Si shpëtoi Osama bin Laden

Në dhjetor të vitit 2001, një grup i vogël forcash speciale e kishin vënë në litar njeriun kryesor të al Qaeda në Tora Bora. Ditë më vonë, ai kaloi kufirin drejt Pakistanit pa i hyrë gjemb në këmbë


Në dhjetor të vitit 2001, një grup i vogël forcash speciale e kishin vënë në litar njeriun kryesor të al Qaeda në Tora Bora. Ditë më vonë, ai kaloi kufirin drejt Pakistanit pa i hyrë gjemb në këmbë. Këtu më poshtë është historia e politikës së Shtëpisë së Bardhë që e la atë të ikte.

Me 7 tetor të vitit 2001, forca ajrore amerikane filloi bombardimin e bazave stërvitore dhe të bastioneve të al Qaedas dhe talebanëve sundues nëpër Afganistan. Liderët që dërguan vrasës për të sulmuar World Trade Center dhe Pentagonin më pak se një muaj më parë dhe qeveria maskareshë që u siguronte strehim atyre po vraponin për jetët e tyre. Shprehja e Presidentit George W. Bush për dëshirën e Amerikës që ta kapte "gjallë a vdekur" Usama bin Laden dukej se po bëhej e vërtetë.

Tri muaj më vonë, liderët civilë dhe ushtarakë amerikanë festuan atë çka e shikuan si një fitore jetëgjatë me zgjedhjen e Hamid Karzait si liderin e ri të vendit. Lufta ishte konceptuar si një fushatë e shpejtë me një objektiv të vetëm: shpartallimin e talebanëve dhe shkatërrimin e al Qaedas nëpërmjet kapjes apo vrasjes së bin Laden dhe liderëve të tjerë kryesorë. Një kombinim unik i fuqisë ajrore, Central Intelligence Agency, ekipeve të forcave speciale dhe i aleatëve vendas i kish larguar talebanët nga pushteti dhe përzënë al Qaedan nga vendstrehimet e sigurta të saj, duke i mbajtur në minimum vdekjet amerikane. Por edhe në gëzimin fillestar, kishte preokupime: Misioni për të kapur apo vrarë bin Ladenin kishte dështuar.

Largimi i liderit të al Qaeda nga fusha e betejës tetë vjet më parë nuk do ta kish eliminuar kërcënimin ekstremist mbarëbotëror, por dështimi për ta përfunduar këtë punë përfaqëson një mundësi të humbur se e ndryshoi përgjithmonë kursin e konfliktit në Afganistan dhe të ardhmen e terrorizmit ndërkombëtar, duke e lënë popullin amerikan më të cënueshëm ndaj terrorizmit, duke hedhur themelet për rebelimin e sotëm të stërzgjatur afganas dhe egërsimin e armiqësisë së brendshme që po rrezikon tani Pakistanin.

Ky dështim dhe pasojat e mëdha të tij nuk qenë të pashmangshme. Në fillim të dhjetorit, bota e bin Laden ishte katandisur në një kompleks shpellash dhe tunelesh të bëra në një seksion malor të Afganistanit Jugor të njohur si Tora Bora. I ngecur në një prej terreneve më jomikpritëse të Tokës, ai dhe disa qindra njerëz të tij, përqendrimi më i madh i luftëtarëve të al Qaedas, duruan jo më pak se 100 goditje ajrore në ditë. Një bombë pothuajse 7 tonëshe, aq e madhe sa u desh të nxirrej nga ana e prapme e avionit transportues C-130, tronditi malet për milje të tëra. Edhe vetë bin Laden priste që të vdiste. Ai e s'ruajti vullnetin dhe testamentin e fundit të tij me 14 dhjetor, duke i udhëzuar gratë e tij që të mos rimartoheshin dhe duke u kërkuar falje fëmijëve, që ia kish kushtuar veten xhihadit. Por lideri i al Qaedas do të jetonte për të luftuar një ditë tjetër. Me ose rreth 16 dhjetorit, bin Laden dhe një enturazh truprojash u larguan të pashqetësuar nga Tora Bora dhe u zhdukën në zonën e pakontrolluar tribale të Pakistanit. Shumica e analistëve thonë se ai ndodhet akoma aty sot.

