"Ungjilli" sipas Jobs


Apple votohet në mënyrë të vazhdueshme si kompania më inovative në botë, por risitë e saj marrin një formë të veçantë. Në vend që të zhvillojë kategori produktesh krejtësisht të reja, ajo shkëlqen në marrjen e ideve ekzistuese, "gjysmë të pjekura" për t'i treguar pjesës tjetër të botës se si duhet të bëhen ashtu si duhet. Nën drejtimin e shefit të vet të shkathët dhe vizionar, Steve Jobs, Apple e ka bërë tashmë këtë gjë tre herë. Në vitin 1984, Apple nxorri në treg macintoshin. Nuk ishte i pari kompjuter grafik që punonte me mouse, por gjithsesi i vinte në punë këto koncepte në një produkt shumë të dobishëm. Më pas, në vitin 2001, erdhi iPodi. Nuk ishte i pari mjet dixhital që luante muzikë, por ishte i thjeshtë dhe elegant, dhe fuste në qendër të vëmendjes së njerëzve dhe të industrisë muzikën dixhitale. Në vitin 2007, Apple vazhdoi duke nxjerrë iPhone. Nuk ishte i pari telefon i kategorisë smart-phone, por Apple ia doli mbanë atje ku prodhues të tjerë telefonësh celularë kishin dështuar, duke e shndërruar eksesin e lëvizsshëm në internet dhe shkarkimin e programeve në celular një fenomen masiv.

Dhe ndërkohë që rivalët nxituan të kopjojnë qasjen e Apple ndaj këtij tregu në zgjerim, industritë e kompjuterëve, telekomunikacionit dhe ato të muzikës u transformuan në mënyrë rrënjësore. Tani Jobs shpreson që të përdorë të njëjtin as duke e nxjerrë nga mënga, për herë të katërt. Në 27 janar ai nxorri produktin më të fundit të kompanisë së tij, iPad - një pajisje e hollë në formë tablete me një ekran me prekje dhjetë polësh, që do të dalë në shitje në fund të muajit mars për një çmim që varion nga 499 në 829 dollarë amerikanë. Kishte vite të tërë që përgatitej dhe produkti kishte qenë objekt i një fushate histerike spekulimesh në internet gjatë muajve të fundit, duke kaluar madje edhe në një lloj histerie fetare: skeptikët në blogosferë me shaka e quajnë Jesus Tablet.

Entuziazmi i besnikëve të Apple mund të jetë i tepruar, por e kaluara e Steve Jobs tregon se kur ai e bekon një treg të caktuar, ky lloj tregu praktikisht nis fluturimin. Dhe tableti si kompjuter premton që të transformojë jo vetëm një industri, por tre të tilla - atë të kompjuterëve, të telekomunikacionit dhe të medias.

Kompanitë në dy bizneset e parë e shohin me një farë shqetësimi dhe ankthi ardhjen e iPadit, për arsye se vetë historia e Apple e bën atë një konkurrent të frikshëm. Industria e medias, në të kundërt, e mirëpret me gjithë zemër. Pirateria, mundësitë pa pagesë dhe shpërndarja e reklamave nëpër internet e bëjnë internetin një mjedis shumë të vështirë për kompanitë e medias. Ata nuk janë gjithashtu edhe aq mirëpritës për Kindle, një lexues librash elektronikë i prodhuar nga Amazon, i cili ka ulur çmimet e librave dhe që nuk mund të shfrytëzohet për reklama. Ata shpresojnë se kjo pajisje do t'u ofrojë një "kullotë" të re, duke inkurajuar njerëzit që të lexojnë versione dixhitalë të librave, gazetave dhe revistave, ndërkohë që janë në lëvizje. Eshtë e vërtetë që ekzistojnë shqetësimet se në fund të fundit, Apple do të grumbullojë rreth vetes më shumë pushtet në këta tregje të rinj, siç e bën tashmë me muzikën dixhitale. Por një treg i ri i hapur dhe i dominuar nga Apple është shumë më mirë se sa një treg që tkurret, apo kur nuk ke treg fare.

Merrni tableta

Kompjuterat në formë tablete që shënjestrojnë një treg të përqendruar kryesisht tek njerëzit e biznesit nuk kanë funksionuar. Micorosoft ka vite që shtyn për një treg të tillë, me shumë pak sukses. Vetë Apple nxorri një kompjuter tip tabletë që funksiononte edhe me një lapës elektronik, Newton, në vitin 1993, por edhe ai rezultoi një dështim. Kindle ka patur një ecuri relativisht të mirë dhe ka shkaktuar prodhimin dhe daljen në treg të një sërë pajisjesh të reja me emra po kaq budallenj, si Nook, Skiff dhe Que. Ndërkohë, pajisjet elektronike me madhësinë e xhepit dhe me ekran me prekje të Apple, si iPhone dhe iPod Touch kanë patur shumë sukses si luajtës muzike dhe videosh si dhe si pajisje lojërash elektronike.

