Si po modifikohet vera, tani BIODINAMIKE

Disa prodhues vere të zhgënjyer nga metodat biologjike kanë përqafuar bioadinamikën si rrugën më të vërtetë për një verë që shpreh në mënyrë të plotë tokën, rrushin dhe klimën


Përse vera biodinamike është më e mirë?

Corby Kummer

Prej vitesh pikëllimi i prodhuesve të verës ka qenë sesi teknologjia mund ta përmirësonte verën. Nëqoftëse vera ishte kaliforniane, atëhere çështja ishte veçanërisht tronditëse. Kur Cabernet Sauvignon i Kalifornisë kaloi verën më të mirë Bordeaux - në një shijim legjendar të verbër të njohur si "Gjykimi i Parisit", i organizuar nga tregtuesi i verërave angleze Steven Spurrier - u jetua një moment krenarie kombëtare të madhe, korresponduese edhe me 200-vjetorin amerikan, i arritur pjesërisht sepse vitikultorët kalifornianë kishin përdorur teknologjinë në mënyra të ndaluara nga vitikultorët francezë, më shumë të lidhur me traditat. Kur verërat e Kalifornisë fituan konsideratë, milionerët e Silicon Valley blenë vreshta në kontetë Napa e Sonoma. Verërat dhe teknologjia kaliforniane e festua me hare bashkimin e tyre të lumtur.

Dy breza vitikultorësh kanë dalë nga Universiteti i Kalifornisë në Davis të armatosur me dijet e fundit lidhur me klonet, vitikulturën dhe gaz-kromatografinë. Me kutitë e tyre të pajisjeve kimike mund të korrigjonin çdo difekt, një vit të thatë, rrush të pjekur shumë të lëna në vreshtë një apo dy ditë më shumë, verë e ashpër. Trashëgimtarët e emigrantëve fillestarë hungarezë e italianë që mbollën të parët rrushin në Napa e Sonoma mund të kenë qenë të ngadaltë në adoptimin e metodave të reja, por sigurisht jo kaporionët super teknologjikë që po jetonin ëndrrën kaliforniane duke blerë troje dhe duke vënë emrat e tyre në shishet e verës. Paraja e freskët është tërhequr gjithmonë nga vreshtat e lashta (edhe pse ato të Kalifornisë nuk janë dhe aq të lashta).

Si pjesa e madhe e aktiviteteve drejt të cilave pasanikët e mëdhenj janë tërhequr, vitikultura është fuqimisht subjekt i modave. Moda aktuale është një praktikë pak e përdorur edhe 10 vjet më parë: bujqësia biodinamike, patjetër shumë më e vërtetë dhe respektuese e natyrës respektivisht bujqësisë së vjetër biologjike. Bëhet fjalë për realizimin e asaj që një pakicë vitikultorësh me pushtet gjithnjë e më të madh, sidomos në Francë, fillojnë të deklamojnë në vitet '80, domethënë verëra absolutisht jo të trajtuara, pa korrigjime, pa ndërhyrje, pa filtrim dhe pa asnjë mundësi për të ndërhyrë ndaj një gabimi të kryer gjatë kultivimit.

Refleksi i pastër i ajrit, i shiut, i diellit dhe i tokës së një vendi është pikërisht ai që shprehet me termin terroir, ajo e fjalë e rrethuar nga një aureolë prestigji e vërtetësie që në ditën e sotme ngjitet pas çdo prodhimi ushqimor lokal. Bujqësia biodinamike, thekson ekscentriku i qëllimshëm dhe çuditërisht bindës Randall Grahm, vitikultor kalifornian, "është rruga drejt terroir".

Ky qëndrim është krejtësisht në harmoni me Slow Food, lëvizjen (lidhur me të cilën kam shkruar një libër) që qysh nga vitet '80 ka sponsorizuar një rikthim në metodat e kultivimit dhe të prodhimit të diktuara nga natyra, nga vendi dhe nga një ekonomi mbështetëse. Këto janë metodat që u kanë dhënë origjinë produkteve ushqimore të mrekullueshme dhe verërarve artizanale në botën në shekujt përpara se fjala artizanale të ishte e nevojshme për të treguar diçka "joindustriale", kur biologjikja ishte normaliteti.

