar kundër tregtimit të të miturve me vetëm 12 burra, nuk bën gjë tjetër veçse i gudulis trafikantët, numri i gjelbër për denoncimet është gjithnjë i zënë dhe 26 fëmijët e sapogjetur në një anije drejtuar për në Gabon u dërguan me shpejtësi te baballarët e tyre, të cilët pas dy javësh i kishin rishitur. “Një nënë ma tha troç dhe hapur: “Nëse ma lë vajzën, do ta dërgoj prapë në Nigeri”, tregon murgesha Maria Antonietta Marchese, që pas një jete si mësuese në Piemonte, tashmë ka ndërtuar një tjetër si misionare në Cotonou, duke ndihmuar në krijimin e të ardhmes së vajzave skllave.

“Nuk është vetëm varfëria rrënja e shitblerjes”, - shpjegon ajo. “Është një traditë e trashëguar, quhet vidomegòn, birësimi i fëmijëve të varfër familjeve që mund t’i shkollojnë. Tashmë edhe funksionarët shtetërorë shkojnë nëpër fshatra në kërkim të vogëlusheve shërbëtore apo dado”. 

Në shtëpinë e pritjes së murgeshave Salesiane, e financuar nga UNICEF-i, qindra ish-vajza vidomegòn tani mësojnë, bëhen rrobaqepëse, parukiere apo kuzhiniere. Me kalimin e kohës mësojnë sesi të pajtohen me dinjitetin e tyre, ndonjëherë edhe me familjen. Në Portin e Ri, kryeqytetin politik të vendit, me djemtë merret salesiani spanjoll Huan Hoze Gómez, i cili dëgjon nga secili prej tyre një dëshirë të kuptueshme identike. “Duan të përqafojnë sërish prindërit, ata që i kanë shitur për katër para. Kanë një kapacitet të jahtëzakonshëm për të duruar, janë gjallë dhe kjo për ta është e mjaftueshme që të buzëqeshin sërish”, thotë ai. 

Juli, 15 vjeç, si një lumë i vërtetë fjalësh, thotë për të atin se ia besoi gjyshes, dhe ajo e solli në Nigeri për ta shitur te pronari i një guroreje, ndërsa vetë ia mbathte, duke ndjekur një imazh të vetëm: fytyrën e të atit. Ndërsa Pakom, i dobët dhe i gjatë, i gjetur bashkë me dhjetëra djem të tjerë ndërsa ngarkonte qepë në një kamion në Dantokpa, që më pas dërgoheshin përtej kufirit. Ai ishte udhëtimi i tij i dytë: “Unë duhej të shkoja në Lagos”, - thotë djali i vogël me një seriozitet që nuk i shkon fare për 10 vitet që ka. “Im atë nuk ka para”. Rufinë është 18 vjeç dhe flet shumë mirë frëngjisht. 

Motër Maria Antonietta e pa për herë të parë në rrugë një ditë të 11 vjetëve më parë me mbathje e kanotiere, të ngarkuar me një thes me oriz. “Jam një vajzë shtëpie dhe dua të shkoj në shkollë”, - i pati thënë vogëlushja dhe pronarja e saj për të mos e lënë të ikte. E mbyllte në errësirë pa këpucë dhe e linte pa ngrënë. “Qava herën e parë dhe kisha frikë se askush nuk do të më shpëtonte”, - pëshpërit Rufinë. Ndërsa i ati, i cili e kishte shitur vetë, ndjeu një brengë brenda vetes dhe e kërkoi për ta çuar më pas te murgeshat. Rufinë është kokëfortë, por shumë mirë me mësime. “Dua të bëhem mami, për t’i treguar babit tim se jam e aftë të bëj gjëra të mëdha, madje edhe të jap jetë”.

Google+ Followers