Përbindësh apo jo përbindësh

Eduard Streltsov ndërron jetë në vitin 1990, vetëm 53 vjeç nga një kancer në fyt, i shkaktuar sipas të gjitha gjasave nga puna në minierat siberiane


Kur më 25 maj të vitit 1958 Eduard Streltsov kaloi pragun e daçës së Eduard Karakhanovit, oficerit të ushtrisë prej pak kohësh i kthyer nga territoret e largëta të Bashkimit Sovjetik lindor, e gjitha bota shtrihej përpara këmbëve të tij. Ishte i gjatë, i ri, energjik, magjepës dhe sidomos plot me talent. Me një top midis këmbëve dinte të bënte gjëra të pabesueshme. Kurrë nuk ishte parë një si ai në fushat e futbollit të Bashkimit Sovjetik, pohonin në unanimitet komentatorët sportivë; një opinion ky i përhapur edhe në pjesën e Europës të ndodhur në perëndim të Perdes së Hekurt, nga momenti që në vitin 1957 emri atëherë i 20-vjeçarit Eduard Streltsov, figuronte në vendin e shtatë në renditjen e kandidatëve për fitimin e Topit të Artë, i dhënë atë vit sulmuesit të Real Madridit, Alfredo Di Stefano.

Pak ditë pas asaj mbrëmjeje të qetë maji, Bashkimi Sovjetik debutonte në fazën finale të një kampionati botëror, duke barazuar 2 me 2 me Anglinë. Por, Streltsov nuk qe i pranishëm. As në fushë, dhe aq më pak në stol. Ishte mbyllur në një qeli të Butirkas, njërit prej burgjeve sovjetikë më të ashpër, në pritje të gjykimit për një akuzë përdhunimi. U dënua me 12 vjet dhe u dërgua në një gulag. Për një krim, që sipas thënies së shumë njerëzve, nuk e kishte kryer kurrë.

Streltsov përfaqësonte një shkëndijë drite në qiellin e plumbtë të futbollit sovjetik të fillimit të viteve Pesëdhjetë. Deri në vdekjen e Josif Stalinit, të ndodhur në marsin e vitit 1953, presioni ndaj kombëtares së Bashkimit Sovjetik ishte i madh. Futbolli ishte politikë dhe çdo humbje përfaqësonte një "dëmtim ndaj imazhit të shtetit sovjetik". Kur në vitin 1952 në Lojërat Olimpike të Helsinkit, Bashkimi Sovjetik u eliminua nga Jugosllavia, një gazetë e Beogradit kishte në faqe të parë "Tito mund Stalinin 3 me 1". I egërsuar në kulm, diktatori gjeorgjian e goditi rëndshëm CDSA-në e Moskës, skuadrën e ushtrisë (sot CSKA) lojtarët e së cilës përbënin skeletin kryesor të kombëtares, duke e shkrirë klubin dhe duke dënuar për jetë tri futbollistë.

Vdekja e Stalinit e kishte mjedisin me më shumë frymëmarrje; për pjesën tjetër kishte menduar Streltsov, që kish debutuar në vitin 1954 në radhët e Torpedos së Moskës (klubi i pestë i kryeqytetit, në atë kohë i lidhur me ZIL-in, ndërmarrjen prodhuese të automobilave dhe kamionëve) duke vendosur menjëherë një primat: në moshën 16 vjeç, 8 muaj dhe 24 ditë ishte bërë golashënuesi më i ri i të gjitha kohërave në historinë e kampionatit të Bashkimit Sovjetik. Menjëherë i kooptuar nga kombëtarja, kishte debutuar duke i shënuar një trigolësh Suedisë në një takim miqësor.

Në Lojarët Olimpike të Melburnit të vitit 1956 kishte ardhur edhe kryevepra e tij. Ishte një Bashkim Sovjetik me fasho ai që po kërkonte t'i rezistonte Bullgarisë në gjysmëfinalen e Olimpiadës, pasi kish eliminuar në turet e mëparshme Gjermaninë Perëndimore (gol vendimtar i Streltsov) dhe Indonezinë. Sulmuesi i majtë Nikolay Tyschenko luante me një klavikul të thyer, ndërsa sulmuesi Valentin Ivanov çalonte në mënyrë të dukshme. Duke mos ekzistuar akoma ndërrimet e lojtarëve, Bashkimi Sovjetik luante me nëntë lojtarë, duke paguar haraçin në minutat e para të kohës shtesë: 1 me 0 për Bullgarinë, por që nuk i kishte bërë ende hesapet me Streltsov, qysh në moshën 18-vjeçare i pajisur me klas dhe personalitet të mjaftueshëm për të marrë mbi shpatulla skuadrën dhe realizuar një dygolësh në minutat e fundit. Sovjetikët do të fitonin edhe medaljen e arit olimpike, por me Streltsov e degdisur në stol për zgjedhje teknike. Gavril Kaçalin, kryetrajneri i Bashkimit Sovjetik, në fakt donte që dyshja sulmuese të përbëhej nga lojtarë të të njëjtit klub, për më tepër tashmë të sfilitur. Jashtë Ivanov për arsye dëmtimi, automatikisht kishte dalë stoli edhe për Streltsov, që nuk mori as edhe medaljen (politika e Bashkimit Sovjetik parashikonte që ajo t'i jepej vetëm atij që praktikisht e kish luajtur finalen). Nikita Simonian, zëvendësuesi i Streltsov gjatë aktit të fundit, i ofroi të vetën në fund të takimit. "Mos e vrit mendjen, Nikita", qe përgjigja. "Kam kohë që të fitoj shumë trofe të tjerë". Ndoshta do të kish qenë vërtet kështu, nëqoftëse pak më shumë se dy vjet më pas, Streltsov të mos ishte përplasur tek Marina Lebedeva.