Në fakt, parimet biodinamike janë më të hershme se bujqësia biologjike, megjithëse të dyja qenë reagime ndaj përhapjes së plehrave me bazë azotike në fillimin e shekullit XIX. Në vitin 1924 filozofi me origjinë austriake Rudolf Steiner mbajti një seri konferencash lidhur me bujqësinë dhe lidhjet e tij me antropozofinë, lëvizjen që kishte themeluar mbi bazën e punimeve shkencore të Goethe. Antropozofia tenton që të bashkojë botën e shkencës, atë të artit dhe atë të spiritualitetit dhe në mënyrë të pandryshueshme shikon pjesën në kontekstin e gjithçkaje, kozmosi i përfshirë. Kjo disiplinë mbijeton sot në "degëzime", të cilët përfshijnë shkollën Waldorf, dhe në bujqësinë biodinamike.

Ndjekësit e Steiner theksojnë se Swr Albert Howard, botanisti britanik që qe pionier i bujqësisë biologjike pasi kish vërejtur praktikat indiane, Lord Northbourne, agronomi që krijoi termin "bujqësi biologjike" në librin e tij të vitit 1940, të titulluar "Look to the Land" dhe botuesi J. I. Rodale, që e përhapi në Shtetet e Bashkuara, nuk bënë gjë tjetër veçse zhvilluan dhe kodifikuan idetë e tij. Megjithatë, pasi që tani bujqësia biologjike përcaktohet nga standarde qeveritare, gjërat e rëndësishme janë ato që nuk mund të bëhen: të përdoren pesticide dhe plehra kimike mbi kultura dhe terrene. Por fermerët mund të kapen pas një game të gjerë surrogatesh jokimike për çdo korrektues kimik të braktisur. Duhen tri vjet për të siguruar një çertifikim biologjik total, periudha e nevojshme me qëllim që toka të pastrohet dhe më pas rruga është relativisht e lehtë.

Insektarët përbëjnë habitatin natyral për insekte të mirë që kontrollojnë parazitët. Insektari kryesor i Benziger Family Winery është kultivuar me mbi 50 specie bimësh dhe lulesh.

Por biodinamika është vërtetë e vështirë. Steiner, që i mbajti konferencat e tij në fermën e një konti që kishte një pronë në Poloninë e sotme, i shikonte fermat si organizma të gjalla, të unifikuar, në teori krejtësisht të vetëmjaftueshëm. Për të ruajtur standardin i duhet kushtuar vëmendje e vazhdueshme asaj që po ndodh saktësisht në vreshtin tënd dhe në tokën tënde. Nënkupton të mos blehen plehrat kimike dhe pesticidet që u dorëzohen çdo sezon fermave biologjike. Nënkupton të rindërtohet në mënyrë konstante toka për të ardhmen. Nënkupton të lihet e pambjellë një copë e mirë e tokës tënde - dhe nëqoftëse ndodheni në Sonoma apo Napa, bëhet fjalë për një prej trojeve bujqësore më të shtrenjta të botës - dhe të rriten lopë, dele, dhi, pula dhe kafshë të tjera për ta bërë fermën të pavarur dhe të begatë.

Një etiketë biodinamike mund të diferencojë një verë masash nga ato që janë tashmë organike. Por termi nuk ka arritur akoma në pikën sa të mund të japë të drejta për t'u mburrur. Ajo që e pengon arritjen e statusit është pastaj imazhi hipi. Bujqësia biodinamike përfshin praktika si spërkatja e përzierjeve për të inkurajuar rritjen dhe mbajtur larg parazitët, përgatitjen e kompostos të përbërë nga barëra të ndryshme në sasira homeopatike dhe një seri "preparatesh" shamanike dhe në mënyrë të dukshme qesharake të bazuar mbi një interpretim tepër letrar të asaj që Steiner, i cili vëzhgonte jetën në fermat e Europës Qendrore, përmendte në shkrimet e tij të pakta lidhur me bujqësinë.

