SHBA-Kinë, fundi i një marrëdhënieje?

Kina dhe Amerika janë tashmë dy vendet më të fuqishme të botës. Nëse do të bëheshin aleate, do të formonin një forcë të pandalshme. A ka ardhur vallë momenti i formëzimit të një superfuqie të dyfishtë?

Kur Kina “teshtin”, e gjithë bota merr “plevitin”. Bill Klinton e vuri re një gjë të tillë ndërsa ishte President i Shteteve të Bashkuara, ndërsa theksoi sfidat potenciale që mund të dilnin para Amerikës nga një Kinë e fuqishme në një të ardhme jo fort të largët. Njëherazi ai paralajmëroi edhe për rrezikun që paraqiste një Kinë e dobët, që mund të destabilizonte gjithë rajonin e Azisë.
Sot, Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara, Obama, po kërkon mënyrat e mundshme të një bashkëpunimi më të ngushtë me vendin e shndërruar në një fuqi gjigande me 1.3 miliardë banorë. Obama beson se bashkëpunimi me Kinën është thelbësor në vitet në vijim. “Sfidat më të mëdha të këtij shekulli, që nga ndryshimet klimatike e deri te çështjet bërthamore e rimëkëmbja ekonomike, janë sfida që u përkasin të dyja vendeve tona dhe sfida të tilla që na takojnë të gjithëve, nuk mund të zgjidhen veçse përmes bashkëpunimit”, deklaroi Obama gjatë vizitës së tij të fundit në Kinë. Në këtë vend, ndërkohë, politikanët, ekonomistët dhe ushtarakët kanë mbërritur pak a shumë në të njëjtin përfundim, kur përpiqen edhe ata në gjetjen e mënyrave më të mira për një bashkëpunim me superfuqinë e vjetër të botës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ekziston perceptimi se pa ndihmën amerikane, Kinës do t’i duhet një kohë e gjatë që të arrijë “prosperitetin e moderuar për të gjithë qytetarët”, që Partia Komuniste i ka premtuar popullit dhe synim që ajo e përdor për të justifikuar qeverisjen e vendit. Kurrë më parë, sigurisht sipas disa analistëve, këto dy vende nuk kanë qenë më të varura nga njëra-tjetra. Pa tregun dhe investimet amerikane, Kina nuk do të kishte qenë kurrë ajo që është sot. Por njëherazi shumë amerikanë do ta kishin të vështirë që të dilnin nga situata e krizës ekonomike pa ndihmën e Kinës. Ndërsa për qeverinë amerikane, ajo nuk do të ishte më në gjendje që të funksiononte, nëse Banka Qendrore e Kinës nuk do të blinte një pjesë të borxhit amerikan. Vitin e kaluar, Kina bleu sigurime të thesarit amerikan me një vlerë prej 570 miliardë eurosh.

