Shtëpia e Bardhë

Shtëpia e Bardhë publikon online të gjithë listën e personave që vizitojnë rezidencën e Presidentit dhe familjes së tij. Çdo ditë, rreth 2000 persona hyjnë aty, nga të cilët 380 takojnë Obamën, ndërsa të tjerët vijnë për punë apo turizëm

Kamerierë, yje dhe të panjohur Ja vizitorët e Barak dhe Mishel

Aalen Abdulrahman, turist, Aarnio Alicia e ftuar në takimin për Nasa-n, Arron Adrienne i ftuar në festën e Halloween, Aaron Stuart i ftuar në forumin mbi energjinë e pastër, Abaroa Gabriel organizatore e festës latine... Doni të vazhdojmë ende? Doni të vazhdojmë deri në 75 mijë emra? Dëshironi të arrini te George Clooney, Bill Gates apo Oprah Winfrey dhe avash-avash deri tek Yngling Edward dhe Zimpher Nancy? Ka nga të gjitha llojet dhe shtresat në listën e miqve të Barak e Mishel Obamës. Kjo quhet transparencë, quhet demokraci. Zyra ovale e “Pennsylvania Anevue 1600” ka pritur e mirëpret me mijëra njerëz. Por ky operacion transparence është vërtet i paprecedentë. Në listë nuk janë vetëm “bigët” e ekonomisë, kreu i “Goldman Sachs”, “Lloyd Blankfein”, apo të spektaklit si Denzel Uashington. Ajo që të habit më shumë janë të panjohurit, nga turistët te bashkëpunëtorët e “vegjël”, pa të cilët makina e Presidencës nuk do të funksiononte kurrë. Për shembull, merrni Robert Boguslaw. Ai është një nga pianistët zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë. Detyra e tij është të ulet në piano dhe të gjejë kolonën e duhur zanore për një seri eventesh, si firmosja e një ligji apo takimi me ndonjë delegacion. Robert është njëri nga ata, që për arsye pune shkon në Shtëpinë e Bardhë dy ose tri herë në javë, ku mundohet të bëjë kompozimin e duhur për një sërë eventesh që i kërkohet. Ose merrni një “klient” si Daniel Loeb. Ai është një “hedge-fund manager”, që në fushatën elektorale ka mbledhur më shumë se 100 mijë dollarë për Obamën, ku 25 mijë dollarë i pati dhuruar nga ana e tij. Për të është normale që të shkojë aty për të zhvilluar takime me një nga këshilltarët më të dëgjuar, Rahm Emanuel. Por arkivat e Shtëpisë së Bardhë regjistrojnë gjithçka në dritën e diellit. Operacioni i transparencës nisi vjeshtën e kaluar, por sa më shumë kalon koha aq më shumë të dhënat nxjerrin fakte të panjohura dhe interesante mbi jetën e përditshme në Shtëpinë e Bardhë. Për shembull, shumë pak e dinë që për arsye sigurie duhet të kalojnë të paktën 3 muaj nga vizita e tij në Shtëpinë e Bardhë për t’u publikuar më pas emri online. Shtëpinë e Bardhë e vizitojnë më shumë se 2 mijë vizitorë në ditë, ku nga këto 112 janë takime për administratën nga mëngjesi në mbrëmje, ndërsa 385 takime të mbajtura nga Presidenti, 58 nga stafi i rezidencës presidenciale. Një “trafik” i paimagjinueshëm njerëzish që “Washington Post” e ka fotografuar me saktësi, duke na dhënë hollësi dhe detaje që nuk i kishin parë e dëgjuar kurrë më parë. Por si funksionon një ditë e zakonshme? Personazhi kryesor quhet Darienne Page, është një ish-veterane në Irak që drejton zyrën e pritjes. Është ajo që shikon me hollësi vizitorët për të vendosur më pas kush kalon e kush jo. Presidenti, që nga njerëzit e Shtëpisë së Bardhë thirret me shkurtimin Potus, President of the United States, e thërret me emrin Rotus: Recepsionist of the United States. Darienne vendoset aty që prej orës shtatë të mëngjesit. Sistemon shtatë gazetat që vendosen aty për miqtë, madje përgatit edhe karamelet që duhet t’u shpërndajë. Këto të fundit duhet të jenë domosdoshmërish të paketuara mirë. Jemi në kohën e gripit të derrit. Zonja është pika e parë e takimit për njerëzit, pasi kanë kaluar dy kontrolle të hollësishme sigurie dhe një detektor metali. Është pikërisht ajo që klasifikon hyrjet me një saktësi prej ushtarakeje: 203 turistë futen në orën 07.30, 198 të tjerë në orën 08.30 dhe 270 të tjerë pas gjysmë ore.

Shumë? Vitin e shkuar ishin rreth 5.5 milionë njerëzit që kishin kërkuar të vizitonin Shtëpinë e Bardhë. Një shifër rekord e “fryrë” nga popullariteti i madh i Barak Obamës që e ka detyruar çiftin presidencial t’u dedikojë më shumë kohë pritjeve: nga e marta deri të shtunën në mëngjes. Por mos harroni, për çdo rastësi, shkruhet në sajtin e Shtëpisë së Bardhë se tualetet ndodhen në “Ellipse Visitor Pavillon” dhe në “Visitor center”. “Banjat nuk janë të disponueshme brenda Shtëpisë së Bardhë”, thuhet aty.

Miqtë e vajzave

Për "first daughters" (vajzat e Presidentit) vihen në radhë çdo ditë një numër i madh VIP-ash që duan t‘i njohin, njerëz që pjesa më e madhe e fëmijëve të moshës së tyre mund t‘i ëndërrojnë me posterat e vendosur në dhomë, apo që t‘u marrin ndonjë autograf mes morisë së shumtë të fansave. "Një ditë Mandela, ditën tjetër Tajgër Uds, pastaj Hana Montana", tregon një prej kujdestareve. Si adhuruese të mëdha të Hanna Montana, seri televizive mbi një vajzë që bën një jetë të fshehtë si yll popi, Sasha dhe Malia e kanë bërë realitet ëndrrën e tyre për të njohur nga afër Milej Krujs, protagonisten 16-vjeçare. Por jeta e "vajzave të para" sigurisht që nuk është e mbushur vetëm me takime. Sasha dhe Malia duhet të bëjnë të njëjtën jetë si më përpara kur jetonin në Çikago. Mes detyrave që kanë ndryshuar, futen: rregullimi i shtratit çdo ditë, zgjimi herët në mëngjes dhe fjetja në orën tetë të darkës.

Bon Jovi, mik i Presidentit

“E kam takuar shtatë herë gjithsej, por nuk kemi folur asnjëherë për muzikën rok. Më ka pritur edhe në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë. Gjithashtu kam pasur nderin të shoh një ndeshje futbolli me të në shtëpinë time”.

Jo keq për djalin e një parukeri që e filloi punën duke pastruar veglat dhe dyshemetë e një studioje regjistrimi në Bruklin. Kjo është Amerika. Punon shumë dhe një ditë prej ditësh e sheh veten të ulur anash Presidentit, me një kuti kokoshkash në dorë.

Google+ Followers