Çfarë ndodhi në Tora Bora? Një major i Delta Forcë të ushtrisë, tani në lirim dhe që shkruan nën pseudonimin letrar Dalton Fury, ishte oficeri i lartë ushtarak amerikan atje, duke komanduar rreth 90 trupa speciale dhe personel mbështetës të ngarkuar me gjuetinë dhe kapjen ose vrasjen e bin Laden.

Në intervista me stafin e komitetit, Fury shpjegon se, luftëtarët e al Qaedas të ndodhur në male përdornin radio të pasigurta, duke u mundësuar forcave amerikane që të interceptonin komunikimet e tyre, duke kapur lëvizjet e tyre dhe efektivitetin e bombardimit. Akoma më e vlefshme, pak ditë pas ardhjes, një prej operativëve të CIA-s mori një radio nga një luftëtar i vdekur i al Qaedas. Ajo u dha amerikanëve një kanal të pastër lidhur me komunikimet e grupit në mal. Zëri i bin Laden u kap shpesh, sëbashku me komentet e shpeshta rreth pranisë së një njeriu të referuar nga ndjekësit e tij si "sheiku".

Për disa ditë në fillimet e dhjetorit, trupat speciale të Fury lëvizën nëpër male në dyshe me luftëtarë nga milicitë afganase. Amerikanët përdorën aparate GPS dhe gjetës me rreze lazer për të shënuar shpellat dhe xhepat e luftëtarëve armiq për bombarduesit. Qe e qartë nga ajo çka mundën të shikonin dhe nga ajo që po dëgjonin në bisedat e interceptuara se bombardimi i pandërprerë po e bënte punën e tij.

Me 9 dhjetor një avion transportues C-130 lëshoi një bombë gati 7 tonëshe, të njohur si Daisy Cutter, mbi kompleksin Tora Bora. Arma nuk ishte përdorur qysh nga Vietnami dhe kishte frikë paraprake se imkapti i saj nuk do të kish qenë aq i madh sa pritej. Por, raporte të mëvonshme konfirmuan se bomba goditi me forcë masive. Një luftëtar i al Qaedas i kapur rob që ndodhej atje u tha hetuesve amerikanë se njerëzit thellë në shpella kishin avulluar në atë që ai e quajti "një shpërthim i tmerrshëm". Atë ditë dhe të tjera, Fury përshkroi komunikime me radio të interceptuara, në të cilat luftëtarët e al Qaedas bënin thirrje për "kamionçinën e kuqe që të lëvizte të plagosurit" dhe kërkesa frenetike nga një luftëtar për komandantin e tij.

Duke pasur parasysh sinjalet e radios, Fury shpresonte se, forcat speciale të tij po i afroheshin kapjes. Por nuk qe e thënë. Shtetet e Bashkuara po mbështeteshin në dy zotërinj lufte relativisht të vegjël nga zona e Jalalabad për mbështetje afganase. Haxhi Hazarat Ali kishte arsim 4-vjeçar dhe një reputacion si "i fortë". Ai kishte luftuar sovjetikët si adoleshent në vitet Tetëdhjetë dhe më pas i ishte bashkuar talebanëve për një periudhë kohe. Tjetri, Haxhi Zaman Ghamsharik, një trafikant droge i pasur që ishte bindur nga Shtetet e Bashkuara që të kthehej nga Franca. Sëbashku, ata krijuan një forcë prej rreth 2000 burrash dhe pati rezerva qysh nga fillimi rreth aftësisë dhe besnikërisë së luftëtarëve. Dy zotërinjtë e luftës dhe njerëzit e tyre nuk i besonin njëri-tjetrin dhe të dy grupet dukej se nuk u besonin aleatëve të tyre amerikanë.

Këto shqetësime theksoheshin çdo herë që afganasit këmbëngulnin në tërheqjen nga malet kur binte errësira, por dyshimet u konfirmuan nga ngjarjet që filluan pasditen e 11 dhjetorit, një ditë në të cilën forcat amerikane dëgjuan se, bin Ladeni dhe njerëzit e tij qenë dakord të dorëzoheshin. Ghamsharik ju afrua Fury dhe i tha se, luftëtarët e al Qaedas donin të dorëzoheshin. Ai tha se, gjithçka që ata donin për t'i dhënë fund rrethimit ishte një armëpushim 12 orësh për t'u lejuar luftëtarëve që të zbrisnin nga malet dhe të dorëzonin armët e tyre. Bisedat në radio të interceptuara dukej se konfirmonin faktin që luftëtarët e kishin humbur vendosmërinë e tyre nën bombardimin e pandërprerë, por Fury mbeti dyshues.