Prej kohësh analistë të ndryshëm kanë parë dhe parashikuar një zhvendosje të qendrës së politikës së planetit nga Atlantiku drejt Paqësorit. Sipas disave, Kina dhe Amerika së bashku mund ta ndryshojnë botën. E madje ka edhe nga ata që ia kanë vënë ndërkohë emrin kësaj aleance, “Kinamerika”. Sipas tyre, të dyja vendet janë aq shumë të ndërvarura ekonomikisht, sa thuajse kanë një ekonomi të përbashkët. Njëra palë jep, ndërsa tjetra merr. Por a është perfekt një kombinim i tillë dhe mbi të gjitha i mundur e jetëgjatë? Kina, që sapo është bërë prezente me forcën dhe pushtetin e saj, jo vetëm ekonomikisht, i ka shkaktuar ndërkohë edhe probleme Amerikës. Shumë politikanë amerikanë nuk e pëlqejnë idenë që vendi i tyre po krijon varësi gjithnjë e më të madhe nga bankat kineze. E për më tepër biznesmenëve dhe politikanëve nuk ka si t’u pëlqejë që shumë vendime që i takojnë ekonomisë së tyre, merren nga liderët politikë. Republika Popullore jo vetëm ua kalon Shteteve të Bashkuara për sa i përket numrit të popullsisë, apo edhe si vendi numër një në botë për investimet e huaja, por Pekini ka aktualisht 2.3 trilionë dollarë si monedhë të huaj rezervë dhe njëherazi u jep mundësi firmave kineze që të blejnë pjesë të kompanive amerikane, siç ka ndodhur për shembull me gjigandin kompjuterik, IBM. “Ne ndiejmë frymën e nxehtë të dragoit pas shpine, shkruan një profesor i shquar amerikan dhe njëherazi asistent i Sekretarit të Shtetit në kohën e Klintonit. Ky person ka shkruar së fundmi një libër me titullin “Superfuqia e brishtë”, në të cilin rrëfen pikërisht për anët e ndryshme të fuqisë së Kinës. Disa analistë janë të mendimit se nëse Kina do të pranohet nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të komunitetit ndërkombëtar si një fuqi e suksesshme dhe e begatë, atëherë Pekini duhet që të siguronte pjesën tjetër të botës, se roli i saj global gjithnjë e në rritje nuk do të përbënte kërcënim për sigurinë e vendeve të tjera. Pentagoni nga ana e tij po e sheh jo me fort qejf armatosjen dhe shtimin e vazhdueshëm të arsenalit ushtarak nga ana e Kinës, veçanërisht për sa i përket flotës së saj detare. Parada ushtarake e sheshit “Tiananmen” një vit më parë, me rastin e festimit të 60-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës, e befasoi, mrekulloi, por edhe e alarmoi shumë botën. Është vetëm çështje kohe para se Kina të lancojë në ujërat e saj aeroplanmbajtësen e parë. Sipas burimeve kineze, ushtria kineze ka testuar me shumë sukses një sistem që mund të shkatërrojë edhe raketat ndërkontinentale. Disa vende kanë dyshim se mos ndoshta qëllimet e Kinës mund të mos jenë aq paqësore nga sa duken dhe nga sa pretendon Pekini. Anije të maskuara si varka peshkimi lundrojnë në ujërat në afërsi me Tajvanin, ishullin rebel, me të cilin Kina ka pasur dhe ka shpesh kontradikta. Ndërkaq, ajo ka debate ende të hapura edhe me Vietnamin, Malajzinë, Brunein dhe Filipinet, me ishujt Spratly dhe ishujt Paracel. Anijet luftarake kineze patrullojnë edhe përgjatë brigjeve somaleze për të mbrojtur anijet kineze që transportojnë lëndë të parë nga sulmet e mundshme të piratëve somalezë. Ekspertët amerikanë nuk kanë vënë re kurrë më parë një sasi të tillë të nëndetëseve kineze, se sa aktualisht, në patrullimet që bëjnë rreth brigjeve të vendit. Në dy raste, anijet kineze kanë kapur anije spiune amerikane në afërsi të bazës së nëndetëseve. Ndjenjat e mosbesimit janë nxitur më shumë nga njoftimi kinez se Pekini ka nevojë për një bazë të përhershme në Paqësor në një të ardhme të afërt. Për shumë vende fqinje, kjo shtrirje dhe fuqizimi i madh i Kinës kanë nevojë për një kundërbalancë dhe vende të ndryshme u kanë bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të kenë një pozicion të tillë në varësi me Kinën. Por në Kinë, teori të tilla zgjojnë inate dhe kundërshti, dhe nga ana tjetër, politikanët kinezë kanë edhe ata shumë arsye për të qenë mosbesues dhe skeptikë ndaj amerikanëve. Kështu, ata dyshojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një qëllim të vetëm, atë të ndalimit dhe pengimit të avancimit paqësor të Kinës dhe detyrimin e saj për të pranuar vlerat e demokracisë perëndimore. Pekini i sheh të gjitha mesazhet nga Uashingtoni në mënyrë shumë skrupuloze dhe të kujdesshme, për të kapur ndonjë mesazh të mundshëm kundër tij. A mos është kjo arsyeja se përse Uashingtoni, për shembull, po ngulmon me shumë zell për rivlerësimin e jenit? Në Shtetet e Bashkuara sa vijnë e po shtohen thirrjet e biznesmenëve vendas për mbrojtjen e prodhimit vendas nga konferenca kineze. Sipas nobelistit të ekonomisë, Paoul Jrugman Kina ndjek një politikë tregtare që e mban artificialisht të lartë surplusin e saj tregtar. Sipas tij, në botën e sotme, të depresionuar nga kriza, një politikë e tillë është grabitqare. Shtetet e Bashkuara nga ana e tyre kanë vendosur tarifa të larta për makinat e importuara në një përpjekje për të mbrojtur industrinë vendase nga prodhimet shumë të lira kineze. Nga ana e tij, Pekini ndihet i paepur ndaj çdo lloj presioni të mundshëm në lidhje me rivlerësimin e jenit. Të paktën këtë deklaroi Kryeministri kinez në fillim të vitit. Liderët e Partisë Komuniste nuk e mohojnë faktin që monedha e Kinës u jep avantazh atyre në tregtinë ndërkombëtare, por ata ndihen të justifikuar në përdorimin e këtij avantazhi.

“Elita amerikane nuk e ka idenë se çfarë pasojash fatale ka rivlerësimi i jenit”, thotë një komentator ekonomik kinez, duke shtuar që një gjë e tillë do të çonte në kolaps të eksporteve kineze dhe do të shkaktonte përkeqësim të të ardhurave vendase dhe shpërndarjes së tyre. Për Kinën, kjo do të thotë që ata të nxjerrin nga puna shumë punëtorë dhe si pasojë dasia mes të pasurve dhe të varfërve të bëhej edhe më e madhe, duke e çuar vendin në një trazirë të sigurt. Shefi i Bankës Popullore të Kinës bëri thirrje për zëvendësim të dollarit amerikan në këndvështrimin afatgjatë, në pozicionin që ka si monedhë rezervë, duke qenë se nuk po luante një rol në zgjidhjen e krizës. Me këtë rast ai dërgoi një mesazh shumë të qartë, atë që politikanët e Pekinit planifikojnë shumë shpejt të kenë zërin e tyre edhe në fushën e ekonomisë dhe financave botërore dhe në organizma të tillë të fuqishëm si Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Por mbi të gjitha Kina dëshiron që t’i parandalojë Shtetet e Bashkuara nga printimi i tepruar i monedhës për të stimuluar ekonominë e vet. Në një rast të tillë, inflacioni do t’ia ulte shumë vlerën e dollarëve që Kina ruan në rezervat e saj. Me frikën për një balancë në Paqësor, luftën e ashpër tregtare që mund të shpërthente, debatet për jenin dhe një takim të mundshëm mes Obamës dhe Dalai Lamës, duket se tashmë Kina dhe amerikanë kanë përpara një kohë të vështirë. Por a do të mund të ndodhë “martesa” mes Kinës dhe Amerikës, sigurisht një martesë jo mbi bazën e dashurisë, por të leverdisë? Kjo është një pyetje që do kohë për të marrë një përgjigje përfundimtare.

Google+ Followers