Benziger Family Winery e Glen Ellen është një kompani verërash biodinamike për kartolinë dhe njerëzit që e menaxhojnë flasin me pamjen e qetë të të konvertuarve të vjetër, në ndryshim nga vinikultorë të ndryshëm të tjerë me të cilët kam folur gjatë një vizite të kohëve të fundit në Sonoma e Napa, sesa të frikësuar. Kur bëhet fjalë për të dëgjuar rrëfimin e disa praktikave të biodinamikës - groposur pleh natyror në brirë lope gjatë vjeshtës dhe për t'i nxjerrë në pranverë, groposur lëkurë lisi në kafka dhie, përdorur veshka dreri dhe zorrë lope për të mbështjellë barërat, mbjellë dhe mbledhur në "ditët e rrënjëve, të gjetheve, të luleve dhe të frutave" të treguar në kalendarët hënorë për bujqësinë të mbuluar me simbole zodiakale - mund të rezultojë e vështirë për të dalluar midis qetësisë dhe fanatizmit.

Glen Ellen është një shenjë e së kaluarës në të cilën një familje me mjete normale mund të blente një copë të mirë toke dhe të kultivonte rrush. Mike dhe Mary Benziger e blenë pronën në vitin 1980 me ndihmën e babait të Mike, Bruno, një importues verërash dhe likerërash. Bruno dhe e shoqja u transferuan aty një vit më vonë, të ndjekur më pas nga vëllezërit e tjerë. Qe një verë "në fakt mediokre", thotë Mike Benziger, ajo që i bëri të ndryshojnë metodat e kultivimit: "Kishim eliminuar fermentin mëmë" - ato organizma natyralë aq të dashur nga bukëpjekësit dhe tani edhe nga vitikultorët e vërtetë - "duke përdorur për vite të tëra herbicidet, kështu që duhet t'i shtonim fermente laboratorike". Trualli u "ngjante topave të hirit apo të pudrës" dhe ishte çuditërisht i heshtur: "Dëgjohej vetëm era midis hardhive. Ishte një shkretëtirë e gjelbër". Tani, shton Mike, trualli "duket si një lloj torte, i ngjan kekut me çokollatë".

Ndërsa Mike flet, pamja, që lëviz nga një vreshtë në pjerrësinë e një kodrine drejt një kodre tjetër, është një vepër arti rrushi Zinfandel, lavande, rozmarine dhe ullinjsh. Demeter, programi i çertifikimit ndërkombëtar për bujqësinë biodinamike (me filiale në 43 vende), kërkon që 10 përqind e tokës e një ndërmarrjeje bujqësore të jetë e pambjellë, jo dhe aq si përqindje toke të paprekur apo të rezervuar kullotës së nevojshme të një ferme vërtet të vetëmbështetshme, por e mjaftueshme sa për t'i dekurajuar kultivuesit që nxjerrin përfitim nga një kultivim i vetëm, për sa nuk dashurojnë monokulturën.

Megjithëse shumë vreshta biodinamike nuk kanë mjaft lopë sa për të prodhuar të gjithë plehun organik për të cilin kanë nevojë (dhe nuk janë domethënë një sistem realisht i dallueshëm që do të ishte në bazën e idealit biodinamik), tri lopët e çiftit Benziger janë të mjaftueshëm për të mbuluar nevojat e tyre. Veç kësaj, rrisin edhe delet që mbajnë të pastra fushat duke djegur barërat e këqija dhe kultivojnë zarzavate që rinovojnë terrenin dhe dhurojnë sallatëra të mrekullueshme si portulaka, farinaçi dhe bizelet e freskëta që shiten nga Ubuntu, një restorant vegjetarian biologjik i qendrës së Napas. Duke bërë fjalë për një kartolinë, fermeri që i dorëzon këto zarzavate është një fotogjenik i diplomuar me një kapele të madhe kashte, i martuar me një ish kuzhiniere të Chez Panisse (dhe që, rastësi e pastërt, kishte testuar recetat për librin tim lidhur me Slow Food).