Historia zyrtare e Komandës së Operacioneve Speciale amerikane regjistron se, Centcom-i refuzoi që ta mbështesë armëpushimin, duke dyshuar për një mashtrim, por tha se forcat speciale e pranuan me ngurrim një pauzë bombardimi gjatë natës për të shmangur vrasjen e ndonjë luftëtari të dorëzuar. Ghamsharik negocioi nëpërmjet radios me përfaqësues të al Qaedas. Fillimisht, ai i tha Fury se një numër i madh algjerianësh donin të dorëzoheshin. Pastaj ai tha se mund të dorëzonte të gjithë lidershipin e al Qaedas. Dyshimet e Fury rriteshin pas çdo premtimi të bujshëm. Mëngjesin e 12 dhjetorit, asnjë luftëtar i al Qaedas nuk ishte shfaqur dhe komandanti i Delta Force konkludoi se i gjithë episodi kish qenë një mashtrim. Vlerësimet e inteligjencës janë se pothuajse 800 luftëtarë të al Qaedas u arratisën atë natë, por jo bin Laden.

Pavarësisht mosbesueshmërisë së aleatëve të tij afganë, Fury refuzoi të dorëzohej dhe filloi që të gjente mënyra, sipas të cilave forcat e tij të mund të shkonin me forcat e tyre tek bin Laden. Një plan ishte që të goditej bin Laden nga një drejtim që nuk do ta priste - nëpërmjet derës së prapme. Majat në jug arrijnë deri në mbi 4000 metra dhe luginat e qafat e thyera malore qenë plot me dëborë. "Sipas planit fillestar që ne dërguam tek eprorët tanë më të lartë, Delta Force donte që t'i ngjitej malit me oksigjen, duke ardhur nga ana pakistaneze", shpjegon ai. "Kalo malet dhe hajde e lëshohu nga prapa në kurriz të bin Ladenit".

Sulmi kurajoz u refuzua, diku lart në zinxhirin komandues. Të papenguar, Fury sugjeroi hedhjen e qindra minave tokësore përgjatë qafave që çonin në Pakistan për të bllokuar arratisjen e bin Laden. "Njeriut të parë i fluturon koka dhe të gjithë të tjerët ndalojnë", tha ai. "Kjo i lejon aviacionit sipër që t'i gjejë. Ata i shikojnë të gjithë këto burime nxehtësie. OK, është një grup i madh i al Qaedas që po lëviz drejt jugut. Ata mund të kapin atë". Edhe ky propozim u refuzua.

Sipas ish-drejtorit të CIA-s, George Tenet, qysh nga fillimi i pushtimit dhe i operacionit, bin Laden qe e qartë se bombardimi ajror nuk do të ishte i mjaftueshëm për ta kapur bin Laden në Tora Bora. Henry Crumpton, kreu i Operacioneve Speciale të Operacioneve Antiterroriste të CIA-s, i kishte bërë kërkesa për më shumë trupa Sekretarit të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, dhe Gjeneralit, Tommy Franks, shumë kohë përpara dhjetorit. Bile Crumpton e nxiti Franks që t'i lëvizte 1000 marinsa nga Kandahar në "derën e prapme" në Tora Bora dhe i raportoi Bush dhe zëvendëspresidentit Dick Cheney, për nevojën e një pranie më të madhe në terren. Por Centcom-i i refuzoi këto ide, duke thënë se do të donte shumë kohë për të dislokuar në terren një kontingjent amerikan të madh aq sa duhej.

Me 14 dhjetor, ditën që bin Laden përfundonte vullnetin e tij, Dalton Fury, më së fundi e bindi Aliun dhe njerëzit që të qëndronin gjatë natës në një prej luginave që kishin kapur gjatë ditës. Gjatë tri ditëve të ardhshme, milicia afganase dhe këshilltarët e tyre amerikane kishin lëvizur në mënyrë të rregullt nëpër lugina, duke bërë thirrje për goditje ajrore dhe duke nxjerrë jashtë loje xhepa të mbetur luftëtarësh. Rezistenca dukej se ishte zhdukur, duke shtyrë kështu Aliun, që të deklaronte fitore me 17 dhjetor. Shumica e kompleksit Tora Bora ishte braktisur dhe shumë prej shpellave dhe tuneleve qenë mbuluar nga mbeturinat. Vetëm rreth 20 të braktisur qenë kapur rob. Konsensusi ishte se luftëtarët e al Qaedas që i kishin shpëtuar bombardimit të rreptë qenë arratisur në Pakistan ose qenë përzier me popullsinë lokale. Bin Laden nuk gjendej gjëkundi. Dy ditë më pas, Fury dhe kolegët e tij të Delta Force e lanë Tora Bora, duke shpresuar se ndonjë eventualisht do ta gjente bin Ladenin e groposur në një prej shpellave.

