“Sit-in”

Në shkurtin e 50 viteve më parë, katër studentë me ngjyrë u ulën në stolat e një lokali për të bardhët në Greensboro. Këtë gjë e bënë për katër muaj me radhë. Lindi kështu një formë rebelimi pa dhunë, e cila më vonë u shpërnda në të gjithë botën
Revolta paqësore e zezakëve që shkroi historinë e Amerikës

“Largohu korb i zi, largohu”, këndonin në Jug racistët me fytyrën e pikturuar me blozë. “Largohu Jim Crow”, kur njeriu i bardhë ta urdhëron. Dhe të gjithë ngriheshin pa u ndier deri në ditën e shënuar të 1 shkurtit të vitit 1960. 50 vjet më parë, katër “korba” të zinj refuzuan të ngriheshin, por u ulën në stolat e një banaku dhe nuk lëvizën që aty për shumë javë me radhë. Mjaftoi ky veprim, kjo mënyrë e të qëndruarit ulur, për të ndryshuar historinë që, gjysmë shekulli më pas, do të çonte një prej tyre në Shtëpinë e Bardhë. Pesëdhjetëvjeçari i të parit “sit-in”, teknikës së protestës jo të dhunshme që për gjenerata, kishte shënuar epokën e mosbindjes civile, sot duket një relike historike e nxjerrë nga albumi i kohës. Në Karolinën e Veriut në vitin 1960, një vit e gjysmë para zgjedhjes së John.f Kennedy, mbretëronin ligjet e segregacionit, që zotërinjtë e bardhë të Veriut kishin nxitur t’u impononin për të vulosur dhe mohuar mohimin e së drejtës së skllavërisë të firmosur nga Linkolni në vitin 1865. Në Karolinën e Veriut, që ishte një fortesë e segregacionizmit, katër studentë me ngjyrë më pak se 20 vjeç guxuan të bënin atë që nuk do ta mendonte njeri. Në Greensboro u ulën në banakun e restorantit brenda qendrës tregtare “Woolworth”, ku klientët ndalonin për të pirë diçka të shpejtë teksa bënin pazar. “Këtu nuk na duhen njerëz si ju, zezakë të ndyrë”, u përpoq t’i largonte një kameriere, duke përdorur shprehjet më brutale dhe fyese, sepse ashtu e kërkonin ligjet e shtetit, rregulloret e qyteteve dhe rregullorja e brendshme e qendrës tregtare. Katërshja, që nga ajo kohë kaloi në legjendën e të drejtave civile dhe u cilësua si “Greensboro four”, nuk lëvizi. Qëndruan të ulur. Në një tjetër shtet aty afër, në Tennessee, zezakë të tjerë po mundoheshin të bënin të njëjtën gjë. Nuk kishte përgatitur dhe organizuar asgjë “katërshja e banakut të ndaluar”, Joseph McNeil, Ezell Blair Jr., David Richmond dhe Franklin McCain. Thjesht ishin mërzitur që të bardhët i trajtonin si kafshë të infektuara që duheshin mbajtur në karantinë, ndjenjë që edhe sot ngacmon të rinjtë ksenofobë dhe racistë në të gjithë botën. Ishin të lodhur nga ndalesat. Nuk u lejohej të pinin në të njëjtat çezma me të bardhët, të mos përdornin të njëjtat banja, të mos hanin ushqimin që shpesh gatuhej edhe nga vëllezërit e tyre zezakë dhe ashtu siç Rosa Parks kishte bërë pesë vjet më parë në Montgomery në Alabama, të ishin të detyruar të uleshin në radhët e fundit të autobusëve publikë, apo të ngriheshin në këmbë për t’u lëshuar vendin të bardhëve. Por rebelimi jo i dhunshëm i Martin Luther King-ut, në marshimin mbi urën Selma, në vitet ‘50, ishte venitur dhe kishte humbur vrullin. Por gjithçka deri në shkurt të vitit 1960, kur katër studentët u ulën për të kërkuar nga një hamburger. Brenda pak ditëve, teknika e re e “sit-in” pa dhunë dhe akte barbare, por vetëm me një veprim të thjeshtë, duke ua lënë të bardhëve të vendosnin mënyrën për t’i dëbuar, u përhap me shpejtësi në vende të tjera. Në jug të vendit, ku ekzistonte “ligji i korbit”, si Selma, Montgomery, Atlanta, Nashville dhe Memphis, ku King u vra tetë vjet më vonë, studentë dhe shërbëtorë, pastrues, punëtorë të thjeshtë, do të hynin në restorante, supermarkete, në magazina të mëdha ku banaku përdorej për të ngrënë një mëngjes të shpejtë. Ishte pikërisht në Greensboro, ku u zhvillua i pari “sit-in” amerikan, ku muri i segregacionit nisi të bjerë. Dhjetëra të rinj me ngjyrë u dyndën në rrugët në qendër, hynë nëpër dyqane dhe qendra tregtare pa bërtitur, pa mbajtur në dorë parulla. Futeshin thjesht për të qëndruar të ulur. Dhe në fund nuk ishte drejtësia, turpi apo qytetarët zemërmirë të Karolinës së Veriut ata që çuan në ndryshimin e kësaj gjendjeje. Ishin paratë, ose më saktë dollari. Kur bizneset në rrugët në qendër nisën të falimentonin, shitësit dhe pronarët e zinxhirit të atëhershëm “Woolworth” u dorëzuan. Pa ndryshuar ligjet, në mënyrë të heshtur nisën të shërbenin hamburger, patate të skuqura me salcë, apo të hapnin banjat edhe për zezakët e urryer. Kështu muri i “korbit” të zi u rrëzua, edhe pse pjesërisht. U deshën edhe katër vjet që Lyndon Johnson të firmoste “ligjin për të drejtat civile”. Edhe në 2008-n, Barack Obama, njeriu me ngjyrë, u mund nga McCain dhe “borëbardha” e tij, Sarah Palin në Karolinën e Veriut në Tennessee, por kjo nuk e pengoi atë të bëhej Presidenti i parë me ngjyrë në historinë e Amerikës. Kjo as nuk do ta pengojë ta çojë përpara ëndrrën për të cilën Amerika dhe e gjithë bota ka shumë nevojë.

Google+ Followers