Çifti Benziger ngutet që të nënvizojë se u besojnë pamjeve satelitore, analizave të sofistikuara të tokës dhe teknologjive rrushrritëse dhe verëprodhuese për të çertifikuar metodat e tyre me përdorim të ulët teknologjik. Luhatja teknologji e lartë - teknologji e ulët që gëzojnë - përveç parasë së ardhur nga teknologjia e lartë që financon metodat e ulëta teknologjike në territorin e Sonomas dhe Napas - mund të vërehet në sfodin po aq skenik të ndërmarrjes bujqësore "Da Vero", shumë pak jashtë Healdsburg, qytetit kryesor të kontesë Sonoma, që po tenton të "napafizohet" edhe pse nuk e ka arritur akoma krejtësisht. Da Vero mbahet në këmbë falë parasë që pronari i saj, Ridgely Evers, ka arkëtuar duke zhvilluar softuerin QuickBooks. Produkti kryesor është vaji i ullirit dhe Evers thekson se mban të pakultivuar më shumë se 10 përqind të tokës së kërkuar, deri në 60 përqind të saj.

Evers jep të paktën një arsye bindëse të logjikës që qëndron prapa të paguarit për të qenë i çertifikuar biodinamik dhe jo biologjik: është marketing i shkëlqyer. Biodinamika mund ta respektojë premtimin e bërë, por jo të respektuar, ndaj biologjikes: siç përmbledh shkurtimisht Evers, ushqim "i kultivuar në mënyrë të mbështetshme dhe të përgjegjshme afër vendit të konsumit". Në fakt, kjo është ideja që i dha origjinë Slow Food në vitet '80, e transformoi në një lëvizje ndërkombëtare në vitet '90 dhe e bëri të parën fjalën e vitit të New Oxford American Dictionary 2007. Dhe është premtimi që është groposur në vite që çoi tek National Organic Program (NOP) i USDA-së (Departamenti amerikan i Bujqësisë), që imponoi më së fundi një standard kombëtar për çertifikimet biologjike pas vitesh, përkufizime të vlefshme vetëm në shtetet e veçanta. "Nuk kanë kodifikuar praktikat më të mira", nënvizon Evers teksa bën një përmbledhje pak diplomatike të asaj që shumë bujq mendojnë për qëndrimin e USDA-së. "Janë shfaqur lobe dhe tani NOP-i është aq larg nga ajo që njerëzit identifikojnë me biologjike sa të duket si barcaletë".

Brirët e lopëve mbushen me pleh organik dhe groposen për të gjithë dimrin për të krijuar preparatin biodinamik 500, i cili promovon rritjen e rrënjëve.

Shumë prej fermerëve dhe vitikultorëve që kam takuar flisnin për biodinamikën si për biologjiken e re dhe, në ndryshim nga shoqatat e para të bujqësisë biologjike, Demeter po merret që standardet të cilat përpunon të mos zbuten në të ardhmen. Ka depozituar një patentë në Shtetet e Bashkuara për fjalën "biodinamikë". Tani puna do të konsistojë që t'u bëjë të qartë konsumatorëve domethënien e bujqësisë biodinamike dhe rregullat e saj më të rrepta krahasuar me atë biologjike.

Interesi në bujqësinë biodinamike po rritet, në mënyrë të veçantë midis vitikultorëve. Zhgënjimi ndaj pushtimit të industrive të mëdha në biologjiken dhe dëshira e një hapësire marketingu i kanë trefishuar regjistrimet amerikane tek Demeter gjatë 5 viteve të fundit, po t'u përmbahesh asaj që pohon Elisabeth Candelario, drejtore marketingu e Demeter USA.