Nuk pati asnjë trup, pasi bin Ladeni nuk vdiq në Tora Bora. Më pas, raporte inteligjence dhe raportime nga ana e gazetarëve dhe të tjerëve tregonin si ai dhe një kontingjent truprojash e lanë Tora Bora me 16 dhjetor. Me ndihmën e afganëve dhe të pakistanezëve që qenë paguar përpara, grupi e çau rrugën në këmbë dhe me kuaj përgjatë qafave malore dhe drejt e në Pakistan pa hasur ndonjë rezistencë.

Gabimi përfundimtar në dështimin për kapjen e bin Laden qëndron jo në përpjekjen amerikane, por në strategjinë amerikane. Franks dhe Rumsfeld vendosën që të përpiqeshin t'i jepnin një goditje nokauti të shpejtë dhe ekonomike talebanëve nëpërmjet forcës ajrore dhe përdorimit të kufizuar të trupave në terren. Në vend që të zbatonin Doktrinën Powell të forcës dërrmuese, modeli afganas për Operacionin Enduring Freedom varej në forcën ajrore dhe në ekipet paraushtarake tejet lëvizëse, të cilët punonin në koncept me bajraktarët opozitarë dhe liderët tribalë. Franks e çoi numrin e çizmeve në terren në 10000 njerëz.

Për këtë arsye - mungesa relative e ushtarëve amerikanë - Franks dhe Rumsfeld refuzuan që të dërgonin më shumë trupa në Tora Bora për të bllokuar, kapur apo vrarë bin Laden. Por, ushtarë dhe studiues kanë argumentuar qysh atëhere se kishte trupa të mjaftueshme të disponueshme në Afganistan dhe në Yzbekistanin e afërt për të nisur një sulm të vërtetë kundër pozicionit të bin Laden në Tora Bora dhe ato mund të qenë rritur brenda javës me përforcime nga Gjiri Persik dhe Shtetet e Bashkuara.

Peter Krause, na jep përshkrimin më të detajuar të këtij opsioni të braktisur - një opsion "blloko dhe fshi" - në një artikull tek Security Studies, i titulluar "Shansi i mirë i fundit: Një rivlerësim i operacioneve amerikane në Tora Bora". Plani ishte shumë i thjeshtë: Një grup forcash amerikane do të bllokonin të gjitha rrugëdaljet e mundshme drejt Pakistanit në anën jugore të Tora Bora. Një kontingjent i dytë do të duhej të lëvizte kundër pozicioneve të al Qaedas nga veriu. Sulmi nuk do të kërkonte mijëra forca konvencionale; në fakt, një numër i madh trupash do të kish dashur shumë kohë për t'u dislokuar dhe do ta vinte në alarm al Qaedan për sulmin e pritshëm. Zgjedhja e preferueshme do të kishte qenë një forcë e vogël e shkathët e aftë për t'u dislokuar menjëherë e me qetësi dhe e trajnuar për të operuar në terrene të vështira kundër armiqsh jokonvencionalë. Forcat e armatosura amerikane kanë një numër të madh ushtarësh dhe marinsash që i plotësojnë këto kritere: Delta Forces, Green Berets, Navy Seals, njësi operacionale speciale marinsash, Army Rangers dhe parashutistë.

Në total, një forcë fillestare prej pothuajse 2000 apo 3000 trupash do të kishte qenë e mjaftueshme për të filluar misionin "blloko dhe fshi", me përforcime pasuese siç do ta lejonin koha dhe rrethanat. Franks kish caktuar tavanin prej 10000 trupash amerikane për të ruajtur një rreze operacioni të lehtë. Sërish, brenda këtij numri kishte shumë të gatshëm dhe me dëshirë që të ndiqnin pas bin Laden. Në fund të nëntorit, në kohën që inteligjenca amerikane e vendoste bin Laden saktësisht në Tora Bora, më shumë se 1000 anëtarë të Njësisë Ekspedicionare Marinse të 15-të dhe të 26-të, ndër njësitë më të lëvizshme të forcave të armatosura, ngritën një bazë në jugperëndim të Kandaharit, vetëm pak orë fluturimi larg. Ata kryesisht po ndërprisnin trafikun dhe mbështetjen e njësive operacionale speciale që punonin me milicitë afganase. 1000 trupa të tjerë nga Divizioni i 10-të Malor i Ushtrisë qenë ndarë midis një baze në Yzbekistanin jugur dhe Bazas Ajrore të Bagramit, një fluturim i shkurtër me helikopter larg nga Tora Bora. Sipas raportimeve në atë kohë, njësitë e ushtrisë qenë të angazhuara kryesisht në funksione ushtarake policore.