Në thelb, iPad është një iPhone gjigant me asteroide. Ekrani i madh do ta bëjë një lexuesh tërheqës librash elektronikë dhe luajtës videosh, por nga ana tjetër, do të trashëgojë edhe një sasi të madhe lojërash dhe programesh të tjerë kompjuterikë nga iPhone. Apple shpreson se shumë njerëz gjithashtu do të përdorin atë në vend të laptopit. Nëse kompania ka të drejtë, ajo mund të hapë një treg të ri për pajisjet që janë më të mëdha se telefonët, më të vegjël se sa laptopët dhe gjithashtu dy herë më të mëdha në madhësi se sa lexuesit elektronikë të librave, luajtës të muzikës dhe videove si dhe pajisje për lojëra. Industri të ndryshme kanë nisur tashmë të puqen në këtë treg: prodhuesit e telefonëve celularë po nxjerrin tashmë në treg laptopë të vegjël, të njohur si netbook-ë dhe prodhuesit e kompjuterëve po hyjnë tashmë në tregun e telefonëve celularë. Kompani të futura rishtaz në treg si Google, që po hyn në tregun e telefonëve celularë dhe të laptopëve, dhe Amazon, me Kindle janë gjithashtu duke trashëguar këtë grindje: Amazon ka shpallur tashmë planet për krijimin e një "appstore" të stilit të iPhone për Kindlen e saj, gjë që do të bëjë të mundur që Kindle në të ardhmen të bëhet më shumë se sa një lexuesh librash elektronikë.

Nëse e kaluara mund të rrëfejë, hyrja e Apple në këtë fushë jo vetëm që do të shkaktojë një konkurrencë të fortë mes prodhuesve të pajisjeve të tilla, por edhe do të nxisë konsumatorët dhe botuesit që më parë janë treguar shumë të matur dhe hezitues për sa i përket librave elektronikë që të kridhen me kokë në këtë treg, duke e përshpejtuar përshtatjen dhe adoptimin e kësaj teknologjie që sapo ka lindur. Shitjet e librave elektronikë pritet që të arrijnë shifrën 12 milionë për këtë vit, nga 5 milionë që ishin në vitin 2009 dhe 1 milion në vitin 2008, sipas iSuppli, një kompani që merret me studimin e tregut.

Shpëtim?

A do të shpëtojë përhapja e tabletave kompanitë mediatike që mezi po mbijetojnë? Fatkeqësisht jo. Disa takëme - gazetat metropolitane, për shembull - ndoshta janë të destinuara të marrin fund për shkak se mbështeten më së shumti në reklamat e klasifikuara, të cilat janë duke migruar tek faqet e dedikuara të internetit. Të tjerë kanë ecur shumë përpara tashmë. Tabletët janë të kushtueshme dhe do të duhet të kalojnë disa vite përpara se të jenë aq shumë të përhapur sa të përmbushin premtimin e tyre. Teorikisht, një gazetë mund t'u kërkojë lexuesve të vet që të firmosin për një abonim elektronik deri dyvjeçar, le të themi, si dhe të subvencionojnë në këtë mënyrë koston e tabletës. Por një subvencion i tillë do të ishte shumë i kushtueshëm dhe gazetat e shtypura në shtypshkronja do të duhet që të vazhdohet të mbahen në punë për lexuesit që duan të vazhdojnë të prekin letrën.

Gjithsesi, edhe përse tabletat nuk do të shpëtojnë kompanitë e dobëta mediatike, ato me shumë gjasa do t'i japin një shtysë të madhe kompanive të forta. Kërkesa e pagesave për lajmet që nxjerrin, e cila rezulton e vështirë në internet, mund të vijë e të lehtësohet. Tashmë, njerëzit janë të gatshëm që të paguajnë me qëllim që të marrin gazeta dhe revista në Kindle. Ndërsa iPad, me ekranin e vet shumëngjyrësh si dhe integrimin me dyqanet elektronikë të Apple mund të bëjë shkarkimin e librave, gazetave dhe revistave po aq të lehtë dhe popullor sa dhe shkarkimin e muzikës. Tabletët kanë potencialin që të sjellin një transferim tërësor të shitjeve me pakicë dhe shumicë tek shpërndarja dixhitale, gjë që do të lejonte botuesit e gazetave dhe të librave që të ulin kostot duke mbyllur edicionet e shtypur.

Nëse Jobs do të arrijë të realizojë një marifet të ri magjik me një tjetër pajisje brilante, atëherë përfitimet e revolucionit dixhital për kompanitë mediatike përmes produkteve shumë të përhapur dhe popullorë mund të fillojë shumë shpejt që të peshojë më shumë se sa kostot. Por disa kompani mediatike janë duke u shuar dhe një pajisje e re elektronike nuk është se do t'i ngjallë. As edhe Jesus Tablet nuk mund të bëjë mrekullira.

 

Google+ Followers