Një arsye për të cilën vitikultorët janë më të tërhequr nga etiketa e biodinamikes më shumë se e biologjikes është se i skartojnë me vendosmëri metodat e vitikulturës biologjike (megjithëse nuk është njësoj për metodat e bujqësisë biologjike). "Ligji mbi biologjiken në Shtetet e Bashkuara nuk është i aplikueshëm ndaj vitikulturës", pohon Larry Stone, një ekspert vere legjendar që po ndjek ëndrrën e tij të rinisë për të prodhuar verë duke punuar si general manager i kantinës së mirënjohur Rubicon në Napa, në pronësi të regjisorit të njohur Francis Ford Coppola. Problemi, shpjegon ai, është se standardet për verën biologjike janë shkruar në të njëjtën periudhë në të cilën nivele të larta sulfiti në tasat e sallatës shkaktuan probleme shëndetësore. Kështu, nivelet e sulfitit të lejuara në verëra - 10 pjesë për 1 milion - janë shumë më të ulëta respektivisht standardit evropian me rreth 50 pjesë për 1 milion. Lajm i mirë për atë që vuan nga hemikrania dhe që mendon se shkaku janë sulfitet. Lajm i keq për prodhuesit e verës së kuqe: "Është pothuajse e pamundur të prodhohen verëra, në mënyrë të veçantë të kuqe, që të mund t'u rezistojnë sulmeve të oksidimit pas një viti", thekson Stone. Nga këtu pabarazia e madhe midis numrit të vreshtave biologjike dhe numrit të verërave biologjike. Standardet biodinamike që u përkasin sulfiteve janë në linjë me ato evropiane për verërat biologjike, gjë që i jep Demeter një mundësi të madhe tregu.

Po realisht, a është e mundur të thuhet që një verë është biodinamike? Më shkoqur, vera biodinamike është më e mirë?

Nuk do të gjeni arsye ta mendoni për sa i përket prodhimit. Çertifikuesit biodinamikë nuk diktojnë metoda absurde për prodhimin e verës, megjithëse kalendari me periudhat e përshtatshme - ditët e gjetheve dhe të frutave - u duket si supersticion shumë vitikultorëve. Aftësia e një vitikultori apo mediokriteti i tij përcakton aromën e çdo vere. Njëlloj si cilësia e rrushit.

Por është e lehtë të mbështetet se bujqësia biodinamike prodhon rrush më të mirë, ashtu si dhe të testohet vërtetësia e këtij pohimi. Kuzhinierë, midis të cilëve Jeremy Fox i restorantit "Ubuntu", të thonë se frutat dhe zarzavatet e kultivuara në mënyrë biodinamike tentojnë që ta çlirojnë shijen e tyre më shumë se ato biologjike, për të arritur atë aromë të pastër dhe të fortë që kuzhinierët kërkojnë gjithmonë. Kur Jim Fetzer, anëtar i një familjeje që ka adoptuar sloganin "Vera mike e Tokës", i konvertoi 160 arkat e tij në praktika biodinamike për t'ua shitur bistakët kantinave Fetzer (tani pronësi e një shoqërie konglomerate), Benziger dhe të tjerë i treguan si bistakët më të bukur që kishin parë ndonjëherë.