Le të kthehemi në mbrëmjen famëkeqe të 25 majit 1958, në daçën e Karakhanovit, ku vodka rrjedh lumë dhe femrat nuk mungojnë. Mëngjesin e nesërm, Streltsov zgjohet me në krah bukuroshen Lebedeva. Pak orë më pas, arrestohet me akuzën se e kish përdhunuar. Gjatë seancës së pyetjeve, një agjent i KGB-së i afrohet të arrestuarit: "Jashtë nga këtu të pret Botërori në Suedi. Rrëfehu dhe ne do të të nxjerrim". Streltsov bie brenda dhe pranon, duke nënshkruar kështu dënimin e vet. E ardhmja e tij nuk do të jetë sfida kundër Pelèsë apo Hamrinit, Ranit apo Fontenit, por ajo për mbijetesën në një kamp pune dhe riedukimi. Fajtor apo viktimë e një komploti? Është një prej mistereve më të mëdha të futbollit rus. E dobët duket teoria që e do Streltsov të ndëshkuar, pse ka refuzuar që të transferohet nga Torpedoja tek Dinamo e Moskës, duke i irrituar titullarët e kësaj të fundit, domethënë KGB-në.

Shumë më me baza është në fakt hipoteza se e gjithë ngjarja qe një makinacion i Jekaterina Furcevas, e vetmja femër që është pranuar ndonjëherë në Byronë Politike, organit ekzekutiv të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Të dy qenë njohur në hollin e Kremlinit gjatë festimeve për fitoren olimpike. Qe me këtë rast që, Furceva i kërkoi Streltsov që të martohej me vajzën e saj 16-vjeçare Svjetllana, duke marrë prej tij një refuzim të prerë. "Jam i fejuar dhe shpejt do të martohem", replikoi lojtari, që pak më vonë, ndoshta i tradhtuar nga avujt e alkoolit, e zgjidhi gojën me një grup shokësh: "Nuk martohem kurrë me atë majmun". Kalojnë pak javë dhe në shtyp fillon një fushatë tejet e dyshueshme denigrimi kundër idhullit të padiskutueshëm të futbollit sovjetik. "Ky nuk është hero", titullon në faqe të parë "Sovetsky Sport" në prillin e vitit 1957, për të komentuar nxjerrjen me të kuqe të Streltsov, për shkak të një reagimi të tepruar, në një ndeshje kundër Dinamos së Minskut. Është me vend që të përmendet se midis vitit 1954 dhe vitit 1958 në kampionatin sovjetik pati 45 përzënie nga loja për lojë të dhunshme; shtypi, duke e kushtuar vetëm nga një rresht, përcolli vetëm gjysmën. Streltsov qe i vetmi që meritoi titullin e faqes së parë.

Eduard Streltsov kthehet në shtëpi në vitin 1963 pas pesë vitesh burg, por skualifikimi për jetë i dhënë në momentin e dënimit i revokohet nga vetë Leonid Iliç Brezhnjevi, që kishte zëvendësuar Nikita Sergejeviç Hrushovin ("protektorin" politik të Furçevës) si Sekretar i Parë i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në tetorin e vitit 1964. Mundi të lërë kushtu OTK-në, skuadrën lokale të Departamentit të Mbikqyrjes Teknike të ZIL-it, për Torpedon e Moskës së dashur. Në fushë zbret një lojtar i ngathët, i rënduar, por me cilësi teknike dhe balistike akoma të paprekura; në vitin 1965 Torpedoja është kampione kombëtare, tri vjet më pas vjen edhe Kupa e Bashkimit Sovjetik. Streltsov votohet si lojtari më i mirë sovjetik në vitet 1967 dhe 1968, duke u kthyer të veshë edhe fanellën e kombëtares, me të cilën totalizon 38 ndeshje dhe 24 gola. Më 1 nëntor të vitit 1966 është në fushë në Milano kundër Italisë, tashmë që nuk njihej, me shumë kilogram më tepër dhe me shumë flokë më pak. Kaltëroshët fitojnë 1 me 0, falë një goli të Guarneri. Është hakmarrja platonike e humbjes së pësuar në Sunderland disa muaj më parë me rastin e Kupës Rimet të zhvilluar në Angli. Mund të kish qenë botërori i tretë i Streltsov pas atyre të 1958 dhe 1962.

Eduard Streltsov ndërron jetë në vitin 1990, vetëm 53 vjeç nga një kancer në fyt, i shkaktuar sipas të gjitha gjasave nga puna në minierat siberiane. Vetëm në shtratin e vdekjes thyen heshtjen që ka mbajtur gjithmonë lidhur me ngjarjen, duke ju rrëfyer familjarëve pafajësinë e tij. Sot, stadiumi i Torpedos së Moskës mban emrin e tij. Sipas Aksel Vartanianit, historian dhe arkivist i futbollit në epokën sovjetike, "vlera simbolike e Streltsov është jashtëzakonisht e madhe. Në një botë intrigash dhe shtypjeje shtetërore, ai ishte heroikisht i pavarur".

Përgatiti:

ARMIN TIRANA

Google+ Followers