Për ironi të fatit, një prej parimeve drejtuese të modelit afganas ishte që të shmangej zhytja e Shteteve të Bashkuara në një rebelim të stërzgjatur me dërgimin e shumë trupave dhe nxitja e ndjenjës antiamerikane. Në fund, mosgatishmëria për t'ju nënshtruar planit operacional për të dislokuar trupat e kërkuara për të përfituar nga inteligjenca solide dhe rrethanat unike për të vrarë apo kapur bin Ladenin, i kanë hapur rrugën pikërisht asaj të cilën kemi shpresuar ta shmangim: një rebelim i stërzgjatur që ka kushtuar më shumë jetë sesa do të vlerësonte njeriu do të ishte zhdukur prej një sulmi total në Tora Bora.

Vdekja e bin Laden nuk do ta zhdukte kërcënimin mbarëbotëror nga ekstremistët, por dështimi për ta vrarë apo kapur atë i ka mundësuar bin Laden që të ushtrojë një influencë malinje ndaj ngjarjeve në rajon dhe pothuajse 60 vende, ku ndjekësit e tij kanë ngritur grupe ekstremiste. Historia tregon se grupet terroriste janë gjithmonë më të fuqishëm me liderët e tyre karizmatikë sesa pa ta dhe aftësia e bin Laden dhe e organizatës terroriste të tij për ta marrë veten pas humbjes së vendstrehimeve të tyre afganase e përforcon mësimin.

Tetë vjet pas përzënies së saj nga Afganistani, al Qaeda e ka rindërtuar veten dhe bin Laden ka mbijetuar që të frymëzojë një brez të ri ekstremistësh, të cilët kanë marrë dhe përshtatur doktrinën e al Qaeda dhe tani janë në gjendje që të sulmojnë nga çdo numër vendesh. Impakti i këtij kërcënimi është më i madh në Pakistan, aleati i pajisur me armë bërthamore i Shteteve të Bashkuara, ku prania dhe resurset e vazhdueshme të al Qaeda i kanë inkurajuar ekstremistët e brendshëm që të krijojnë një rebelim gjithnjë e më të përgjakshëm. Më afër me shtëpinë, Federal Bureau of Investigation thotë se, dy aksione të dyshuara të kohëve të fundit të zbuluara nga autoritetet amerikane përfshinin banorë të vjetër të Shteteve të Bashkuara që kishin udhëtuar në Pakistan dhe qenë stërvitur në baza të lidhura me al Qaedan.

Plus, kostot e Shteteve të Bashkuara - njerëzore dhe financiare - kanë qenë marramendëse. Tetë vitet e para të luftës kushtuan 243 miliard dollarë dhe rreth 70 miliard dollarë janë caktuar për vitin fiskal aktual, duke mos përfshirë rritjen prej 30000 trupash të Presidentit Barack Obama. Por, çmimi më i lartë po paguhet me baza ditore në Afganistan dhe Pakistan, ku 68000 trupa amerikane dhe qindra civilë amerikanë janë të angazhuar në vitin e nëntë të një konflikti të stërzgjatur dhe populli afganas po përjeton dekadën e tij të tretë të dhunës. Deri më tani, rreth 950 trupa amerikane dhe pothuajse 600 ushtarë aleatë kanë humbur jetët e tyre në Operacionin Enduring Freedom, një konflikt në të cilin rezultati mbetet në dyshim të fortë në pjesën më të madhe për shkak se ekstremistët prapa dhunës nuk u eliminuan në vitin 2001.

Ky artikull është një pjesë nga raporti "Tora Bora Revisited", i përgatitur nga anëtarët e stafit të mazhorancës së Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, i kryesuar nga Senatori John Kerry.

Përgatiti:

ARMIN TIRANA

Google+ Followers