Verërat e prodhuara nga Benziger duke u nisur nga rrush i kultivuar në vreshtat biodinamike të tij janë shumë të njohur, në mënyrë të veçantë Benziger Estate Sonoma Mountain V.2006 Tribute, një përzierje kaberneti që kantina e ka futur 5 vjet më parë si "nderim" ndaj bujqësisë biodinamike. Ka një hundë çuditërisht të ndrojtur për një verë që, siç është zakon në Kaliforni, ka një përqindje alkooli prej 14.5 përqindësh. Është edhe delikate në shije, pasi përmban Cabernet Franc, Merlot e Petit Verdot dhe është dukshëm më e pastër dhe ka më pak aroma lisi respektivisht mesatares kaliforniane. Tribute është mashtrueshmërisht e ëmbël; është aq e ëmbël në hundë dhe e lehtë në gjuhë sa që pas disa çastesh fruti bazë ndjehet dhe bën që të vijë dëshira për të pirë akoma e akoma, në ndryshim nga kaberneti tipik kalifornian i fortë, i rëndë dhe shumë i pjekur. Nuk është ekonomik (rreth 80 dollarë në dyqan), por stili francez do t'u ngjallë lakmi deri atyre pijetarëve të ndrojtur të merlotit. Po Tribute është kaq i mirë falë pronës së shkëlqyer të kësaj familjeje bashkëpunuese dhe metodave të lavdërueshme bujqësore? Ndoshta. Padyshim është sepse këta njerëz dinë sesi prodhohet vera.

Shumë vreshta të të dyja luginave janë shitur. David Bos, një fermer i ri i ardhur nga Midwest me pamjen ungjillore që tradhton një të kaluar si student feje, lëvdon avantazhet e biodinamikës; të pesë vreshtat e Grgich Hills, ndërmarrjes së verërave të Napas për të cilën punon, janë çertifikuar nga Demeter. "Njerëzit pyesin nëse ia vlen barra qiranë nga pikëpamja ekonomike", më ka thënë kur më ka çuar të vizitoj një afër me Yountville (fermerë të ndryshëm kanë thënë se kalimi fillestar tek biodinamika u ka kushtuar disa mijëra dollarë akri për disa vjet). "Por e kemi parë biodinamikën që t'i shërojë vreshtat tona": duke përdorur metodat biodinamike, ka shpëtuar një vreshtë të prishur që kultivues të tjerë do ta kishin shkulur. Tani bistakët e këtij vreshti janë një pjesë e Cabernet Yountville të vlerësuar të tij. "Po prodhojmë 300-400 arka në vit", rrëfen ai. "E shesim vetëm nëpërmjet sallës tonë të shijimit dhe kushton 135 dollarë shishja".

Kultivuesit e viteve 1970 kalojnë me shpejtësi nga bota e praktikës në atë shpirtërore. Për shembull, Michael Sipiora punon në Quintessa, një pronë spektakolare në Silverado Trail. Është njohës i madh i verës, në fakt përpara se t'i bashkohej çiftit tradicionalist të pronarëve të Quintessa, Valeria dhe Agustin Huneeus, kultivonte vreshtat e Stag's Leap. Diferenca midis biologjikes dhe biodinamikes, më ka thënë, qëndron tek "energjia". Ka vazhduar më pas duke folur për nivelet e vetëdijes të Steiner: nivelin "eterik" të botës vegjetale, atë "astrale" të mbretërisë së kafshëve, nivelet e energjisë kozmike dhe tokësore që ndajmë me kafshët dhe nivelin e "shqiponjës" të arritur nga njerëzit.

Sipiora gropos kristale dhe i ngarkon me "qëllim". Uji - "lajmëtari i madh" - është argumenti i tij i parapëlqyer. Është krenar për "formën e fluksit", një shatërvan me kaskadë me vaska të dyfishta në çdo nivel që e rrotullon ujin në "vorbulla" të kundërta, duke e karikuar me energji; uji pastaj shpërndahet në të gjithë pronën. Sipiora merret personalisht me shumë prej preparateve të përgatitura nga Steiner dhe atë që nuk mund ta kultivojë brenda fermës e blen tek Josephine Porter Institute të shtetit Virginia: veshkë dreri dhe lëkurë lisi për ta groposur në kafka.

Ky lloj kulti sektar e bën të çmendet Aaron Pott. Pott është një prodhues verërash dhe këshilltar (në të kaluarën për Quintessa) që po krijon vreshtin e tij personal. Ka studiuar si në Universitetin e Kalifornisë në Davis, ashtu dhe në Universitetin e Burgundisë, dhe ka punuar në dy kështjella të Bordosë në Francë, duke fituar kështu njohuri si të Botës së Vjetër, ashtu dhe të Botës së Re. U vu në kontakt me bujqësinë biodinamike për herë të parë në Francë dhe e thelloi çështjen kur Quintessa e zgjeroi programin biodinamik të saj. I quan shumë preparate biodinamikë "qesharakë" dhe "mesjetarë".

Problemi, pohon ai, është se Steiner shkroi pak lidhur me rrushin (vetëm gjysëm faqeje të leksioneve të tij lidhur me bujqësinë) dhe dija e tij për kultivimin bazohej mbi përvojat e tij në Europën Qendrore të ftohtë, një vend totalisht i huaj respektivisht klimës së Napas dhe Sonomas. Shumë preparate synojnë që të stimulojnë pjekjen e rrushit, ndërsa në Kaliforni një prej problemeve kryesore është pjekja e tepruar.

Por Pott nuk e hedh poshtë biodinamikën 100 përqind. "Parimet që çmoj", shpjegon ai, "janë ato që thonë - me fjalët e Steiner - "Vëzhgo gjithçka që ka përreth. Përdor preparate që funksionojnë. Këto janë gjëra që kanë funksionuar në Gjermaninë qendrore. Secili të shikojë se çfarë po ndodh në vreshtin e vet dhe t'i përdorë këto teknika". Pott ka shtypur gjethe agaveje, pjesa e brendshme e të cilave ruan lagështinë e shkretëtirës dhe e ka spërkatur komposton në vreshta për të shmangur efektet e një ekspozimi të tepruar ndaj diellit dhe "pa shiko, pa shiko, ka funksionuar". Pse të tjerë nuk e adoptojnë filozofinë e Steiner për të siguruar efekte pragmatike të ngjashme dhe skartojnë atë që është dukshëm e papërshtatshme për klimën e tyre? Ngre shpatullat. "Pse kristianët nuk ndjekin mësimet e Krishtit?".

Në fund, gjithçka qëndron tek feja. Studime shkencore që kanë krahasuar ferma biologjike dhe tradicionale kanë treguar se fermat biologjike kanë një tokë me cilësi me të mirë, sipas John Reganold, shkencëtar i tokave pranë Washington State University. Por studime që krahasojnë tokën e fermave biologjike dhe biodinamike tregojnë "rezultate kontradiktore", pohon ai. Shkencëtari ka krahasuar tokën e vreshtave biodinamike dhe biologjike kufitare dhe nuk ka hasur diferenca. Megjithëse një analizë kimike e rrushit ka nënvizuar disa diferenca, nga një shijim i verbër vere Merlot e ardhur nga ato vreshta, shijuesit nuk kanë ditur të shprehen. Pavarësisht gjithçkaje, Reganold është një mbështetës i metodës: "Kultivuesit biodinamikë vëzhgojnë kultivimin dhe janë në kontakt me të shumë më shpesh respektivisht kultivuesve tradicionalë". Natyrisht, është kënaqur që bujqit biodinamikë kujdesen kaq shumë për tokën.

Nëqoftëse biodinamikë nënkuptohet vetëm që toka mbi të cilën rrushi kultivohet do të jetë më e mira për brezat e ardhshëm, atëherë jemi të gjithë dakord, "Nuk bëhesh i pasur duke prodhuar verë, ua siguroj këtë", thotë Jim Fetzer, familja e të cilit ka mbetur në fushën e zhvillimit ndërtimor dhe në kultivimin e rrushit pasi ka shitur kantinën e rrushit në pronësi. Paratë qëndrojnë tek terreni, duke parë beneficet e padiskutueshme që bujqësia biodinamike ka për jetën e truallit, ndoshta në fund të fundit është një investim i mirë.

Corby Kummer është redaktor i vjetër i së përmuajshmes "Atlantic" dhe autor i librave "The Joy of Coffee" dhe "The Pleasures of Slow Food".

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Google+ Followers